Haxhi është një nga pesë kushtet e Islamit dhe tiparet dalluese që e theksojnë karakterin universal të kësaj feje.
Në hadith autentik të shënuar në përbledhjet autentike të Buhariut dhe Muslimit qëndron se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka numëruar pesë kushtet Islamit dhe ka thënë:”Islami ngritet mbi pesë shtylla:Dëshmia se nuk ka zot tjetër pos Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, vizita e Qabes dhe agjërimi i Ramazanit”. Nga aspekti juridik islam, Haxhi është obligim për ata persona të cilët kanë plotësuar kushte të caktuara. Allahu i Madhërishëm në Kur’an ka thënë:<< Për hirë të Allahut, vizita e Qabes është obligim për atë që kanë mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk beson (ai nuk e viziton), Allahu nuk është i nevojshëm për njerëzit>>[Kaptina Ali Imran:97].
Haxhi ngërthen në vete urtësi, mesazhe dhe simbolika të shumta që e bëjnë njeriun të ndalet e të mendojë gjërë e gjatë për këtë shtyllë të Islamit që është obligim një herë në jetë, nëse muslimani plotëson kushte të caktuara. Ne këtu do të shqyrtojmë një nga simbolikat e Haxhit, gjegjësisht të qenit e tij simbol i paqes.
Në kohën e pasigurisë, hutisë, gjenocidit, rritjes së tensioneve në planin nacional dhe religjioz, mostolerancës njerëzore dhe prishjes së qetësisë e rendit publik, Haxhi na paraqitet si faktor i rëndësishëm i paqes, qetësisë dhe sigurisë. Me plotë të drejtë, Haxhi mund të konsiderohet mitingu dhe tubimi më i madh ndërkombëtar njerëzor i cili thërret në respektimin e të drejtave njerëzore, ndërtimin e shoqërisë së shëndoshë dhe mbretërimin e qetësisë dhe sigurisë në mes njerëzve.
Kjo, ngase Haxhi kryhet në vende të shenjta, gjegjësisht veprimet që lidhen drejtpërdrejt për Haxhin si kategori juridike kryhen në Meke, ndërkaq ky udhëtim do të ngelej me një vrimë sikur mos të vizitohej edhe Xhamia e Pejgamberit s.a.v.s. në Medine. Për këtë edhe kur flitet për Haxhin përmenden të dy qytetet, Mekeja dhe Medineja. Për territoret e këtyre dy qyteteve ka kritere dhe rregulla të posaçme, të cilat nuk vlejnë për vendet tjera.
Mëkati për punët e këqija, në Meke është më i madh se sa në vendet tjera, edhe pse mëkati është mëkat në drejtim të ndalimit të bërjes së tij në cilindo vend qoftë. Njeriu i cili hyn në territorin e vendit të shenjtë e ka të ndaluar të shajë, rrahë, kacafytet dhe të grindet me njerëz. Por, jo vetëm kaq, ai e ka të ndaluar t’i dëmtojë edhe kafshët, shpezët dhe insektet, e ka të ndaluar t’i vrasë dhe dëmtojë krijesat në ato vende, përpos në rast rreziku. Poashtu, ai e ka të ndaluar t’i shkul, t’i këput apo t’i pret bimët në vendet e shenjta.
Haxhiu gjatë kryerjes së këtij obligimi madhështor Islam i zhvesh teshat e rëndomta që i mban në jetën e përditshme dhe i vesh dy pëlhura të bardha. Me të bërë nijet Haxhin, atij i ndalohen shumë punë të cilat i ka patur të lejuara më parë. Nëse çështje është kështu me gjërat e lejuara në Haxh, atëherë çfarë do të thoshim për gjërat e ndaluara.
Krahas veseve të liga të cilat i ka të ndaluara në çdo rast, me bërjen e nijetit apo thënë ndryshe me hyrjen në ihram, haxhiut i ndalohen edhe shumë gjëra, si:dëmtimi i kafshëve, shpezëve, insekteve, prerja apo shkulja e bimëve dhe drunjve, etj. Thënë shkurt, haxhiu i sinqertë, kur i vesh ihramet, me vepra dhe në formë i ngjan të vdekurit-kufomës e cila ec mbi tokë, ngase ai nga përmbajtja, kujdesi, vëmendja, mbrojtja dhe largimi nga mëkatet, i ngjanë të vdekurit i cili nuk bën gabime dhe mëkate.
Vetëdija e lartë fetare e cila ekziston te haxhiu dhe fryma vëllazërore paqëdashëse e haxhit e bën që në këto vende të vogla, në këtë dendësi njerëzish, ngarkim me obligime, laramani ngjyrash, gjuhësh, nacionalitetesh, vendesh, botëkuptimesh, ideshë, traditash, zakonesh, shprehi e bontonesh, e bën që mos të ndodhin probleme të padëshirueshme të natyrës nacionale, racore, regjionale, etj., dhe të mos paraqiten tendenca të dallimeve në baza nacionale, racore, ideologjike, etj. Me këtë rast kënaqet syri dhe ngjallen ndjenjat kur i sheh njerëzit duke u falur, lutur, kryer aktet e haxhit pranë njëri-tjetrit, me përkushtim dhe dashuri e devotshmëri, si ata ia zgjatin dorën njëri-tjetrit plot sinqeritet dhe ndjenja vëllazërore. Haxhiu gjatë gjithë kohës është i preokupuar me ibadet, adhurim dhe telbije, të cilat haxhiut ia përkujtojnë Zotin dhe përgjegjësinë fetare, gjë që e bën të largohet nga të këqijat dhe mëkatet, e me këtë mbretëron paqja dhe siguria, kurse përshëndetja e tyre është paqe-selam për mbarë njerëzit. Për këtë, dr.Jusuf El-Kardavi thotë: ”Kështu deshi Islami që t’i mësojë muslimanët që të jetojnë në vende ku të tërat janë paqe, në muaj të cilët të tërë janë paqe dhe në gjendje, kur hyn në ihram, e cila e tëra është paqe...”.