Mektebi është themeli i shoqërisë sonë


Njeriu është qenie e shpirtit në ekzistencën e tij fizike. Trupi, si fenomen fizik, është vetëm dhe, pluhur, skelet. Pa shpirt, trupi nuk mbijeton, nuk bëhet - ai është aty, si një pemë e mbjellë në një lëndinë. Sikur që zhvillohet njeriu nga lindja edhe karakteri i tij ndryshon, ashtu edhe shpirti i tij. Dallimi është se trupi është i formuar natyrshëm dhe shpirti është i pastër nga lindja, pa ‘shtesë’, në fe të pastër.

Prej kur daton mektebi?

Mektebi daton që nga dita e parë e misionit pejgamberik. Pejgamberi ynë Muhamedi a.s., ua mësonte sahabëve ajete të para të shpalljes dhe dispozitat e para të besimit në shtëpinë e Erkamit. Në Medine Muhammedi a.s., në mekteb i angazhoi edhe të burgosurit e Bedrit, ku mektebi merr një rol të përgjithshëm të shkrim-leximit, sepse aty, në xhaminë e Pejgamberit a.s., përveç mësimit fetar, mësoheshin edhe njohuri të tjera. Në atë mekteb të Muhamedit a.s., është rritur një brez që edhe sot e kësaj dite e mahnitë njerëzinë dhe historinë në përgjithësi me të gjitha të arriturat e kohës.

Edukimi dhe arsimimi janë pararendës

Zoti i Madhëruar ia mësoi Ademit a.s., njeriut të parë në tokë - siç na mëson Kurani - me emërtimet e të gjitha sendeve, i dha atij aftësinë për të mësuar dhe i mbjelli etjen për dituri. Muhamedi a.s., na tregon se fjalët e para të Shpalljes së Fundit, të transmetuara atij nga meleku Xhibril, ishin: “Mëso, lexo, në emër të Zotit tuaj”. Këta dy shembuj na tregojnë se dituria dhe të mësuarit janë fillimi i jetës njerëzore. Njohuria vjen nga dituria. Nga dituria dhe mësimi lind edukimi me të cilin shpirti dhe shpirtërorja ngrihen vertikalisht në këtë botë dhe në botën e ardhshme.
Muhamedi a.s., ishte - siç na njofton Kurani - “me vyrtyte më të bukura”, “mëshira e botëve”, “përgëzuesi”. Duke i mësuar sahabët, në atë mënyrë që ata, ndër të tjera, pyesin dhe ai shpjegon, të qëndrojnë të ulur kurse ai të flet, na mëson edhe traditën e tij dhe vlerat islame, kështu që thotë se “edukimi i mirë është trashëgimia më e vlefshme që prindi mund t'ia lërë fëmijës së tij”. Gjithashtu, na mëson se është detyrë e prindërve ndaj fëmijës “ta edukojnë mirë në frymën e fesë islame dhe ta mësojnë të shkruajë”. Një nga institucionet që ka rol parësor dhe ndihmon prindërit në edukimin islam të fëmijëve dhe mësimin e vlerave themelore të besimit është “mektebi”.

Mektebi dëshmon për kohëzgjatjen tonë

Sistemi arsimor ka ndryshuar gjatë shekujve. Kanë ndryshuar metodat, mënyrat, format e edukimit dhe arsimimit. Mektebi, si pjesë e atij sistemi, të paktën thelbi i tij mbeti i njëjtë. Edukimi dhe mësimi i vlerave islame që nga kohërat më të hershme duke përsëritur pas mualimit, duke treguar praktikisht, duke ilustruar me tregim dhe duke treguar me shembull, mënyra se si Muhamedi a.s., i mësoi dhe edukoi sahabët e tij, mbeti variabli i tij i pandryshueshëm. Suksesi i mektebit dhe rëndësia e tij nuk e humbin vlerën me gjithë kalimin e kohës. Sepse, mektebi është traditë pejgamberike, traditë e atij që Zoti i Lartësuar e ka mësuar dhe edukuar.
Nëpërmjet mektebit ne i rrisim fëmijët dhe i prijmë kah Rruga e Drejtë, duke ditur se jemi duke vepruar drejt, duke përmbushur imperativin Hyjnor dhe duke plotësuar etjen për dije të shpirtit rinor për njohjen dhe diturinë. Prandaj ilmihalet, sufarët (Hyrje në shkronja të Kuranit) dhe Mus'hafët, për fëmijët janë si shiu pjellor për tokë të thatë - të dobishme dhe të frytshme. Literatura e mektebit ka një vlerë dhe vend të veçantë në mendjen kolektive të popullatës myslimane në trevën tonë sepse me ndihmën e tyre fëmijët takohen për herë të parë me rrugët e njohjes dhe edukimit. Mektebi është qeliza e parë, fillimi, fara, frytet e së cilës i korrim gjatë gjithë jetës.

Mektebi - rruga drejt fisnikërimit të botës

Prindërit janë pjesë e pashmangshme e mësimit duke i dërguar fëmijët e tyre në banka, dhe duke u dhënë besim mualimëve për edukimin e fëmijëve. Sepse, mektebi nuk është shkollë, por për nga rëndësia dhe kuptimi jetësor - mektebi është 'mbishkollë', 'supershkollë'. Sigurisht që rolin më të rëndësishëm në këtë e kanë muallimët. Imazhi është gdhendur në kujtimet dhe traditat tona gojore të hoxhallarëve dhe mualimëve të përkushtuar, të përpiktë dhe seriozë, të cilët për dekada e shekuj, duke mbledhur fëmijë, përçonin diturinë islame në xhamitë dhe mejtepet e vjetra, u tregonin atyre se çfarë është e mirë dhe çfarë nuk është e mirë të punohet – hallallin dhe haramin. Ky personazh i efendiut edhe sot ka respekt të thellë për të gjithë brezat, e që kanë qenë gjithmonë ata që e kanë mbajtur e mbrojtur besimin si një gacë prrushi në duar.
Ndjekja e mësimit në mektebe për fëmijë ka një rëndësi të madhe. Përveç edukimit dhe nxënies të gjërave më të rëndësishme, themelore të diturisë islame, në mekteb fëmijët mësojnë shoqërimin, ndjeshmërinë, seriozitetin, me një fjalë të gjitha cilësitë pozitive. Zhvillimi i shpirtërores që nga ditët më të hershme deri në vitet e shkollës së mesme është themeli i jetës shpirtërore të çdo njeriu. Pa të, njeriu ecën nëpër jetë si “i mangët shpirtërisht”.
Sot, në kohën tonë na nevojitet mektebi më shumë se kurrë. Ne kemi nevojë për të si mushkëritë për ajër, si trupi për ujë e ushqim - në mënyrë që duke mësuar për vlerat e vërteta dhe duke i adoptuar ato, të mund të luftojmë me rrethimin e botës materiale që nuk njeh shpirt e shpirtëroren...


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi