Muslimani ndaj muslimanit ka shumë obligime dhe përgjegjësi sepse kështu jemi të urdhëruar nga Allahu xh.sh dhe Muhamedi a.s, që janë dy burimet e para të fesë islame.
Jo rastësisht e thash në njëjës muslimani ndaj muslimanit se ne duke i ditur të drejtat individuale e kemi më lehtë të adaptohemi në një shoqëri muslimane.
Muslimani ndaj muslimanit i ka obligim: Dashurinë e vëllazërinë ndaj tij, mëshirën ndaj tij, ta ruaj gjakun dhe nderin e tij, mos të përgojoj e të shpif për te, … etj.
Në Kur’anin famëlartë hasim obligime dhe përgjegjësi individuale dhe kolektive e shoqërore që duhet të kenë muslimanët në mes veti.
Allahu xh.sh na tregon me një ajet kur’anor se muslimanët në mes veti fillimisht duhet të kenë dashurinë e ndërsjellë ku thotë:
“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t'i mëshirojë Allahu. Allahu është ngadhënjyes, i urtë.” (Tevbe 71)
Muhamedi a.s na tregon se Xheneti është i paarritshëm nëse nuk është dashuria e mirëfilltë në mes nesh ku thotë në një thënie të tij:
“Nuk keni për të hyrë në Xhenet derisa të besoni, nuk keni për të besuar derisa të duheni në mes veti, a doni tua tregoj një gjë nëse e veproni do të duheni? Përhapeni përshëndetjen në mes jush”.(Muslimi)
Nëse kemi ndonjë mosmarrëveshje në mes veti na tregon Allahu xh.sh në Kuran si duhet të veprojmë ku thotë:
“Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet vete, ju pajtoni ata, e në qoftë se ndonjëri prej tyre e sulmon tjetrin, atëherë luftojeni atë grup që vërsulet me pa të drejtë, derisa t'i bindet udhëzimit të Allahut, e nëse kthehet, atëherë me drejtësi bëni pajtimin ndërmjet tyre, mbani drejtësinë, se vërtet Allahu i do të drejtit. S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë Allahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti)”. (Huxhurat 9-10)
Muslimanët nga dashuria e madhe që kanë në mes veti, si rezultat i saj rrjedh edhe mëshira e madhe që kanë për njëri-tjetrin, ku Allahu xh.sh na tregon në Kur’an për sahabët (shokët) e Muhamedit a.s për mëshirën që kanë pas në mes veti ku thotë:
“Muhamedi është i dërguar i Allahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, …” (Fet’h 29)
Muhamedi a.s me një hadith na tregon gjashtë obligime që ka muslimani ndaj muslimanit ku thotë:
“Muslimani ndaj muslimanit ka gjashtë obligime”, u pyet: “Cilat janë ato, o i Dërguari i Allahut? U përgjigj: “Kur ta takosh t’i japish selam; kur të ftojë t’i përgjigjesh; kur të kërkojë këshillë ta këshillosh; kur teshë dhe thotë “El-Hamdulilah” t’i thuash “Jerhamukallah”; kur të sëmuret ta vizitosh; dhe kur të vdes ta përcjellësh (deri te varrezat)”. (Tirmidhiu dhe Nesaiu)
Ne si musliman e kemi obligim që të jemi sa më të bashkuar e më të koordinuar në veprimet që i bëjmë sepse mosmarrëveshjet në mes veti po na kushtojnë.
I lutemi Allahut xh.sh që të dashuri sa më shumë për njëri-tjetrin.