“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin devotshmëria juaj”.
Hyrje
Nocioni "kurban", në kuptimin gjuhësor, e që rrjedh nga fjala arabe "karib" e ka kuptimin e "të afruarit", "me iu afrua diçkaje", e me këtë rast, "me veprua diçka që bëhet shkak me iu afrua Allahut të Madhërishëm".
Ndërkaq, në aspektin e terminologjisë së fikhut, kuptimi i kurbanit është "therja e kafshës që i plotëson kushtet e caktuara, sipas rregullave të caktuara, në kohë të caktuar dhe në emër të Allahut (xh. sh.) për të bërë ibadet".
Kurbani prandaj, është një shprehje përkushtimi, sakrifice, sinqeriteti dhe nënshtrimi ndaj vullnetit të Allahut të Gjithëfuqishëm. Ky përkushtim dhe nënshtrim simbolizon në mënyrë kulmore vendosmërinë e hazreti Ibrahimit dhe hazreti Ismailit, të cilët ishin aq të vendosur për ta quar në vend premtimin e tyre, i cili premtim tashmë kishte marrë formën e urdhrit të Zotit.
Në të vërtetë, festa e Kurban-Bajramit në përgjithësi e sidomos flijimi i kurbanit, na e kujtojnë edhe Ibrahimin (a. s.) - babanë e pejgamberëve dhe sprovën që ai përjetoi pikërisht rreth kurbanit.
Atë e bir në sprovë para Allahut
Hazreti Ibrahimit për vite të tëra zemra i qe djegur nga dëshira për të pasur një fëmijë. Allahu (xh.sh.) i dhuroi një fëmijë kur ai ishte në një moshë të thyer:
“(Ibrahimi u lutë) "Zoti im, dhuromë mua fëmijë të mbarë!" Dhe Ne e gëzuam atë me sihariqin e një djali të sjellshëm"
Më pas, me kalimin e kohës, i biri e kaloi femërinë e tij dhe filloi të rendte pas babait të tij, aq sa e shoqëronte dhe punonte me të. Me një rast, kur Ibrahimi (a.s.) vizitoi Mekën, kishte parë një ëndërr, ku Allahu (xh. sh.) e kishte urdhëruar, që të birin e tij të parë e të vetëm deri atëherë – Ismailin (sepse Is’haku akoma nuk kishte lindur), ta bënte kurban. Në fillim ai ishte i dyshimtë, nëse kjo ishte nga Allahu (xh.sh.) ose jo. Edhe ditën vijuese ëndërroi njëjtë si një natë më parë dhe e kuptoi se ajo ishte nga Allahu. E kur të njëjtën ëndërr e pa edhe për të tretën herë, tashmë ishte plotësisht i sigurt, ndaj dhe vendosi që të birin e tij ta bënë kurban, për këtë arsye dhe kjo ditë quhet "Jeumun-nahr”- “dita e therjes”.
Megjithatë, Ibrahimi (a. s.) këtë urdhër të Allahut (xh. sh.) nuk deshi që ta realizonte me forcë, por fillimisht i tregoi të birit duke kërkuar që ai të mendohet dhe më pas ta njoftoj të atin:
“Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte atë (Ibrahimin) në punë, Ibrahimi (i) tha: O biri im, unë kamë parë ëndërr se duhet të të flijojë, ç’i thua ti kësaj?”
Në anën tjetër, Ismaili pa u hamendur fare në propozimin e babait, e duke iu dorëzuar tërësisht Allahut, iu përgjigj:
“O im at, vepro ashtu siç je urdhëruar (nga Allahu), e mua do të më gjesh, në dashtë Allahu, prej durimtarëve!”
Ibrahimi (a. s.) ndjeu një kënaqësi të jashtëzakonshme kur vërejti se sa i vendosur ishte i biri i tij, se ishte në gjendje që edhe dhuratën më të shtrenjtë e më të çmuar- jetën, ta jepte me kënaqësi për Allahun (xh. sh.). E pra, që të dy, atë e bir, në kulmin e përkushtimit dhe të sakrificës ndaj Allahut, iu vunë punës për ta çuar në vend atë që u kërkohej.
Kur erdhi koha që premtimin ta realizonin në vepër, së bashku, vajtën në vendin e quajtur Mine. Ibrahimi i bëri të gjitha përgatitjet e duhura që të birin ta flijonte, mirëpo, qe do kur thika nuk e kryente funksionin e saj. E provoi disa herë, por, pa sukses, dhe për një moment, pasi që Ibrahimi e kaloi sprovën me sukses, - meleku Xhibril nga qielli ia solli një dash, si zëvendësim për të birin që donte ta bënte kurban. A ka dhuratë më të madhe se kjo, e cila i erdhi nga Ai, te i Cili e kishte mbështetjen dhe dashurinë e tij, për hir të të Cilit vendosi ta flijonte kurbanin? Kjo, në Kuran përshkruhet kështu:
“E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe e vuri atë (djalin) me fytyrë për tokë, Ne e thirrëm atë: O Ibrahim! Ti, vërtet tashmë e përmbushe ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë vepërmirët! Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë!”
Kështu, pra, meqenëse ëndrrat e pejgamberëve janë edhe pjesë e shpalljes së tyre hyjnore, ata të cilët janë të përkushtuar ndaj Allahut (xh. sh.) si të tilla dhe i pranojnë dhe, rrjedhimisht, i realizojnë. Ibrahimi (a. s.) ka qenë i përkushtuar ndaj Allahut (xh. sh.), ndërkaq Allahu nëpërmjet këtij rasti iu ka treguar të tjerëve se deri në ç’masë sakrifikohet për Të. Allahu (xh. sh.) e ka ditë se sa është Ibrahimi (a. s.) i ndërgjegjshëm dhe i përkushtuar, ndaj dhe ia ka parashtruar një sprovim kaq të rëndë. E, Allahu (xh. sh.) gatishmërinë e të dashurve të Tij e zëvendëson me kurban nga lloji tjetër i krijesave të Tij:
“ Dhe Ne e zëvendësuam atë me një kurban (të therur) të madh” .
I dashuri i Allahut (xh. sh.) dashin e dhuruar e flijoi. Tash, e njëjta thikë, funksionin e saj e kryente normalisht, ndërkaq Ismaili vazhdoi jetën, dhe jo vetëm kaq, por do të jetë shkak që më vonë të vjen Pejgamberi i fundit- Muhamedi (a. s.), kurse Ibrahimi (a. s.) do të përmendet si bamirës deri në Ditën e Gjykimit:
“Dhe Ne i lamë atij kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm”, kurse për provimin e dhënë me sukses, gjithashtu, do të rikujtohet:
“Paqe e shpëtim gëzoftë Ibrahimi. Ne kështu i shpërblejmë vepërmirët !"
Kështu, kujtim i kësaj ngjarjeje të madhe që lartësohet si pishtar i bukurisë së bindjes dhe i madhështisë së përkushtimit, vijohet sot e kësaj dite me traditën e therjes së kurbanit. Pejgamberi ynë, duke tërhequr vëmendjen për këtë çështje, ka urdhëruar duke thënë:
"Therni kurban, sepse therja e kurbanit është shembulli i babait tuaj, Ibrahimit".
Vlera e therjes së kurbanit dhe shpërndarjes së mishit të tij
Kurbani ka vlera të veçanta edhe në jetën personale, familjare dhe shoqërore. Personit ia shton bindjen dhe përkushtimin ndaj Zotit të Gjithësisë. Tek familja ndikon pozitivisht dhe kultivon ndjenjën e sakrificës për Atë që më së shumti është meritor. Kurbani nxit dhe zhvillon shpirtin e vëllazërimit, të ndihmës, të sakrificës e të mbështetjes së njëri-tjetrit në shoqëri. Ndihmon në zhvillimin e drejtësisë në shoqëri. Siguron një ndihmesë domethënëse në kapërcimin e hendeqeve mes shtresave shoqërore dhe në njohjen, afrimin dhe shkrirjen mes individëve të niveleve të ndryshme.
Në jetën e njerëzve të varfër, kuptohet qartë mirësia e bereqeti i këtij ibadeti. Kurbani e mëson të pasurin që të dhurojë nga malli i tij për të fituar kënaqësinë e Allahut. Ai bëhet shkak që edhe i varfëri, me ndihmën e njerëzve me gjendje më të mirë ekonomike, të falënderojë Allahun. I varfëri, në saje të kurbanit, çlirohet prej pesimizmit dhe armiqësisë që mund të ndiej për arsye të shpërndarjes së të mirave materiale në këtë botë dhe kupton se shoqëria në të cilën jeton tregon vëmendje ndaj tij.
Krahas sa u tha si më sipër, për kurbanet e therura për hir të Allahut janë premtuar shumë e shumë shpërblime. I Dërguari i Allahut ka urdhëruar e ka thënë:
"Asnjë njeri, në ditën e Kurban-Bajramit, nuk mund të kryej një vepër më të dashur tek Allahu se sa derdhja e gjakut të kurbanit. Pasi kafsha e therur, në Ditën e Gjykimit, do të mbërrijë me brirët, me qimet e me thundrat e saj. Ende pa rënë në tokë gjaku i kurbanit të therur, ai arrin më parë në një vend të lartë në praninë e Allahut. Ndaj therini kurbanet tuaja me dëshirë!
Një sahabij kur e kishte pyetur Pejgamberin (a. s.) për sevapin e therjes së kurbanit, Pejgamberi i kishte thënë: "Është traditë - synet i babait tonë, Ibrahimit". Kur sahabiu e pyeti sërish: "O i Dërguar i Allahut, po në qoftë kurbani i leshtë (si dele apo dash) si do të jetë sevapi i tij?" Pejgamberi (a. s.) iu përgjigj: "Edhe për çdo fije të leshit të kurbanit ka nga një mirësi - sevap!"
Dispozita fetare e kurbanit
Urdhëresa për therjen e kurbanit është e ligjësuar në vitin e dytë të hixhretit, ngjashëm sikurse edhe zekati e sadatul-fitri. Si e tillë, kjo dispozitë i takon kategorisë vaxhib. Dhe, duke qenë se therja e kurbanit është ibadet, fëmijët lirohen nga ky obligim, sepse ata gjatë kohës së fëmijërisë nuk janë të obliguar me ibadet. Ligjshmëria e kësaj dispozite fetare ka mbështetje në Kuran, në Synnet dhe në Ixhma’:
Argumenti nga Kurani:
Allahu i Madhërishëm në Kuran urdhëron e thotë:”Prandaj, fale namazin për Zotin tënd dhe ther kurban”.
Nga ajeti i mësipërm i Kuranit kuptohet se që të dyja, edhe namazi edhe therja e kurbanit, bëhen ekskluzivisht për Allahun (xh.sh.) dhe vetëm në Emër të Tij. Sipas shkollës tonë juridike-hanefite, ajo që është vaxhib për Pejgamberin, nëse nuk ka ndonjë argument që vërteton ndryshe, është vaxhib edhe për Ymetin e tij. Prandaj, besimtarët duhet të therin kurban, sepse Pejgamberi është udhëzues i Ymetit të tij.
Argumenti nga syneti i Pejgamberit (a. s.):
Me një rast, i Dërguari i Allahut, me qëllim që t’i këshillonte shokët e tij se si të vepronin në një ditë feste të Kurban-Bajramit, kishte thënë:
“Të parën punë që do ta bëjmë në këtë ditë feste është ta falim namazin e Bajramit, pastaj do të kthehemi e do të therim kurbanin. Prandaj, kush vepron kështu, ka vepruar sipas traditës (synnetit) tonë”.
Me një rast tjetër, Pejgamberi (a.s.) kishte deklaruar:
"Kush ka mundësi të therë kurban dhe nuk e bën këtë, të mos i afrohet vend-faljes tonë (të mos vjen me e falë namazin e Bajramit me ne)!".
Ndërkaq, për praktikën e Pejgamberit (a.s.) në këtë ditë feste, është transmetuar:
"Pejgamberi (a. s.) i ka ther dy desh të bardh me brirë, i theri me dorën e Tij, bëri "Bismil-lah", mori tekbir (tha "Allahu Ekberu"), duke e vendosur këmbën e tij mbi anën e tyre".
Ky rast e tregon praktikisht veprimin që e ka bërë Resulullahi në një ditë feste të Kurban-Bajramit, praktikë kjo të cilën besimtarët duhet ta ndjekin sipas mundësisë dhe kushteve të përcaktuara me Sheriat.
Argumenti nga Ixhmai:
Dijetarët islam, të mëhershëm e të mëvonshëm, janë unik përkitazi me trajtimin juridik islam të kurbanit dhe se ai është vaxhib, së këndejmi, konsiderohet dispozitë e vërtetuar edhe me ixhma’ - konsensus unanim të dijetarëve. Kështu ka qenë e trajtuar që nga koha e Pejgamberit (a. s.) dhe do të vazhdoj edhe në të ardhmen deri kur Allahu të trashëgojë Tokën dhe ç'ka në të!
Koha e therjes së kurbanit
Koha e therjes së kurbanit është nga dita e parë e Bajramit dhe atë pas faljes në namazit të Bajramit dhe vazhdon deri ditën e tretë në prag të perëndimit të diellit, gjegjësisht gjatë ditëve që quhen “ejjami-nahr”, - ( ???????? ?????), megjithëse më e preferuar është që kjo të bëhet ditën e parë. Kush dëshiron, mundet që gjatë tri ditëve të përmendura ta therë nga një kurban, por jo edhe pas perëndimit të diellit ditën e tretë të Bajramit. Pra, koha e përcaktuar për therjen e kurbanit është ditën e 10-të (pas faljes së namazit të Bajramit, ditën e 11 dhe ditën e 12-të muajit Dhul-hixhe). Në qoftë se rastësisht, kurbanin e ka therë para kësaj kohe, pra natën e Bajramit, ai duhet ta ripërsëris me një kurban tjetër.
Në vendet ku falet namazi i Bajramit, kurbanin duhet me e therë pas faljes së namazit të Bajramit, kurse në ato mjedise ku nuk falët namazi i Bajramit (f.v. në fshatra të vogla), kurbani theret pasi që të hynë koha e namazit të Bajramit (45 minuta pas kohës së lindjes së diellit) dhe vazhdon deri në perëndim të diellit të ditës së tretë të Bajramit. Me e therë kurbanin në mbrëmje, pra pas perëndimit të diellit të ditës së parë ose të dytë dhe natën, është e papëlqyer – mekruh, prandaj duhet pasur kujdes.
Kushtet për therjen e kurbanit
Personi i cili i plotëson kushtet si në vijim e ka vaxhib me therë kurban:
- të jetë mysliman,
- të jetë psiqikisht i shëndosh,
- të jetë i lirë,
- të jetë i moshës madhore (në bylyg),
- të jetë vendas e jo mysafir (në kuptim të sheriatit), dhe
- të ketë mundësi materiale (nisabin).
Nga kushtet e sipërpërmendura, vetvetiu kuptohet se jomyslimani, ai që është i sëmur psiqikisht, skllavi, mysafiri (edhe në qoftë se posedon gjendje të lakmueshme materiale) dhe i varfëri nuk janë të obliguar me therë kurban. Gjendja materiale e përmendur më lartë nënkupton nisabin, i cili është 91.6 gr. ari respektivisht 562 gr. argjend ose kundërvlera e tyre. Nisabi, i përmendur me këtë rast, nuk është e nevojshme të jetë në posedim një vit, siç është rasti tek zekati. Mjafton me e pas nisabin ditën e tretë të Bajramit para perëndimit të diellit dhe me këtë është i obliguar me ther kurban. Në qoftë se një mysliman ka qenë i pasur por ditën e tretë të Bajramit është varfëruar, ai lirohet nga obligueshmeria e therjes së kurbanit.
Disa dispozita lidhur me vlefshmërinë e kurbanit
Personi që e ka obligim therjen e kurbanit, këtë veprim duhet ta bëjë personalisht. Mirëpo, nëse për shkaqe objektive, ai nuk ka mundësi vet, atëherë mund ta autorizojë tjetër kënd, gjë që është e lejuar.
Gjithashtu, është e lejuar që nëse dëshiron të hollat e përgatitura për kurban, mund t’ia dorëzojë institucionit, i cili do ta realizon këtë me besnikërinë më të madhe. Shembull më i mirë për këtë është organizimi që bëjnë organet e Bashkësisë Islame në vendin tonë, duke e bërë nijet për atë që e ka bërë porosinë për kurban. Bashkësia Islame e Kosovës, për sa i takon therjes së kurbaneve, tashmë ka një përvojë dhe eksperiencë mbi 50 vjeçare dhe këtë punë e bënë me shumë përgjegjësi. Numri i porosive për kurbane që bëhet në adresë të Kryesisë, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë Kosova, më së miri e vërteton këtë. Nga i tërë ai kontingjent i mishit të kurbanit që iu shpërndahet familjeve në nevojë dhe shumë institucioneve tjera meritore, është një ndihmesë që nuk bënë të nënçmohet. Nga ana tjetër, kjo është një ndihmesë e madhe për të gjithë ata që banojnë në ndërtesa shumëkatëshe nëpër qytete, sepse kushtet banesore e pamundësojnë një veprim të tillë. Mjafton vetëm sikur ta imagjinojmë se gjatë stinës së verës, kur temperaturat janë goxha të larta, të therët kurbane në disa qindra vende në një qytet.
Prandaj, porosia që mund të bëhet në Kryesi të BI-së, në Medrese, në këshillat e BI-së dhe te imamët e xhamive, na lehtëson shumë që ta zbatojmë këtë veprim të Sheriatit dhe të fitojmë sevape të panumërta te Allahu i Gjithëmëshirshëm.
Megjithëkëtë që sapo e thamë, në vazhdim do t’i shpjegojmë edhe disa detaje që kanë të bëjnë me kurbanin.
Cila kafshë mund të bëhet kurban?
Në mënyrë që kurbani i therur prej individit të ngarkuar me përgjegjësinë e therjes së kurbanit të llogaritet i vlefshëm, duhet me e ditë se cilat kafshë mund të bëhen nijet për kurban, çfarë kushte duhet të plotësojnë dhe cila është mënyra e therjes së saj.
Prandaj, është e nevojshme të dihet se jo se çfarëdo kafshe mund të bëhet kurban. Sheriati edhe këtë çështje e la ligjësuar deri në detaje. E, pra, kurban mund të bëhet:
1. dashi, delja, dhia, cjapi nga gjedhet e imëta (që e ka plotësuar një vit e më shumë),
2. kau, lopa, bualli, buallica (që kanë mbushur dy vjet) nga gjedhet e trasha. E pra, kafshët të cilat lejohet të theren kurbane janë si u përmenden më sipër, për faktin se Allahu i Madhërishëm në Kuran ka thënë:
"Ne i kemi caktuar çdo populli vendtherjen (e kurbanit), me qëllim që ta përmendin Emrin e Allahut për arsye se i furnizoi ata me kafshët, i adhuruari juaj është një Zot, andaj vetëm Atij duhet t'i dorëzoheni dhe përgëzoi të dëgjueshmit!"
Gjedhet e trasha duhet t'i kenë mbush dy vjet e jo më pak. Gjedhet e trasha mund të bëhen kurban p.sh. për një, dy e deri në shtatë kurbana - për shtatë persona. Me këtë rast, është kusht që të gjithë pjesëmarrësit ta kenë për qëllim kurbanin, sepse nëse gjashtë prej tyre e kanë nijetin për kurban kurse njëri për mish, atëherë që të gjithë e kanë humbur sevapin e kurbanit dhe llogaritën sikur të mos kenë therë kurban. Gjedhet e imëta mund të bëhen kurban vetëm për një dhe duhet të kenë mbushur së paku një vit. Nëse qengji gjashtëmuajsh është po aq i madh dhe i bëshëm sa një qengj njëvjeçar, është e lejuar që edhe ai të bëhet kurban.
Është e rëndësishme si për nga qëllimi dhe domethënia e ibadetit, ashtu edhe nga ana shëndetësore, që kurbani që do të theret për ibadet e për hir të Allahut të ketë mish të bollshëm, të jetë i shëndetshëm dhe t'i ketë gjymtyrët të plota. Në këtë këndvështrim, në kafshët e zgjedhura për kurban, është e rëndësishme që të mos ketë ndonjë mangësi që mund të bëhet për therjen e saj për kurban. Në Kuran urdhërohet që ajo çka besimtarët fitojnë të jetë e pastër, e mirë dhe të konsumohet në rrugë të Allahut. Kjo bukur është e përshkruar në ajetin 267 të sures "El-Bekare". E pra, na është urdhëruar e thënë që gjërat e këqija dhe të panevojshme që s'do t’i pranonim as për vete, të mos mundohemi t'i dhurojmë për të shlyer borxhin ndaj Allahut. Prandaj, nisur nga ky parim, nuk është e pëlqyeshme që për kurban të theret një kafshë që ka shumë mangësi.
Kafsha e dedikuar për kurban nuk guxon të jetë e sëmurë ose me të meta të dukshme. Kështu që:
- kafsha e verbët në një ose në dy sy,
- asaj që i mungon më shumë se gjysma e veshit, ose e bishtit,
- ajo që i ka brirët e thyer,
- që i ka të gjithë ose më shumë se gjysmën e dhëmbëve të rënë,
- ajo që është dukshëm e ligë,
- ajo që shqepon (e çalë),
- ajo që nuk mund të shkon deri te vendi i therjes me këmbët e veta,
- ajo që shihet dukshëm se është e sëmurë, e të ngjashme nuk bënë të bëhet kurban.
Prandaj, kurbani duhet të jetë: i shëndosh, i majmë dhe i pa të meta. Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
“Kurbanet e juaj le të jenë të mëdhenj (të ushqyeshëm e të majmë), sepse ata do t’ju mbartin mbi Urën e Siratit”.
Nga ana tjetër, ka disa mangësi të cilat edhe në qoftë se gjenden te kafsha e dedikuar për kurban, nuk e pengojnë bërjen e saj kurban. Ja disa të meta të tilla:
- Sytë e shtrembër apo shikimi i dobët.
- Çalimi i vogël në një këmbë, ndërkohë që këmbët tjera i ka të shëndosha.
- Mungesa e brirëve që nga lindja (shyt/e).
- Veshët e shpuar ose majat e veshëve të prera ose i ka të vegjël që nga lindja.
- Rënia e disa dhëmbëve, gjithsesi ma pak se gjysma.
Prandaj, kafsha me mangësi të tilla është mekruh të theret për kurban, por sidoqoftë është e lejueshme.
Therja e kurbanit
Me këtë rast le të nënvizojmë edhe këtë: me qenë se therja e kurbanit ka karakter fetar, konsiderohet ibadet, me këtë rast duhet treguar kujdes që therja të bëhet në mënyrë sa më të lehtë. Kjo nënkupton që deri te vendi i therjes kafshën duhet dërguar pa e munduar ose pa i mëshuar, duhet përpjekur që me lehtësi ta rrëzojmë në tokë, duhet shtrirë në anën e majtë, duhet kthyer kah kibla, këmbën e mbrëmë të djathtë mundësisht me ia lënë të lirë, thikën duhet mprehur me kohë dhe mirë, dhe, mundësisht, kafshës të mos i tregohet thika. Pejgamberi (a. s.), lidhur me këtë, ka urdhëruar: "Allahu ka pranuar që gjithçka të kryhet me mirësi. Ndaj dhe duke therur një kafshë, thereni me ndjesi të mirësisë. Dikush mes jush që ther kurban, le ta mpreh mirë thikën dhe të mos e bëjë të vuaj kafshën që do ta therë."
Kur të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura e para se me filluar me therjen, duhet cituar :
“Me të vërtetë namazi im, adhurimi (kurbani) im, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin thjesht Allahut, Zotit të botëve. Ti nuk ke ortak”, vazhdojmë me tekbirin dhe duke thënë “Bismil-lahi Allahu ekber” dhe pastaj fillojmë me e therë. Akoma ma mirë se kaq është nëse e lexojmë duanë e therjes së kurbanit:
Bismil-lâhi All-llâhu ekber!
All-llâhumme hâdhâ minke ve leke. Inne salâtî ve nusukî ve mahjâje ve memâtî lil-lâhi rabbil-‘âlemîn, lâ sherike leke, ve bi dhâlike umirtu ve ene evvelul-muslimîn. All-llâhumme tekabbel minnî kemâ tekabbelte min Ibrâhîm halîluke ve Muhammedin ‘aljehis-salâtu ves-selâm! (El-Fâtiha).
Me emrin e Allahut, Allahu është i Madh!
O Zoti ynë, ky kurban është nga Ti dhe për Ty. Vërtet namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin thjesht Allahut, Zotit të botëve. Allahu nuk ka ortak, me këtë jam urdhëruar dhe unë jam i pari i myslimanëve.
O Zot, pranoje këtë kurban nga unë, ashtu siç e ke pranuar nga miku i Yt, Ibrahimi, dhe nga Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të! (El-Fâtiha)
Ai që e therë kurbanin duhet të bëjë kujdes që të mos i shkaktojë vuajtje kurbanit, kurse thikën duhet mbajtur në dorën e djathtë. Enes bin Maliku tregon se ka parë se si Pejgamberi (a. s.) kishte marrë dy desh të majmë për kurban, dhe duke e mbështetur këmbën mbi të tha: "Bismil-lahi Allahu ekber" dhe pastaj e theri me duart e veta!"
Kafshët duhet therë nën qafë (në fyt) afër nofullës, duhet prerë gabzherrin e ushqimit, ujit dhe dy arteriet-karrotidet. Kjo mënyrë quhet "dhebh" për dallim nga "nahri" që aplikohet tek devetë. Është e dëshirueshme (mystehab) me pritë derisa kafshës t'i rrjedh gjaku dhe të mos mund të lëviz. Mirë është (mendub) që therjen ta bënë pronari, e në pamundësi që ta bënë, ai mund ta autorizoj dikë tjetër, por natyrisht, dikë që është mysliman dhe vetë të qëndrojë pranë e ta shikojë procesin e therjes. Pas therjes së kurbanit, pronari është mirë që t’i falë dy reqate namaz .
Si ndahet mishi i kurbanit
Mishi i kurbanit duhet ndarë në tri pjesë:
- një pjesë duhet dhënë të varfërve dhe nevojtarëve,
- pjesën e dytë të afërmve, fqinjëve dhe farefisit,
- e pjesën e tretë mund ta ndalë për nevojat familjare. Ndarja e mishit në këtë mënyrë është mendub, pra një sjellje e mirë dhe e pëlqyeshme.
Allahu (xh. sh.) në Kuran ka urdhëruar:
"Dhe hani prej mishit të tyre (të kurbanit) si dhe ushqeni nevojtarin e varfër!"
Si dhe ajeti tjetër:
“E devetë dhe gjedhet (për kurban) ua kemi bërë prej dispozitave të Allahut për flijim, e ju prej tyre keni dobi, andaj përmendni Emrin e Allahut duke qenë ato në këmbë (të përgatitura për therje), e kur të bien ato në tokë (dhe t’u dalë shpirti), hani prej tyre dhe ushqeni atë që lypë dhe atë që nuk lyp. Kështu, ato ua vëmë në shërbimin tuaj që ju të jeni mirënjohës!”.
Mishi, lëkura, dhjami, koka, leshi i kurbanit nuk bënë të shitet. Nëse rastësisht diç nga të përmendurat janë shitur, parat e tyre duhet dhënë për sadaka. Madje, nëse kafshës për kurban, përpara se të therët i është marrë qumështi ose i është qethur leshi, edhe vlera e këtyre duhet dhënë për sadaka. Lëkura e kurbanit lejohet që të mbahet për nevoja të shtëpisë, ndonëse më e mirë është t’u jepet institucioneve humanitare. Pejgamberi (a. s.) lidhur me shitjen e lëkurës së kurbanit ka deklaruar:
"Kush e shet lëkurën e kurbanit të tij, ai nuk ka therë kurban".
Nuk lejohet, gjithashtu, që personit i cili e ka krye therjen )kasapit) t'i jepet si kompensim lëkura, kryet ose një sasi mishi. Hazreti Aliu tregonte: "Pejgamberi (a. s.) më dërgonte që të interesohem për devetë e destinuara për kurban, duke më urdhëruar që të dhuroja nga mishi, lëkura e leshi i tyre dhe për të mos e bërë pagesën e therësit (kasapit) prej këtyre" e duke shtuar më tej "Pagesën e kasapit e bënim nga ana jonë!"
Pas therjes së kurbanit, vendi ku është bërë therja duhet të pastrohet sa më mirë. Është e nevojshme që mbetjet e kafshëve të groposën sa ma thellë në tokë dhe nëse është e mundur asgjë të mos mbetet në sipërfaqe. Një sjellje e tillë është shprehje e respektit për kafshën dhe për ibadetin e kurbanit.
Edhe disa çështje lidhur me kurbanin
* A theret kurban për të vdekur?
Sipas Sheriatit lejohet therja e kurbanit me qëllim që sevapin e therjes së tij t'ia dhurojë prindërve ose të dashurve të tij të tjerë që kanë vdekur. Sikurse njeriu që mund të jep sadaka ose edhe ta kryej haxhin për të vdekurin, njëjtë mundet edhe të ther kurban. Vet Pejgamberi (a. s.) kishte therur kurban në emër të njerëzve nga Ymeti i tij që nuk mund të thernin kurban. Transmetohet se Aliu (r. a.) therte dy desh, ndër të cilët njërin për Pejgamberin (a. s.). E, kur e pyetën për këtë tha: "I Dërguari i Allahut më ka lënë amanet që të ther kurban për të sa të jem gjallë. Kurrsesi nuk e lë pa e bërë këtë."
* Nëse dikush, me të hollat që fiton vetë, ther një kurban me qëllim që sevapin t'ia dhurojë një të afërmi të vdekur, nga mishi i tij mund të hajë edhe vetë e edhe t'iu dhurojë të tjerëve. Ky lloj kurbani, nuk e ka kohën e caktuar, mund të theret edhe para edhe gjatë Bajramit, pra, mund të theret në çdo kohë.
Në qoftë se ndokush e ka lënë amanet-porosi që pas vdekjes së tij të theret kurban në emër të tij, ai kurban duhet të therët vetëm gjatë ditëve të Bajramit, dhe i tërë mishi i tij duhet dhënë si sadaka (nuk i lejohet të ndal mish për familje).
* A lejohet që gjatë kurban-Bajramit, në vend të therjes së kurbanit të jepet sadaka, në masë të kurbanit ose edhe ma shumë?
Kjo është e lejuar, dhe ai që e ka bërë këtë ka fituar sevapin e dhënies së sadakasë, por nuk e ka fituar sevapin e kurbanit. Detyrimin e kurbanit nuk e ka qua në vend.
Për ta përmbyllur
Nga sa u tha më sipër, lehtë mund të konkludohet se institucioni i kurbanit ka një rëndësi të veçantë. Krahas faktit se ai konsiderohet ibadet, me se njeriu falënderon Allahun e Gjithëmëshirshëm për dhuntitë e dhuruara, shprehë bindjen dhe sinqeritetin e tij ndaj Krijuesit, ai ka edhe karakter human e solidarizues. Përmes mishit të kurbanit, myslimani solidarizohet me skamnorët, nevojtarët dhe fëmijët e varfër ose jetimë. Në këtë mënyrë, iu mundësohet që edhe familjet e varfra, së paku në këtë ditë të bekuar të Bajramit, ta kenë sofrën më të begatshme se zakonisht. Edhe fëmijët e familjeve të varfra kanë të drejtë të gëzohen, e a ka ma mirë se me e gëzua dikë ditën e Bajramit?! Nuk duhet harruar se puna më e mirë që mund ta bëjë myslimani ditën e Bajramit është pikërisht therja e kurbanit, siç konfirmon hadithi i Pejgamberit (a. s.).
Kurbani i therur për hir të Allahut, në Urën e Siratit, që do të jetë një urë shumë e vështirë për t'u kaluar për në Ahiret, do të ndihmojë si kafshë mbartëse. Pejgamberi (a. s.) për këtë çështje kishte thënë: "Zgjidhni për kurban kafshën më të mirë e më të bukur, sepse ajo do t'ju mbartë juve mbi Urën e Siratit!"
Rëndësia e kurbanit konsiston edhe në shumë vlera që ne mbase edhe nuk i njohim, sepse, ibadetet në të vërtetë, më shumë se sa për çdo vlerë e dobi jetësore, duhet kryer në radhë të parë për hir të Allahut (xh. sh.), për ta fituar kënaqësinë e Tij. Megjithatë, gjithmonë duhet pasur në mend se, përveç sa u tha më sipër, qëllimi final i kurbanit është bamirësia, sinqeriteti, besimi, afrimi te Allahu i Lartmadhërishëm, është devotshmëria:
“Tek Allahu nuk arrin as mishi as gjaku i tyre, por te Ai arrin devotshmëria juaj”.
Ibadetet në përgjithësi, në këtë rast ibadeti i kurbanit në veçanti, kërkon nga besimtari sinqeritet, dëlirësi dhe devotshmëri. Duhet ndjekur kënaqësia e Allahut, pasi shpërblimin e tyre e cakton dhe e dhuron vetëm vullneti i Allahut. Për këtë arsye, duhet synuar vetëm që të arrihet kënaqësia e Zotit. Këtë e vërteton ky hadith i Pejgamberit (a.s.): "Vlera e veprave është vetëm sipas qëllimeve. Gjithkush ç'ka pasur për synim e për qëllim, veç atë do të arrijë të shtijë në dorë." Në këtë këndvështrim, qëllimi i parë dhe i fundit në therjen e kurbanit duhet të jenë dëlirësia e besimit, përkushtimi (ihlasi), devotshmëria (takva) dhe afrimi ndaj Allahut (kurbijet). Në të kundërtën, në mos qofshin të tilla qëllimet e synimet, mishi dhe gjaku i kurbaneve nuk ka asnjë vlerë në praninë e Allahut (xh. sh).
Literatura e konsultuar:
- Kur'ani i Madhërishëm, përktheu Prof. Hasan I. Nahi, botim i përkthyesit, Prishtinë, 1988.
- Kur'ani Fisnik, përktheu H. Sherif Ahmeti, botoi: “Kompleksi i Mbretit Fehd për shtypjen e Kur'anit të ndershëm, Medinë, pa v. b.
- Muhammad Fu’ad ‘Abdul-Bâkî, el-Mu’xham el-mufahras li elfâz el-Kurân el-Kerîm”, 1987, Kajro.
- El-Imâm Alauddîn Ebî Bekr b. Mesud El-Kasânî El-Hanefî, “Bedâiu’ s-Sanâi’ fî tertîbi sh-Sherâi’”, botoi “Dâru-l-ihjâi al-turâth al-arabî”, bot. i tretë, 2000 (1421), Bejrut.
- Prof. Muhammed Mustafâ Esh-Shelebî, “El-Medhal fit-tarîf bil-fikhi-l-islâmij”, botoi “Dâr an-Nahda al-Arabijje”, 1969, Bejrut.
- Abdurrahmân El-Xhezirî, Kitâbu 'l fikh ‘alel medhâhebil erbeati, “Dâr u rrejân lit-turâth, bo.t i parë, Kajro, 1987.
- Afif Abdyl-Fettâh Tabbâre, “Rûhud-dîn el-Islâmij” bot. i 10, 1973, botoi “Dâru-l-ilm lil melâjîn”, Bejrut.
- Muhamed Ferid Vexhdi, “El-Islâmu fî ‘asri-l-‘ilm’”, botoi “Dâru-l-kitâb el-arabij”, 1967, Bejrut.
- Dr. Subhi Es-Sâlih, “En-Nudhûmu-i-Islâmijje”, botoi “Dâru-l-ilm’ lil melâjîn”, 1968, Bejrut.
- Ekipi i Studimeve Akademike, Stamboll-Turqi, Udhërrëfyesi i një myslimani (adhurimet), botoi “Prizmi”, Tiranë, 2010.
- Ali Zaimi, Resul Rexhepi dhe Jusuf Zimeri, Ilmihal i zgjeruar, Tiranë, Prishtinë, Shkup, 2018.
- Muhamed Ali. el-Bureni, Çështjet të fikhut sipas Kuduriut, bot. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, 2002, Prishtinë.
- Es-Sejjid Sâbik, Fikhu s-Sunneh, bot. i pestë, 1983, Bejrut.