Edukata gjatë ushqimit


Mënyrën e të ushqyerit na e ka mësuar Muhamedi a.s., përmes traditës së tij.(1)
Para fillimit të ushqimit duhet pastruar duart, në mënyrë që të mënjanohet papastërtia, sepse kështu ka vepruar edhe Muhamedi a.s., të fillohet me “Bismilah” (Me emër të Allahut), të hahet para veti dhe duke mos bërë lëvizje të shpeshta. Besmelen duhet ta themi çdoherë kur fillojmë të bëjmë ndonjë punë të mirë, sepse sipas disa transmetimeve, në rast se nuk fillojmë me Bismilah, atëherë në ato punë pjesëmarrës është edhe shejtani i mallkuar.(2)
Muhamedi a.s. na porosit kështu: “Kur dikush prej jush fillon të hajë, le ta përmend emrin e Allahut të Madhëruar, por nëse harron ta përmend në fillim të ngrënies, atëherë (më vonë kur ta vërejë se ka harruar) le të thotë: “Me emër të Allahut në fillim dhe në mbarim të ushqimit.”(3)
Besmelen është mirë ta themi me zë pak më të lartë, në mënyrë që t’ua rikujtojmë të tjerëve. Ngrënia dhe pirja duhet të bëhen para vetes dhe me dorë të djathtë. Për këtë argument e kemi rastin e Umer ibën Ebi Muselemes, kur njëherë e kishte qortuar Muhamedi a.s. me këto fjalë: “Thuaj Bismilah, ha me dorë të djathtë dhe ha para vetes.”(4)
Gjithashtu me këtë rast, po e përmendim edhe një hadith tjetër të Muhamedit a.s.: “Kur dikush prej jush dëshiron të hajë diçka, le të hajë me dorë të djathtë, kur të pijë le të pijë po ashtu me dorë të djathtë, se vërtet shejtani hanë me dorën e majtë dhe po ashtu pi me dorën e majtë.”(5)
Nga ky hadith përveç se kuptojmë që, ngrënia duhet të jetë para veti dhe të bëhet me dorë të djathtë, po ashtu duhet të kemi parasysh që të hamë në një vend (pa lëvizur andejkëndej), përveç nëse lëvizim për shkak të llojllojshmërisë së ushqimit që kemi në sofër, se kështu na mëson tradita e Muhamedit a.s.
Traditë e tij ishte që ta fillonte ushqimin me kripë dhe ta mbaronte me të, sepse përmes kripës shërohen shtatëdhjetë sëmundje. Preferohet po ashtu që në ushqim të ketë edhe ëmbëlsira, të ketë sa më tepër pjesëmarrës në sofër, qoftë mysafirë, të afërm, shërbëtorë etj., për të pasur sa më tepër bereqet. Gjatë ngrënies është mekruh që të heshtet, sepse kështu veprojnë zjarrëputistët. Tregohet se Muhamedi a.s. gjatë ngrënies e ka mbledhur këmbën e majtë, ndërsa të djathtën e ka mbajtur të zgjeruar. Ushqimin e nxehtë nuk e ka ngrënë dhe nuk ka lejuar që të fryhet në enë. Është e pëlqyer që gjatë ngrënies, kafshatat të futen në gojë të grimcuara (të zvogëluara), duke i mbledhur edhe thërrmijat e bukës dhe duke i përtypur mirë në gojë. Gjithashtu ushqimi duhet të hahet në qetësi, duke mos u ngutur.(6)
Ushqimi duhet të fillohet prej skajit të enës, e jo prej mesit ose më larg, sepse kjo konsiderohet mekruh, kështu ka porositur Muhamedi a.s.: “Hani prej skajit të enës dhe lëreni mesin e saj që të keni bereqet në ushqim.”


Nuk lejohet nënçmimi i ushqimit

Nuk lejohet assesi nënçmimi i ushqimit, por preferohet lavdërimi i tij. Për këtë, në një hadith që e transmeton Ebu Hurejra r.a. thuhet: “Pejgamberi a.s., asnjëherë nuk ka përmendur të meta në asnjë ushqim, nëse i ka ardhur i shijshëm e ka ngrënë, e nëse nuk e ka pëlqyer e ka lënë.”(7)
Gjithashtu në një transmetim, thuhet se Muhamedi a.s. ka kërkuar nga familja e tij t’i sjellin për ushqim erëza, por ata i thanë se nuk kemi asgjë tjetër, përveç uthullës. Atëherë Muhamedi a.s. kërkoi uthull dhe filloi të hajë, duke thënë: “Sa të mira janë erëzat dhe uthulla. Sa të mira janë erëzat dhe uthulla.”(8)
Kur jemi duke ngrënë, nuk preferohet që të mbështetemi diku, sepse kështu transmetohet nga sahabiu i njohur Enesi r.a., i cili thotë: “E kam parë Pejgamberin a.s. të ulur në pjesën e prapme të trupit duke ngrënë hurma dhe nuk është mbështetur fare.”(9)
Muhamedi a.s. e ka preferuar ngrënien me tre gishtërinj (gishtin e madh, tregues dhe të mesëm), po ashtu ka preferuar edhe lëpirjen e tyre. Për këtë tregon Xhabiri r.a., të cilin e kishte këshilluar Muhamedi a.s. që kur të hajë, veç tjerash le t’i lëpijë edhe gishtërinjtë dhe le ta ngjyej enën, duke e porositur me fjalët: “Ju nuk e dini se në cilin ushqim gjendet bereqeti.”(10)
Kur dikujt i bie kafshata nga dora në tokë, preferohet që të merret përsëri dhe të hahet. Për këtë Muhamedi a.s. na mëson: “Nëse dikujt prej jush i bie kafshata e bukës, le ta marrë dhe le ta pastrojë, nëse në të ka ndonjë send, pastaj le ta hajë, e mos t’ia lejë atë shejtanit. Kur ta kryejë ushqimin, mos t’i fshijë gishtërinjtë me faculetë para se t’i lëpijë, sepse nuk e di se në cilin ushqim është bereqeti.”(11)
Ndërsa, sa i përket asaj se a bën në një tryezë të hahet bashkërisht nga një enë apo në pjata veç e veç, për këtë më së miri na tregon Allahu i Madhëruar, përmes këtij ajeti të Kuranit: “Mund të hani bashkërisht ose veçmas, nuk është mëkat.” (En Nur, 61)
Duhet të kemi kujdes, që gjatë ngrënies mos të teprohet dhe të stërmbushet barku, sepse kjo, jo që nuk preferohet, por është e ndaluar edhe nga Allahu i Madhëruar, e edhe nga Muhamedi a.s. Për këtë Allahu i Madhëruar në Kuranin famëlartë thotë: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, se Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).” (El Arafë, 31)Të jemi të përmbajtur Ndërsa, Muhamedi a.s. thotë: “Hani e pini, ndani lëmoshë për të varfrit, vishuni mirë, duke mos e tepruar dhe mos e mbani veten lart (mos u bëni) kryeneçë dhe dashurues të vetvetes, se vërtet Allahu i Madhëruar dëshiron që t’i shoh gjurmët e begative të Tij te robi i vetë.”(12)
Po ashtu, në një hadith tjetër thuhet kështu: “S’ka punë më të keqe për njeriun se sa ta mbush barkun e tij. I mjaftojnë pasardhësit të Ademit (njeriut) disa kafshata që ta mbajë peshën (shëndetin) e tij. Nëse nuk mund ta bëjë këtë, atëherë le ta rezervojë një të tretën për ushqim, një të tretën për pije dhe një të tretën për veten e tij.”13
Besimtari lejohet të ushqehet deri në atë masë, sa mos të arrihet shkalla e kufirit të tepërt, sepse ngrënia e ushqimit të tepërt, aq sa nuk mund ta bartë organizmi është dëm, keqpërdorim dhe haram. Islami kërkon nga ne që të jemi të përmbajtur gjithherë, e po ashtu edhe gjatë ngrënies dhe pirjes. Megjithëse, hanefitë mendojnë se në disa raste, nuk është e ndaluar që të teprohet në ushqim, si p.sh.: kur frikësohemi se mund t’i sjellim dëm gjendjes së devotshmërisë për ta agjëruar ditën e nesërme, ose për të nderuar mysafirin. Hanefitë po ashtu thonë se, nuk lejohet që për shkak të kënaqësisë shpirtërore (devotshmërisë) të pakësohet ngrënia, derisa të vjen deri te dobësimi për kryerjen e ibadeteve (riteve fetare).(14)
Llukman Hakimi, birin e tij e këshilloi me këto fjalë: “O biri im, kur të mbushet barku, mendja flenë, humbet urtësia, pjesët e trupit plogështohen, nuk bëjnë ibadet.”(15)
Në fund është mirë të thuhet: “Falënderimi i qoftë Allahut”, siç ka thënë Muhamedi a.s.: “Falënderimi i qoftë Allahut, falënderim shumë i sinqertë për bekim dhe mirësi të ushqimit, falënderimi i qoftë Allahut, i Cili më mundësoi të ha dhe të pi, i Cili më forcoi, pasi që unë pata nevojë.”(16)
Me këtë rast, do t’i përmendim edhe disa këshilla të Ibën Sinasë, që na mësojnë se si duhet të ushqehet besimtari dhe të mbrohet nga sëmunjet: “Vetëm kur ke uri, ushqehu o njeri, kështu të mësojnë njerëzit me dituri! Çka s’mund ta përtypësh o njeri, në barkun tënd mos e fut, s’të bën dobi!Një herë në javë në banjë shpejto, ke kujdes për këtë, javën mos e kalo!Pastërtia në jetë është gjë kryesore, kjo është fjalë e njerëzve me përvojë jetësore!Sëmundjen tënde mos e fsheh, por trego, me kohë të mjeku paraqitu dhe ilaç kërko!Asnjëherë barkun tënd mos ta kesh ngarkuar, mbase nuk ke mundësi të ecësh, as për të pushuar!Herët zgjohu dhe vepro pa pushuar, mbase është metodë për t’u shëruar!Secili që këto shtatë këshilla i ka jetësuar, te mjeku nuk ka nevojë për t’u vizituar!”(17)
Siç pamë më lartë teprimi i ushqimit është i ndaluar në fenë islame, por sa janë duke i jetësuar këto parime myslimanët në veçanti, dhe të gjithë njerëzit në përgjithësi?! Sot vërejmë se si pasojë e teprimit në ushqim, njerëzit vuajnë nga sëmundje të ndryshme, si trashësia e tepërt, plogështia, shtypja e lartë e gjakut, diabeti etj. Në anën tjetër dëgjojmë se në disa vende njerëzit vdesin nga uria, kurse te ne shohim njerëzit se lëre që shpenzojnë me të madhe, por kontejnerët e mbeturinave shpeshherë i shohim të mbushura me bukë, gjella, e artikuj tjerë ushqimor, të cilët hedhen pamëshirshëm, duke mos u kujtuar, se shumë të varfër gjenden në mbarë botën, e po ashtu edhe në Kosovë. Harrojmë se Allahu i Madhëruar në Kuranin famëlartë na qorton, duke na thënë: “Dhe jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfrit, edhe atij që është udhëtar, po mos shpenzo tepër e pa rrugë. Ata që shpenzojnë tepër janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të tij.” (El Isra, 26-27)


(1) Ebu Bekër Xhabir el Xhezair “Minhaxhul Muslim”, Medine 1964. bot. 1, f. 129.
(2) Imam Neveviu: “Rijadus salihin” hadithi nr. 734-735, Prishtinë 1997, f. 272-273.
(3) Transmeton Ebu Davudi në “Kitabul At’imeti”, El Babu: “Et tesmijjetu alet ta’ami”, hadithi nr. 3275.
(4) Transmeton Buhariu në “Kitabul At’imeti”, El Babu: “El Eklu mima jelihi”, hadithi nr. 4959.
(5) Transmeton Muslimi në “Kitabul Eshribeti”, El Babu: “Adabut ta’ami vesh sherabi ve hukmuhuma”, hadithi nr. 3764.
(6) Dr. Vehbetu Zuhejli “El fikul islamijju ve edil-letuhu”, vëll. IV, Damask 1997, bot. 4, f. 2622.
(7) Transmeton Ebu Davudi në “Kitabul At’imeti”, El Babu: “Ma xhae fil ekli min e’ala sahfeti”, hadithi nr. 3281.
(8) Transmeton Buhariu në “Kitabul Munakibi”, El Babu: “Sifetun nebijji”, hadithi nr. 3299.
(9) Transmeton Muslimi në “Kitabul Eshribeti”, El Babu: “Fediletul hali, hadithi nr. 3823.
(10) Transmeton Muslimi në “Kitabul Eshribeti”, El Babu: “Istibabu tavdu’il ekli ve sifetu ku’udihi”, hadithi nr. 3807.
(11) Transmeton Muslimi në “Kitabul Eshribeti”, El Babu: “Istihbabu leikil esabi’i, hadithi nr. 3792.
(12) Transmeton Muslimi “Kitabul Eshribeti”, El Babu: “Istihbabul leikil esabi’i, hadithi nr. 3793.
(13) Transmeton Ahmedi në Musnedin e tij, Nesaiu, Ibën Maxheh dhe Hakimi nga Abdullah bin Umeri.
(14) Transmeton Ibën Maxheh “Kitabul At’imeti”, El Babu: “El Iktisadu fil ekli ve kerahetush sheb’i, hadithi nr.3340.
(15) Dr.Vehbetu Zuhejli “El Fikhul islamijju ve edil letuhu” vëll. IV, Damask, bot. 4, 1997, f. 2591.
(16) Bajrush Ahmeti “Njëqind e një hadithe përkthim me komentim”, Prishtinë 1995, f. 107.
(17) Transmeton Buhariu.
(18) Prim. dr. med. sci. Ali Iljazi “Dituria Islame” Nr. 77, boton: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, f. 17.



Kasam Muhameti