Çfarë pas jacisë?



Pyetje me vend, por a kemi mundësi të përgjigjemi si duhet.
Çfarë bëjmë pas faljes së jacisë? A flemë menjëherë, shikojmë TV, apo kyçemi në internet (disa orë, bile edhe deri në mëngjes), apo shoqërohemi me anëtarët e familjes?
A thua me faljen e jacisë ibadeti yt për atë ditë përfundon? A thua, jeta jote fetare është reduktuar vetëm në faljen e shpejtë të pesë kohëve të namazit?
Është e vërtetë, ti e ke kryer atë me çka të ka obliguar Krijuesi, por a mjafton kjo për ta shijuar ëmbëlsinë e imanit, për avancimin dhe forcimin e tij.
Sa prej tyre e ‘kapërdijnë’ atë farz që e falin në xhami. Sa prej tyre i falin të gjitha synetet derisa janë në xhami, ndërsa kur është vetëm në shtëpi, me shpejtësi e falë farzin dhe kështu e përfundon. Sa prej tyre nuk e bënë as dhikrin pas farzit, ngritët dhe menjëherë ulet para televizorit apo para kompjuterit, apo ndoshta del jashtë për shkak të ndonjë pune të panevojshme.

Çfarë ka ndodhur me leximin e Kur’anit pas jacisë, çfarë ka ndodhur me lënien e vitrit për orë të vona, çfarë ka ndodhur me namazin e natës?

Nëse nuk je përgatitur për namazin e natës, mos e ndërpre vazhdimin e ibadetit menjëherë pas faljes së jacisë. Nëse jacinë e ke falur me xhemat (në xhami), kur të vish në shtëpi, hape Librin e Allahut dhe lexo sa të kesh mundësi, mbaje në mend - çdo shkronjë mbanë dhjetë sevape. Pastaj falë nafile sa të kesh mundësi, mbaro me vitrin dhe shko të flesh. Përpiqu që shpirtin tënd ta mësosh me këtë sistem, nuk do të pendohesh.

Gjendja jonë pas jacisë, për fat të keq, është e njëjtë: darka, TV, interneti, biseda, ndejat... përveç atyre që Allahu i ka mëshiruar. E nëse dikush nga anëtarët e familjes do t’ia përmendin namazin e natës, vallahi, shpirti i tij do t’i gjen mijëra argumente që t’mos falej: duke u arsyetuar se është lodhur, se do ta fal natën tjetër, se duhet të shkojë herët në punë ... e shumë arsye tjera. Megjithatë nëse në atë kohë i vjen një mik, apo shoqëria e tij, do të qëndronte me ta deri vonë dhe nuk do të lodhej fare.
E nëse miku i thotë: “Na falë ndoshta po të pengojmë, je i lodhur, nesër duhet të shkosh herët në punë.” Ai do t’i thoshte: “jo, vallahi nuk po më pengoni, më vjen mirë që erdhët.” Për fat të keq, ky është realiteti ynë.
Mjerim, mjerim i madh. Ai e konsideron humbje kohe qëndrimin e dy rekateve para Krijuesit të tij, derisa qëndrimin me miqtë e konsideron sukses. Dhe pastaj çuditemi se zemrat tona janë të mbushura me brenga, mërzi, lakmi dhe zili… e leximin e Kur’anit mos ta përmendim, leximin e fjalëve të Allahut për të cilat Allahu i Madhërishëm të nxjerr nga çdo fatkeqësi, t’i largon brengat dhe problemet...
E sheh se si natën vonë, ashtu i lodhur, qeshet dhe bën shaka, mezi sheh me sy, por nuk ka forcë ta hap Kur’anin dhe me sytë që ia ka dhuruar Allahu t’i lexojë disa ajete.
Betohem në Allahun, se do të vijë koha kur do të pendohesh për mund¡sinë dhe kohën e humbur. Sa ka njerëz që u copëtohet zemra sepse nuk mund të ngrihen për namaz të natës, të sëmurë, invalid... njerëz nëpër shkretëtira që nuk kanë ujë, që kalojnë kilometra për të gjetur ujë për abdes dhe namaz.
Pra, nëse ende nuk je i gatshëm për namazin e natës, fillo me pak nafile dhe lexim të Kur’anit para gjumit, do ta vëresh se si do të rritet bereqeti dhe dëshira për të vazhduar. Pas kohës së caktuar shpirti yt do të kërkojë që këtë praktikë ta shtosh në gjysmë ore, ky është fillim i mirë. Pastaj Allahu do të japë bereqet dhe do ta shtosh në një orë, e më pas edhe në dy.
Një gjendje e tillë do të jep lumturi të papërshkrueshme dhe mirësi të madhe, e sidomos në shpirt. E pastaj do të pyesësh veten, përse robërit e Allahut çohen për namaz të natës në pjesën e tretë të natës, ndërsa unë falem në fillim të natës? E Allahu do ta lehtësoj, do ta mundësoj që ti të flesh më herët, dhe të zgjohesh i pushuar në mes të natës apo në pjesën e tretë të saj.
Më beso, fytyra jote do të duket ndryshe, nuk do të ndjesh kurrfarë lodhje. Nuk mund të ndjen lodhje shpirti që zgjohet në orët e vona të natës, as shpirti as trupi. Në atë orë të cilën ke fjetur gjatë natës ose pas sabahut, Allahu i Madhërishëm mund të jap bereqet dhe pushim të papërshkrueshëm.
Shejh Muhamed Muhtar Esh-Shenkiti, duke folur për namazin e natës, përmend rastin e babait të tij kur ishte i ri.
Thotë shejhu: “Babai im, r.h.m., kur zgjohej pas sabahut, më nuk flinte, tërë ditën ishte në punë, ndërsa në mbrëmje do t’i vizitonte të afërmit apo ndonjë mik, dhe kthehej në shtëpi shumë i lodhur. Por, asnjëherë nuk e kam parë duke e lënë namazin e natës në pjesën e tretë të natës, pavarësisht lodhjes së tij. Dhe, subhanAllah, kur zgjohej në mëngjes, fytyra i dukej aq e pushuar, e freskët dhe e buzëqeshur, sikur të kishte fjetur dhe pushuar tërë natën. Në të vërtetë, ai gjysmën e natës flinte, ndërsa pjesën tjetër të natës e ushqente dhe e pushonte shpirtin duke lavdëruar dhe falënderuar Allahun e Madhërishëm. Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të ankohet se është i lodhur, apo është pa gjumë”.
Kjo është mirësi nga Allahu i Madhërishëm.
Nuk mjafton vetëm t’i lexosh hadithet e Pejgamberit a.s., apo rrëfimet edukative të selefëve: se si ata kanë bërë ibadet, e pastaj të ulësh kokën nga turpi dhe neglizhenca. Por, fillo ta furnizosh shpirtin tënd me ibadetet pas namazit të jacisë. Fillo që para fjetjestë t’i falësh dy rekate namaz dhe të lexosh një faqe të Kur’anit. Natën tjetër, përsëri dy rekate, mirëpo shto edhe një faqe të Kur’anit, dhe kështu derisa shpirti ta ndjen ëmbëlsinë dhe të mësohesh me këtë. Sepse ajo pjesë e natës pas jacisë, e sidomos pjesa e tretë e natës, është tregu i ahiretit, në te bëhet tregti dhe mund të fitohet mirë.