Allahu të flet ty për këtë. Flet për tregtinë. A je i vetëdijshëm me bërë tregti me Allahun dhe çfarë tregtie, sa është fitimi i garantuar ...
Fjala “tregti” (tixherah) në Kur’an përmendet tetë herë.
Allahu i madhërishëm urdhëron e thotë:
“All-llahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasurinë e tyre me xhennet. Luftojnë në rrugën e All-llahut, mbysin dhe mbyten. (All-llahu dha) Premtim të cilin e vërtetoi në Tevrat, Inxhill e Kur'an. E kush është zbatues më i sigurt i premtimit të vet se All-llahu? Pra, gëzonju tregtisë që e bëtë me Të. Ky është suksesi i madh.”
(Et - Teube, 111)
Çfarë përshkrimi madhështor . . . Allahu me Veten bën marrëveshje tregtare me besimtarin dhe këtë e konfirmon në tre Librat e shpallur . . .
Ai thotë (ishtera) “ka blerë” në kohën e kaluar, d.m.th. çdo gjë ka përfunduar, shikoje sa është e madhe mëshira e Tij ndaj teje. Ndërsa Ai është Pronari i vërtetë i pasurisë që ti e quan tënden. Mendo pak për këtë!
A je i vetëdijshëm!
Çfarë shitet këtu?
Sa është çmimi që afrohet?
Kush dëshiron të blejë diç nga ti?
Ku ndodhi e tërë kjo?
Ku është e shkruar marrëveshja e shitblerjes dhe kush e ka përshkruar dhe e ka shpalluar?
Kush është garant që të gjitha pikat e marrëveshjes do të respektohen?
Vëlla i dashur!
Blerësi është Allahu. Lënda e shitjes janë pasuria dhe jeta e besimtarëve. Valuta e pagesës është Xhenneti, të cilin as syri nuk e ka parë dhe as që mund të paramendohet. Marrëveshja e shitblerjes është e shënuar në Teurat, Inxhil dhe Kur’an. Ndërsa garant i cili do ta paguajë është Vet Allahu!
Shitblerja është valide vetëm me marrëveshje reciproke. Blerësi është serioz dhe nuk blen çfarëdo. Ai blen vetëm nga besimtarët e sinqertë. Ai e di mirë çfarë vlen.
Derisa lexoj këtë verset kuranor, pyes veten: Çfarë janë jetët tona dhe pasuria, për të cilën Allahu ofron këtë çmim të lartë?!
Myslimanët e parë kanë qenë të vetëdijshëm për marrrëveshjen që kanë bërë me Allahun,
Shembulli i Omerit r.a. ilustron këtë më bukur i cili 700 deve me mallë ua shpërndau të varfërve.
Allahu i madhërishëm thotë:
“O ju që keni besuar, a t'ju tregoj për një tregti të bujshme që ju shpëton prej një dënimi të dhembshëm.”
(Safë, 10)
Sahabët kanë punuar shumë për islam, ndërsa Pejgamberi s.a.v.s. asnjërit nuk i ka premtuar asgjë pos Xhennetit. Në çdo mënyrë të mundshme i ka lidhur për Xhennet. Njërit prej tyre i tha: “Prit të jap diç . . .” Ja dha një shkop duke i thënë: “Ja po ta jap këtë shkop, dëshiroj të ma kthesh në Xhennet.” Ai nuk u nda kurrë nga shkopi e para vdekjes la amanet që ta varrosin me te, sepse duhet t’ia kthejë Pejgamberit s.a.v.s..
Kur Xhaferi r.a. u kthye nga lufta ku qëndroi disa vite, e kjo ishte në ditën e fitores së Hajberit, Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Nuk e di a më tepër të gëzohem për kthimin e Xhaferit apo fitores së Hajberit!” Xhaferi për vete nuk kërkon villë, page, as pushim vjetor. Kërkon vetëm një gjë, një rast të ri për punë në rrugën e Allahut dhe një tregti me Allahun . . . Në detyrën e parë të ardhshme arriti nderin e shehidit.
Nëse shitblerja ka përfunduar . . . nëse blerësi të jep shumë më tepër se sa vlen malli yt . . . a do të ngurosh, apo mos e dhashtë Zoti tërë këtë do ta shesësh në ndonjë kafene. A thua në ndonjë altar të epsheve, pasurinë me të cilën do të mund “ta blesh” Xhennetin, do ta japësh për një kënaqësi të shkurtër . . .?
Nëse Blerësit nuk ia jep mallin e mirë kur Ai e kërkon, atëherë marrëveshja prishet dhe Blerësi do të hidhërohet me ty . . . Nëse je i vetëdijshëm për këtë tregti, ti me pasurinë dhe jetën tënde nuk ke asgjë . . . Asgjë nuk është e jotja . . .
“Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë All-llahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi.”
(El - Ahzabë, 23)
Ti je në pritje. Kërkon rastin të bësh atë që Allahu kërkon prej teje. Nëse Ai thotë: “Mos e bëj këtë që e kam ndaluar”, ti e lë menjëherë. Nëse të thotë, bëje këtë, ti e bën menjëherë. Je i kënaqur dhe nuk qetësohesh me çmimin më të ulët se sa të është ofruar.
Pret me padurim ditën kur malli yt do të paguhet . . .
Shiko çfarë kanë bërë ata për të cilët u shpall ky ajet. Këta ishin pjesëmarrësit e Besëlidhjes së madhe në Akabe, ishin 70 veta të cilët i prezentonte Abdullah b. Revaha r.a.. Ai tha: “I Dërguar i Allahut, kërko për Zotin tënd dhe për vete çfarë dëshiron.”
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Për Zotin tim kërkoj që vetëm Atë ta adhuroni dhe mos t’i bëni shok. Ndërsa për vete kërkoj që të më mbroni ashtu siç mbroni veten tuaj dhe pasurinë tuaj.” Abdullahu përsëri pyet: “E çfarë si këmbim për këtë fitojmë?”
“Xhennetin” - u tha Pejgamberi s.a.v.s..
Sahabët u ngritën në këmbë duke thënë: “Pati sukses tregtia jonë! Zgjate dorën ta kurërzojmë këtë marrëveshje. Këtë marrëveshje asnjëherë nuk do ta shkëpusim dhe nuk dëshirojmë që edhe pala tjetër ta shkëpusë!”
Këta njerëz pranuan islamin para disa muajve dhe tani janë të vetëdijshëm që duhet bërë tregti me Allahun. Janë koshientë që Allahu nuk e then premtimin e Tij:
“E kush është zbatues më i sigurt i premtimit të vet se All-llahu . . .”
(Et - Teube, 111)
Sa herë ne e kemi dëgjuar këtë ajet dhe sa vjet jemi në islam por ende nuk e kemi kuptuar!? Apo ndoshta mendojmë që Xhennetin ta fitojmë me çmim më të ulët!?
Apo jemi bërë pishman dhe marrëveshjen e kemi shkëputur?! Apo ndoshta dyshojmë që blerësi do ta paguajë çmimin e plotë! Çfarë po ndodh kështu me ne!? Kur kërkojmë nga Allahu, kërkojmë shumë, ndërsa kur Allahu kërkon pak prej neve, ne bëhemi koprracë dhe nuk jemi të vendosur . . . As anëtarësinë nga e cila varet ardhmëria e kësaj feje nuk jemi të gatshëm t’ia japim Allahut. Allahu na dhuron begati të panumërta, ndërsa ne për fenë e tij nuk jemi të gatshëm me bërë asgjë. Dhe pas të gjthia këtyre kërkojmë Xhennet.
Nuk i japim Allahut atë që ka blerë nga ne, e dëshirojmë pagesën me Xhennet . . .
Ebu Dehdah dëgjoi fjalët e Allahut:
“Kush është ai që i huazon All-llahut një hua të mirë, e Ai t'ia shtojë atij shumëfish atë? All-llahu shtrëngon (varfëron) dhe çliron (begaton) dhe kthimi juaj është vetëm tek Ai.”
(El - Bekare, 245)
- dhe e pyeti Pejgamberin s.a.v.s.: “A thua që Allahu kërkon prej nesh huazim?” Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Po”. Ebu Dehdah tha: “Zgjate dorën të bëjmë marrëveshje. Unë Allahut ia huazojë këtë kopshte me 600 palme.” E thërret bashkëshorten e tij duke i thënë: “O Ummu Dehdah, eja e dil nga kopshti, sepse ia kam huazuar Zotit tim!”
Kur e dëgjoi këtë ajet për herë të parë Ebu Bekri r.a. qajti duke thënë: “Na ka parë Zoti ynë sa jemi koprracë dhe nuk kërkon më nga ne që të harxhojmë në rrugën e Tij, por kërkon huazim.”
Më lehtë është dikujt me i huazuar, sepse ai këtë shpejtë ta kthen, se sa diç me i dhuruar.
Suhejbi r.a. e la tërë pasurinë e tij dhe bëri hixhret. Para se me arritur në Medine, Allahu për te shpalli ajetin:
“Ka nga njerëzit, i cili për hirë të All-llahut e flijon vetveten, e edhe All-llahu është shumë i mëshirshëm për robtë e vet.”
(El - Bekare, 207)
E pret Pejgamberi s.a.v.s. duke i thënë: “Gëzohu, tregtia yte është e suksesshme, Suhejb!”
Dhe në fund pyete veten:
A thua pasuria yte dhe jeta janë aq të vlefshëm që t’i blejë Allahu?
A thua tani më i ka blerë prej teje?
A thua marrëveshja e shitblerjes është bërë?
A je i përgatitur t’ia dorëzosh mallin Blerësit?
A je i gëzuar që me këtë Blerës ke bërë marrëveshje?
A i dëgjon udhëzimet e Pronarit të vërtetë të mallit?
Thuaj atë që ka thënë besimtari i vërtetë nga familja e Faraonit:
“. . . Çështjen time ia besoj All-llahut; vërtet, All-llahu mbikëqyr robërit!"
(Gafir, 44)
Besimtari i vërtetë gjurmon për tregun në të cilin Allahu nga ai do të blejë diç. Allahu i madhërishëm thotë:
“Ata që lexojnë librin e All-llahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata e shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet.”
(Fatir, 29)
Vëlla i dashur, bëre vakuf kohën tënde, familjen dhe veten . . . E pastaj prite ditën kur masa e plotë do të paguhet për mallin që Allahu e mendon aq me vlerë.
O Zot! Na jep që ne të bjëmë tregti me Ty, dhe që kjo tregti të jetë e suksesshme.