Të përgjigjemi o Allah, të përgjigjemi!

Jeta e besimtarit është testim dhe sendërtim praktik i së vërtetës dhe i devotshmërisë. Ana vulgare materialiste e saj ngurthon shpirtin. Prandaj besimtari ka nevojë për një atmosferë të ngrohtë besimi që e ngrit drejt horizonteve të përshpirtësisë. Një realitet të çiltër dhe të pastër, të parfomosur me aromë imani e përunjësie. Prandaj, ja ku eshtë mundësia.
Ditët kaluan shpejt dhe arritëm në prag të një sezoni të madh, ditëve të Haxhit. Në ditët e para të muajit Dbul-Hixhe çdo vit, zemrat e muslimanëve anekënd botës rrahin dhe sytë e tyre drejtohen nga Shtëpia e Shenjtë e Zotit, të mbushur me mall dhe shpresë për atë që është te Zoti i Madhëruar, duke iu përgjigjur lutjes të babait të tyre, Ibrahimit alejhi selam, kur Zoti e urdhëroi që t’i thërrasë njerëzit ta vizitojnë Qabenë e të shkojnë në haxh: "Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë, e edhe kalorës me deve të rraskapitura, që vijnë prej rrugëve të largëta ... " (El-Haxhxh, 27).
Zëri i Ibrahimit a.s. kumboi dhe u përhap anekënd rruzullit tokësor dhe ai zë vazhdon të jehojë për mijëra vite deri në ditët tona. Kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen sa të ketë jetë. Shpirtrat e besimtarëve dhe të besimtareve në vijimësi nga të gjitha skajet e Tokës i përgjigjen thirrjes duke thënë: “Lebbejke Allabumme lebbejk" - Ti përgjigjemi o Allah, të përgjigjemi!
Haxhi është një nga adhurimet më me peshë të fesë islame, shtylla e pestë e Islamit dhe një prej adhurimeve madhështore. Ai është një ibadet karekteristik. Është bërë obligim në vitin e nëntë hixhri. Realizohet me pasuri e trup. Zoti i Madhëruar thotë: “ ... Për hir tëAllahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo, e kush mohon (obligimin e haxhit le ta dijë se) Allahu është i Pavarur dhe nuk është i nevojshëm për (ibadetin që bëjnë) njerëzit." (Ali Imran, 97)
Muhamedi a.s. thotë: "Islami është ndërtuar mbi pesë: dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Zotit dhe se Muhamedi është i Dërguari i Zotit, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit, dhe vizita e shtëpisë për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo.”
Për ata që i plotësojnë kushtet e Haxhit, kryerja e tij është obligim një herë në jetë, kjo vlen për çdo musliman, qoftë mashkull apo femër, i cili është mentalisht, financiarisht dhe fizikisht i aftë. Haxhi është adhurim fetar që Zoti ia kishte urdhëruar edhe umeteve të mëparshme.
Shpirti i besimtarit nga dashuria e madhe është i lidhur me Zotin dhe shtëpinë e Tij. Prandaj, Qabeja është një mundësi që edhe duke shkuar fizikisht atje ta shprehin dashurinë dhe bindjen tonë ndaj Zotit.
Dijetarët kanë përmendur shumë dobi e urtësi të tij. Haxhi është tubimi më i madh shpirtëror vjetor ku muslimanët takohen e njihen mes tyre. Haxhi manifeston universalitetin e fesë islame dhe shpërfaq vëllazërinë dhe barazinë e muslimanëve, specifikë e fesë që nuk favorizon një klasë, kastë apo racë. Haxhi u përkujton njerëzve se ajo që peshon te Zoti është devotshmëria. Feja dhe fetarizmi janë karta më e fortë identitare që i bashkon të gjithë muslimanët në një umet të vetëm.
Koha e haxhit është kthim intensiv te Zoti pas një pakujdesie e shpërfillje, me tërë qenien tonë, pastrim e pendim. Ky është një nga qëllimet kulmore të Haxhit. Pejgamberi a.s. thotë: "Kush kryen haxhin për Allahun xh. sh. dhe ruhet nga fjalët dhe veprat e shëmtuara, kthehet (i pamëkat) sikur ka lindur nga nëna e tij.” (Buhari dhe Muslimi).
Ky hadith jep sihariq për haxhiun se ai do të kthehet me mirësinë dhe mëshirën e Zotit me libër me faqe të bardha dhe dosje të fshira të gjynaheve. Prandaj ai s'duhet t’u kthehet përsëri mbushjes së këtyre dosjeve me mëkate.
Pasqyrimi i qëllimeve të haxhit në realitetin e jetës sonë duhet të jetë konstant dhe i vazhdueshëm.
Ndërkaq, ka haxhinjë që i thonë lamtumirë gjithçkaje që përjetuan dhe bënë gjatë ditëve të haxhit me heqjen e petkut të ihramit.
Këta sikur neglizhojnë faktin se ajo që bënë gjatë Haxhit duhet të shërbejë si një stërvitje për të vazhduar në atmosferën e Haxhit. Ato përjetime që kanë lulëzuar zemrën nuk duhet të vyshken, por t’i mbajnë të freskëta sa të jenë gjallë.
Muslimani, që të jetë i denjë gjatë haxhit dhe pas tij, duhet të pajiset me devotshmëri shumë kohë para se të niset. Zoti thotë: “ ... Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes kini dronë Time." (El-Bekareh, 197).
Padyshim haxhi është një përvojë dhe përjetim shpirtëror i papërsëritshëm. Aty realizohet pastrimi i shpirtit dhe fisnikërimi i tij. Haxhi na përkujton Ditën e Madhe të Ringjalljes. Veshjet e bardha të haxhinjëve janë si qefina që mbështjellin trupin e tyre. Ato simbolizojnë edhe bardhësinë e shpirtit.
Shumë njerëz pas kryerjes së haxhit kanë ndryshuar rrënjësisht në mënyrë pozitive në kryerjen e dispozitave fetare. Haxhi e kalit besimtarin me durim dhe e aftëson që t’i bëjë ballë vështirësive dhe peripecive të jetës.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi