Si shenjë e përkushtimit të njeriut ndaj namazit të tij është edhe kujdesi i tij që të marrë abdes para namazit në formën dhe mënyrën e mirëfilltë siç është përcaktuar nga Ligjvënësi i Urtë.
I gjithë kujdesi i besimtarit ndaj abdesit buron nga fakti se ai llogaritet prej kushteve më thelbësore për pranimin e namazit, edhe domosdoshmërisht që, pos kujdesit se si të marrë abdes para namazit, ai kujdeset që të kuptojë mirëfilli se edhe me cilat veprime mund ta prishë e zhvleftësojë atë.
Prej çështjeve që kanë ngjallur debate e diskutime të thella juridike-shkencore te juristët islamë dhe shkollat juridike, tek prishja e abdesit, ka qenë edhe diskutimi se a e prish atë dalja e gjakut prej trupit apo jo?
Sigurisht që para se të flitet për efektin e rrjedhjes së gjakut në prishjen e abdesit është e rrugës që të përcaktohet dispozita për gjakun si materie në vetvete se a është e ndytë apo e pastër.
Gjaku si materie e ndytë
Dijetarët e të katër shkollave juridike (me kundërshtim të papërfillshëm nga ndonjëri prej tyre) pajtohen në parim se gjaku që rrjedh nga trupi i njeriut, si materie në vetvete konsiderohet i ndytë-papastër, madje edhe kategorizohet si ndytësi e rëndë lëndore.(1) Madje Imam Neveviu, nga juristët shafiitë thoshte: "Argumentet sheriatike që dëshmojnë se gjaku është materie e ndytë janë të pamohueshme dhe nuk njohë dikë nga dijetarët myslimanë ta ketë kontestuar apo të ketë pasur divergjenca rreth kësaj çështjeje ... "(2)
Shprehje të ngjashme rreth ndytësisë së gjakut, gjejmë te juristët myslimanë në të gjitha shkollat juridike.
Prej argumenteve që dëshmojnë se gjaku është materie e ndytë në vetvete është edhe ajeti: "Thuaj: Në atë që më është shpallur mua (në Kur'an) nuk po gjej diçka të ndaluar nga ushqimi, përveç në qoftë se ai (ushqimi) është: cofëtinë, gjak i derdhur (rrjedhshëm) ose mish derri dhe ai është i ndytë, ... ". (El En'am, 145).
Në këtë ajet, Allahu kategorizon gjakun që rrjedh si diçka të ndytë, madje atë e përmend në mes të dy materieve të tjera, të cilave askush nuk ua konteston ndyrësinë, pra në mes të cofëtinës dhe mishit të derrit. E meqenëse u konstatua që gjaku qenka materie e ndyrë, tashmë e kemi më të lehtë edhe për të sjellë konkluzionin e radhës rreth efektit të rrjedhjes së gjakut në prishje të abdesit.
Efekti i rrjedhjes së gjakut në prishje të abdesit
Nëse analizojmë me kujdes shqyrtimet dhe analizat e juristëve hanefitë rreth efektit të gjakut në prishje të abdesit, vërejmë se ata saktësojnë faktin që gjaku mund të rrjedhë nga goja e njeriut, hunda e tij, apo edhe nga cilado nga pjesët e tjera të trupit të tij.
Sipas juristëve hanefitë, por jo vetëm sipas tyre, gjaku, meqenëse është materie e ndytë, bazuar në argumentet e lartshënuara, atëherë, nëse ai del nga cilado pjesë e trupit, madje qoftë nga goja apo edhe nga hunda, i tilli e prish abdesin.
Sa për të qenë edhe më saktë, do të duhej që të precizonim fenomenin e daljes së gjakut dhe kriteret e tij për t'u llogaritur si zhvleftësues i abdesit. Kështu që dalja e gjakut konsiderohet se e prish abdesin nëse konstatohet plotësimi i këtyre kritereve:
E para: që të konfirmohet se gjaku ka dalë jashtë dhe është shfaqur e nuk ka mbetur brenda trupit, siç mund të ndodhë nëse ai rrjedh nga ndonjë pjesë e hundës, por ndalet në brendësi të saj, në këtë rast ai nuk e prish abdesin.
E dyta: që gjaku të tejkalojë vendin e daljes së tij e të rrjedhë e të mos mbetet i palëvizshëm në vendin e shfaqjes, sepse ndryshe nuk trajtohet si prishës i abdesit.
E treta: që gjaku që rrjedh eventualisht nga brendia e hundës të shfaqet së paku deri tek ura e hundës (pjesa e jashtme e saj), sepse nëse ka mbetur në brendi edhe po qe se ka rrjedhur, por pa dalë jashtë, nuk prishet abdesi(3). Ndërsa, nëse dikush eventualisht pështynë gjak, atëherë duhet të shihet; nëse më shumë se gjysma e asaj që ka hedhur jashtë me pështymën e tij është gjak, atëherë prishet abdesi i tij, e nëse më pak se kaq është gjak, atëherë nuk prishet ai.
Këtu do të ishte relevante të evidentonim edhe faktin se të njëjtën normë të gjakut që rrjedh, e merr edhe rrjedhja e qelbit dhe limfës, nga cilado pjesë e trupit, ngase edhe ato si materie konsiderohen po ashtu të papastra në jurisprudencën islame.
Për të argumentuar këtë mendim, juristët hanefi të mbështetën në hadithin të cilin e transmeton Ebu Seid El Huderij, se e ka dëgjuar Muhamedin s.a.v.s. duke thënë:
"Nëse dikush vjell ose i rrjedh gjaku, duke qenë në namaz, ose e prish abdesin (me lirim të gazrave ose rrjedhje të urinës), le ta ndërpresë namazin e le të shkojë të marrë abdes, pastaj të kthehet e ta vazhdojë atë namaz prej aty ku e ka ndërprerë”.(4)
Muhadithi i njohur hanefit, Imam Zejleiu, në hulumtimin e tij rreth saktësisë së këtyre hadi theve që ndërlidhen me këtë çështje, ka thënë: "Ky tekst i hadithit është transmetuar edhe nga Aisheja r.a. ndërsa është evidentuar nga Ibn Maxheh në "Sunenin" e tij, edhe zingjiri i tij transmetues është i saktë-sahih".(5)
Edhe më i drejtpërdrejtë dhe më përcaktues edhe literalisht hadithi i Temim Ed Dariut, se Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: ''Abdesi obligohet të merret pas çdo gjaku që rrjedh".(6) Pra, tekstualisht, përcaktohet edhe kriteri dallues se cili gjak dhe në ç'sasi duhet të jetë ai për t'u llogaritur se e prish abdesin.
Ndërsa për të shmangur kontestimin e vërrerësisë së hadithit, juristët hanefitë dhe të tjerët që mendojnë sikur ata, mbështeten në hadithin e evidentuar në të gjitha koleksionet e sakta, ku transmetohet nga Aishja r.a. të ketë thënë:" Ka shkuar Fatimetu bint Hubejsh, tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i ka thënë: O i Dërguar i Allahut! Unë jam një grua që vazhdimisht kam rrjedhje të gjakut (cikle) dhe nuk mbetem fare e pastër, andaj a ta lë namazin (të mos e fali meqë jam në këtë gjendje)? Ai i tha: "Jo, ai nuk është gjak menstrual, por është sekrecion gjaku (gjak i rëndomtë), andaj ty kur të lajmërohet cikli menstrual, mos u fal, e kur të kryhet cikli yt, e nëse edhe më tutje ke gjakderdhje, vetëm pastroje gjakun, dhe merr abdes për çdo namaz”(7). l Dërguari i Allahut në këtë rast, ka mohuar faktin se vazhdimi i rrjedhjes së gjaku( pas përfundimit të ciklit menstrual, qenka cikël menstrual dhe që po penguaka nga falja e namazit. Porse, po në të njëjtin hadith konfirmohet fakti se gjaku i tillë, e prish abdesin, dhe rrjedhimisht gruaja duhet të marrë abdes të ri për secilin namaz. Andaj, obligimi i saj që të marrë abdes për secilin namaz, është edhe konfirmim se rrjedhja e gjakut e prish atë.
Ibn Nuxhejmi, njëri prej kolosëve hanefitë në jurisprudencën islame, kur e konstaton rrjedhjen e gjakut si njëri prej elementeve që e prishin abdesin, konkludon se ky hadith është më i fuqishmi në argumentimin e faktit që gjaku i cili rrjedh e prish abdesin, sepse këtu Muhamedi s.a.v.s. e ka ndërlidhur dhe arsyetuar obligueshmërinë e marrjes së abdesit me rrjedhjen e gjakut, duke thanë se ai është "sekrecion gjaku", dhe të gjitha llojet e gjakrave janë të njëjta në këtë përshkrim.
Ndërsa në aspekt të analogjisë-kijasit, nxirret po i njëjti konkluzion, sepse gjaku meqë është i ndytë - papastër, atëherë dalja e tij jashtë trupit e prish abdesin në aspektin sheriatik islam. Prandaj këtu kemi një normë, që është prishja e abdesit, dhe një shkak të saj, e që është dalja e ndytësirës (gjakut) prej trupit.(8)
Për më tepër, mendimi që gjaku që rrjedh e prish abdesin, është edhe qëndrimi i Umerit, Abdullah Ibn Mesudit, Aliut, Abdullah Ibn Abbasit, Abdullah Ibn Umerit r.a., madje transmetohet se ky është edhe qëndrimi i dhjetë të përgëzuarve për xhenet nga sahabët. E pastaj nga tabiinët dhe dijetarët e mëvonshëm kështu mendonte; Muhamed Ibn Mesleme Ibn Shihab Ez Zuhrij, Alkame En Nehaij, Esved En Nehaij, Katadeh, Urvetu Ibn Zubejr, Hammad Ibn Ebi Sulejman, Sufjan Eth Theurij. Evidentimin dhe dokumentimin e mendimit të të gjithë këtyre dijetarëve nga sahabët e të tjerët pas tyre, që mendojnë se rrjedhja e gjakut e prish abdesin, e ka bërë Imam Ibn Abdulberr El Malikij, që është prej dijetarëve të mëdhenj të shkollës juridike malikite, ani pse imami i shkollës së tij juridike nuk e ka të njëjtin opinion lidhur më këtë çështje. Ai sjellë transmetime të dokumentuara në librin e tij famoz "El Istidhkar", nga shumica e të lartpërmendurve, duke i theksuar tekstualisht mendimet e tyre se gjaku që rrjedh e prish abdesin.(9)
Afërsisht sikur mendimi i hanefitëve është edhe ai i Imam Ahmedit, i cili mendonte se gjaku i shumtë nëse rrjedh e prish abdesin, ndërsa ai që është i paktë nuk e prish atë. Vetëmse Imam Ahmedi, për dallim nga hanefitët dhe dijetarët tjerë paraprakë që u theksuan mendimet e tyre, e të cilët saktësuan edhe sasinë gjakut që e prish abdesin duke e kriterizuar me kriterin e rrjedhjes së tij, ai kur është pyetur se sa është kriteri i gjakut të shumtë nga ai i pakti, dhe sa është ai i shumti, është përgjigjur:
I shumti është ai që ty në zemrën-mendjen tënde të duket i shumtë.(10)
Pra nuk është kriterizuar në mendimin e Imam Ahmedit sasia e gjakut të cilën ai e konsideronte se e prish abdesin.
Për fund, duhet të themi qartazi e të mendojmë në faktin se namazi është prej ibadeteve më madhështore në jetën e besimtarit, andaj edhe kujdesi në përmbushjen e kushteve të tij duhet të jetë maksimal. Në të gjitha ibadetet, e posaçërisht, te namazi, të gjitha normat rreth tij do të duhej të merreshin në nivelin më të lartë të sigurisë e të rezervës në mënyrë që të garantohemi se ai na është pranuar prej Allahut të Lartëmadhërishëm. E në këtë frymë, besojmë se një besimtar i thjeshtë, fare pa qenë njohës i dispozitave të thella sheriatike islame, nuk do të duhej të hamendësohej rreth prishjes së abdesit pas rrjedhjes së gjakut. Ai do të duhej që të merrte abdes të ri pas daljes dhe rrjedhjes së gjakut, sepse tekefundit ky qenka edhe mendimi i shumicës së figurave të ndritshme të sahabëve e të të dijetarëve të mëvonshëm.
__________________________
1. Dr. Vehbetu Ez Zuhejli. El Fikh El Islamij Ve Edil-letuhu (1/303). Bot. I katërt. Daru El Fikr. Bejrut. 2004.
2. En Nevevij, El Mexhmu' (2/576). Bot. I parë. Daru Ihja Et Turath El Arabij. Bejrut. Pa vit të botimit.
3 Bedruddin El Ajnijj, El Binajeh Sherh El Hidajeh. (1/259). Bot. i parë. Daru El Kurub El Ilmijje. Bejrit.2000.
4. Transmeton Darukutniu në "Es Sunen" të tij, por edhe Bejhakiu në "Es Sunen'; dhe zinxhiri i tij deri tek Muhamedi s.a.v.s. (pra si hadith merfu') ka diskutime madje disa prej hadithologëve hanefitë, që e konsiderojnë si hadith të dobët), por është në shkallë të hadithit hasen - i mirë si fjalë e Aliut r.a. pra hadith mevkuf. Et Telh'is El Habir, Ibn Haxher El Askalani. 1/655).
5. Ky hadith është transmetuar edhe nga Aisheja r. a. dhe është evidentuar nga Ibn Maxheh, edhe zinxhiri i tij transmetues është i saktë. Shih. Nasbu Err Rrajeh, Ez Zejleij (1/39). Bot. i parë. Daru En Nevadir. Bejrut. 2012.
6 Hndnhin e evidenton Darukutniu në "Sunen" të tij (nr: 581), por thekson se ky është hadith i dobët në transmetim, ngase është "hadith mursel" me shkëputje zingjirore nga Umer Ibn Abdul Azizi. Por i njëjti hadith transmetohet edhe nga Zeld Ibn Tbabiti, të cilin e evidenton Ibn Adijj në "El Kamil". Ka thënë Ibn Ebi Hatim:" Edhe pse në zinxhirin e këtij transmetimi gjindet Ahmed Ibn Ferexh, pra s'ka të keqe sepse tek ne ai është i besueshëm dhe hadithet e tij i kemi evidentuar. Shih: Ez Zejleijj, Nasbu Err Rrajeh (1/37). Bot. I parë. Er Rejjan. Bejrut. 1997
7. Evidenton Buhariu në "Sahih" (nr:228), Muslimi në "Sahih", (nr: 333), e të tjerët. Hadithi natyrisht është i pakontestueshëm në saktësinë e tij-sahih.
8. Ibn Nuxhejm, Bahru Err Rraik Sher Kenzu Ed Dekaik.(1/35). Bot. i dytë. Daru El kut EI Ilmijje. Bejrut.1997
9. Ibn Abdulberr En Nemrij, El Istidhkar (1/229). Bot. i parë. Daru El Kutub El Ilmijje Bejrut 2000.
10. Ibn Kudame El Makdisij, El Mugrijj. (1/249). Bot. i gjashtë. Daru Alemu El Kutub. RiJad 2007.
Mr. Driton Arifi