Ixhara - Lizingu/Qiradhënia


Kjo është një formë e kontratës që përdoret si një prodhim financiar nga bankat islame, që mundëson qiradhënien e një pasurie për një kohë të caktuar kundrejt një pagese të caktuar; kjo është e lejuar në Islam duke u bazuar në dy burimet kryesore të Sheriatit, në Kur’an dhe Synet.

Ixhara a Lizingu është i nevojshëm në tregun financiar. Kjo kontratë ishte praktikuar edhe në kohën e hershme në formën që i shërbente shumë mirë nevojës së kohës. Si prodhim bankar i cili përdoret tash, përdoret për t’i plotësuar nevojat e njerëzve dhe për t’iu përgjigjur nevojave të kohës, sepse jo të gjithë njerëzit e kanë mundësin të blejnë a të kenë gjërat e nevojshme, prandaj është lejuar dhënia me qira, për të lehtësuar e përmbushur nevojat e tyre. Si një model financimi, Ixhara ka një përdorim të gjerë nga bankat islame. Disa nga prodhimet bankare që përdorin këtë koncept, përdoren për financime të patundshmërive e të veturave dhe për financime të projketeve në tregun e kapitalit.(1)

Kushtet kryesore janë:

1. Objekti i qirasë duhet të ketë vlerë përdoruese.
2. Të gjitha obligimet që dalin nga pronësia, duhet të barten nga qiradhënësi.
3. Çmimi i qirasë, koha dhe qëllimi duhet të specifikohen qartë.
4. Është kontratë që përmban rrezik, sepse qiradhënësi bart pronësinë e pasurisë.

Përkufizimi i ‘Ixhara’-së

Në aspektin gjuhësor ‘Ixhara’ ka kuptimin “për të dhënë diçka me qira”. Në aspektin terminologjik përdoret në dy kuptime:
Në kuptimin e parë, “Shërbimeve njerëzore” pagesa që u jepet personave për shërbime në formë page për një kohë të caktuar. Dhe kuptimi i dytë, u referohet shërbimeve të aseteve dhe pasurisë e jo shërbimeve njerëzore. Në kuptimin e parë përfshin çdo transaksion ku shërbimet e një personi kontraktohen nga dikush tjetër, nga punëtori me pagesë mujore apo edhe nga dikush tjetër për shërbime të përkohshme, p.sh. mjeku, avokati etj..(2)
Kuptimi i dytë u referohet shërbimeve të aseteve dhe pasurive e jo të njerëzve. Ixhara e këtij lloji do të thotë ‘transferim i shërbimeve të një pasurie/aseti të caktuar tek një person tjetër për të marrë qira prej tij’. Në këtë kuptim ixhara ka kuptimin e ‘Lizingut’, i cili është i njohur si një prodhim financiar i ofruar nga bankat. Në kontekstin financiar bashkëkohor, lloji i dytë është më i përshtatshëm dhe përdoret si formë e financimit dhe model i investimit.

Dijetarët e hershëm kanë dhënë disa përkufizime rreth konceptit të kontratës ixhara

Në vijim po japim disa nga më kryesoret:
- Hanefitë: një kontratë në lidhje me shërbimet me kompensim.
- Shafiitë: një kontratë mbi një shërbim të dëshiruar, të ditur, të lejuar në këmbim për një kompensim të ditur.
- Malikitë dhe Hanbelitë: transferimi i pronësisë së një shërbimi të lejuar për një periudhë të caktuar për një kompensim.
‘Ixhara’ është kontratë e dyan shme, në të cilën përdorimi i një objekti këmbehet për një çmim. Kompensimi mund të bëhet me: para, mall dhe shërbime.
Mund të bëhet një krahasim me rregullat e shitjes, sepse në të dy rastet diçka transferohet tek dikush tjetër për një vlerë të caktuar.Burimet ligjoreLejueshmëria e ‘Ixhara’-së bazohet në Kur’an, në Synet dhe në konsensusin e juristëve myslimanë. Kjo kontrate ishte përdorur nga arabët edhe para ardhjes së Muhamedit a.s., më vonë është përdorur edhe nga myslimanët, duke marrë mbështetje nga Muhamedi a.s. për lejueshmërinë e kësaj kontrate me caktimin e rregullave se ç’duhet të përmbajë dhe çfarë nuk lejohet kurrsesi të përfshihet në kontratë as si lëndë dhe as si përmbajtje e kontratës. Ajetet kuranore që flasin rreth tregimit të Musait a.s.: “Ai (Shuajbi) tha: Unë dëshiroj të të martoj me njërën prej këtyre dy vajzave të mia, me kusht që të më shërbesh tetë vjet, e nëse i plotëson dhjetë, ai është vullneti yt, e unë nuk dëshiroj të të rëndojë, dhe, në dashtë Allahu, ti do të gjesh tek unë mirëkuptim”! (El Kasas, 27)
Nga hadithet e Muhamedit alejhi selam, në lidhje me këtë kontratë mund të gjejmë:
Transmetohet nga Ibn Omeri, i cili tregon për kohën e Pejgamberit a.s.: “Vazhdonim të jepnim tokën me qira për një pjesë nga të korrat e tokës”;
“Paguaje punëtorin para se t’i thahet djersa”;
“Ai që merr një punëtor, duhet ta njoftojë atë për çmimin e pagesës”.
Të gjithë juristët (fukahatë) pajtohen për ligjshmërinë e kësaj kontrate. Nevoja për të përdorur shërbimet e një mjeti, është njësoj sikurse është nevoja për ta përdorur atë mjet. Nëse kontrata për ta shitur atë mjet është e lejuar, atëherë edhe kontrata për t’i përdorur shërbimet e atij mjeti, është e lejuar.(3)

Kushtet e ‘Ixhara’-së

- Kushtet e kësaj kontrate janë:
1. Palët kontraktuese (qiradhënësi a pronari i mjetit dhe qiramarrësi).
2. Oferta dhe pranimi.
3. Përmbajtja e kontratës, që përmban çmimin e qirasë dhe përdorimin e mjetit.

Veçoritë më të rëndësishme të kontratës al-Ixhara

- Qiradhënësi duhet të jetë pronar i mjetit për qira, agjent ose kujdestar i tij.
- Mjeti i mundshëm për qira dhe çmimi duhet të jenë të ditura për të dy palët.
- Në çdo kontratë të ‘Ixhara’-së duhet caktuar patjetër koha e qirasë dhe gjithashtu edhe qëllimi i përdorimit.
- Është obligim i qiradhënësit që të mirëmbajë mjetin e dhënë me qira dhe ta përdorë për atë që është kontraktuar.
- Nëse qiramarrësi dëmton me qëllim mjetin, qiradhënësi ka të drejtë ta ndërpresë kontratën dhe të kërkojë kompensim.
- Qiramarrësi mund ta japë më qira mjetin a objektin pjesërisht duke u siguruar se nuk do të ketë ndalesë në marrëveshje.
- Mjeti i dhënë me qira, duhet të konsiderohet si një ‘Amanet’ në duart e përdoruesit.

Fillimi i kontratës Ixhara

Kontrata mund të bëhet për të ardhmen, me qëllim që pagesa e qirasë të fillojë në momentin kur fillon përdorimi i objektit ose kur të dorëzohet mjeti i përdorimit. Pagesa mund të bëhet edhe para kohe, edhe me vonesë, nëse për këtë pajtohen palët.(4)

Llojet e Ixhara-së

1. Përdorimi i pasurisë fizike – trupore
- Pasuri e patundshme (tokë a premisë)
- Mjete (makina, orendi, etj..)
- Shtazë.

2. Shërbime personale
- Shërbime të një punëtori,
- Shërbime të ndryshme, etj..

Aplikushmëria e Ixhara-së si prodhime bankare
Bankat islame ofrojnë dy lloje prodhimesh bazuar në kontratën Ixhara: Ixhara operuese vepruese dhe Ixhara që përfundon me pronësim

Ixhara vepruese
- Në këtë kategori mjeti mbetet pronësi e bankës dhe sa herë që përfundon një kontratë, banka kërkon ndonjë qiramarrës tjetër ose e vazhdon atë me të njëjtin person, nëse ka nevojë dhe kërkesë.
- Zakonisht në këtë kategori bëjnë pjesë mjetet shumë të shtrenjta dhe që kërkojnë kohë për t’u bërë gati ose për t’u prodhuar.

Ixhara që përfundon me pronësim

Kjo lloj ‘Ixhara’-je është më e pëlqyer nga bankat islame. Kjo kategori ndahet edhe më tutje në disa nënkontrata të tjera, të cilat janë ndarë gjatë kohës së praktikimit. Zakonisht në këtë kontratë vihen mjete a asete të cilat synohen të blihen nga klienti pas një kohe të caktuar, mirëpo kjo bëhet përmes kontratës së qiramarrjes. Klienti në të njëjtën kohë paguan mjetin e financuar nga banka dhe qiranë për përdorimin e mjetit derisa ta paguajë borxhin në tërësi.(5)


_____________
1) Abdullah ‘Alwi Haji Hassan, Sales and Contract in Early Islamic Commercial Law, (New Delhi. Kitabbhawan, 1991) f. 123.
2) ISRA (International Shari’ah Research Academy for Islamic Finance), Islamic Financial System: Principles and Operations (Kuala-Lumpur: ISRA, 2012) f. 232.
3) INCEIF, Shariah Rules in Financial Transactions (Kuala Lumpur: INCEIF, 2009), f. 50-55.
4) Saiful Azhar Rosly, Critical Issues on Islamic Banking and Financial Markets, (Kuala Lumpur: Dinamas, 2005). f. 93
5) Ibid. f.93



Dr. Islam Hasani