"Ndihmojuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e kurrsesi në mëkate e armiqësi.” (El Maide, 2)
Njeriu, si një qenie shoqërore është krijuar dhe parapërgatitur që të jetojë në mesin e të tjerëve. Duke qenë i tillë, ai nuk ka mundësi që të jetojë tërësisht i vetmuar, andaj çdoherë ndjen nevojën për ndihmën e të tjerëve, Në lidhje me këtë Allahu xh. sh. thotë: "Ndihmojuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e kurrsesi në mëkate e armiqësi." (El Maide, 2). Prandaj, si pjesë e këtyre nevoja të ndërsjella mes njerëzish është edhe solidarizimi dhe ndihmesa në aspektin material.
Sadakaja apo lëmosha është dhënie fakultative që u dedikohet të varfërve, skamnorëve, nevojtarëve qoftë nga të afërmit apo jo të afërmit dhe qoftë nga aspekti material apo shpirtëror.
Sadaka, si fjalë, rrjedh nga gjuha arabe, dhe që kushtimisht do të thotë sinqeritet apo thënë më ndryshe ajo është e kundërta e gënjeshtrës dhe mashtrimit. Ky emërtim sipas Ibën Uthejminit(1) vjen, ngase tregon sinqeritetin dhe është prej shenjave vërtetues e të besimit ndaj Zotit. E kjo për shkak se njeriu çdoherë duhet të jap nga ajo që është e dashur për të, e çmuar për shpirtin e tij dhe me vlerë për qenien e tij. E kjo ngase zakonisht, lëmosha, jepet në para dhe nga gjësendet tjera materiale. E njeriu nuk heq dorë nga ajo që e do, përveçse për diçka më të dashur dhe kur heq dorë nga pasuria e tij, duke ia dhënë dikujt tjetër, ai e bën këtë ngase kënaqësia dhe shpërblimi i Allahut xh.sh. janë shumë më të dashura për të, se sa pasuria dhe tërë ajo që e posedon.
Po ashtu, prej kuptimeve tjera që ka sadakaja është edhe mëshira që ndjen njeriu për njeriun, duke e konsideruar vëlla për nga ana e krijimit, dhe që një mëshirë e tillë nuk mund të quhet e sinqertë përderisa nuk konkretizohet praktikisht, pra duke e ndihmuar fizikisht apo materialisht në përpjekje për t'ia lehtësuar nevojat e tij.
Llojet e sadakasë (lëmoshës)
Sadakaja mund të ndahet në disa forma, varësisht nga ajo që dhurohet, e që mund të kemi sadaka fizike, materiale apo shpirtërore. Nga koha e përdorimit të saj, e që mund të kemi sadaka afatshkurtra dhe afatgjate apo rrjedhëse. Dhe sipas ndikimit që ka ajo, andaj mund të kemi sadaka individuale dhe shoqërore.
Llojet e sadakasë për nga lloji i dhënies
Thamë se sadakaja, për nga forma e dhënies mund të jetë materiale, fizike apo edhe emocionale apo ndjesore. Sadakaja materiale është e njohur thuajse te të gjithë ne dhe zakonisht ka të bëjë me ofrimin e ushqimit, veshmbathjes, apo edhe të formave të tjera që kanë kryesisht karakter material. Ndërsa, sadakaja fizike është kur njeriu ofron ndihmesë fizike për të mirën e të tjerëve. Prej këtyre formave do të mund të ceknim largimin e pengesave prej rrugës, orientimi i njerëzve në vende të panjohura, të ndihmuarit e njerëzve me aftësi të kufizuara. Po ashtu, prej këtij lloji të sadakasë, janë edhe shkathtësitë dhe aftësitë individuale që vihen në shërbim të shoqërisë dhe të njerëzve, që nuk kanë mundësi të paguajnë për gjërat e tilla. Nga ky lloj kemi edhe sadakanë emocionale apo ndjesore që duhet t'u ofrohet njerëzve varësisht nga nevoja që ata kanë, andaj jo kot janë llogaritur si sadaka edhe buzëqeshja kur ajo i jepet personit që ke përballë(2) apo edhe fjala e mirë që u thuhet bashkë komunikuesve.(3)
Llojet e sadakasë për nga koha e përdorimit të saj apo qëndrueshmëria e saj
Kemi sadaka që janë afatshkurta apo që nuk mund të kenë qëndrueshmëri dhe jetëgjatësi të madhe. Zakonisht në këtë grup bëjnë pjesë ushqimet e ndryshme. Por, po ashtu kemi edhe sadaka që janë më të qëndrueshme apo që janë sadaka rrjedhëse, e që numri i tyre është shumë i madh duke filluar nga ndërtimi i rrugëve, i shkollave, i xhamive, deri te dhënia e donacioneve të ndryshme për të ndihmuar spitale, çerdhe, shtëpi rehabilitimi etj.
Llojet e sadakasë për nga ndikimi i tyre apo diametri veprues i tyre
Këtu kemi të bëjmë me sadaka individuale dhe shoqërore. Sadakatë individuale janë të gjitha ato sadaka që përkufizohen te një përdorues dhe që nuk kanë mundësi të përdoren te të tjerët, siç janë ushqimet etj. E ndërsa sadaka shoqërore janë ato që kanë të bëjnë me një grup individësh apo që kanë ndikim te një shtresë më e gjerë e njerëzve. E këtu mund të bëjnë pjesë dija që njeriu ua ofron të tjerëve, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, largimi i pengesave nga rruga, etj.
Vlera e sadakasë
Vlera e sadakasë është shumë e madhe dhe e një rëndësie të jashtëzakonshme, ngase ajo bëhet shkak për përmirësimin e gjendjes shoqërore dhe individuale.
Në aspekt shoqëror ajo ndikon në rritjen e dashurisë ndërnjerëzore, në heqjen e zilisë dhe të urrejtjes, në përafrimin e njerëzve, në lehtësimin e gjendjes së nevojtarëve dhe skamnorëve. Por, po ashtu ajo ka ndikim të madh edhe në aspektin individual, ngase njeriu kur mësohet që të jap nga mirësitë që i ka dhënë Allahu xh.sh. ai arrin që të eci shumë shpejtë drejt dashurisë dhe kënaqësisë së Allahut xh. sh. E që një gjë e tillë është kulminacioni i mirësive dhe shpërblimeve që dëshirohet dhe synohet nga çdo besimtar. Andaj është e pamundur që të përmblidhet me një shkrim të vetëm e tërë ajo vlerë e madhe që ka sadakaja, prandaj do të mjaftohemi vetëm me kaq.
Format më të mira të dhënies së sadakasë
Format më të mira të dhënies së sadakasë janë:
- Sadakaja e fshehtë. Fshehtësia duhet që të përfshijë dhuruesin, atë që është dhënë, si dhe pranuesin apo atij që i është dedikuar. E kjo ngase po të bëhet publike frikësohet që njeriu ta ketë bërë për syefaqësi.
- Sadakaja në kushte të mira. Pra, sadakaja e dhënë kur njeriu është shëndosh është shumë më e dobishme sesa ajo që jepet kur është sëmurë, apo sadakaja e dhënë kur njeriu është mirë është shumë më e mirë sesa ajo që jepet kur njeriu është në kushte të vështira. E kjo ngase kur jepet në kushte jo të mira frikësohet që ta ketë dhënë për të tejkaluar atë gjendje në të cilën ai ndodhet.
- Sadakaja ndaj të afërmve. Sadakaja e dhënë në familje apo në farefis dhe të afërm është më e dobishme sesa ajo e dhënë për të huajin. E kjo ngase me këtë arrihen më shumë se një shpërblim në të njëjtën kohë. Pra, arrihet edhe shpërblimi i sadakasë, por edhe i lidhjeve familjare.
- Sadakaja nga ajo që e ke përzemërt. Sadakaja çdoherë duhet të jepet nga ajo që njeriu e do dhe e ka për zemër, ngase kështu na ka urdhëruar Allahu xh.sh. duke na thënë: "Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhenet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj." (Ali Imran, 92). Prandaj, për të arritur shpërblim sa më të madh duhet që të japësh nga ajo që e ke sa më për zemër dhe jo të japësh nga ajo që ke bërë gati ta hedhësh në plehra, ngase nuk e përdorë më. Një gjë që nuk ia dëshiron vetës tënde mos ia dhuro as vëllait tënd.
- Sadakaja rrjedhëse. Sadakaja që ka karakter të vazhdueshmërisë dhe jetëgjatësisë në përdorim është më e preferuar dhe më e mirë sesa ajo që është afatshkurtër. E kjo ngase mundësia e fitimit të shpërblimit, në sadakatë rrjedhëse, është shumë më e madhe, sepse ajo do të jetë e vazhdueshme përderisa ekziston ajo sadaka edhe pse ndoshta dhuruesi i saj mund të ketë vdekur shumë kohë më parë.
- Sadakaja e dhënë pas kryerjes së obligimeve. Nëse njeriu dëshiron që të jap sadaka ai fillimisht duhet që të përmbush nevojat elementare dhe detyrimore të familjes së tij, e pastaj të jap, ngase në të kundërtën, do u bëjë padrejtësi familjarëve dhe atyre ndaj të cilëve obligohet që të përkujdeset.
Forma e dhënies së sadakasë
- Sadakaja duhet të jepet nga ajo që posedon pavarësisht se sa e vogël mund të jetë. Islami asnjëherë nuk i kushton rëndësi sasisë, aq sa i kushton rëndësi formës dhe cilësisë. Pra, Islami çdoherë favorizon cilësinë
para sasisë. Një gjë të tillë mund ta kuptojmë edhe nga vetë transmetimet e Pejgamberit a.s., por edhe nga jeta e shokëve dhe pasuesve të denjë të tij. Në një prej transmetimeve Pejgamberi a.s. thotë "Një dërhem ia tejkalon njëqind mijë dërhemëve", ndërsa të pranishmit e pyeten se si ka ndodhur kjo dhe Pejgamberi a.s. u tha: "Një njeri kishte vetëm dy dërhem dhe njërin e dha sadaka, ndërsa një tjetër shkoi te pasuria e tij e madhe dhe nga ajo ndau vetëm njëqind mijë dërhem".(4) Po ashtu Allahu xh.sh. thotë "E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë." (Zelzele,7)
- Sadakaja duhet që të jepet nga ajo që është më e dashur për njeriun, nga ajo që e ka më së shumti për zemër dhe më të çmuarën. E po ashtu duhet që të jepet në formën më të bukur dhe assesi nuk guxon që të jepet, siç shohim në disa raste, sikur të hidhej në kosh plehrash. Për një gjë të tillë kemi transmetime të shumta nga Pejgamberi a.s., që na e dëshmojnë një gjë të tillë, e po ashtu kemi edhe transmetime të shumta nga të parët tanë që na tregojnë për kujdesin dhe rëndësinë që i kanë dhënë formës së dhënies së sadakasë.
- Sadakaja duhet që të jepet në formën më të mirë të mundshme. Në një prej transmetimeve Pejgamberi a.s. thotë: "Me të vërtetë Allahu xh. sh. është i bukur dhe e do të bukurën".(5) E po ashtu transmetohet nga Aisheja r.a., se kur dëshironte të jepte sadaka nga parat e saj, ajo i parfumonte ato duke u munduar që t'i jap në formën më të mirë të mundshme.
E ndërsa kushtet e pranimit të sadakasë janë të ngjashme me kushtet tjera të pranimit të veprave të besimtarit, pra ato janë: Të qenët mysliman, të qenët në moshë madhore, të jetë i aftë psiqikisht, të ketë kompetenca në pasurinë e tij, që të jap vetëm për hir të Zotit, që të jap nga pasuria hallall, që të jap me vetë pëlqim dhe jo nga detyrimi.
_______________
(1) Ibën Uthejmini, Sherh Bulug El-Meram, vol.9, fq.496.
(2) Shih transmetimin pejgamberik, ku thuhet: "Buzëqeshja në fytyrën e vëllait tënd është lëmoshë, udhëzimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është lëmoshë, orientimi i njerëzve në një vend të panjohur është lëmoshë, heqja e gurit, kockës apo therrave nga rruga është lëmoshë, dhe zbrazja e enës tënde. në enën e vëllait tënd është lëmosh për ty, transmeton Ibën Hibani, ne Sahihun e tij, nga Ebu Dherri r.a, shih trans. nr. 534.
(3) Shih transmetimin pejgamberik, ku thuhet" ... dhe fjala e mirë, çdo hap që bënë për në namaz dhe orientimi i atij që ka humbur rrugën është sadaka", transmeton Imam Buhariu, në Sahihun e tij, nga Ebu Hurejre r.a, shih trans. nr. 2734,
(4) Shih librin El Mustedrek ala Sahihejn të Nisaburit, transmetimi vjen nga Ebu Hurejre r.a., dhe është sipas kushteve të Imam Muslimit, shih trans. nr, 567.
(5) Shih librin Sahih el Xhami'j të Imam Albanit, transmetimi vjen nga Ebu Hurejre r.a. dhe është prej transmetimeve që janë konsideruar si të vërteta (sahih) nga Imam Albani, shih trans. nr. 1742.
Mr. Artan Musliu