Shkeljet ligjore të haxhiut dhe shpagimet e përcaktuara për to


Haxhi është obligimi jetësor i myslimanit, të cilin do të duhej ta kryente pas hyrjes në moshën e pjekurisë, mundësisht menjëherë pasi t’i ketë plotësuar kushtet e obligueshmërisë së tij.
Megjithatë, personi që ka mësyrë kryerjen e këtij obligimi, duhet t’u nënshtrohet disa rregullave të veçanta, sidomos pas hyrjes së tij në Ihram- petk i veçantë që ka simbolikën e nijetit për fillimin e kryerjes së obligimit të Haxhit. Personit që ka hyrë në petkun e Ihramit, i ndalohen disa gjëra që i kishte të lejuara para hyrjes në të. Mirëpo, ajo që na intereson neve të shtjellojmë në këtë trajtesë, është cilat janë pasojat dhe si mund të shpaguhen shkeljet eventuale që do të mund t’i bënte haxhiu gjatë kryerjes së Haxhit.

Llojet e shkeljeve në Haxh dhe shpagimi i tyre

Sipas shkollës juridike hanefite, shkeljet ligjore të haxhiut ndahen në dy kategori:
1. Shkelje ligjore gjatë kohës së qëndrimit në ihram.
2. Shkelje ligjore që i përkasin Haremit-Vendeve të shenjta në Mekë.
Së pari është e udhës të sqarohen shkeljet ligjore që i përkasin Ihramit, respektivisht ato që bëhen gjatë kohës sa jemi duke i kryer ritualet e Haxhit dhe jemi veshur me ihram. Ato kategorizohen në:
-Shkelje ligjore që e bëjnë Haxhin të pavlefshëm në tërësi dhe obligojnë therjen si shpagim; në këtë kategori hyn kontakti intim bashkëshortor, me kusht që ai të ndodhë pas veshjes së ihramit, dhe para daljes në Arafat, pavarësisht nëse ndodh qëllimisht apo nga harresa, me dëshirë ose pa të. Pasojat e një veprimi të tillë për të dy bashkëshortët, sipas hanefitëve, janë: Haxhi i tyre është i pavlefshëm, ata duhet t’i vazhdojnë detyrimisht ritualet e atij haxhi që është i pavlefshëm (si masë ndëshkuese për veprimin e tyre), obligohen të therin nga një dele-ose dash si shpagim, dhe ata obligohen që vitin e ardhshëm të kryejnë Haxhin, mundësisht duke qëndruar të ndarë nga njëri-tjetri.

Rastet kur obligohet therja e një kafshe të trashë si shpagim për shkeljet gjatë Haxhit

E nëse kontakti intim bashkëshortor ndodh pas daljes në Arafat, duke qenë ende i veshur me Ihram, personi i tillë, qoftë mashkull ose femër, obligohet të therë një kafshë të trashë (lopë, deve a të ngjashme), po haxhi i tij është i pranuar, sepse është kryer shtylla kryesore e haxhit, që është dalja në Arafat. Këtu duhet theksuar se therjen e një kafshe të trashë (lopë a deve e të ngjashme), sipas hanefitëve, e obligon edhe bërja e tavfuz-zijare (tavafi i vizitës i Haxhit) duke qenë personi i papastër rëndë- xhunubllëk, duke u kthyer në shtëpi të vet pa e përsëritur atë tavaf fare.(1)
Këto dy dispozita janë bazuar në atë që është transmetuar se Abdullah ibn Abasi ka thënë: ”Obligohet therja e një kafshe të trashë (Budne) gjatë haxhit në dy raste: Nëse e bën Tavafin e Zijares duke qenë i papastërt me papastërti të rëndë-xhunub, dhe nëse ka pasur kontakt intim pas daljes në Arafat, por para kryerjes së Tavafit të Zijares”.(2)
Kategoria e dytë e shkeljeve ligjore gjatë haxhit janë ato që obligojnë therje të kurbanit (deledash), por se haxhi nuk bëhet i pavlefshëm në tërësi. E në këtë kuadër bëjnë pjesë:
a) Shkeljet që bëhen nga haxhiu duke praktikuar ose vepruar ndonjë veprim që është i ndaluar gjatë kohës sa është i veshur me ihram, siç janë:
Prerja e flokëve - sipas shkollës juridike hanefite, nëse haxhiu që është i veshur me Ihram, pret më shumë se 14 e flokëve të kokës, ose më shumë se 14 e mjekrës, ose i heq qimet nga njëra nënsqetull, atëherë ai obligohet të presë një dele-dash (kurban) ose një të ngjashme, si shpagim për shkeljen e tij, e nëse pret më pak se 14 e flokëve të kokës, obligohet të japë sadaka lëmoshë. Ndërsa për masën e sadakasë për të cilën obligohet personi me ihram që nuk ka bërë shkelje që do ta arrinte shpagimin me therje, është sa masa e 12 të një sa’ji, respektivisht një shujte ditore për një të varfër.(3)
Prerja e thonjve- Nëse haxhiu i pret thonjtë e njërës dorë, respektivisht të pesë gishtave të saj, obligohet të therë kurban, e nëse pret më pak se kaq ose i pret thonjtë e më shumë se 5 gishtave, por jo të së njëjtës dorë ose këmbë, atëherë obligohet vetëm sadakaja-lëmosha.
Veshja e petkut të rëndomtë që është i qepur me penj- qoftë bashkë me ihram, qoftë pa të fare, obligon therjen e një kurbani - nëse haxhiu e mban atë veshje një ditë të plotë ose një natë të plotë, e nëse e mban më pak se kaq, atëherë obligohet vetëm sadakaja. Por duhet theksuar se një numër i dijetarëve të tjerë obligojnë therjen edhe nëse ihrami hiqet pa arsye, qoftë vetëm për një kohë të shkurtër.
Parfumosja- Nëse haxhiu në ihram parfumos një gjymtyrë të trupit në tërësi, qoftë dorën, fytyrën , ose cilëndo gjymtyrë tjetër, obligohet të therë kurban, pavarësisht se a është parfumosur me qëllim, pa qëllim ose gabimisht – sipas hanefitëve dhe malikitëve.(4)
Ndërsa, nëse parfumos Ihramin e tij, obligohet të therë vetëm nëse atë ihram të parfumosur e mban të veshur një ditë ose një natë. Po ashtu, nëse lyen trupin me ndonjë krem ose vaj që ka aromë, i cili nuk përdoret për shërim ose kurim të ndonjë varre, gjithashtu obligohet të therë kuban, e nëse përdoret për kurim të ndonjë plage, atëherë nuk ngarkohet me asgjë. Këtu duhet theksuar që, sipas shkollës juridike hanefite, nëse haxhiu që ka veshur ihramin, bën ndonjërën prej këtyre shkeljeve që obligojnë therje të kurbanit (dele ose dash) dhe këtë e bën pa arsye të justifikueshme, atëherë ai domosdo duhet të therë kurban dhe nuk ka alternativë/ zgjedhje tjetër. E nëse një shkelje të tillë e bën me arsye, sikur të veshë një petk nga të ftohtit ose nëse është i sëmurë, atëherë obligohet me një prej tri alternativave: therje të kurbanit, agjërim të tri ditëve ose të ushqyerit e 6 të varfërve-të gjorëve me një ushqim në masë sasinë e gjysmë sa’i.(5)
Ndërsa dijetarët e tri shkollave juridike të tjera: malikite, shafiite dhe hanbelite, mendojnë se alternativa e zgjedhjes për shpagim është njësoj sikurse për atë që bën shkelje gjatë ihramit pa qëllim, po ashtu edhe për atë që e bën atë me qëllim6. Referencë e të gjitha këtyre mendimeve, pa dyshim, është ajeti kuranor, ku Allahu xh.sh. thotë:”...e mos i rruani kokat tuaja derisa të arrijë kurbani vendin e caktuar. Po kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensimi është: agjërim, sadaka ose kurban...”. (El Bekare,196).
Madje për shkakun e zbritjes së këtij ajeti, transmeton Imam Buhariu në “Sahihun” e tij nga Ka’b ibn Uxhrete, i cili thotë:” Me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Hudejbijes, ishim me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe i kishim ihramet veshur, ndërsa kurejshitët nuk na lejonin hyrjen në Mekë për vizitë të Qabesë-Umre, unë i kisha flokët të mëdhenj dhe më kishin mbuluar insektet-morrat në kokë, saqë, kur kaloi pranë meje i Dërguari a.s., e pa se ato më binin mbi fytyrë (nga udhëtimi i gjatë dhe pamundësia që të pastroheshin), dhe m’u drejtua: A po të bezdisin këto që i ke në kokë? I thashë – “Po, o i Dërguar i Allahut”, e ai më tha:”Qethi flokët, pastaj agjëro tri ditë, ose ushqe 6 të varfër, ose ther një kurban (si shpagim për qethjen e arsyeshme)”.(7)
Ndoshta ky hadith është argumenti më i fuqishëm i hanefitëve që mendojnë se tri alternativat vlejnë vetëm për atë që bën me arsye një veprim që ndalohet gjatë kohës se ihramit. Intimiteti bashkëshortor- Nëse bashkëshorti bën veprime epshore e të intimitetit (si përqafim a të ngjashme) me bashkëshorten e vet gjatë Haxhit, por jo marrëdhënie intime bashkëshortore, pavarësisht se a e ka bërë me qëllim apo jo, ai obligohet vetëm për të therë kurban, madje edhe nëse ka ejakulim, ndërsa haxhi i tij mbetet i ligjshëm. Ky është mendimi i hanefitëve.
-Shpagimi me therje të një kurbani (deledash) për shkak të moskryerjes së ndonjërit prej vaxhibeve të Haxhit, si në rastet në vijim:
- Kush e kryen tavafin e arritjes-kudum ose atë lamtumirës-veda’ duke qenë i papastër.
- Kush e kryen tavafin e zijares duke qenë pa abdest në 4 rrotullimet e para.
- Kush lë pa kryer tri e më pak rrotullime të tavafit të zijares-së haxhit, obligohet të therë kurban, e kush lë më shumë se katra, mbetet me ihram deri sa ta kryejë atë.
- Kush e lë pa e kryer fare tavafin lamtumirës veda’.
- Kush e lë pa e kryer sa’jin, vrapimin në mes Safasë dhe Merves.
- Kush largohet nga Arafati pa perënduar dielli.
- Kush nuk qëndron qoftë një pjesë të natës në Muzdelife.
- Kush lë pa i gjuajtur gurët në të katër ditët e Bajramit-Teshrikut, ose nuk i gjuan ata vetëm në një prej këtyre ditëve.
- Kush lë pa i qethur flokët ose nuk e kryen tavafin e zijares-haxhit, derisa të kalojnë katër ditët e Bajramit .
E nëse haxhiu lë më pak se kaq sa u përmend këtu, atëherë ai obligohet vetëm të japë sadaka lëmoshë për një të varfër në vlerë prej gjysmë sa’i, siç u theksua më lart.(8)

Shkeljet ligjore që i përkasin Haremit-Vendeve të shenjta dhe shpagimi i tyre

Rregulli i përgjithshëm, sipas hanefitëve, është se gjatë kohës së Haxhit ndalohet gjuetia e tokës- e jo e detit në rrethinën e Haremit, për shtazët e egra, pavarësisht se a lejohet apo ndalohet ngrënia e mishit të tyre. E nëse personi që është me ihram gjuan ndonjë shtazë, atëherë ai obligohet ta paguajë në Mekë të njëjtën kafshë ose të paguajë vlerën e saj përderisa është në haxh. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve duke u bazuar në ajetin kuranor, në të cilin Allahu thotë:” O ju që besuat, mos e mbytni gjahun duke qenë ju në ihram. E kush e mbyt atë me qëllim, atëherë dënimi është therja e një kafshe shtëpiake të ngjashme me atë (të egrën) që e ka mbytur. Për këtë çështje vendosin dy njerëz të drejtë nga mesi juaj, duke e bërë atë kurban për Qabe, ose (dënimi është) duke ushqyer të varfër, ose sa ai (ushqimi), agjërim, këtë për ta shijuar të keqen e punës së tij. All-llahu ka falur të kaluarën...”. (El Maide, 95).
Po ashtu, nëse personi me ihram pret ndonjë degë të njomë të ndonjë peme a druri që ka mbirë vetvetiu, obligohet të japë sadaka në vlerë të asaj që ka prerë për ndonjë të varfër të rrethinës së Haremit, si shpagim për shkeljen e tij. E kush mbyt diçka të vogël, që nuk konsiderohet as gjueti, p.sh. ndonjë buburrec a diçka të ngjashme, obligohet me një sadaka modeste në masë edhe më të vogël se gjysmë sa’i.(9)

Vendi dhe koha e shpagimit për shkeljet gjatë Haxhit

Shumica e dijetarëve islamë mendojnë se vendi i shpagimit me therje të kurbanit ose dhënie të sadakasë, është Haremi i Mekës, respektivisht të varfrit e rrethinës së Mekës, dhe nuk lejohet shpagimi jashtë saj, ndërsa koha se kur obligohet të bëhet shpagimi, nuk është e përcaktuar dhe mbetet ta zgjedhë haxhiu vetë.(10)
Këto janë në mënyrë të përgjithësuar disa rregulla që kanë të bëjnë me shkeljet e ligjeve gjatë kryerjes së obligimit të Haxhit, të cilat, është normale se mund të diskutohen e të sqarohen edhe më hollësisht, por
për këtë herë i kushtuam këtë hapësirë.


_____________
1. Bedaiu Sanai’ , El-Kasani. (3283-287). Darul Kutub El-Ilmijje. Bejrut. Bot. i 1 1997.
2. Po aty.
3. Hashijetu Ibn Abidiin- Ibn Abidiin (3589). Darul kutub el-ilmijje. Bejrut. Bot. i 2 2003.
4. El-Mugnij fi fikhil-Haxh vel Umrete. Dr. Seid Bashenfir (140). Mektebetul-ilm. Xhedë. Bot. i 2 1996.
5. Një sa’ ka peshën e 3 kg e 260 gr. Shih. Mu’xhem Lugatul-Fukaha, Kalahxhi. (f.241). Darul Nefais. Bejrut. Bot.i 1 1996. Ndërsa obligim në këtë rast është 12 e sa’it, që i bie 1.680 gr. Ose një ushqim ditor i nivelit mesatar të standardit jetësor.
6. Elfikhul-Islamijj ve edil-letuhu, Dr. Vehbetu Zuhejli. (3260).
7. Sahihul Buhari, Buhari, (Nr: i hadithit 3954. 41534)
8. El fikhul-islamijj ve edil-letuhu. Ibid (3263).
9. El- Hidaje sherh bidajetul –mubted’i. El-Merginanij. (1208) Darul Erkam. Bejrut. Pa numër dhe vit botimi . 10. El-Fikhul-islamij ve edil-letuhu. Ibid (3267). Dralu-Fikr. Damask. Bot. i 2. 1987.



Mr. Driton Arifi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Urime për muajin e bekuar Ramazan