“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Meke), e dobishme, udhërrëfyese për njerëzimin.” (Ali Imran, 96)

Myslimani përmes namazit pesë herë në ditë e drejton fytyrën e vet kah Qabeja e Madhërueshme. Ashtu ai tërë jetën e vet e lidh me Kiblen, e cila është simbol i ibadetit, vendlindje e të Dërguarit Muhamed a.s., dhe xhamia e parë në Tokë, të cilën Allahu e ka bërë vend ku duhet bërë ibadet Atij. Për këtë çështje vizita e shtëpisë së Zotit, haxhi, prezanton dëshirën e çdo myslimani, dëshirë që Vazhdimisht rritet dhe kurrë nuk zvogëlohet, deri sa të realizohet, sepse myslimani në haxh sheh dëshminë e tubimit rreth një qëllimi që i bashkon myslimanët anekënd botës.
Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit, është adhurim që Allahu e bëri obligim një herë në jetë, për myslimanët që i plotësojnë kushtet e parapara. Allahu i Madhërishëm në Kuranin famëlartë ka thënë: ”...për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo..." (Ali Imran, 97).
Gjithashtu edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s., në hadithin e gjatë në të cilin iu përgjigj melekut Xhibril në pyetjet e parashtruara, e konfirmoi se haxhi është një nga shtyllat e Islamit. Muhamedi a.s. tha: "Islami është ngritur mbi pesë shtylla (baza): Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s. është i Dërguar i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit dhe agjërimi i Ramazanit.”(1)
Për haxhin mund të flitet nga shumë aspekte dhe për shumë dimensione të tij, gjegjësisht mund të bëhet përshkrimi i mënyrës së kryerjes së haxhit, mund të shqyrtohen dispozitat juridike të haxhit, për qëndrimin e haxhinjve, etj.(2)
Në këtë shkrim nuk do të ndalemi në asnjërën nga këto që përmendëm, por do të ndalemi në disa urtësi që përmban haxhi.

Haxhi dhe urtësitë e tij

Haxhi është adhurim (ibadet) që në vete ngërthen shumë të mira e urtësi, e sa për ilustrim do t'i përmendim vetëm disa nga ato:
a. Haxhi është shkak që bën shlyerjen e gabimeve dhe mëkateve. Nëse vizita e Qabesë bëhet me nijet të sinqertë dhe me pasuri të fituar nga hallalli, është shkak dhe shpresë e madhe për shlyerjen e mëkateve.
Ibni Abasi transmeton: "Ishim me të Dërguarin a.s., ndërkohë që erdhi një grup nga Jemeni dhe thanë: "O i Dërguar i Allahut, na trego për vlerat e haxhit!” Pejgamberi a.s. tha: "Çdo njeri që del nga shtëpia e tij për të kryer haxhin ose umren, sa herë që e ngre dhe e ul këmbën, i bijnë gjynahet nga trupi i tij ashtu siç bijnë gjethet e pemës. Kur vjen në Medinë dhe më dërgon selam, edhe melekët do t'ia kthejnë selamin. Kur arrin te vendi Dhulhulejfe dhe merr gusël (pastrohet), Allahu do ta pastrojë nga gjynahet, dhe kur t'i veshë rrobat e reja, Allahu do t'ia ripërtërijë të mirat e tij. Kur thotë: ”T'u përgjigja, o Zot, t'u përgjigja”, Allahu i thotë: "Unë po të shikoj dhe po t'i dëgjoj fjalët e tua." Kur hyn në Meke dhe e bën tavafin dhe vrapimin në Safa dhe Merve, Allahu do t'ia vazhdojë mirësitë pandërprerë. Kur të qëndrojë në Arafat, e të gumëzhojnë zërat duke i kërkuar Allahut që t'i zgjidhë hallet e tyre, Allahu u krenohet melekëve të shtatë qiejve, dhe u thotë: "O melekët e Mi, që jeni banorët e qiejve të Mi, a nuk i shikoni se robërit e Mi kanë ardhur tek Unë duke iu përgjigjur thirrjes Sime, nga distanca të largëta, të lodhur e të rraskapitur, kanë shpenzuar pasuritë e tyre, kanë lodhur trupat e tyre. Pasha Madhërinë dhe bujarinë Time. Unë do t'i nxjerr të pastër nga gjynahet, porsi dita kur kanë lindur prej nënave të tyre. Kur të hedhin gurët e të rruajnë kokat dhe të vizitojnë Qabenë, do t'i thërras një thirrës nga Arshi i Allahut: "Kthehuni se jeni të falur, dhe filloni të punoni!"(3)
Gjithashtu i Dërguari a.s., ka thënë: "Shejtani nuk ndihet asnjë ditë më i pafuqishëm, më i zemëruar dhe më i poshtëruar sesa në ditën e Arafatit, dhe kjo për arsye se shikon zbritjen e rahmetit dhe faljen e Allahut për gjynahet e njerëzve, dhe nuk është ndjerë kurrë më parë kështu përveçse në ditën e Bedrit.” (Buhariu dhe Muslimi).
Si dhe hadithi i njohur i Muhamedit a.s.: "Haxhi i pranuar (mebrur) nuk ka shpërblim tjetër pos Xhenetit." (Buhariu dhe Muslimi).
Ç’është haxhi mebrur? Ekzistojnë shumë mendime lidhur me atë se cili haxh është mebrur.
Haxhi në të cilin nuk ka mëkate;
Haxhi që është i përgatitur;
Haxhi në të cilin nuk ka hipokrizi dhe shtirje, dhe;
Haxhi pas të cilit më nuk ka mëkate.(4)
Ebu Hurejra transmeton se është pyetur Muhamedi a.s.: "Cila është puna më e mirë?" Është përgjigjur: "Besimi në Allahun xh.sh. dhe të Dërguarin e Tij”. I thanë: "Po tjetër?”, e ai u përgjigj: "Lufta në rrugën e Allahut." - "Po tjetër?” Iu përgjigj: "Haxhi mebrur”, tha i Dërguari a.s.”(5)
Muslimi në Sahihun e tij shënon se i Dërguari i Allahut i kishte thënë Amr bin Asit, me rastin e dhënies së betimit: "Vallë nuk e ke ditur që Islami shlyen atë që ka qenë para tij, sikur hixhreti që shlyen atë që ka ndodhur para, dhe haxhi që e shlyen atë që ka ngjarë para tij?!”
Gjithashtu në një hadith tjetër Pejgamberi a.s., ka thënë: "Kush e kryen haxhin, dhe me këtë rast nuk i cenon dispozitat e Allahut dhe nuk e shqipton asnjë fjalë të papëlqyeshme, do të kthehet i pastër nga mëkatet sikur atë ditë që e ka lindur nëna e tij.”(6)
Pastaj hadithi tjetër, që thotë: "I falen mëkatet haxhiut dhe atij për të cilin lutet haxhiu."
Vlen të përmendet se mëkatet që i fshin haxhi janë mëkate të vogla, kurse për mëkatet e mëdha doemos duhet pendimi i sinqertë te Allahu xh.sh. E mëkatet sipas sheriatit islam ndahen në dy lloje: Mëkatet që drejtpërsëdrejti ndërlidhen me Allahun xh.sh., si p.sh: mosfalja e namazit, mosagjërimi etj. dhe; Mëkatet që ndërlidhen dhe kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me njerëzit. Sa i përket mëkateve në relacionin njeri-Allah, ky lloj mëkati është e mundur të falet, pasi që vepruesi i mëkatit të pendohet dhe plotësisht t'i dorëzohet Allahut xh.sh., ngase ato mëkate janë nën mëshirën e Allahut xh.sh.: nëse dëshiron i falë, e nëse jo atëherë dënon ata që kanë bërë mëkat. Kurse mëkatet në relacionin njeri-njeri, ato mbeten borxh derisa Allahu xh.sh. t'i tubojë njerëzit pranë madhërisë së Tij, dhe t'i llogaritë ata, ashtu që secilit t'ia japë hakun që e meriton. Ky lloj mëkati mund të falet nëse njeriu kërkon falje prej atij që ia ka bërë të padrejtën, dhe ai t'ia falë. Personi që i ka borxh dikujt doemos duhet të kërkojë falje nga ai dhe t'ia falë, e pastaj mund të shkojë në haxh, sepse haxhi nuk e fal mëkatin që haxhiu ia ka dikujt. Nga kjo nënkuptohet se për ta shlyer mëkatin që ndërlidhet në relacion njeri-njeri së pari duhet të kërkohet falje nga ai që i është bërë e padrejtë, dhe ai t'ia falë, e mandej të shpresohet se haxhi do t'ia shlyejë mëkatin atij personi që bën haxhin.
Allahu xh.sh. Ditën e Gjykimit është e mundur ta falë dikë, por me kusht nëse vëllai i tij t'ia falë mëkatin. Duhet të dihet se një gjë e tillë është nga mirësia dhe butësia e Allahut, e jo nga domosdoshmëria për Të.(7)
b. Haxhi forcon besimin, i hap shtigjet që njeriu të pendohet me një pendim të sinqertë.
C. Haxhi ia mëson njeriut principet e durimit, ashtu që atë e aftëson të jetë më i durueshëm edhe gjatë problemeve të jetës së tij të përditshme. Pastaj e orienton dhe i jep kahje se si duhet të jetë i ndërgjegjshëm, i përpiktë në zbatimin e obligimeve gjatë jetës së tij.
ç. Haxhi është adhurim nëpërmes të cilit njeriu e falënderon Allahun xh.sh. për begatitë e dhuruara.
d. Haxhi ia mëson njeriut parimet e edukatës, si duhet të jetë i sjellshëm, i moralshëm dhe i edukuar. Haxhiu gjatë kohës së haxhit e ka të ndaluar të shajë dhe të flasë fjalë të pakuptimta, të këpusë bimë, gjethe, të shkatërrojë gjelbërimin në atë vend, t'i thyejë degët e bimëve etj.
Përveç dobive fetare nga haxhi ka edhe dobi të tjera: historike, shoqërore, morale, kulturore etj.

Dobitë historike të haxhit

Njeriu në haxh viziton vendet e shenjta: Meken, Qabenë e bekuar, Safanë, Merven, Arafatin, Muzdelifen dhe Minanë. Kujton Ibrahimin a.s. babanë e shumë pejgambereve, i cili erdhi në truallin e Mekës kur ishte një vend djerrinë e pa ujë, pa bimë, pa kafshë e njerëz, një vend që mund të quhej i pajetë. Kur gjendemi aty kujtojmë Qabenë e Madhërueshme, banorët e saj Ibrahimin a.s. dhe të birin Ismailin a.s., nënën e tij, zonjën Haxhere, që vraponte nëpër dy kodrinat, Safa dhe Merve, duke kërkuar ujë dhe gjëra tjera për jetesë. E në ato rrethana, me urdhrin e Zotit pati filluar të shpërthejë uji i famshëm në botë, uji Zem-Zem. Kujtojmë këtë vend në të cilin lindi dhe u rrit Muhamedi a.s. Në këtë vend filloi t'i zbresë Kurani. Aty jetoi dhe punoi deri në moshën 53 vjeçare, nga ku pastaj emigroi drejt Medines. Gjithashtu kujtojmë vendin ku shejtani i mallkuar u mundua ta mashtrojë Ibrahimin a.s., që të mos e zbatonte urdhrin e Zotit xh.sh., ta flijonte (kurban) djalin e tij, Ismailin a.s. Dhe në atë çast, Allahu i Madhëruar i dërgoi Ibrahimit a.s. një dash kurban, për ta prerë në vend të djalit të vet të dashur. Në këtë mënyrë vizita dhe njohja me ato vende madhështore të historisë islame e forcon edhe më shumë besimin e çdo njeriu.

Dobitë shoqërore

Gjatë këtij udhëtimi të shenjtë haxhiu i një vendi takohet me një haxhi të vendit tjetër. Në këtë mënyrë njihen dhe lidhin miqësi vëllazërore, duke ngrënë e pirë bashkë, duke ecur e duke bërë adhurime bashkë, dhe duke u njohur me kulturën e njëri-tjetrit. Udhëtimi e mëson njeriun të jetojë e të hyjë në marrëdhënie shoqërore me të tjerët, domethënë të sillet mirë me njerëzit, të ndihmojë të tjerët e të ndihmohet prej tyre, të përkrahë të mirën e të largojë të keqen. Ia sa bukur na udhëzon Kurani për këtë udhëtim: ”...nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje...” (El Bekare,197),
Pra, haxhi forcon jetën shoqërore e bashkëjetesën vëllazërore mes njerëzve. Kjo vërtetohet edhe me ajetin tjetër të Kuranit, që thotë: ”S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër..." (El Huxhuratë, 10).

Dobitë morale të haxhit

Në haxh çdo vit tubohen miliona njerëz, që vijnë nga vende të ndryshme, të largëta e të afërta. Aty takohen njerëz me tipare të ndryshme për nga gjuha që flasin, nga zakonet e shumëllojshme, moshat, temperamenti etj. Gjatë udhëtimit e qëndrimit në haxh njeriu kënaqet duke zbatuar porositë islame, dhe nga mjedisi shoqëror që shquhet nga mirësjellja. Duke vizituar ato vende madhështore e me vlera të mëdha fetare, dhe duke u njohur me haxhinj nga vise të ndryshme të botës, njerëzit zhvillohen e përparojnë. Njeriu po ashtu ndien kënaqësi të paparë, meqë gjen mikpritjen bujare të vendësve, prandaj edhe e kryen me kënaqësi të plotë këtë adhurim të madh. Gjatë qëndrimit në këto vende njeriu e kupton se në këtë mjedis duhet të sillet në mënyrën më të mirë të mundshme, duke pritur e duruar, dhe të përdorë fjalë të buta dhe të ëmbla me të tjerët.(8)
Nga kjo që thamë për urtësitë dhe dobitë e haxhit, dhe shumë të tjera që mbetën pa u thënë, pyesim: me çfarë të drejte disa njerëz refuzojnë plotësisht obligimin e haxhit dhe mbajnë qëndrimin se është shumë më mirë dhe më e dobishme që mjetet materiale për haxh t'i harxhojnë për qëllime tjera si: në ndërtim objektesh për të mirën e të tjerëve, në ndihmë nevojtarëve etj.?
Një gjë duhet ditur se haxhi është obligim i caktuar prej Allahut xh.sh. për atë që i plotëson kushtet e parapara, e nuk mund të kompensohet me asgjë tjetër. Ai që e ka obligim haxhin e nuk e kryen, mund të ndërtojë 100 spitale, shkolla, jetimore etj., e këto do të jenë në dobinë e tij pa dyshim, por kurrsesi nuk e ka kryer haxhin, pra edhe më tutje e ka borxh këtë obligim islam. Për këtë obligim ende mendohet gabimisht nga disa, se në haxh duhet të shkohet kur të jemi në moshë.
Faktet na tregojnë se si pritja e kryerjes së haxhit shumë persona i ka mashtruar, sepse disa kanë vdekur, disa janë sëmurë, e disa janë varfëruar. Muhamedi a.s. ka thënë: "Shpejtoni në kryerjen e obligimit të haxhit, sepse askush prej jush nuk e di se çka mund ta pengojë (nesër) të mos e kryejë!" (Ahmedi).
Në fund, e lusim Allahun e Madhërishëm që të na bëjë prej atyre që e kryejnë këtë obligim, kurse ata që nuk kanë mundësi Allahu ua mundësoftë ta kryejnë këtë ibadet madhështor! Amin!


____________________
1) Sahihu i Buhariut, nr. 8, po ashtu Sahihu i Muslimit nr. 21, Tirmidhiu nr. 2609.
2) Mr. Bashkim Aliu, Mozaiku Islam, Furkan, 2014, Shkup, f. 130.
3) Saimir Bulku. Edukimi shpirtëror, Sira, Prishtinë, 2014, f. 138. Shënon Ahmedi.
4) Abdulhamid Mahmud Tuhmaz, Fikhu Hanefi, Vëllimi i l, Ibadat, Prishtinë, 2008. f. 529.
5) Sahihu i Buhariut, nr. 1519.
6) Sahihu i Buhariut, nr. 1521.
7) Fahrudin Ebibi, lrfan Abazi, Taxhedin Bislimi, Iusuf Zimberi, Pesë Shtyllat e Fesë Islame, Shkup, 1998, f. 571.
8) Vehbi Sulejman Gavoçi, Shtyllat e Islamit, Tiranë, 1999, f. 299.



Isa Tërshani