Shërbimet e specializuara
"E kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërbleu (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!" (En-Nisa, 69)
Kujdesi i myslimanëve në ruajtjen e hadithit
Siç dihet, kërkimi i diturisë sheriatike nuk mund të arrihet pa njohuritë bazike dhe të thelluara në shkencën e hadithit, kurse kërkimi i vërtetësisë së hadithit është esenca e kësaj shkence.
Gjeneratat e para i kanë kushtuar kujdes të madh gjetjes, saktësimit dhe mësimit përmendësh të hadithit, pastaj mbledhjes, interpretimit dhe përcjelljes në mënyrën më të besueshme deri te ne edhe në format më të thjeshta, edhe në kushtet më të rënda të kërkimit të dijes. Ata vunë re gjithashtu, se Allahu e kishte bërë këtë dashuri dhe ndjekjen e Pejgamberit të Tij gjënë më të lehtë dhe më të natyrshme në botë për njerëzit me zemër të fortë, sepse Pejgamberi i bekuar përfshinte të gjitha cilësitë njerëzore të imagjinueshme. Ata e kuptuan më shumë këtë, kur vetë Allahu theksoi se çfarëdo karakteri i mrekullueshëm njerëzor të ekzistonte, Pejgamberi e zotëronte atë, madje dhe më shumë.
Prandaj, duke dëgjuar Kuranin e mrekullueshëm dhe duke pranuar mesazhin e tij, shokët e Pejgamberit e kuptuan se mësimi dhe vënia e tij në praktikë kërkonin studimin, kuptimin dhe imitimin absolut të vetë Pejgamberit a.s. Këta njerëz të zgjuar dhe pragmatikë, të cilët Allahu i zgjodhi si shokët dhe miqtë e Pejgamberit të Tij të dashur, i vunë vetes detyrën e bindjes, ndjekjes, imitimit dhe dashurisë për pejgamberin Muhamedin a.s., ashtu siç nuk ishte ndjekur, dashur apo imituar asnjë lider apo shpëtimtar më parë.(1)
Është dhënë mund i madh në grumbullimin e gjithë atij materiali nga fjalët, veprat dhe pëlqimet e Pejgamberit a.s., pastaj gjurmët e sahabëve dhe sjellja e tyre, e fituar nga edukimi në prani të tij a.s., aq sa materialet e këtij opusi të gjerë të diturisë pejgamberike shtriheshin gjer në periferitë e kufijve të kalifatit islam, në format e ndryshme të shkrimit dhe kaligrafisë.
Periudhat e tubimit dhe përpunimit të hadithit
Veprimtaria e tubimit të hadithit përgjatë historisë ka kaluar në gjashtë periudha kryesore:
1. Mësimi i haditheve përmendsh;
2. Fillimi i tubimit të haditheve në libra;
3. Tubimi i haditheve së bashku me fetvatë e as'habëve dhe tabiinëve;
4. Shkrimi ekskluziv i përmbledhjeve të haditheve;
5. Ndarja e haditheve autentike "sahih" në përmbledhje të veçanta, dhe
6. Komentimi i disa përmbledhjeve të haditheve dhe përpunimi i tyre.(2)
Avancimi i qasjes në hadithe përmes platformës online
Me zbulimin e shtypshkronjës, hadithi filloi të zhvillohet me një hov edhe më të madh, meqë riprodhimi i kopjeve u bë shumë më i lehtë, por edhe mundësia për të arritur deri te lexuesit ishte jashtëzakonisht më e mundshme. Me gjithë këtë, nevoja që të përcillet trendi botëror i zhvillimit të dijes në përgjithësi, nuk i la të qetë edhe myslimanët që edhe thesarin pejgamberik ta trajtojnë përmes digjitalizimit, arkivimit në disqe, e pastaj edhe në shërbimet online.
Në vitin 1982, për herë të parë kompania kuvajtiane "Sakhr", e cila ishte në kuadër të "Rrjetit Botëror për Teknologji Informative" fillon të merret me teknologji informative në shërbim të botës arabe, dhe në vitin 1985 themelon një ekip të punës të quajtur "Qendra e Trashëgimisë Islame", e cila merrej me softuerë islame. Më pas ajo njihet me emrin "Harf" dhe si e tillë vazhdoi me grumbullimin e enciklopedive dhe burimeve më të mëdha islame për t' i digjitalizuar në sistemin e saj.(3)
Studimi i hadithit online
Sot janë të shumta mënyrat e qasjes dhe rrugët e hulumtimit në shkencën e hadithit, duke filluar nga ato klasike dhe tradicionale, pra shfletimi i librit të shkruar, siç janë burimet themelore në hadith (umehatul kutub), si dhe studimet e kritikëve të hershëm, e deri te mundësitë e qasjes përmes programeve elektronike dedikuar kësaj fushe, dhe internetit me faqet e specializuara për hadithin, apo rreth hadithit.
Është i ditur, po ashtu, rreziku i transmetimit të qëllimshëm të fjalëve që nuk janë hadithe të thëna nga vet Pejgamberi a.s., Aliu r.a. tregon: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: "Mos gënjeni ndaj meje, pasi kushdo që gënjen ndaj meje (me qëllim), atëherë ai pa dyshim që do të hyjë në zjarr"," por mundësitë që sot i ka një studiues për ta verifikuar hadithin, nuk ia tolerojnë atij që të mos jetë i njohur me atë që argumenton, pra kategorinë dhe cilësinë e hadithit.
Sigurisht që mënyra klasike e hulumtimit është bazike, dhe dobitë e saj janë të shumëfishta, pasi që nxjerrja dhe hulumtimi i tyre në biblioteka dhe libra klasik bëhet në format e mësuara në katedrat e hadithit në universitetet më të njohura, gjë që mundëson zgjerimin e njohurive, përkundër vështirësive dhe mundit që të hulumtohen ato. Mirëpo edhe metoda e hulumtimit në kohën tonë në formën elektronike online është për t' u përshëndetur, meqë shkurton rrugën, kursen kohën dhe mundin, e po ashtu edhe shpenzimet materiale për të ardhur deri te caku i synuar në studim. Pra, mjafton një shtypje e butonit, për të marrë të dhënat rreth hadithit, qoftë tekstit, bartësve, transmetuesve, koleksionit ku gjendet ai i shkruar në libër, si dhe kategorisë së hadithit. Pa një mundim të theksuar do të arrish deri te njohja me hadithin, madje edhe të shfaqësh me. mijëra hadithe nga fusha e caktuar e interesit, bashkë me burimet e tyre, komentet, mendimet e dijetarëve rreth tyre, e kështu me radhë. Krejt kjo falë punës ekipore të studiuesve të hadithit në bashkëpunim me programerët dhe njohësit e teknologjisë kompjuterike. Andaj, si do të arsyetoheshim para Allahut xh. sh. pas këtij lehtësimi?!
Përkundër kësaj ka një numër të madh studiuesish dhe hulumtuesish që ende hezitojnë të kenë qasje në këto informata, duke mos pasur njohuri se si ta përdorin teknologjinë informative, apo me një dozë dyshimi në saktësinë e këtyre burimeve.
Për këtë arsye, do të mundohemi që në këtë punim të ofrojmë një ide të përgjithshme për këtë fushë, duke marrë si shembuj disa nga faqet më të përdorura, më të shquara, dhe më të besueshme në shërbim të hadithit të Resulullahut a.s.
Faqet e specializuara për kërkimin e hadithit në gjuhën arabe
1. http://www.dorar.net/enc/hadith
Kjo faqe është dizajnuar me qëllim të përfshirjes në databazën e saj të një numri sa më të madh të burimeve dhe literaturës nga shkencat bazike islame dhe në mesin e tyre edhe nga tradita pejgamberike, qoftë nga tekstet bazike, apo komentet e tyre, siç është prononcuar edhe vet ekipi realizues i saj." Është faqja më e përdorur nga studentët në nxjerrjen e hadithit. Përmes kësaj faqeje, duke futur fjalën e caktuar (më specifikën) të përdorur në hadithin që kemi në fokus, na shfaqet hadithi me burimin e vendndodhjes së tij në libra, senedin, transmetuesin e hadithit dhe kategorinë e tij.
Kjo enciklopedi dallohet me disa veçori:
1. Baza e të dhënave përfshinë një numër të madh hadithesh (qindra mijëra);
2. Mbi 200 dijetarë, nga të cilët është marrë klasifikimi i haditheve për gjatë 13 shekujsh;
3. Mbi 600 libra dhe mbi 2500 volume nga ku janë nxjerrë klasifikimet e haditheve;
4. Dokumentimi i hadithit me burimin e botuar përmes numrit të hadithit, volumi t dhe faqes;
5. Mundësia e kërkimit përmes transmetuesit,
përcjellësit të hadithit, koleksionit, apo të gjithave së bashku;
6. Mundësia e kërkimit të haditheve kudsi, merfu, dhe traditës;
7. Kërkimi me filtrim të tematikës;
8. Kërkuesi i tij është mjaft i zhvilluar, sa që mundëson gjetjen e hadithit edhe vetëm në bazë të rrënjës së fjalës.
Duke pasur parasysh përhapjen e shpejtë të hadithit sot përmes internetit, e në veçanti përmes rrjeteve sociale, krahas dobisë së tyre është bërë i pa shmangshëm edhe rreziku i përhapjes së antivlerave, e në këtë rast përhapja e haditheve të trilluara, kështu që kjo faqe i ka lënë hapësirë të veçantë kësaj problematike nën titullin: "Hadithe të përhapura, jo të vërteta".
Është e avancuar edhe në aspektin e mbikëqyrjes së publikimit on1ine të haditheve përmes "Javascript", për atë që dëshiron të mos bëj gabime në publikimin jo të saktë të hadithit, normalisht që kjo ka të bëjë me tekstet në gjuhën arabe, dhe nuk vlen për tekstet joarabe.
________________________
(1)http://ardhmeriaonline.com/artikulliarticla/historia-e-hadithit/ (21.03.2016).
(2) H. Mehmed Hanxhiq, Hyrje në shkencën e hadithit, Logos-A - Shkup, 1417/1997(versioni elektronik:http://www.zeriislam.com/biblioteka/hyrje-ne-shkencen-e-hadithit.html
(3) http://www.alukah.net/sharia/0/19212/
(4) Sahihul Buhari, 106.
(5) http://www.dorar.net/est-site
Bashkim Mehani