Portreti i besimtarit mysliman sigurisht që është më i përkryeri, për faktin se ai kushtëzohet të jetë i tillë, se përndryshe nuk do të mund të bartte epitetin prej robi të sinqertë të Allahut. Këto ajete të kaptinës El-Furkan, e kanë zbërthyer këtë personalitet madhështor të besimtarit nga aspekte dhe këndvështrime të ndryshme, vetëm e vetëm që të provojnë se besimtari ka një karakter dhe moral shembullor, që reflekton pa dyshim edhe sjelljet dhe veprimet e tij. Këtë realitet sot do ta faktojmë edhe nëpërmjet shtjellimit të një tipari tjetër të tyre, të përmendur në ajetin e 72 të kaptinës në fjalë, respektivisht në pjesën e fundit të këtij ajeti: “...dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke ruajtur karakterin e vet“.
Ç’kuptohet me karakter dhe ruajtjen e tij
Komentuesit e Kur’anit kanë shpjeguar domethënien e ruajtjes së karakterit, të përmendur në këtë ajet. Kolosi i komentuesve të Kur’anit, Imam Taberiu, përmend se dijetarët kanë mendime të ndryshme përkitazi me kuptimin e ‘ruajtjes së karakterit’. Disa mendojnë se bëhet fjalë për ruajtjen nga fjalori banal dhe i ndyrë që përdornin idhujtarët në raport me besimtarët. Ndërsa ‘kalimi pranë së keqes’ nënkupton distancimin prej saj dhe kthimin e kurrizit ndaj asaj... Të tjerë mendojnë se bëhet fjalë për të gjitha mëkatet, pa marrë parasysh se cilat janë. Ibni Kethiri këtë pjesë të ajetit, kuptimisht, e lidh me pjesën e parë të tij, që i bie se: besimtarët nuk marrin pjesë në gjera të këqija (ndenje apo manifestime qofshin ato), e nëse u rastis që të qëllojnë në to pa qëllim, atëherë ata largohen menjëherë prej tyre. Kurtubiu(1) ‘lagv’-in (të keqen), në kuptimin filologjik, e shpjegon si ‘çdo fjalë a vepër e pavlerë’, ku fut edhe muzikën, dëfrimin (e shthurur) e të ngjashme, e po kështu edhe mendjelehtësinë e idhujtarëve, përmendjen e grave e vepra të tjera të urryera. Ndërsa përkitazi me domethënien e ‘ruajtjes së karakterit’ thotë se besimtarët nuk pëlqejnë, gjestet dhe veprat e mëkatarëve, nuk joshen prej tyre dhe nuk i shoqërojnë ata. Ibnu’l-Muniri citon kompaktësinë e komentuesve të Kur’anit se ‘lagv’-i (e keqja) është të folurit e pahijshëm. Edhe Bejhekiu, nga ana tjetër, pëlqen këtë mendim dhe shton se ‘e keqja’ është ajo nga e cila në fakt thënësi nuk pret ndonjë të mirë, përkundrazi. Ajo është prej atyre gjërave që nuk i interesojnë. Pejgamberi, a.s. ka thënë:“Prej Islamit të mirë të njeriut (shenjë që fakton Islamin rrënjësor tek njeriu) është mosmarrja me gjërat që nuk i interesojnë.”(2)
E mira dhe e keqja në kahe të ndryshme
Tendencat për bashkim apo të paktën përafrim ndërmjet së mirës dhe së keqes, qysh në start janë të gjykuara të dështojnë. Kjo, për shkak se që të dyja kanë drejtime plotësisht të kundërta, dhe sepse koha punon për largimin e jo afrimin e tyre. Nuk mund të pretendosh devocion për Allahun dhe përkushtim ndaj fesë së Tij e në të njëjtën kohë të kryesh mëkate. Është kontrast dhe absurditet. Allahu mohon të krahasohen e lëre më të bashkëjetojnë në të njëjtën kohë tek një njeri. “Thuaj: “Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira...”. (El-Maide, 100). Nga kjo, besimtari dhe mëkatari, i kanë:
Rrugët të ndara
Meqë nuk u bashkuan për Zotin, pra nuk qe adhurimi për Zotin si motiv bashkimi, atëherë as djalli nuk mund t’i bashkojë. Kjo, sepse Allahu ka thënë shumë qartë në Kur’anin famëlartë: “Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote, dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, sepse puna e tij ka mbaruar”. (El-Kehf, 28). Edhe Pejgamberi, a.s., mohon një gjë të tillë, madje duke e kushtëzuar këtë edhe me besimin. Tirmidhiu transmeton se Pejgamberi, a.s., në një hadith, përveç të tjerash, ka thënë: “...Dhe kush beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, atëherë le të mos ulet në tryezë ku shërbehet raki”!(3) Pra, edhe nëse nuk konsumon raki, prapë ulja në një tryezë me ata që e konsumojnë, nuk të lejohet.
Dëfrimi i tyre nuk bën të na joshë
Besimtari i devotshëm e di se jeta e tij në këtë botë mbase nuk është më shumë se një e rrahur e qerpikut të syrit. Në çdo moment edhe mund të shpërngulet prej saj, prandaj lidhja me të është lidhje në kuptimin e mysafirit me konakun e huaj. Kënaqësitë e kësaj bote, çfarëdo që të jenë, nuk mund ta devijojnë atë, ngase e di se pas tyre vjen dëshpërimi. Allahu solli shembull në Kur’an përkitazi me këtë. Duke folur për Karunin, një njeri të cilin pasuria e dërgoi në mosmirënjohje dhe kundërshtim, Allahu rrëfen: “Ai (Karuni) doli para popullit të vet me stolinë e vet, e ata që kishin synim jetën e kësaj bote, thanë: “Ah, të kishim pasur edhe ne si i është dhënë karunit, vërtet ai është fatbardhë!” 80. E ata që ishin të zotët e diturisë thanë: “Të mjerët ju, shpërblimi i Allahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepër të mirë, po atë nuk mund ta arrijë kush përveç të durueshmëve!” 81. “Po Ne atë dhe pallatin e tij i shafuam në tokë dhe veç Allahut nuk pati që ta mbronte, e as vetë nuk pati mundësi të mbrohej. 82. “E ata që dje lakmuan të ishin në vendin e tij, filluan të thoshin: “A nuk e shihni se Allahu me të vërtetë i jep begati e komoditet atij që do nga robërit e vet, e edhe ia mungon atë atij që do, e sikur Allahu të mos bënte mëshirë ndaj nesh, do të na sharronte në tokë edhe ne; sa habi, se si jobesimtarët nuk gjejnë shpëtim!” 83. Atë vend të përjetshëm (Xhenetin) ua kemi përcaktuar atyre që nuk duan as mendjemadhësi e as ngatërresë në tokë, e përfundim i këndshëm u takon atyre që I frikësohen Allahut”. (El-Kasas, 79-83).
Kujdes fjalorin!
nëse kemi parasysh këtë standard shpirtëror që disponojnë robërit e sinqertë të Allahut, atëherë nuk do të duhej të çuditeshim aspak se si muhamedi, a.s., edhe këtë tipar e kishte kushtëzuar me besimin, pra të folurit e kontrolluar. Në një hadith autentik qëndron: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, ose le të flasë mirë, ose le të heshtë!”.Kjo, sepse fjala konsiderohet vepër e njeriut, dhe sikur çdo vepër tjetër regjistrohet e llogaritet: “Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm”. (Kaf, 18).
Përmendja e grave hapi i parë drejt rrugës së shëmtuar
Mëkati nuk ndodh papritur. ai paraprakisht përgatitet nga djalli në hapa të sigurt, në mënyrë që pendimi prej tij të jetë i vështirë. Hapi i parë i djallit në këtë drejtim është që tek njeriu të hedhë atë kureshtjen për të menduar dhe më pastaj për të biseduar për gratë. Nga mendimi lind biseda, e nga biseda interesimi, e kështu hap pas hapi arrihet në aktin e shëmtuar, të cilin e urren allahu fuqiplotë. Për këtë shkak, muhamedi, a.s., ka këshilluar Ymetin e tij që të kenë kujdes, sidomos nga problematika në fjalë. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Pejgamberi, a.s., ka thënë: “Pas meje nuk kam lënë ndonjë sprovë më të dëmshme për meshkujt e Ymetit tim sesa sprova e grave”. Por kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se besimtarët e sinqertë qenkan njerëz pa ndjenja.Besimtarët e sinqertë nuk janë pa ndjenjaPërkundrazi, ata janë njerëz shumë normalë, madje edhe anën dëfryese të jetës, kuptohet të lejuar, e kanë në qejf, saqë, siç do të shohim në tiparet në vijim, në ligjëratat vijuese, edhe E lusin Allahun për bashkëshorte dhe pasardhës të hajrit. Pika ndarëse në mes tyre dhe të tjerëve është: e para, tek qëllimi, që bëhet për të ruajtur nderin dhe për të shtuar llojin (për pasardhës), dhe, e dyta, që kënaqësitë nuk i udhëheqin ata, por janë pikërisht besimtarët e devotshëm që i kanë nën kontroll epshet dhe kënaqësitë e tyre, prandaj nuk devijojnë nga e vërteta. Ata kanë alternativa për çdo gjë nga e lejuara: në vend të adhurimit të kotë, janë monoteistë, në vend të shprehive dhe fjalorit të ndytë, E kujtojnë allahun shumë, në vend të marrëdhënieve intime të jashtëligjshme, martohen dhe, në vend të dëgjimit të fjalëve të turpshme, ata dëfrehen duke dëgjuar dhe jetuar me Kur’anin. Asgjë nuk mund ta zëvendësojë Kur’anin në jetën e tyre.
Këto fjalë assesi nuk bëjnë thirrje për izolim, përkundrazi, duke u nisur nga roli që kemi mbi supet tona, duhet t’i përvishemi punës dhe t’u bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë devijuar nga e vërteta, të japim maksimumin që njerëzit t’i kthehen fesë së Allahut, t’i kthehen natyrshmërisë në të cilën janë krijuar, ngase kështu edhe kryejmë obligimin po edhe sigurojmë një jetë më të qetë. Kjo, sepse për të kundërtën Allahu na ka kërcënuar: “Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk i godet vetëm ata që bënë mizori prej jush, (por edhe të mirët), dhe ta dini se Allahu është ndëshkues i rreptë”. (El-Enfal, 25). O Zoti ynë, na mundëso ta jetësojmë në praktikë këtë moral kaq madhështor të robërve të Tu të sinqertë! Na udhëzo, na bëj prej tyre, bëj që prej nesh të udhëzohen të tjerët dhe nesër, në Ditën e Kiametit, na ringjall në turmën e tyre!O Zoti ynë, mos bëj që Kur’ani të jetë dëshmitar kundër nesh po në favor tonin, na e bëj atë prijës dhe pranverë shpirti në këtë botë, kurse në Ahiret ndërmjetësues!Të lutemi me përuljen dhe përkushtimin më të madh, që të mos na privosh nga shoqërimi i profetit Tënd të dashur, Muhamedit, a.s.,të parit të të gjithë të devotshmëve, atij, morali i të cilit ishte Kur’ani! Na mundëso të pimë ujë nga kroi i tij dhe ai të jetë ndërmjetësues për ne! Amin!!!
(1) Këto mendime janë marrë nga librat e autorëve të sipërpërmendur të publikuar në www.islamweb.net
(2) Tirmidhiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
(3) Albani konsideron se ky hadith është i mirë - hasen.