Vdekja e dijetarëve bëhet shkak i zhdukjes së dijes

Abdullah ibën Amër ibën Asi ka thënë: "E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut a.s., duke thënë: "Vërtet Allahu nuk do ta zhdukë diturinë nga njerëzit duke e tërhequr përnjëherë, por do ta zhdukë diturinë me vdekjen e dijetarëve, përderisa nuk do të mbetet asnjë dijetar, e njerëzit për udhëheqës do të marrin injorantët. Atëherë këta (udhëheqës) do të pyeten e do të japin fetva me padituri. Kështu i humbin ata dhe veten e tyre. "(1)

Fjalët e panjohura në hadith

Fjala "la jakbidu" d.m.th. nuk e zhduk, nuk e merr. Vjen nga folja "kabeda", që d.m.th. merr, mban në dorë, shtrëngon, ndrydh. Themi: "kabedallahu ruhahu" - Allahu e mori shpirtin e tij. Melaqes së vdekjes i thuhet Kabidul ervahi. Ky është edhe një prej emrave të Allahut xh. sh. El Kabidu-Mbajtësi, shtrënguesi.
Fjala "intiza'an" d.m.th. largon, shkëput, tërheq - "jentezi'u ".
Fjala "efta" ka kuptimin me nxjerr, jep opinion, shpall vendim fetar. "Efta, jufti, iftaun" - jep gjykim, konsultë, shpreh mendim. Nga kjo folje rrjedh edhe fjala "istiftaun" - marrje mendimi, referendum.

Shpjegimi i hadithit: "Vdekja e dijetarëve nuk kompensohet"

Bazuar në këtë hadith, mund të themi se Allahu xh.sh. nuk e zhduk dhe çrrënjos diturinë nga njerëzit duke e ngritur përnjëherë në qiell, apo duke e shlyer nga gjokset e dijetarëve përnjëherë, por në mënyrë graduale duke ua marrë shpirtrat dijetarëve, sepse me vdekjen e bartësve të diturisë, e duke mos pasur kush t'i trashëgojë dhe zëvendësojë, atëherë bëhet zhdukja dhe largimi i dijes nga sipërfaqja e tokës. Kështu sheriati islam mbetet pa njerëz të aftë dhe kompetent për përgjegjësitë që duhet të mbajnë, dhe rolin e dijetarëve do ta luajnë injorantët.
Në haxhin lamtumirës, Pejgamberi a.s. porositi që njerëzit ta marrin diturinë para se ajo të ngritët: "Një beduin (fshatar i shkretëtirës) e pyeti të Dërguarin a.s. "Si ngritët dituria?" Ai a.s. iu përgjigj: "A nuk humbet dituria me vdekjen e bartësve të saj (dijetarëve)?!" Këtë e përsëriti tri herë."(2)
Bartësit e dijes, dijetarët janë drita të umetit. Ata janë kandilat e udhëzimit, të deleguarit e drejtë, besnikët e Allahut te krijesat. Ata i udhëzojnë të humburit, me dorën e tyre i drejtojnë të devijuarit në rrugën e vërtetë dhe të drejtë. Atyre Allahu xh.sh u ka dhënë kuptueshmëri, logjikë dhe largpamësi për t' i mbrojtur njerëzit nga devijimet në mendime dhe kuptime
të gabueshme. Ata janë mbajtësit e së vërtetës, hulumtuesit e shkencave të vështira, gjokset e tyre janë enët e dijes, mendjet e tyre janë depot e vendimeve dhe gjykimeve. Ata janë si një burim i pashtershëm i ujit për njerëzit, dhe duke qenë të shumtë e duke udhëzuar njerëzit arrihet që umeti të mbrohet dhe të krenohet, kurse me mungesën e dijetarëve dhe njerëzve përreth tyre shkohet në dekadencë dhe zhytje të umetit në injorancë, pasi që përhapen gënjeshtrat, shtrembërimet dhe devijimet.(3)

Pasojat e mungesës së dijetarëve në umet

Në hadith gjendet shprehja: "E njerëzit për udhëheqës do të marrin injorantët." Pa dyshim se vdekja e dijetarëve konsiderohet edhe vdekje e shumë shkencave shoqërore, natyrore dhe fetare. Të krijosh kuadër profesional është gjë e vështirë që kërkon përkushtim, sakrificë dhe kohë. Pasuria më e madhe e një populli është kuadri deficitar, akademik dhe shkencor. Dijetarët nuk trashëgohen, por fitohen me punë të palodhshme. Intelektualët bëjnë që një popull të jetë i madh, i lirë dhe i qytetëruar, kështu që njerëzit duhet t' i pasojnë dijetarët, ngase këta të fundit dinë atë që duhet ditur, e njohin më mirë jetën, shoqërinë dhe fenë. Kurani i ka cilësuar dijetarët si njerëzit më të devotshëm dhe që më së shumti e kanë frikë Zotin xh. sh. "Vërtet ata që i frikësohen më shumë Allahut nga robërit e Tij janë dijetarët." (El Fatir,)

Shkenca pa religjion është e gjymtë, e religjioni pa shkencë është i verbër

Hadithi bazë tregon se vdekja e dijetarëve, shkencëtarëve, intelektualëve është e tmerrshme, pasi krijon vakum dhe i hap rrugë injorancës dhe injorantëve. Injorantët do ta fundosin shoqërinë duke humbur të mira dhe vlerat që krijuan dijetarët. Thuhet së është më e vështirë të ruhen vlerat, sesa të fitohen. Një fjalë e urtë arabe thotë: "Çdo gjë është një send (diçka), e padituria është asgjë."
Muhamedi a.s. ka thënë: "Dija është gjë e humbur e besimtarit, andaj kudo që ta gjej duhet ta përvetësojë."(4)
Jo rastësisht, Resulullahu ka thënë: "Dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve"(5)
Lufta më e madhe që bën Islami është lufta kundër injorancës. Injoranca është armiku më i madh dhe i pakrahasueshëm në Islam. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Vdekja e dijetarit është fatkeqësi e pa kompensueshme dhe zbrazëti që nuk mbulohet, yll i cili shuhet e nuk shkëlqen. Më mirë është vdekja e një grupi njerëzish sesa vdekja e një dijetari."(6)
Njerëzit mund të zëvendësohen, ndërsa dijetarët janë të pazëvendësueshëm, duhen dekada për të arritur te gjurmët e tyre. Nuk ka dyshim se prej shumë shenjave që janë tronditëse para kiametit është edhe zhdukja e diturisë dhe paraqitja e injorancës dhe injorantëve. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Prej shenjave të kiametit janë ngritja (zhdukja) e diturisë dhe mbetja e injorancës (në tokë)(7)

Njerëzit duhet t'u referohen dijetarëve

Shprehja në hadith: "Atëherë këta (udhëheqës) do të pyeten, e këta do të japin fetva me padituri. Kështu i humbin ata dhe veten e tyre", nënkupton se dhënia e fetvave, mendimit fetar është detyrë dhe profesion i dijetarëve. Pejgamberi a.s. paralajmëroi se do të vijnë kohëra kur dijetarët do të vdesin dhe nuk do të ketë dijetarë që nxjerrin vendime dhe dispozita nga Kurani dhe Suneti. Kështu njerëzit do të ballafaqohen me mungesën e dijetarëve dhe duhet të mbështeten dhe të veprojnë sipas dijetarëve të mëhershëm. Pra, për aq kohë sa ekzistojnë dijetarët aktiv duhet t' u referohemi vetëm atyre, e kur të mos ekzistojnë dijetarët, në vend të injorantëve duhet të bëjmë taklid - përcjellje, pasim të dijetarëve të mëhershëm. Allahu xh.sh në Kuran thotë: "Largohu nga injorantët (të paditurit)." (El Arafë, 199)
Ky urdhër është që të qëndrojmë sa më larg nga injorantët, të cilët mundohen të japin mendime, opinione dhe gjykime të çështjeve fetare, sidomos në kohën e sotme, ku çështjet dytësore i kanë zëvendësuar ato primare, si rezultat i zaptimit të fesë nga injorantët, gjysmë të diturit dhe pseudointelektualët fetarë. Fetvat duhet të merren nga dijetarët e aftë dhe profesional. Allahu xh.sh. thotë: "Pyete atë të dijshmin." (El Furkan, 59)
Sipas këtij ajeti, duhet të pyetet profesionisti në disiplinën përkatëse, mjeku në profesionin e tij, arkitekti për arkitekturën, inxhinieri për inxhinierinë etj. E për çështjet fetare duhet të pyeten dijetarët fetarë, që janë të përgatitur në aspektin profesional dhe shkencor.
Allahu xh. sh. thotë: "Pyetni dijetarët (që i dinë librat) në qoftë se nuk e dini." (En Nahl, 43)
Njerëzit pyesin në lidhje me çështjet fetare dhe të ligjshme, e pastaj veprojnë në bazë të përgjigjeve që marrin nga dijetarët. Ky ajet dhe hadith bazë, tregojnë se ai që nuk është dijetar e ka për detyrë që të pyesë dijetarët, ata që kanë bërë investigim të duhur e të mjaftueshëm në disiplinat fetare dhe shkencore.
Shpjegimi i dispozitave fetare që burojnë nga Kurani dhe Suneti duhet të bëhet nga dijetarët me kualifikim të mirë, të përgatitur me arsimim cilësorë, që njohin mirë gjuhën arabe dhe terminologjinë e saj. Pejgamberi a.s. i ka kërcënuar ata që japin fetva (mendim dhe gjykim fetar) duke qenë të paditur: "Kushdo që jep një fetva (mendim dhe gjykim) duke qenë i paditur, mëkati do të bjerë mbi atë që e jep gjykimin (fetvanë).”(8)
Është e drejtë e secilit që nuk i ka të qarta çështjet fetare që të pyesë, por nuk është e drejtë e secilit që t'u përgjigjet pyetjeve të parashtruara, ngase mëkati bie mbi atë që e jep gjykimin, madje ai ngarkohet me mëkatin e tij që nuk e di, dhe me mëkatin e atij që vepron, pra ngarkesa e tij është e dyfishtë.


________________
(1) "Sahihul Buhari", vëll. I, fq. 176, m. 98.
(2) "Mu'xhemul kebir lil Bejhekij", vëll. II, fq. 242, m. 7775.
(3) Muhamed el Havlij, "El edebu en nebevij", fq. 278.
(4) "Sunen Et Tirmidhij", vëll. IX, fq. 301, m. 2611.
(5) "Sahihul Buharij", vëll. I, fq. 26.
(6) El Hejthemi, "Mexhmeu zevaidi", vëll. I, fq. 202,2682.
(7) Thën Haxher, "Fet'hul Bari", vëll. I, fq. 239, m. 80.
(8) "Sunen Ebi Davud", vëll. X, fq. 71, m. 3172.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi