Duke e ditur se agjërimi është ibadet dhe vepër e caktuar nga sheriati, nga ne edhe kërkohet që me përpikëri t’i respektojmë edhe dispozitat dhe mënyrën e kryerjes së tij, ashtu siç ka porositur Kurani famëlartë, si dhe ashtu siç e ka praktikuar Pejgamberi i Zotit xh.sh, ngase vetëm kështu arrihet synimi i agjërimit, apo urtësitë që burojnë prej tij, edhe pse ne si njerëz shumë herë mund të mos i kuptojmë ato.
Çdo besimtar apo agjërues, duhet t’i dijë dhe t’i ketë parasysh ato gjëra, të cilat po u vepruan konsiderohet si çrregulluese të këtij ibadeti, e që e prishin agjërimin dhe bien ndesh me rregullat e kryerjes së tij. Besimtari gjithashtu duhet t’i dijë edhe gjërat që nuk konsiderohen prishëse të agjërimit, por edhe arsyet për të cilat justifikohet prishja e agjërimit gjatë muajit Ramazan. Prandaj, pa u zgjatur shumë, ne këtu do t’i paraqesim këto gjëra.
Arsyet për të cilat justifikohet prishja e agjërimit në Ramazan
Ka disa raste kur besimtari për ndonjë arsye të justifikueshme lirohet nga agjërimi, edhe pse në shumicën e rasteve obligohet që t’i bëjë kaza ato ditë që nuk i ka agjëruar. Ca nga arsyet janë:
1. Menstruacionet dhe lehonia te gjinia femërore. Këto periudha kohore shkaktojnë dobësi tek ato, si na aspektin fizik ashtu edhe në atë psikik. Madje, jo vetëm që lirohet nga agjërimi i saj gjatë kësaj kohe, por edhe i ndalohet agjërimi. Ditët e paagjëruara gjatë kësaj kohe duhet të kompensohen pas muajit Ramazan. Aisheja r.a. thoshte: “Kur ishim në kohën e menstruacioneve, Pejgamberi a.s. na urdhëronte që ta bënim kaza agjërimin por jo namazin.”(1)
2. Udhëtimi. Sipas juristëve islamë, nëse udhëtimi është i gjatë në distancë aq sa të vlejnë për të normat lehtësuese të tij (89 km e më shumë), atëherë lejohet të mos agjërohet. Udhëtari agjërimin e tij mund ta prishë pasi të fillojë udhëtimin e tij, saktësisht prej momentit të daljes së tij nga vendbanimi. Ditët e paagjëruara gjatë udhëtimit duhet të bëhen kaza. Personi që nuk ndien dobësi dhe lodhje gjatë udhëtimit më mirë është të agjërojë, ngase Allahu në Kuran thotë: “Nëse agjëroni, është më mirë për ju.” (El Bekare, 184)
Ndërsa personi që gjatë udhëtimit ndien dobësi, dhe mendon se agjërimi mund ta dobësojë atë, është më mirë të mos agjërojë në udhëtim, ngase Pejgamberi a.s. në një rast gjatë udhëtimit pa një agjërues të shtrirë në rrugë, pra nga lodhjet dhe vështirësitë e udhëtimit, e ai tha: “Nuk është mirë të agjërohet gjatë udhëtimit.”(2)
3. Sëmundja. Meqë “sëmundja” është një term që ka konotacion të gjerë, dhe mund të shkaktojë huti te njerëzit, ndoshta edhe do të linte hapësirë për interpretime të gabuara. Dijetarët islamë janë munduar që të theksojnë se për çfarë sëmundje është fjala, me të cilën nëse goditet njeriu do të lirohej nga agjërimi. Argumenti të cilit i referohen të gjitha interpretimet e dijetarëve islamë lidhur me sëmundjen në kohën e agjërimit është fjala e Allahut: “(Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush prej jush është i sëmurë, ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri; ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo, po që se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.” (El Bekare, 185)
Sipas mendimit të Imam Ebu Hanifës, e të cilin e mbështesin shumica e dijetarëve islamë, sëmundja që lejon prishjen e agjërimit është ajo sëmundje e cila:
a) E përkeqëson gjendjen e agjëruesit;
b) E vonon ose e pengon shërimin e personit në fjalë;
c) Ose nga agjërimi shkaktohen dhimbje (për shkak të mosmarrjes së barnave, ushqimit apo diçkaje tjetër).
Mirëpo, konstatimin që agjërimi e dëmton shëndetin e agjëruesit duhet ta bëjë mjeku, që është ekspert i fushës gjegjëse, i cili njëherësh është i besueshëm dhe nuk flet nga hamendja.
Duhet vënë thesin në faktin se ajeti tekstualisht obligon kompensimin e të gjitha atyre ditëve të humbura gjatë Ramazanit nga i sëmuri, pra pasi të shërohet dhe jashtë muajit Ramazan. Nëse sëmundja është e natyrës që nuk shpresohet shërimi i saj, sikur kanceri - vdekjeprurës e të ngjashme, ose për shkak të moshës së shtyrë të personit, atëherë obligohet fidja-shpagimi me të holla, e që nënkupton pagesën e një ushqimi ditor për të varfrit. Kjo është sipas mendimit më të saktë të dijetarëve (e jo vetëm një porcion), pra për çdo ditë që nuk e ka agjëruar. Allahu në ajetin e lartcituar tha: “…e ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfri. Ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të…” E nëse nuk kanë mundësi të paguajë fidjen-shpagimin, atëherë lirohet në tërësi nga obligimi, sepse: “Allahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive të tij…”. (El Bekare, 286)
4. Shtatzënia dhe dhënia gji. Tretmanin dhe dispozitën e të sëmurit në lejimin e prishjes së agjërimit, me unanimitet të dijetarëve e marrin edhe gruaja shtatzënë dhe ajo që është duke e ushqyer foshnjën me gjirin e saj. Agjërimi lejohet të prishet, nëse konstatohet se dëmton (e që në raste shumë të shpeshta edhe ndodh). Foshnjën jo të lindur te shtatzëna e dëmton, ose atë të lindurën te nënat që ushqejnë fëmijën me gjirin e tyre.
5. Uria dhe etja e madhe dhe e papërballueshme. Sipas të gjithë dijetarëve, personi që ka ndonjë punë të rëndë (si bujku, farkëtari, minatori e të ngjashëm), duhet të zgjohen në syfyr dhe ta fillojnë agjërimin, e nëse gjatë agjërimit të asaj dite kanë uri ose etje të madhe, sa kanë frikë se ajo uri ose etje mund t’i çojë deri te sëmundja, lejohen që ta prishin agjërimin e tyre. Thotë Allahu në Kuran: “Nëse detyroheni (për të ngrënë diç që është e ndaluar) por pa e tepruar, nuk jeni mëkatar, Allahu është Falës dhe Mëshirues.” (El Bekare, 173)
Atë ditë që agjëruesi e prish nga detyrimi i urisë dhe etjes duhet ta kompensojë me agjërimin e një dite tjetër jashtë Ramazanit.
6. Ushtari në fushëbetejë, rëndom nëse agjëruesi mendon se agjërimi do të ndikojë në dobësimin e tij fizik. Transmetohet nga Ebu Seid El Huduri, se Pejgamberi a.s. në një rast u kishte thënë shokëve të tij: “Vërtet ju jeni afër ballafaqimit me armikun tuaj, andaj nëse do të hani do të jeni më të fortë.”(3)
7. Mosha e madhe, dhe i sëmuri kronik. Plaku që ka arritur në atë moshë sa nuk mund t’i bëjë ballë agjërimit, për shkak të lodhjes dhe dobësimit fizik të tij, lejohet të mos agjërojë, mirëpo ditët e paagjëruara i kompenson me pagesën e fidjes (ushqim ditor për një të varfër për çdo ditë të paagjëruar). Po të njëjtin tretman e merr edhe personi që është i sëmurë me ndonjë sëmundje kronike ose të pashëruar.
Thotë Allahu xh.sh në Kuran: “E ata që i rëndon agjërimi (për shkak të moshës ose sëmundjes së tyre), janë të obliguar me kompensim, ushqim ditor i një të varfri. E kush nga vullneti i tij jep më shumë, atëherë është më mirë për ta...” (El Bekare, 184)
8. I imponuari. Fjala është për atë që imponohet ose detyrohet me forcë nga armiku ose dikush tjetër, pra për ta prishur agjërimin. Thotë Pejgamberi a.s. në një hadith: “Zoti i Madhërishëm e ka toleruar umetin tim për atë që shkaktohet nga gabimi, harresa, dhe imponimi me forcë nga dikush.”(4)
Gjërat që e prishin agjërimin, e për të cilat duhet bërë kefaret dhe kaza
Veprimet për të cilat besimtari (mukelefi) duhet të bëjë kaza dhe kefaret janë ato veprime që e prishin agjërimin, dhe kjo prishje e agjërimit është pa ndonjë nevojë, urgjencë, presion, sëmundje, udhëtim, ose ndonjë arsye tjetër të justifikueshme sipas sheriatit.
Ato gjëra janë:
1. Të bërit marrëdhënie intime në mënyrë të qëllimshme, pa marrë parasysh nëse ka ejakulim apo jo. Për këtë kemi si argument hadithin e Pejgamberit a.s., që në një rast kishte obliguar një person të tillë të bëjë kefaret, për shkak se ai kishte bërë marrëdhënie intime me bashkëshorten e tij në një ditë Ramazani.”(5)
2. Të ngrënit, pirja, ose të gëlltiturit e diçkaje që konsiderohet ushqim, dhe me qëllim, ngase abstenimi nga ushqimi dhe pija është esenca e vetë agjërimit sikurse abstenimi nga marrëdhëniet intime, dhe gjithashtu kanë po të njëjtat rregulla.(6)
Gjërat që e prishin agjërimin, dhe për to duhet të bëhet vetëm kaza
Përveç atyre gjërave që besimtarin e lirojnë nga agjërimi, e për të cilat duhet bërë vetëm kaza (kompensim ditë për ditë), mund të përmendim edhe disa të tjera, që po ashtu e obligojnë vetëm kazanë dhe jo edhe kefaretin. Ato gjëra janë:
1. Dalja e spermës, pa marrë parasysh se a është nga loja bashkëshortore, apo nga masturbimi, por me kusht që të mos jetë si pasojë e marrëdhënieve intime.
2. Të depërtuarit në brendi të stomakut, ose të gëlltiturit e atyre gjërave që nuk konsiderohen gjëra ushqimore, si p.sh.: të gëlltiturit e ndonjë monedhe, e të ngjashme, ngase gjithçka që depërton përmes fytit i ngjason ushqimit, edhe nëse nuk është ushqim.
Transmetohet nga Ibën Abasi r.a., të ketë thënë: “Agjërimi prishet nga ato gjëra që hyjnë-depërtojnë në trupin e njeriut, dhe jo nga ato që dalin”.(7) Pra, këtu nuk specifikohen ushqyeset nga joushqyeset.
3. Vjellja me qëllim, ngase Muhamedi a.s. thotë në një hadith “Atij që i vjen vjellja duke qenë agjërueshëm, nuk e ka obligim ta bëjë kaza, ndërsa ai që me dëshirë e ngacmon veten e tij, ai le ta bëjë kaza atë ditë!”8
4. Ngrënia dhe pirja gabimisht, jo nga harresa, ngase gabimi ndodh për shkak të pakujdesisë së agjëruesit, si p.sh.: të mbështeturit në ndonjë orë që nuk numëron kohën saktë për bërjen e iftarit.
5. Nëse agjëruesi ha ose pi edhe pas agimit, duke menduar se ende mëngjesi nuk ka aguar, ose ha dhe pi para perëndimit të diellit, duke menduar se dielli ka perënduar.(9)
Një çështje duhet theksuar: ditët e paagjëruara të Ramazanit, e të cilat agjëruesi obligohet t’i bëjë kaza, nuk kushtëzohet që të agjërohen (bëhen kaza) pa i ndërprerë, si p.sh.: nëse agjëruesi ka qenë i sëmurë tri ditë radhazi në Ramazan, dhe e ka prishur agjërimin gjatë atyre ditëve, nuk kushtëzohet që t’i bëjë kaza po ashtu tri ditë radhazi dhe pa i ndërprerë. Për këtë çështje kemi si argument hadithin e Muahamedit a.s., të transmetuar nga Ibën Umerit r.a., e i cili thotë: “Kur besimtari bën kaza Ramazanin, nëse do e bën kaza me ndërprerje, e nëse do e bën kaza pa ndërprerje”.(10)
Përdorimi i barërave dhe mjeteve të ndryshme kuruese gjatë agjërimit
Duke pasur parasysh se për shumicën e barërave dhe medikamenteve mjekësore dijetarët islamë kanë divergjenca rreth tyre, se cili është efekti i tyre në agjërim, ne do t’iu referohemi vendimeve të” Akademisë së Jurisprudencës Islame”, nën ombrellën e së cilës veprojnë elita e dijetarëve islamë bashkëkohorë.
a) Pikat e syrit, pikat që vihen në vesh, pastrimi i veshit, pikat e hundës, spreji i hundës, asnjëra nga këto nuk e prishin agjërimin, nëse nuk bëhet gëlltitja e asaj që ka depërtuar në fyt (ngase obligohemi që të shmangim futjen e këtyre gjërave në stomak).
b) Kapsulat që vendosen nën gjuhë, e të cilat përdorën për shërimin e shtrëngimeve të gjoksit (angjinën e gjoksit), nuk e prishin agjërimin, nëse nuk gëlltitet ajo që arrin në fyt.
c) Futja e pasqyrës kirurgjike, ose e gypave të hollë, ose ndonjë bari në vrimën e urinës, ose në mitër, nuk e prishin agjërimin.
d) Gërryerja e dhëmbit, nxjerrja e dhëmballës, pastrimi i dhëmbëve, qoftë edhe me pastë, nuk e prish agjërimin, nëse nuk gëlltitet ajo që arrin në fyt.
e) Shpëlarja e plotë e gojës, ose gazi që përdoret për shërim lokal në gojë, nuk e prishin agjërimin, nëse nuk gëlltitet ajo që ka arritur në fyt.
f) Injeksionet shëruese, qoftë nën lëkurë, muskuj, ose në damar të gjakut, nuk e prishin agjërimin, me përjashtim të atyre që janë ushqyese (infuzioneve).
g) Thithja e gazit të oksigjenit, e as gazrat që përdorën për anestezion, nuk e prishin agjërimin, nëse në to nuk ka materie ushqyese.
h) Yndyrat, kremrat që përdorën për lyerje të ndonjë pjese të trupit, ose plasteret terapeutike që bartin yndyra ose lëndë kimike, e që vendosën në trup, edhe nëse trupi thith materien e tyre nuk prishet agjërimi.
i) Futja e ndonjë gypi të hollë nëpër damarët e gjakut a të zemrës, që shërben për zgjerimin e disa arterieve të gjakut, nuk e prish agjërimin.
j) Futja e pasqyrës kirurgjike nëpërmes barkut, ose në stomak, për të kontrolluar ose operuar zorrët ose ndonjë organ të brendshëm, nuk e prish agjërimin.
k) Vjellja e paqëllimshme nuk e prish agjërimin, për dallim nga ajo që është e qëllimshme, e që e prish atë.
Ndërsa, “Këshilli Juridiko-mjekësor islam”, në mbledhjen e tij në Darul-Bejda (Kasa Blanka) në Marok, dha opinionin e vet edhe për disa çështje që Akademia Juridike Islame kishte hezituar të jepte vendimin për to. Këshilli në fjalë, me shumicë votash, konstatoi se:
a) Përdorimi i pompës së oksigjenit, që përdorët nga të sëmurët e astmës (frymëmarrjes) nuk e prish agjërimin.
b) Kapsulat ose barërat që vendosen në zorrën e trashë (vrimën anale), ose pasqyrat kirurgjike, nuk e prishin agjërimin.(11)
c) Gjithashtu sipas shumicës së dijetarëve bashkëkohorë, përdorimi i insulinës gjatë ditës së agjërimit, për ata që vuajnë nga sëmundja e sheqerit, por që nuk janë në atë shkallë që nuk mund ta durojnë agjërimin, nuk e prish agjërimin, edhe pse, nëse ka mundësi të vonohet deri pas kohës së iftarit, është më e preferuar.
__________
1) Muslimi me nr. (69).
2) Sahihul–Buhari me nr. (1946).
3) Sahih-Muslim me nr. (1120).
4) Sahih Ibën Haban me nr. (7219).
5) Transmeton Buhariu me nr. (1936).
6) Shih: El-Lubab Fi Sherh El-Kitab 173-177, Dar El-Kuba, Damask.
7) Musanef Ibën Ebi Shejbeh me nr. (9319).
8) Sahih Ibën Haban me nr. (3518).
9) Për gjërat që duhet bërë kefaret dhe kaza, dhe ato vetëm kaza, shih: El-Hidajeh sherh Bidajetil-Mubtedi (1/ 145-160), Darul Erkam Bin Ebi-lerkam, Bejrut.
10) Dar-Kutnij me nr. (2329).
11) Mevsuat elkadaja el-fikhijje el-muasire, Dr. Ali Muhamed Salus. Mektebet Darul-Kur’an. Egjipt.Bot. I 11-të, 2002.