Disa këshilla praktike se si të organizohet jeta gjatë Ramazanit

1. Hyrje

Shekulli 21 po ecë fuqishëm në të gjitha pikëpamjet e jetës. Ai po imponon edhe mënyrën e jetës, që karakterizohet me dinamikë, vrap, izolim, indiferencë, tëhuajësim. Radio-televizionet, shtypi i shkruar dhe elektronik, interneti dhe rrjetet sociale në të, po diktojnë ritëm të shpejtë të jetës por edhe mënyrën e vetë jetës. Më as fëmija nuk lind si dikur, as nuk rritet si dikur, as nuk martohet si dikur, as nuk vdes si dikur. Çdo gjë bëhet ndryshe të kaluarës, madje e kaluara cilësohet si arkaike, për muze, të padobishme etj.
Të ballafaquar me këto ndryshime rapide, për shumë kë paradoksale, një pjesë e njerëzve megjithatë përpiqet ta bëjnë jetën e tyre, pa i neglizhuar të arriturat shkencore dhe teknike të kohës bashkëkohore dhe duke mos u bërë i varur nga to.
Pikërisht për këtë qëllim, si të organizohet më së miri jeta jonë shpirtërore dhe fizike, në vazhdim do t’i ofrojmë disa sugjerime, të thjeshta, me gjuhën më popullore, të cilat me elemente shtesë, mund të shërbejnë si model për një kohë më të gjatë.

2. T’i lëmë anash paragjykimet rreth ramazanit

Është bindje e një pjese të konsiderueshme të besimtarëve se ramazani është i vështirë dhe kërkon energji të madhe dhe vullnet të pashoq, madje edhe sakrifica fizike. Për këtë arsye shumë njerëz agjërues nxitojnë të punojnë para ramazani apo t’i shtyjnë disa punë pas ramazani. Në këtë planifikim nuk ka ndonjë të keqe, sikur kjo bindje të ishte produkt i planifikimit të mirëfilltë të jetës dhe punës i udhëhequr nga mësimet fetare. Është e saktë se agjërimi ka angazhim shpirtërore dhe fizike. Është e saktë se agjërimi s’është i lehtë! Por gjithashtu do të themi se agjërimi nuk e rrënon njeriun, shpirtin dhe fizikun e tij. Ne nuk do të arsyetohemi me ajete e hadithe se agjërimi ndalohet në raste vështirësish ose sëmundjesh, sepse këtë do ta bëjnë juristët islamë në shkrime të llojit të vet, por do të themi se shumë paragjykime janë ngatërruar në këto llafe çajtoresh, kafenesh apo ndeje të kota. Leximi i ajeteve kur’anore dhe i haditheve të Muhammedit a.s. për agjërimin janë përplot humanitet e altruizëm, solidaritet e vëllazëri.

3. Organizimi i kohës të bëhet me urtësi

Koha duhet të programohet me urtësi, duke i harmonizuar nevojat njerëzore në mënyrë sa më racionale. Nëse janë më pak obligime ato mund të programohen edhe në kokë, por nëse ka më shumë sosh atëherë duhet hartuar listën e obligimeve respektivisht të bëhet programimi i ditës e javës në letër apo edhe në telefon celular. Jepi përparësi detyrave më të rëndësishme, sidomos bisedave telefonike afariste, apo e-majl adresave urgjente, që pjesën tjetër të ditës t’ia kushtosh punëve të tjera. Planifiko edhe fuqinë edhe kohën, që të jesh i freskët për tërë ditën. Nëse për ndonjë arsye diç nga detyrat e sotshme kanë mbetur pa u përfunduar, kaloji ato detyrime për ditët vijuese. Llogariteni kohën për obligimet fetare, për trafikun urban dhe për përgatitjet për iftar, pastaj për ligjëratat e para jacisë dhe vetë jacinë-teravinë. Ndoshta fundi i ditës, nëse ka mbetur diç nga koha, mund të shfrytëzohet për ndonjë lexim relaks ose për ndonjë lajm për të përmbyllur ditën përplot obligime e punë.

4. Fuqinë planifikoje me mençuri

Agjërimi e bënë njeriun më gjakftohtë, më të qetë, më pak agresiv, më zemërbutë, më solidar. Agjëruesi ka vetëkontroll dhe disiplinë. Të gjitha obligimet ditore duhet t’ia nënshtrojë këtij vetëkontrolli. Ndërmjet obligimeve ditore agjëruesi duhej të bëjë pushim të caktuar, të freskohet me oksigjen, ta freskojë vendin e punës nëse gjendet brenda objektit dhe t’i kujtojë gjërat a kanë shkuar sipas planifikimit. Mbajeni në mend, shumë strese janë pasojë e objektit me ajër të ndotur dhe pasojë e ngatërrimit (mbingarkimit) të obligimeve. Nëse keni vërejtur se shumicën e kohës ta merr ndonjë punë, verifikoje vetveten dhe riprogramoje kohën. Në këtë mënyrë ditët e agjërimit do t’i lehtësosh nga ngarkesat e zakonshme.

5. Ibadetet le të shërbejnë si pushim ditor

Ibadetet janë shtylla e jetës së njeriut. Në këtë aspekt namazi dhe agjërimi, si ibadete, kanë rolin kryesor. Këto obligime e pushojnë por edhe e harmonizojnë aktivitetin ndërmjet mendjes, trupit dhe shpirtit. I këtillë është iftari dhe syfyri, simbole të saktësisë dhe korrektësisë. Nuk thotë së koti Muhammedi a.s. se “Njerëzit gjithnjë do të jenë në të mirë deri sa do të nxitojnë me bërjen e iftarit.” (Buhariu dhe Muslimi). Është mirë që gjatë gjithë kësaj kohe të lexosh Kur’an, para ose pas namazi, aq sa mundet, e do të ishte mirë që brenda muajit të lexohet tërë Kur’ani. Nëse s’do të kishte pauzë tjetër për pushim gjatë ditës, namazet do ta kompensonin edhe pjesën e pushimit. Relaks fizik dhe prehje shpirtërore.

6. Flejë mirë

Nëse kthimi nga namazi i teravisë zakonisht është rreth orës 23.00, përpiqu që brenda gjysmë ore të përgatitesh për gjumë. Në këtë mënyrë do të jesh më i freskët për syfyr (sehur). Kjo sidomos vlen për ata që punojnë të nesërmen. Për ata që punën e kanë më vonë, ose natyra e punës së tyre nuk kushtëzohet me orar të caktuar, atëherë në gjumë mund të shkosh pas namazit të sabahut.
Është mirë që pas namazit të drekës, në kohën e ushqimit të zakonshëm jashtë ramazani, të pushosh (flesh) pak. Kjo periudhë për ata që janë të lirë është e mirëseardhur për të gjithë gjatë gjithë vitit kalendarik. Ky pushim apo gjumë do ta relaksojë njeriun edhe në shpirt edhe në trup.

7. Ha dhe pi mirë

Kujdesi ndaj ushqimit duhet të jetë permanent. Duhet të ushqehemi prej akshamit e deri në syfyr. Të gjitha nevojat ushqimore, të ushqimit të ngurtë apo të lëngshëm, duhet t’i konsumojmë, në intervale përkatëse. Kjo periudhë agjërimi duhet të shërbejë edhe si qortim për ne që mos të bëjmë shpenzime të tepruara, sepse agjërimi është muaj kursimi e jo konsumi të tepruar. Shporta e muslimanëve për fat të keq, viteve të fundit po tregon rritje të konsumit të mishit, të lukseve gjatë ramazanit, kurse shumë muslimanë e njerëz të tjerë jetojnë në varfëri të skajshme apo rrezikojnë të vdesin për ushqim e pije. Është përgjegjësi e muslimanëve që agjërimi të bëhet shkollë kursimi e edukimi, arsimimi e angazhimi e jo shkapërderdhjeje e teprimi. Viteve të fundit praktika jonë nuk është për t’u lavdëruar. Bëhet shumë shpenzime për ushqim dhe pije për miqtë e jaranët, por jo për të varfrit.

8. Koha e lirë

Përkundër shumë obligimeve muslimani gjen kohë edhe për pushim, apo atë që e quajmë “kohë të lirë”. Kjo kohë zakonisht më herët kalohej në salavat, nafile apo lexim Kur’ani. Mirëpo, kohëve të fundit, muslimanët për ta arritur më lehtë kohën e iftarit shikojnë TV apo kohëve të fundit e kalojnë kohën kot në internet. Disa të tjerë, kohën pas iftari e deri në syfyr e kalojnë nëpër kafeteri, çajtore, restorante, apo lojëra të tjera. Nëse agjërimin do ta kuptojmë se është kohë devotshmërie (takvallëku) e jo humbakohe, atëherë muslimanët duhet ta riprogramojnë kohën e tyre në përgjithësi. ramazani nuk është muaji i shahut, dominove, konterit, letrave të bixhozit, ahengjeve përplot përgojim e përqeshje, as kohë e mitingjeve të poezisë, këngës apo filmave, por kohë e ibadetit të përkushtuar.

9. Përmbushja e obligimeve

Çdonjëri prej nesh duhet t’i bëjë planifikimet materiale dhe shpirtërore. Krahas ibadeteve shpirtërore kemi edhe obligime materiale. Planifikimet e fillimit të ramazanit duhet shikuar a janë plotësuar. Po ashtu, shiko që zekatul-fitrin ta dorëzosh në institucionin e bashkësisë islame të vendit ku jeton për përmbushjen e obligimeve në pajtim e ajetin kur’anor për sadekatet. Po ashtu, shih xhaminë e lagjes tënde, jetimoren apo shkollën e lagjes, ndonjë skamnor që pretë ndihmën tuaj. Ndoshta nuk do të bësh shumë, por çdo aktivitet, sado i vogël, është më mirë se të braktiset krejtësisht shprehia e mirë e dhënies së ndihmës.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi