Kurani e detyron mbulesën islame/hixhabin


Unë çuditem se si Allahu i Madhërishëm i drejton zemrat e disa njerëzve që nuk kanë lindur myslimanë në Islam, dhe se si gruaja e vesh hixhabin sapo të hyjë në Islam, ende pa ditur mjaftueshëm për Islamin, kështu që e pranon me zemër dhe me shpirt fenë e Zotit të saj me plot dëshirë, duke i lënë prindërit dhe pasuritë.


Kemi dëgjuar herë pas here se një aktore kishte qenë e veshur me hixhab, por më pas e kishte hequr, me pretekstin se kjo është liri personale, dhe se Zoti na ka krijuar të lirë!!! Ky është justifikimi, madje kjo çështje vajti edhe tek disa gra që ishin të përkushtuara në fe, nën pretendimin se (nuk ka ajet kuranor që e detyron hixhabin), dhe se ky është zakon arab ose zakon hebre!!
Madje, unë njoh një numër të motrave që punonin në një institucion mediatik propagandues të cilat e kanë hequr hixhabin. Në vitin 2005, unë isha i ftuar nga Qendra Kulturore Gjermane (Goethe) në Kajro, me një numër vëllezërish për një përvojë unike, rreth Islamit dhe Perëndimit me disa gjermanë. Nuk ishte konferencë, në të cilën si zakonisht prezantohen punimet, por ishte një dialog intelektual shoqëror. Në mesin e pjesëmarrësve kishte specialistë të feve nga të dyja palët, specialistë për media, specialistë në psikologji dhe sociologji, ishte edhe një grua që përfaqësonte anën femërore në të dyja grupet. Ne po merreshim me pyetjet e ndërsjella midis Islamit dhe Perëndimit. Dhe, megjithë kundërshtimin tim për titullin, Islami korrespondon me Krishterimin, Perëndimi me Lindjen, por gjermanët insistuan në këtë titull, veçanërisht, pasi që Instituti gjerman (Goethe) ishte ai i cili përgjigjej për shpenzimet në tokën e Egjiptit, dhe të cilit i shkonte fjala...
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe një femër gjermane, anëtare e Parlamentit gjerman, kandidate për anëtare në BE, dhe ishte njëra nga pyetjet më të rëndësishme për të cilat ajo kujdesej. Ajo e pyeste çdonjërin prej nesh, në ekipin mysliman, për pozicionin e tij rreth hixhabit, dhe çka do të bënte ai, nëse vajza e tij nuk do të dëshironte ta vishte hixhabin? A do ta detyronte atë për ta veshur, apo do ta linte të lirë që të shkonte e zbuluar. Ajo kërkonte nga ne, që mos t’i tregonim njëri-tjetrit për pyetjet e saj. Unë isha i fundit që fola me të, dhe ajo më pyeti: Po sikur vajza juaj të mos donte ta vishte hixhabin?
Unë i thashë asaj:
Së pari: Hixhabi nuk është detyrim nga unë as nga ndonjë mysliman, ai është detyrim nga Zoti i Madhëruar për vajzat moshërritura, dhe ne ju sqarojmë vajzave tona se ky urdhër është nga Zoti dhe jo nga ne, se ajo është robëreshë e Zotit, andaj ajo e ka për detyrë t’i bindet urdhrit të Zotit të Madhërishëm dhe jo urdhrit tim.
Së dyti: Ne myslimanët si prindër që jemi, nëse nuk i bindim vajzat tona për hixhab, nuk ka kuptim.
Së treti: E pyeta, ju keni ardhur përmes aeroportit të Kajros, dhe keni ecur në rrugët e Kajros, a keni parë gra të zbuluara që nuk kanë veshur hixhab?
Ajo tha: Po.
Unë i thashë: Pra, ku është ai detyrim për të cilin po flet Perëndimi, se ne i detyrojmë vajzat dhe gratë tona që ta veshin hixhabin?!
Gruaja gjermane më tha: Unë jam e çuditur. Ju të gjithë përgjigjeni njësoj, megjithëse ju nuk ia treguat njëri-tjetrit përgjigjen.
Pastaj ajo, me një shqetësim të dukshëm, më tha: Unë kam qenë një nga kundërshtarët më të zjarrtë të hixhabit, por ju premtoj se do ta mbroj atë. Neve na është paraqitur se hixhabi i gruas myslimane është detyrim dhe jo zgjedhje. Pastaj, ne kemi menduar se hixhabi ia mbulon mendjen gruas, para se asaj t’ia mbulojë flokun. Pastaj, unë këtu – vazhdon të thotë ajo – pashë një numër të vajzave dhe grave myslimane, të cilat kanë një kulturë të lartë, e flasin gjuhën gjermane në Egjipt. Ato nuk i ka penguar hixhabi nga civilizimi dhe kultura. Me neve kishte disa motra dhe disa vëllezër për të përkthyer midis nesh dhe gjermanëve ...
Në një nga udhëtimet e mia në republikat Ruse, me disa zyrtarë të Meshihatit islamik, e takuam një vajzë të krishterë, e cila ishte bërë myslimane. Kur e pyetëm pse ishte bërë myslimane, ajo tha: Unë isha nga një familje fetare e krishterë. Ne kishim myslimanë, në zonën tonë kryesisht të krishterë, por askush prej tyre kurrë nuk më ka folur mua rreth Islamit ... Një ditë, më zuri syri në një libër në gjuhën ruse, i hedhur në tokë, kështu që e mora. Kur pashë, ai po fliste për Islamin, dhe ende pa e mbaruar leximin e librit për Islamin, unë u bëra myslimane! Menjëherë e vesha hixhabin dhe hyra në betejë me familjen time, por unë isha e palëkundur në Islam...
Unë çuditem se si Allahu i Madhërishëm i drejton zemrat e disa njerëzve që nuk kanë lindur myslimanë në Islam, dhe se si gruaja e vesh hixhabin sapo të hyjë në Islam, ende pa ditur mjaftueshëm për Islamin, kështu që e pranon me zemër dhe me shpirt fenë e Zotit të saj me plot dëshirë, duke i lënë prindërit dhe pasuritë.E pranon Islamin edhe nëse mbetet e varfër.
Pastaj, nga ana tjetër, sesi Zoti i shpërqendron zemrat e disa grave myslimane nga detyrimi i Zotit për hixhabin. Ajo që ka lindur myslimane, në shtëpi myslimane, nga prindërit myslimanë, në familje myslimane, në shoqëri myslimane dhe në shtet mysliman, mbase edhe e lexon Kuranin, por është grua, siç thotë Zoti i Plotfuqishëm në Kuran: “Me të vërtetë, nuk i kanë sytë e verbër (në këto gjëra), por u janë të verbra zemrat e tyre, që i kanë në kraharor.” (El-Haxh, 46)
Hixhabi, edhe nëse nuk do të ishte i detyrueshëm nga Zoti në librin e Tij dhe me gjuhën e të Dërguarit të Tij (savs), do të ishte një virtyt të cilin nuk do ta harronte asnjë vajzë dhe asnjë grua të mençur ...
Ditën kur Evropa e filloi civilizimin e saj, gratë e saj ishin të mbuluara, madje edhe princeshat ishin të mbuluara. Kështu që hixhabi është dëshmi për progres, lartësi dhe moral ...
Më ka pëlqyer një nga misionarët myslimanë që jeton në Perëndim, i cili na vizitoi për të na dhënë një kurs, se si t’u përgjigjemi dyshimeve, duke përfshirë këtu edhe temën e hixhabit.
Ai na thoshte: Kur flas për hixhabin në Evropë dhe Amerikë, unë nuk flas për ajetet e Kuranit dhe hadithet e Pejgamberit, dhe as për virtytet e tij në Islam, si një vepër e mirë, por unë ju sjell atyre fotografi të grave hebreje të përkushtuara, ku ato shfaqen të mbuluara. Pastaj, ju sjell atyre fotografi të Merjemes Virgjëreshë (Shën Mërisë) dhe Nënës Terezë. Dhe ua ofroj unë atyre fotografitë një nga një, pastaj i pyes ata: Kush janë këto? Ata thonë janë kjo dhe ajo.
Pastaj, unë ua tregoj atyre fotografinë e një vajze myslimane të mbuluar me hixhab, dhe i pyes ata: Kush është kjo?
Ata thonë: Kjo është një vajzë myslimane.
Unë u them atyre: Gratë hebreje janë të mbuluara, edhe murgeshat e krishtera janë të mbuluara, edhe virgjëresha ishte e mbuluar, edhe Nënë Tereza ishte e mbuluar. Unë nuk po ju them juve: Pse po e luftoni hixhabin në Islam, por unë po pyes: Pse gratë tek ju nuk e veshin hixhabin? Hixhabi është i detyrueshëm në Judaizëm dhe Krishterim para ardhjes së Islamit. Ndryshimi është se gratë tona e respektojnë urdhrin e Zotit, kurse gratë tuaja nuk i bindën Zotit në urdhrin e hixhabit...
Kjo është një metodë e mrekullueshme dhe logjike e argumentimit gjatë debatit me ‘njerëzit e librit’ (hebrenjtë dhe të krishterët), kur flitet me ta për hixhabin, e ndoshta edhe mund të trokasë në veshët e grave myslimane, të cilat e kanë hequr hixhabin, ose të cilat janë gati për ta hequr atë ...
Në një nga institucionet mediatike, në të cilin kam punuar, me ne ishte një kolege e virtytshme, ku të gjithë dëshmojnë për moralin e saj, seriozitetin, edukatën dhe cilësinë e punës, mirëpo ajo ishte pa hixhab.. Një nga vëllezërit erdhi tek unë dhe më tha: Sikur të kishe folur me filanen. Ti je një studiues i fesë, dhe ne e dimë se ajo falet, agjëron çdo të hënë dhe të enjte, fal namaz nate, mirëpo nuk e vesh hixhabin ...
Një ditë, u ula me të dhe i thashë: E di që je fetare dhe e moralshme, mirëpo, çka të pengon ta veshësh edhe hixhabin?
Ajo tha: Kam frikë se nuk do të jem shembull i mirë i gruas me hixhab, sepse po shoh shumë gra me hixhab, të cilat nuk po japin shembull të mirë për hixhabin.
Unë i thashë asaj: Kjo është pëshpëritje e shejtanit, sepse hixhabi është urdhër i Zotit dhe jo urdhër i ynë, kështu që vajza myslimane, e cila e do Zotin duhet t’i bindet Atij, edhe nëse është në diçka që e urren. Ti duhet t’i drejtohesh Zotit të Madhëruar duke thënë: O Zoti, unë këtë po e bëj për Ty, edhepse nuk e pëlqej. Ngase Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe nuk është për besimtarin dhe besimtaren – kur Allahu dhe Pejgamberi i Tij e caktojnë një gjë – ata të bëjnë zgjedhje në atë gjë. Kush e kundërshton Allahun dhe Pejgamberin e Tij, ai me siguri ka humbë.” (el-Ahzab, 36)
Dhe unë jam i sigurt se Allahu nuk do të lënë ty kështu pa hixhab me këtë devotshmëri dhe me këtë moral. Prandaj ‘parandaloje gjakderdhjen e veprave të këqija’, kurse çështja është midis teje dhe Zotit tënd...
Dhe ende pa kaluar 15 ditë, Allahu e begatoi me veshjen e hixhabit.
Gjykimi i një gruaje myslimane nuk bëhet vetëm në aspektin e hixhabit. Mund të ketë gra pa mbulesë që janë më të mira sesa shumë gra me mbulesë në shumë gjëra. Prandaj, nëse vajza ose gruaja është zemërmirë dhe e moralshme, pse të mos e plotësojë moralin e saj edhe me veshjen e hixhabit të urdhëruar nga Zoti i saj...
Madhështia e Islamit konsiston në faktin, se ai kur e urdhëroi mbulesën në lidhje me rrobat e grave, nuk i imponoi asaj rroba të caktuara ose me ngjyrë të caktuar, por e la atë sipas zakoneve të njerëzve. Allahu është i urtë në ligjin e Tij, Ai nuk ka ndaluar asgjë përveçse për shkak të dëmtimit dhe të keqes që sjell, edhe nëse njeriu nuk e di, porse ai e di se Allahu është i Mirinformuar, i Gjithëditur, është i sigurt se Allahu i Madhëruar nuk i ndalon robërve të Tij asgjë, përveç se për mbrojtjen e tyre dhe të shoqërisë nga dëmtimet dhe të këqijat që mund të ndodhin... Gjithashtu, Allahu i Madhëruar ka e bërë detyrim hixhabin e grave vetëm para të huajve dhe jo para të afërmve (meharim). Pasiqë gruaja në shtëpinë e saj, ose me të afërmit, nuk është e detyruar ta veshë hixhabin, kurse hixhabin e vesh vetëm nëse del jashtë (nga shtëpia) ose nëse vjen tek ajo ndonjë jo i afërm i saj. Përtej kësaj ajo është e lirë.
Pastaj, siç është thënë: ‘I dashuri i bindet atij / asaj që e don’, atëherë, a do t’i bindet gruaja Zotit të saj dhe ta demonstrojë dashurinë për Allahun e Plotfuqishëm, apo do të vrapojë pas epsheve dhe dyshimeve, prej të cilave nuk ka asnjë dobi. Unë mendoj, se heqja e hixhabit është shmangie e zemrës, verbërim i shikimit dhe devijim. Andaj, çdonjëra që e ka hequr hixhabin duhet ta shërojë zemrën e saj të plagosur duke u larguar nga Zoti i saj dhe nga urdhri i Tij.
Burri është rob i Zotit, edhe gruaja është robëreshë e Zotit, kështu që edhe robi edhe robëresha duhet t’i binden Zotit të Plotfuqishëm. Sa bukur e ka përshkruar këtë Allahu, në lidhje me Ibrahimin (a.s.), kur ka thënë: “Kur Zoti i tij i tha (Ibrahimit): “Bëhu i bindshëm!” – ai u përgjigj: “Unë i jam bindur Zotit të gjithësisë!” (El-Bekare, 131)
A do t’ia dorëzojmë zemrat dhe shpirtrat tanë Zotit të botëve? Apo do t’ia dorëzojmë dëshirave dhe pasioneve tona “E, kush vallë, ka humbur më tepër se ai që ndjek pasionin e vet, pa udhëzim prej Allahut?” (El-Kasas, 50)
Liria e vërtetë është dhuratë e Zotit për ne, dhe nuk është liria largim nga urdhri i Zotit të Plotfuqishëm. Ka dallim të madh midis lirisë së Rrahmanit dhe lirisë së Shejtanit.



Mesud Sabri
Përktheu nga arabishtja:
Miftar Ajdini


Dituria Islame 349


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi