Këshilla e mirë ka ndikim të drejtpërdrejt në zemër dhe shpirt, gjë që ndikon në përmirësimin e sjelljeve të individit dhe përfitimin e cilësive të mirëfillta dhe të përsosura.

10. Këshilla:

Edukimi përmes këshillës ka efekt të jashtëzakonshëm në kultivimin e parimeve islame në të gjitha sferat e saj. Kurani famëlartë është i mbushur me këshilla, si p.sh.: "O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kurani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra)." (Junus, 57)
Pejgamberi a.s. në një hadith që transmeton Ebu Hurejre thotë: "Njeriu është në fenë e mikut të tij, prandaj le të shikojë çdo njëri prej jush se kënd po e miqëson."(1)
Këshilla e mirë ka ndikim të drejtpërdrejt në zemër dhe shpirt, gjë që ndikon edhe në përmirësimin e sjelljeve të individit dhe përfitimin e cilësive të mirëfillta dhe të përsosura.
Këshillat kuranore përdorin një metodë të mahnitshme edukuese, e cila aspiron përsosmërinë e individit, prandaj si mësuesi ashtu edhe nxënësi duhet ta kenë në konsideratë këtë, sepse kjo metodë ka një urtësi dhe nuk është e rastësishme. Si shembull për këtë që po themi mund ta marrin përmbledhjen e këshillës së Llukmanit a.s. drejtuar birit të tij, e cila ka për qëllim:
a). Që Allahu xh.sh. të jetë burim i mirësjelljes, d.m.th. besimi i njeriut në Zotin dhe ndjekja e urdhrave të Tij. Ky është përkufizimi i mirësjelljes së njeriut, pra është qëllimi dhe synimi i mirësjelljes së tij.
b). Që mirësjellja të jetë në përputhje me këshillën, një mesatare në të gjitha çështjet. Jo ekzagjerim e as neglizhencë, mirëpo një mesatare ideale me qëllim të formimit të një njeriu mesatar në të gjitha çështjet, si në mirësjellje ashtu edhe në besim-bindje(2), Sot jemi dëshmitarë të dëmeve që janë duke u shkaktuar në mesin tonë nga të gjitha tejkalimet-ekstremitetet nga njerëzit që, për fat të keq, nuk janë duke e njohur si duhet dhe sa duhet thelbin e fesë islame.
Në këtë mënyrë duhet të jetë roli i këshillës; si mjet për edukim të mirëfilltë islam.

11. Këshilla për moral të mirë:

Kjo arrihet përmes përhapjes dhe shpërndarjes së moralit dhe sjelljeve të mira mes njerëzve, tërheqjes së vëmendjes ndaj sjelljeve jo të mira dhe inkurajimit të njerëzve që posedojnë sjellje dhe moral të mirë. Hoxha, mësuesi, prijësi fillimisht duhet ta tregojë me vepër këtë moral, dhe më pastaj me fjalët e tij. Morali i mirë është pjesë përbërëse e së vërtetës, Allahu xh. sh. thotë: " ... që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm." (El Asr, 3)
Ka qenë traditë e shokëve të Pejgamberit a.s. që kur takohen dy persona nuk ndahen nga njëri-tjetri derisa ta lexojnë kaptinën "El Asr", nga fillimi deri në fund, e më pas të përshëndeten me njëri-tjetrin.(3)
Fitimi më i madh i një myslimani është kur ai ka dashamirë që e këshillojnë dhe e porosisin atë për punë të mira dhe përqendrim në rrugën e drejtë. Kur një mysliman posedon moral të mirë, atëherë shumë njerëz do ta duan atë. Transmeton Ebu Hurejre r.a., nga Pejgamberi a.s., i cili ka thënë: "Besimtari është pasqyrë e besimtarit, besimtari është vëlla i besimtarit, mënjanon nga ai çdo gjë që e rrezikon atë, dhe e mbron atë me aq sa ka mundësi."(4) Në këtë kontekst Imam El Menavij thotë: "Ti je pasqyra e vëllait tënd, përmes teje ai e sheh veten e tij; e, edhe ai është pasqyre jotja përmes të cilës ti e sheh veten tënde.

12. Mësimi nga të tjerët:

Njeriu i mençur duhet t'i vështrojë(5) të tjerët dhe çdo veprim, fjalë apo sjellje të urryer që gjendet te ata duhet ta shmangë, ndërsa çdo veprim, sjellje apo fjalë të mirë duhet ta përvetësojë edhe për vetën e tij.

13. Të qenët model-yrnek

Me të qenët model apo yrnek nënkuptojmë kur një thirrës apo teolog duhet të jetë shembull me veprimet, fjalët dhe sjelljet e tij, e këtë çështje e ka theksuar edhe Kurani famëlartë, kur thotë: "Ju e keni shembullin më të mirë te Ibrahimi dhe te ata që ishin me të" (El Mumtehine, 4)
Pejgamberi a.s. ishte dhe mbetet model dhe shembull për të gjithë myslimanët, deri në Ditën e Kiametit. Modeli i mirë që një thirrës arrin ta përçojë te njerëzit përmes sjelljeve dhe fjalëve të mira, në realitet është vetë thirrja praktike në parimet themelore të kësaj feje. Duke pasur parasysh rëndësinë e modelit në fushën e edukimit, në veçanti në fushat që kanë të bëjnë me orientime dhe parime, Pejgamberi a.s. vetë ishte shëmbëlltyrë e myslimanëve në përputhje me porositë kuranore. Falë kësaj shëmbëlltyre ai arriti t'i ngulit parimet dhe mësimet e kësaj feje te gjenerata e tij, jo vetëm përmes fjalëve, por përmes sjelljes reale dhe konkrete. Ndërsa ata mundoheshin që ta pasonin atë në çdo veprim, fjale apo sjellje, sepse ai me të vërtetë ishte një model dhe shëmbëlltyre me plot kuptimin e fjalës.(6)
Modeli i mirë është shembulli praktik i mirësjelljes së mirëfilltë të moralit. Ky shembull mund të jetë shembull fizik që gjendet në një mes apo shembull, i përfytyruar përmes tregimeve të vërteta. Modeli i mirë mund të jetë cilësi e individëve, por mund të jetë edhe për grupe të caktuara. Kurani famëlartë ka potencuar çështjen e modelit në mënyrë të qartë. Allahu xh.sh. thotë: "Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun." (El Ahzab, 21)
Përmes këtij teksti Allahu xh. sh. ka udhëzuar besimtarët që për model në të gjitha çështjet e tyre ta kenë Pejgamberin a.s., ta kenë model në veprimet e tyre, në fjalët e tyre, në sjelljet e tyre dhe në çdo gjë tjetër të jetës së tyre, sepse nuk mund të gjendet një model më i mirë se ai. Pastaj, edhe gjeneratat që ai i edukoi janë model dhe shembull i mirë. Ato kanë përcjellë çdo çështje që ndërlidhet me Pejgamberin a.s. Gjithashtu çdo periudhë pas tyre ka një grup që i qëndruan në besë parimeve, dhe ata mund të merren si model. Këtë e ka treguar edhe Pejgamberi a.s. në një hadith, kur thotë: "Në vazhdimësi do të ekzistojë një grup prej umetit tim, të cilët do të mbrojnë të vërtetën deri në Ditën e Kiametit."(7) Prandaj, asnjë periudhë nuk mund të mbetet pa një grup që mund të merret si model.(8)

14. Shoqërimi me njerëz të mirë dhe të moralshëm(9)

Çdo person apo individ është i dhënë që të bisedojë dhe kuvendojë me njerëzit që e rrethojnë atë, dhe në të njëjtën kohë edhe është i ndikuar prej njerëzve që i shoqëron. Ulja apo shoqërimi i njerëzve të mirë njeriut i jep mirësi dhe devotshmëri, ndërsa përmbajtja nga ata mund ta devijojë nga rruga e drejtë. Allahu xh.sh. në Kuran thotë: "O ju që besuat! Ta kini në kujdes Allahun, dhe të jeni me ata të drejtët!" (Et Tevbe, 119)
Allahu xh. sh., gjithashtu thotë: "E, robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë." (El Furkan, 63)
Transmeton Ebu Musa El Eshariu, se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Shembulli i shoqëruesit të mirë dhe shoqëruesit të keq është sikurse shembulli i personit
që shet misk (parfume) dhe shembulli i farkëtarit. Nga pronari i parfumerisë nuk ke dëm, ose blen prej tij ose gjen erë të këndshme, ndërsa shembulli i farkëtarit, ose djeg trupin tënd, ose rrobat tua, ose gjen erë të keqe."
Ebu Hatim Et Taij thotë: "Njeriu i mençur i shoqëron njerëzit e mirë dhe largohet nga njerëzit e këqij, sepse simpatia ndaj njerëzve të mirë gjen lidhjen shpejt dhe shkëputet ngadalë, ndërsa simpatia ndaj njerëzve të këqij shkëputet shpejt dhe gjen lidhjen ngadalë. Shoqërimi me njerëz të këqij është nënçmim ndaj njerëzve të mirë. Ai që i shoqëron njerëzit e këqij nuk shpëton nga veprimet e tyre, prandaj njeriu i mençur e ka për obligimi të largohet nga njerëzit e dyshuar, që të shpëtojë nga dyshimet. Ashtu siç shoqërimi me njerëz të mirë rezulton me mirësi, edhe shoqërimi me njerëz të këqij rezulton me të këqija."(10)
Njeriu, kur shoqërohet me njerëz të mirë, njerëz të kujdesshëm, njerëz me tipare burrërore, të cilët nuk tradhtojnë dhe nuk bëjnë veprime të ulëta, patjetër do të ndikohet për mirë dhe do ta përmirësojë sjelljen dhe veprimet e tij.
Ibën El Xhevzij thotë: "Nuk kam parë që t'i bëjë keq dikush një besimtari më shumë sesa shoqërimi me ata që nuk vlejnë."(11) Dijetarët kanë thënë: "Është quajtur miku mik për shkak të miqësisë së tij, dhe është quajtur armiku armik për shkak të armiqësisë së tij."

15. Thellimi-zhytja në mjedise me njerëz të mirë

Nga metodat e përfitimit të sjelljeve dhe moralit të mirë pa dyshim është edhe qëndrimi në ambiente të mira, sepse natyrshëm njeriu merr tipare dhe virtyte të ambientit dhe rrethit në të cilin jeton, dhe shoqërohet me njerëz, dhe kështu ose barten virtyte të mira, ose gjëra të këqija. Nëse gjatë jetës sonë qëndrojmë në ambiente ku fliten fjalë të mira dhe ku përmendet Zoti xh. sh., të dërguarit e Tij, njerëzit e mirë që kanë kontribuar për fe dhe atdhe, kudo që kanë qenë, sigurisht se kjo do të lërë gjurmë të mira dhe të paharrueshme në jetën tonë.

16. Vizitat e herëpashershme njerëzve të matur, të moralshëm dhe të mençur

Nëse një person herë pas here viziton njerëzit e edukuar dhe të sjellshëm, me moral të lartë, sigurisht se do të përvetësojë këto virtyte edhe për vetën e tij. El Ahnef bin Kajs lidhur me këtë thotë: "Shpesh vizitonim Kajs bin Asimin, dhe mësonim nga sjellja e tij ashtu siç mësonim shkencën e Fikhut-jurisprudencës islame."
Njëri nga nxënësit e Imam Ahmedit tregon, duke thënë: "Në mexhlisin e Imam Ahmedit uleshim më shumë se pesë mijë persona, më pak se pesëqind prej tyre shkruanin atë që thoshte, ndërsa pjesa tjetër mësonte prej tij edukatën dhe mirësjelljen.

17. Përsëritja e shpeshtë e jetëpërshkrimit të Pejgamberit a.s.

Jetëpërshkrimi i Pejgamberit a.s. e vë para individit modelin më të mirë që ka njohur ndonjëherë historia njerëzore për një njeri të sjellshëm dhe të edukuar në mënyrën më të mirë dhe më të përsosur.
Allahu xh.sh. në Kuran thotë: "Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun." (El Ahzab, 21)
Ibën Hazmi thotë: "Kush i do të mirat e botës tjetër-ahiretit, urtësinë e kësaj bote, biografi të mirë, përfitimin e të gjitha virtyteve të moralit, atëherë le ta marrë për model Muhamedin a.s. dhe sjelljet e tij!"(12)
Përmes shfletimit të librave të jetës së tij dhe studimit të tyre ne mund të arrijmë të kuptojmë virtytet e Pejgamberit tonë, dhe sjelljet e tij në të gjitha rrethanat e jetës së tij.

18. Leximi i jetës së shokëve të Pejgamberit a.s. dhe njerëzve të devotshëm:

Shokët e Pejgamberit a.s. janë gjenerata e parë që kanë jetuar me Pejgamberin a.s., dhe sigurisht që ata kanë pasur mundësi të mësojnë më së shumti nga jeta dhe sjelljet e tij. Për këtë arsye leximi i biografisë së tyre sigurisht se do të ndikojë pozitivisht në formësimin e mirëfilltë të individit, e këtë e gjejmë edhe në Kuran, kur Allahu xh. sh. thotë: "Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë), dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi." (El Ahzab, 23)
Gjithashtu, edhe leximi i biografisë së gjeneratës pas shokëve të Pejgamberit a.s., të cilët në terminologjinë islame njihen si gjenerata e tabiinjve, dhe i biografisë së dijetarëve dhe mendimtarëve të ndryshëm, por edhe trimave dhe burrave të vendit tonë, sigurisht që mund të lë gjurmë të pashlyeshme në jetën e një individi. Për këtë arsye edhe është me rëndësi që të lexohen këto pjesë të përmendura.

Të nderuar lexues, këto ishin disa nga metodat e përfitimit të moralit të mirë. Nuk pretendoj më se kemi përfshirë të gjitha metodat, mirëpo disa më të rëndësishme janë përfshirë në këtë pjesë. Mbesim me shpresë dhe lusim të Madhin Zot xh.sh. që të na bëjë prej njerëzve me virtyte dhe moral të mirë, dhe të jemi shembull dhe model për mesin ku jetojmë dhe veprojmë.


______________________
(1) Transmeton Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ahmedi.
(2) Nadretu Neim, vëllimi: 1, f. 142.
(3) Këtë ngjarje e transmeton Imam Buhariu, në librin e tij "El Muxhem El Evsat, vëllimi 5, f. 215.
(4) Transmeton Imam Buhariu, në librin e tij "El Edeb El Mufred", f. 239.
(5) Në kontekstin e marrjes së mësimit.
(6) Nadretu Neim, vëllimi 1, f. 143.
(7) Transmeton Imam Muslimi.
(8) El Ahlak El Islamije, Abdurrahman Habenneke El Mejdani, vëll. 1, f. 203.
(9) Mevsuatul Ahlak, Halid El Harraz, f. 80.
(10) Ravdatul Ukala, f. 80.
(11) Sejdul Hatir, f. 425.
(12) El Ahlak ve Sijer, Ibën Hazm, f. 91.


Artikulli i kaluar
Ruajtja e karakterit

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Arsim Morina: “Premtimet e Allahut për agjëruesin (trajtim i haditheve përgëzuese)”