Vlera e paqes në Islam


Të flasësh për Islamin vërtet kërkohet përgatitje, njohje dhe maturi e theksuar nga secili që merr guximin të shprehet diçka lidhur me të, duke u
nisur nga vetë fakti se Islami është fe hyjnore e zbritur te gjinia njerëzore.

Mënyra më e mirë për ta kuptuar një fe është studimi i burimit të saj. Burimi hyjnor i Islamit është Kurani, që mbështet konceptet e moralit, dashurisë, mëshirës, përkushtimit, sakrificës, tolerancës dhe paqes.
Historia e Islamit, që nga zanafilla, është e pacenueshme dhe e pakrahasueshme, e sidomos në çështjen e paqes. Islami është fe e paqes, ngase nga paqja (Zoti) e ka zbritur, me paqe është zbritur, dhe për paqen komunikohet brenda dhe jashtë çdo komuniteti dhe shoqërie.
Si të mos jetë fe e paqes kur edhe emrin e ka Feja e Paqes. Sigurisht se këtu nuk ka asgjë të rastësishme mes emrit dhe përmbajtjes, me qëllimin e dhurimit të një jete paqësore nëpërmjet të cilës në tokë të pasqyrohet mëshira dhe bamirësia e pafund e Zotit. Zoti i urdhëron të gjithë njerëzit në moralin islam, nëpërmjet të cilit mëshira, bamirësia, paqja dhe toleranca mund të bëhen pjesë e jetës në të gjithë botën.
Në Kuran Zoti u drejtohet besimtarëve: "O ju që besuat, hyni në islam tërësisht (paqe), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armiku juaj i hapët!" (El Bekare, 208)
Nga ajeti në fjalë qartësohet se siguria mund të vendoset vetëm përmes "hyrjes në Islam", d.m.th. përmes të jetuarit me vlerat e Kuranit. Vlerat e Kuranit myslimanët i bëjnë të përgjegjshëm për t'i trajtuar të gjithë njerëzit, myslimanë ose jo, me mirësjellje e drejtësi, për të mbrojtur nevojtarët dhe të pafajshmit, dhe për të parandaluar përhapjen e mizorisë. Mizoria përfshinë të gjitha format e anarkisë dhe terrorit që godasin sigurinë, qetësinë dhe paqen.(1)
Zoti në Kuran thotë: " ... e Allahu nuk e do çrregullimin (fesadin)". (El Bekare, 205)
Disa njerëz, pa vetëdije dhe pa njohuri të vërtetë, bëjnë lidhshmëri ndërmjet Islamit dhe dhunës, duke e mbështetur idenë dashakeqe se dhuna është nga bazamentet e Islamit. Sikur kjo dukuri është monopol i një populli, ose i një kombi, duke përjashtuar popujt dhe kombet e tjera. Ose sikur të ishte dhuna dukuri trashëguese që ngjitet me konfiguracion biologjik për arabët dhe myslimanët.


Të tjerët për Islamin

Këtu përzihen dashamirë dhe dashakëqij, dhe është për të ardhur keq kur në libra gjejmë gjëra të cilat i kanë përpiluar orientalistët, si: D. B. Mak Dolland etj., me gabime të rënda e nënçmuese gjatë komentimit të fjalës "xhihad". Ata thonë: "Xhihadi në Islam është bartja e armës për të detyruar popujt e lirë jomyslimanë të hyjnë në Islam, dhe përhapja e Islamit është obligim fetar për çdo mysliman". Këtij mendimi i bashkëngjitet edhe Xhon Hegeli, që thotë: "Islami gjithnjë ka qenë dhe do të mbetet fe e shpatës, ngase nuk është e mundur të hasësh në ndonjë mendim për dashuri në Kuran". Ky vazhdon me shpifjet e tij edhe në librin "Historia e Francës", ku thotë: "Vërtet këta arabë veç ua kanë imponuar njerëzve fenë e tyre me forcë: Bëhuni myslimanë, ose vdisni. Kurse pasuesit e Mesihut (Isait a.s.) i kanë përfituar shpirtrat e njerëzve me bamirësinë e tyre dhe me mirësjellje". Mirëpo, ç'është e vërteta, kolegët e tyre nuk i pranojnë mendimet e Donalldit dhe Hegelit. Orientalisti Kont Henri Dikastro thotë: "Islami nuk e ka detyruar askënd me shpatë e as me gjuhë, por kush ka hyrë në Islam ka hyrë me dëshirën e vet dhe me zgjedhje të lirë, andaj edhe rezultati është ashtu si vendosi Kurani." Ose si thotë orientalistja gjermane Hunke: "Toleranca arabe ka luajtur rol të madh në përhapjen e Islamit dhe atë kundër thënieve (të disa njerëzve) plotësisht të pavërteta, se Islami është përhapur me luftë dhe shpatë." Gustav Leboni thotë: "Me të vërtetë Islami është përhapur me dispozitat e Kuranit dhe me bindje, pa u përdorur forca aspak. Pikërisht për këtë edhe triumfoi kjo fe. Islami me butësinë e vet, arriti t'i përfitojë popujt e ndryshëm, kombësitë e ndryshme, që ta pranonin atë". Tomas Karlajl, reformator shoqëror anglez dhe historian i dalluar, thotë: "Është turp për ne të formulojmë aso akuzash, të cilat i janë drejtuar Islamit dhe Pejgamberit të tij. Dhe është detyrë e jona t'i luftojmë këto fjalë të turpshme e të zhveshura nga e vërteta". Mahatma Gandi për Islamin thotë: "E kam studiuar Islamin, dhe gjatë studimit kam kuptuar vlerën e njeriut dhe të drejtën e tij". Këto ishin disa nga thëniet e jomyslimanëve për Islamin.(2)


Islami nuk e pranon dhunën


Shumë ajete kuranore flasin që myslimanët të jetojnë me të gjithë në paqe. Allahu xh.sh. na thotë në Kuranin famëlartë: "O ju njerëz", d.m.th. pa dallim feje, gjuhe, kombi, pa dallim vendi ku jeton apo pozite gjeografike, " ... ju kemi krijuar nga një mashkull dhe nga një femër, dhe ju kemi bërë popuj e fise, që ju të njiheni në mes vete ... " (El Huxhuratë, 13), e që do të thotë se parim i Islamit është njohja në mes vete, që të jetojmë bashkërisht dhe të krijojmë mundësi që të gjithë të jetojnë në një mirëqenie të përgjithshme. Islami nuk ka asgjë me dhunën, terrorizmin, dhe krimin. Ai i lufton të gjitha këto të liga dhe të këqija. Në Kuran thuhet: " ... kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pas mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pas bërë ai ndonjë shkatërrim
në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t'i kishte mbytur të gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë), është si t'i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit..." (El Maide, 32)
Prandaj, Islami është kundër dhunës, kundër krimit, kundër të gjitha akteve kriminale që ndodhin te të gjitha shoqëritë njerëzore, pavarësisht se ku ndodhin. Të gjitha këto akte që sot ndoshta diku po bëhen në emër të Islamit, dhe nga ato akte po vdesin njerëz të pafajshëm, assesi nuk kanë të bëjnë me Islamin, por janë kundër vlerave reale të Islamit. Është gabim tepër i madh dhe është qëllim i keq kur shumë qarqe nga Perëndimi mundohen ta identifikojnë Islamin si diçka të përbashkët me terrorizmin. Nëse i kthehemi të kaluarës së shoqërisë njerëzore, do të shohim se kemi pasur gjendje të tilla që kanë qenë të krijuara nga shoqëri të ndryshme njerëzore, qofshin ato shoqëri ortodokse, katolike apo të besimeve tjera, e që kanë vepruar dhe kanë bërë akte terroriste të dhimbshme nëpër botë, kanë bërë gjenocid e etnocid mbi popuj të ndryshëm, mirëpo kjo nuk do të thotë se ato kanë kryer misionin e feve që ata i përkasin. Nuk po përmend, në këtë rast, shembuj të tillë, edhe pse historia na mëson se çfarë ka ndodhur nëpër shoqëri të ndryshme njerëzore. Andaj, edhe sot, kryerja e këtyre akteve në emër të Islamit është e pavend dhe është shumë gabim e klasifikuar si nga Islami. Aktet terroriste Islamit ia veshin vetëm ata që nuk e njohin Islamin, sepse ai thërret në paqe, në tolerancë, bashkëjetesë, në respekt të njëri-tjetrit, sepse kështu na mëson edhe Kurani por edhe thëniet e Muhamedit a.s.(3)


Islami është kundër terrorit


Pavarësisht se ka shumë nga ata që mendojnë se Islami prodhon terrorizëm, fatmirësisht ka edhe nga ata që e mendojnë të kundërtën. Shumë udhëheqës të botës, organizata të mëdha të mjeteve të informimit publik e stacione radio-televizive, thonë se Islami ndalon dhunën dhe nxit për paqe mes njerëzve e kombeve. Qarqet perëndimore që kishin arritur ta kuptonin mirë Islamin, dhe që ishin të mirinformuar për Islamin burimor, u shprehën qartë se fjalët "Islam" dhe" terror", nuk mund të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës, dhe se asnjë fe hyjnore nuk e lejon dhunën.(4)
Të gjithë shembujt tregojnë se organizimi i veprave të terrorit kundër njerëzve të pafajshëm, është plotësisht në kundërshtim me Islamin. Përkundrazi myslimanët, duke u bazuar në argumentet dhe porositë fetare, janë përgjegjës për t'i ndaluar edhe të tjerët nga krimi, për të larguar "mizorinë në tokë" dhe për të sjellë paqe e siguri për të gjithë njerëzit në botë.
Nuk është e mundur të flitet për "terror të krishterë", “terror çifut" apo "terror islamik". Në të vërtetë një hulumtim i sfondit shoqëror të përgjegjësve për aktet terroriste tregon se terrorizmi nuk është një çështje fetare, por një dukuri shoqërore.
Terrorizmi është fenomen me karakter social, i cili për fat të keq në kohën tonë është në qendër të vëmendjes, madje ndoshta edhe në kulmin e tij. Dihet se fenomenet e tilla e me karaktere sociale kanë më tepër se një dimension, gjë që justifikimi i tyre është i pamundur. Psikologjia e terrorizmit, motivet, sfondi historik, arsyet ideo-politike e socio-ekonomike janë subjekt i trajtimit në rrafshet dhe disiplinat përkatëse. Edhe përkundër detyrave të këtyre fushave të studimit, ende nuk ka definicion dhe përkufizim se çfarë është terrorizmi. Absurd është fakti kur çdo akt dhune përkufizohet si terrorizëm dhe i vishet Islamit. Ky keqkuptim fatal është rezultat i urrejtjeve ndërfetare në njërën anë, dhe i mentaliteti provincial të disa grupeve që thirren në emër të teorisë islame në anën tjetër. Prandaj shpeshherë ngatërrojnë luftën e pastër me terrorizmin. Islami ka përcaktuar rregulla strikte për ruajtjen dhe mbrojtjen e jetës së njeriut, pavarësisht nga përkatësia fetare që ka. Gjithashtu Islami në kornizën e tij juridike ka përcaktuar rregulla për mbrojtjen e nderit, pronës dhe pasurisë së individit dhe shoqërisë. Prandaj, shkeljen e rregullave dhe parimeve humane nga kushdo qoftë Islami e sanksionon në kuadër të ligjeve të tij në këtë botë, dhe e paralajmëron ndëshkimin në botën tjetër. Sa ka rëndësi jeta e një njeriu në Islam e shpjegon Kurani në ajetin e lartcekur: " ... kush mbyt një njeri (pa të drejtë) ... ".
Në këtë ajet kuranor, që shërben si ligj për vlerësimin e jetës, bëhet e qartë se vrasja e një personi të pafajshëm është aq kriminale saqë konsiderohet si mbytje e tërë llojit njerëzor, ndërsa shpëtimi i një jete krahasohet me shpëtimin e gjithë njerëzimit.(5)
Ajo që kërkohet prej nesh është të bëjmë çmos e të mos largohemi nga parimet themelore të Islamit, dhe të punojmë për rikthimin e qetësisë shpirtërore dhe shoqërore kudo në botë.


____________
(1) Harun Jahja, Islami Dënon Terrorizmin, f. 17.
(2) Bajrush Ahmeti, Takvim-Kalendar, 2015, f. 230.
(3) Mr. Naim ef. Tërnava, Ligjërime për fenë e atdheun l, Prishtinë, 2015, f. 122.
(4) Harun Jahja, Islami dënon terrorizmin, f. 7.
(5) Shkelzen Marevei, Islami, fe e paqes apo terrorit?!, Ferizaj, 2015, f. 112.



Isa Tërshani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi