Gjatë ramazanit zemrat e besimtarëve edhe më shumë lidhen për xhaminë, dhe ndjenja e tyre e gëzimit dhe sigurisë është mbi çdo nivel ndërsa ata nisen për në xhami menjeherë pas iftarit për të falur namazin e jacisë dhe teravisë. Është një ndjenjë jashtëzakonisht mahnitëse që nuk ka nevojë për dëshmi dhe prova, ashtu si dielli në zenit gjatë qershorit që nuk ka nevojë për prova. Asnjë besimtar nuk do të shijoj kënaqësinë dhe ëmbëlsinë e ramazanit nëse nuk e shijon kënaqësinë e namazit të teravisë.
Ajo që e bën më madhështore ambientin në xhami sidomos gjatë kësaj periudhe janë bisedat e këndshme midis besimtarëve pas përfundimit të namazit të teravisë, të cilët mahniten me mënyrën sesi ia dolën me shumë vështirësi të hapërojnë me masat parandaluese të coronavirusit. Ka prej tyre që flasin për mirësinë e Zotit që më në fund iu rikthyen xhamive për të falë namazin e teravisë gjatë ramazanit; disa të tjerë flasin për bekimet e ramazanit, dhe urojnë që i gjithë viti të ishte ramazan. Në anën tjetër do të dëgjosh një plak të shtyer në moshë i cili kur pyetet se si po ia kalon me ramazanin, përgjigja e tij e menjëhershme është “elhamdulilah” me shumë lehtësi në shpirt dhe trup. Sdo mend që Ramazani na krijon një kënaqësi të fortë psikologjike duke u çliruar nga dëshirat e shumta gjatë agjërimit, e sidomos kënaqësinë më të madhe e shijojmë në kohën e iftarit, në atë sofër të madhe të besimit përplot dashuri, lutje, përgjërim dhe falenderim ndaj Zotit të botëve, Krijuesit të Universit, Allahut të Lartëmadhëruar.
Pas shqyrtimit të kujdesshëm të mirësive të muajit të ramazanit, besimtari mëson se Zoti i Lartësuar këtë muaj e ka bërë dhuratë për besimtarët, përfaktin që është muaji i shpalljes së Kuranit fisnik, muaji i pendimit, faljes dhe shlyerjes së mëkateve, muaji i shpëtimit nga zjarri, është muaji i sukseseve, humanizmit, altruizmit, stabilitetit psikologjik, të gjitha këto mirësi dhe shumë të tjera janë padyshim mirësi nga Zoti i Lartësuar për shërbëtorët e tij besnik dhe një mundësi e rralë në të cilën i fton adhuruesit e tij të devotshëm për pendim dhe bindje.
Shërbëtorët besnik të Zotit të Lartësuar ftohen të pendohet gjatë tërë vitit, ata kanë në dispozicion të gjitha mënyrat e pendimit, vetëpastrimit por kur vjen ramazani ka një shije të veçantë, dhe është më e lehtë për besimtarin të pendohet dhe të kthehet në rrugë të Zotit për të përmirësuar vetveten duke e ngritur aspektin shpirtëror dhe human në një stad edhe më të lartë sesa në të kaluarën.
Të shumta janë tekstet fetare që flasin se brezi i parë i besimtarëve myslimanë gëzoheshin më së shumti kur arrinte muaji i bekuar i ramazanit, sepse e shihnin si një rast të volitshëm, me etjen më të madhe për të rritur bidjen dhe veprat e mira. Dhe sapo përfundonte muaji i këtij mysafiri fisnik, ata menjeherë luteshin : « O Zot, na mundëso të arrijmë ramazanin tjetër !»
Zoti i Lartësuar myslimanëve iu ka dhënë dhuratën e ramazanit, Ai i ka drejtuar drejt rrugës së pendimit dhe shpëtimit. E kënaqësia arrihet kur pas një dite të gjatë agjërimi dhe aktiviteteve të ndryshme ulesh në sofrën e iftarit me familjen, lutesh me përgjërim, mirënjohje dhe falenderim ndaj Zotit, aty në ato momente manifestohet mirësia e Zotit në formë të qetësisë shpirtërore, lumturisë dhe kënaqësisë teksa dëgjon zërin e muezinit duke thirrur ezanin e akshamit duke ju ftuar të çelni iftar në sofrën e Zotit përplot iman dhe mirësi, sepse Ai ju krijoi, ju nderoi me këtë dhuratë dhe ju nderon me praninë e Tij përmes diturisë dhe mbikqyrjes së Tij të përhershme si dhe përgjigjes së të gjitha lutjeve tuaja para se të çelni iftarin me bismilah sepse Ai është Mbreti i Mbretërve, Krijuesi i Universit, Zoti i botëve, Allahu i Lartësuar e ka shumë të tjerë që janë privuar nga këto mirësi të ramazanit.
Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të njerëzimit nga të gjitha anët e botës dhe sikur të bashkonin përpjekjet e tyre për të krijuar një event të tillë (siç është ramazani) me përmasa globale qoftë edhe një ditë gjatë tërë vitit nuk do t’ia dalin, sepse kjo dhuratë është e veçantë për shërbëtorët besnik të Zotit të Gjithmëshirshëm.
Atëherë duhet të përpiqemi të jemi prej tyre dhe të falenderojmë Zotin e Gjithëmëshirshëm, përndryshe vdekja mund të na privojë që të përmbushim përgjigjen ndaj ftesës së Zotit për t’u penduar. Ne jemi dëshmitar të vdekjeve të shumta të befasishme, të papritura, e sidomos gjatë pandemisë së coronavirusit që po korrë me dhjetëra të rinjësh dhe të reja, burra, gra, pleq, të pasur e të varfër nga katër anët e botës. Jemi nën kufizime të rrepta të cilat duhet ti respektojmë në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e mëtejshme të coronavirusit i cili i çmendi edhe shkencëtarët më të mëdhenjë shkaku i mutacioneve të shumta të tij.
Lutemi për shpirtërat e të dashurve tonë, miqve, dashamirëve që kanë ndërruar jetë në këtë muaj të bekuar, Zoti i faltë dhe i mëshiroftë!
Zvicër, 26.04.2021