Sihariqe hyjnore për durimtarët


“Gjëja më e mirë dhe më e madhe që mund t’i jepet dikujt është durimi.” (Muhamedi a.s)

Vëlla dhe motër e nderuar, nëse mendon se jeta të është ngushtuar, e qielli të ka arritur një pëllëmbë mbi kokë për shkak të problemeve, shqetësimeve, sprovave, telasheve, mërzive, etj., atëherë duro dhe mos e shiko botën dhe jetën vetëm bardh e zi.
Kur populli i Faraonit kishte humbur shpresën se ai do të kthehej e do të pendohej, teksa ndërtonte edhe piramidat, dhe mendonte se bota ka arritur në fund, dikush tjetër, pak më larg tyre, në luginën e Mekës, ndërtonte shtëpinë e Zotit, Qabenë e madhërishme, ndërsa ishte plot shpresë, e ai ishte Ibrahimi a.s. dhe djali i tij, Ismaili a.s ..
Ashtu njëjtë edhe nëna e Musait a.s., hodhi djalin e saj në lum, nga frika e Faraonit, ndërkohë që Zoti, vetëm për pak kohë, ia ktheu djalin në kraharorin e saj, nga vetë Faraoni. Në momentin që mendoi se e humbi të birin, vetëm se duroi, dhe, ja, iu gëzua zemra e syri i lotoi nga gëzimi, kur pa djalin sërish në duart e veta. Eh, ky është shpërblimi i durimit!
Shiko tani se sa sihariqe të bukura na paraqet Kurani për ata që janë të kalitur me durim dhe ecin në jetë përmes këmbënguljes me durim. Nuk është problem ngadalësia, me rëndësi është mos ndalja dhe mos demoralizimi.

Zoti i Madhërishëm i përgëzon durimtarët, sabërlinjtë, me tetë sihariqe:

1. Dashurinë: ''Allahu i do durimtarët." (Ali Imran, 146).
2. Ndihmën: "Me të vërtetë Allahu është me durimtarët." (El-Enfal,46)
3. Shpërblime të larta në Xhenet: "Për ata që duruan, do të kenë si shpërblim Xhenetin ... " (El-Furkan, 75).
4. Shpërblim kolosal, pa hesap: "Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë." (Ez-Zumer, 10).
5. Përgëzim: "Dhe ti përgëzoji durimtarët." (El-Bekare, 155).
6. Bekim, falje.
7. Mëshirë.
8. Udhëzim.

Tre sihariqet e fundit i gjejmë te ajeti i sures El-Bekare: "Të tillët, (pra, durimtarët) janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë." (El-Bekare, 175).
Nga ana tjetër, Pejgamberi i Zotit, Muhamedi a.s. na jep një sihariq dhe përgëzim të madh në lidhje me durimin, kur thotë: "Gjëja më e mirë dhe më e madhe që mund t'i jepet dikujt është durimi." (Buhariu, Muslimi).
I Dërguari i Zotit durimin e ka krahasuar me dritën apo llambën që e ndezim kur bie errësira. Kur njeriun e rëndojnë dertet e sprovat, është durimi ai i cili e ndihmon dhe i bënë dritë për të parë urtësinë dhe shtegun. Ai i bekuar, paqja dhe nderimet e Zotit qofshin mbi të, ka thënë:
"Durimi është dritë". (Muslimi, Ahmedi).
Të nderuar vëllezër e motra, ruajtja e qetësisë, ruajtja e gjakftohtësisë, pritja për ta dëgjuar tjetrin, matja e fjalëve, vetëkontrolli në raste të vështirësive, të gjitha këto kërkojnë durimin e bukur (sabrun xhemil). Jo durim prej zori, por një të tillë që konsiston me razi dhe qetësi, si pajtim me Zotin dhe me fatin.
Njeriu e mëson durimin nga jeta, përvoja, etj., por e mëson edhe nga mesazhet dhe edukata hyjnore. Në raport me durimin, njerëzit mund t'i ndajmë siç vijon: Njerëz që durojnë vetëm kur sprovohen me fatkeqësi, e ky është durimi fizik, dhe njerëz që, përveç që janë të kalitur me durimin fizik, ata durojnë edhe ndaj ndalesave hyjnore, gjegjësisht me durim realizojnë edhe detyrimet fetare, shoqërore e familjare, e ky është durimi psikologjik, imanor.
E, pra, lumët për ata që janë, të veshur me petkun e durimit. E si të mos jetë kështu, kur fjala e urtë thotë:
"Durimi është i hidhur, por frytin e ka të ëmbël."
Allahu është më i madhi dhe Ai di më së shumti dhe më së miri !


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi