“Ne patjetër do t’i ndihmojmë të dërguarit tanë dhe ata që besuan, edhe në këtë botë, edhe në ditën e prezantimit të dëshmive”. (Gafir, 51).
Allahu i Lartësuar është Qenia Absolute, i Vetëmjaftueshëm, dhe i Panevojshëm për asgjë. Ndërsa njeriu është qenie e dobët dhe është i nevojshëm për Allahun. Këtë nevojë të njeriut, ne, e vërtetojmë për çdo ditë. Të përmendim vetëm nevojën tonë për ajrin, si një element jetik për jetën e njeriut. E, Krijues i ajrit dhe i çdo gjëje është Allahu i Lartësuar.
Agjërimi sebep për ndihmën e Allahut
Më ka rastisur të dëgjoj prej besimtarëve islamë të vendit tonë, tek thonë: “Vallahi, bre, nuk po e marr vesh agjërimin”. Këto fjalë i kemi dëgjuar nga agjëruesit, në kohën kur koha e agjërimit është më shumë se 17 orë, e temperaturat deri në 38 gradë. Bëhet fjalë për muajt korrik e gusht, kur bëhet vapë e madhe. Njëkohësisht është dhe kohë punësh të ndryshme. Por ç’e do që besimtarët e vërtetë edhe agjërojnë, po edhe punojnë, sepse janë të detyruar të mbajnë vendin e punës. Me të vërtetë një sakrificë serioze. Kjo vërteton se dashuria për Allahun është dashuri mbi dashuritë dhe besimtarët e devotshëm tejkalojnë mundësitë. Besimtarin e vërtetë nuk mund ta pengojë asgjë nga kjo dashuri. Pra, asgjë nuk mund ta ndalë nga agjërimi i Muajit të Ramazanit, nga shijimi i mirësive të tij, për të cilin Pejgamberi a.s. i ka thënë ymetit të vet: “Juve ju ka ardhur një muaj me plot begati”.
Pavarësisht nga vështirësitë që sjellin temperaturat e larta dhe koha e gjatë e agjërimit, besimtari e përballon me shumë lehtësi agjërimin. Sigurisht këtu ka një urtësi, që duhet ta zgjojë interesimin tonë. Pa dyshim, kjo urtësi qëndron e skalitur thellë në ndihmën e Allahut dhe përkrahjen e Tij. Ndryshe nuk mund të shpjegohet kjo. Këtë e vërteton vetë agjëruesi, i cili, sa kohë që ndihet rehat me agjërimin e tij, në vlugun e vështirësive të këndshme të agjërimit, me kënaqësi thotë: “Vall-llahi, interesant, vetëm Allahi po na ndihmon”. Pra, në mënyrë krejtësisht besimore, po edhe në bazë të intuitës, deklaron ndihmën e Allahut.
Është shumë e vërtetë se vetëm me ndihmën e Allahut, njeriu mund ta përballojë agjërimin e këtyre ditëve të nxehta. Për më shumë, t’i kalojë ato në gëzim dhe lumturi. Sepse, të jemi të qartë, nuk bëhet fjalë për një ditë të vetme, që njeriu do të mblidhte fuqitë për t’ia dale, veçse bëhet fjalë për tridhjetë ditë të tëra. Këtë, mund ta bëjë vetëm ai që ka moral të fortë dhe qëllim në jetën e tij. Besimtari që beson Allahun, është I bindur se ndihma e Allahut është me njeriun që është në rrugën e Tij. Vetëm besimtari thellësisht i bindur nuk i ndahet rrugës së xhamisë, fal namazin, respekton urdhëresat dhe ndalesat e Allahut, agjëron me vullnet muajin e Ramazanit.
Besimtari, duke agjëruar, në të vërtetë ka bërë një ibadet, që është sebep për ta fituar ndihmën e Allahut. Sepse, nuk mund të jenë të barabartë tek Allahu, si ai që e ka pastruar veten e tij dhe u përmbahet urdhëresave të Allahut, si ai që nuk e ndjek rrugën e Tij dhe e lë agjërimin pa arsye. Allahu i Lartësuar, në kaptinën Rrum, ajeti 47, ndërsa thotë se i ka ndëshkuar të gjithë ata që e kanë kundërshtuar thirrjen e pejgamberëve, në fund të ajetit thotë edhe këtë: “… Obligim yni ishte të ndihmojmë besimtarët”. Këtë fjalë po e thotë Allahu, e kur Allahu premton, ajo është punë e kryer. Por, nuk është vetëm ky ajet, janë edhe dhjetëra ajete të tjera. Në një tjetër Allahu thotë: (shih: Muhamed, 11).
Agjërimi dhe ndihma e Allahut në këtë botë
Shpesh krijohet bindja se ndihma e Allahut ndaj besimtarëve do të ndodhë vetëm në Botën tjetër. Është e vërtetë se Allahu do t’i ndihmojë besimtarët e sinqertë në Botën e amshuar, atëherë kur nuk do të ketë ndihmë tjetër përveç ndihmës së Allahut. Por, po ashtu është e vërtetë se Allahu do t’i ndihmojë besimtarët e tij edhe në këtë botë. Ajeti në vijim sqaron më së miri atë që dëshirojmë të themi.
Ky ajet është mjaft domethënës. Ndonëse ka ardhur në kuadër të një konteksti përmbajtjesor, që i referohet pejgamberit Musa a.s., megjithatë komentatorët e Kur’anit thonë se përmbajtja e ajetit është e përgjithshme dhe ka të bëjë me ndihmën ndaj pejgamberëve dhe besimtarëve në përgjithësi. Ajeti reflekton dy çështje të rëndësishme:
1) Folja “nensuru” – “do t’i ndihmojmë”, që ka ardhur në fillim të ajetit, ka ardhur në kohën e tashme të vazhdueshme (el-mudariu). domethënë, ndihma e Allahut është aktuale dhe e vazhdueshme. Edhe më shumë, kjo folje ka ardhur edhe me “lam” përforcues “le-nensuru” – “do t’i ndihmojmë patjetër”, dhe ky ‘lam’ përforcon domethënien e ajetit në kuptimin pozitiv. Pra, Allahu ka mundur të thotë: “in-na nensuru – ne do t’i ndihmojmë”. Por, jo, Allahu këtë po e thotë me përforcim shtesë: “in-na lenensuru - ne do t’i ndihmojmë patjetër …”.
2) Ndihma e Allahut në këtë botë dhe në botën tjetër. Edhe kjo tregon qartë se Allahu i ndihmon të dashurit e tij prej pejgamberëve dhe myslimanëve, në këtë botë, po edhe në ditën kur do të jepen dëshmitë. Imam Rraziu, duke e komentuar këtë ajet, thotë se ndihma e Allahut vjen në shumë aspekte:
a) Ndihma ndaj një njeriu duke i dhënë fuqi në argumentim. Allahu argumentin e ka quajtur mbret – sulltan (El Kehf, 15). Sa bukur e ka emërtuar Allahu argumentin me emrin mbret. Mirëpo, edhe në këtë ka dallim, sepse mbretëria, në kuptim të sundimit, ndodh të zhduket, ajo pëson ngritje e rënie, dhe mund të vijnë periudha të vështira të varfërisë, kurse mbretëria që arrihet nëpërmjet forcës së argumentit, nuk zhduket kurrë, domethënë është më e fortë;
b) Ndihma me të lavdëruar dhe respektim. Njeriun që është i dashur i Allahut, e lavdërojnë dhe e respektojnë njerëzit. Armiqtë e Allahut, mund të mbysin një besimtar të devotshëm, por nuk mund t’i ndalojnë njerëzit për ta respektuar dhe lavdëruar atë;
c) Ndihma nëpërmjet aftësisë në të kuptuar. Kjo ndodh, ngase zemra e tij është e mbushur me dritën e argumenteve të Allahut dhe fuqinë e imanit. Një njeri i tillë, me ndihmën e Allahut, arrin t’i shohë intrigat e kundërshtarëve dhe të injorantëve, sikurse melaiket e qiellit arrijnë t’i shohin hollësitë e gjërave, etj….(1)
Këto janë vetëm disa aspekte të ndihmës së Allahut ndaj të devotshmëve dhe të gjitha këto aspekte i posedon agjëruesi. Ai është i lavdëruar dhe i respektuar para njerëzve dhe para Allahut. Është ballëhapur para të gjithëve, sepse agjërimi i tij është argument i Allahut. Ky besimtar, edhe nëse nuk flet me gojën e tij, për të dëshmon agjërimi dhe kjo u mjafton të gjithëve. Është mendjendritur, sepse posedon forcën e besimit dhe dritën e Kur’anit dhe Synetit, nëpërmjet të cilëve arrin ta shohë rrugën e drejtë dhe të dallojë të vërtetën nga e pavërteta.
Aspektet e ndihmës së Allahut ndaj besimtarëve, e në këtë rast ndaj agjëruesit, nuk kufizohen në këto që u përmendën më lart. Jo, ato me të vërtetë janë të shumëllojshme, janë shpirtërore dhe fizike, të fshehta dhe të hapëta, të drejtpërdrejta dhe të tërthorta... Njeriu që është në rrugën e Allahut, ai vazhdimisht është nën mbrojtjen e Tij, sepse Allahu ka thënë: “Allahu është mbrojtës i besimtarëve të devotshëm”. (El Xhathijeh, 19). Agjëruesi, gjatë gjithë kohës së agjërimit është në gjendje të ibadetit, adhurimit të vazhdueshëm ndaj Allahut, domethënë është në lidhje me Krijuesin. Ai ruhet nga ato që prishin agjërimin dhe nga të gjitha të tjerat që e dobësojnë atë. Kjo disiplinë e agjërimit, forcon shpirtin e besimtarit, në mënyrë që ai të jetë i aftë për komunikim me Allahun gjatë kohës sa është agjërueshëm . Njeriu, respektivisht agjëruesi, këtë ndjesi sikur nuk e vëren, porse ky është një realitet. Ky hatër i agjërimit, pa dyshim është i madh tek Allahu, dhe Allahu nuk mund të mos e nderojë dhe shpërblejë gatishmërinë e agjëruesit për gjithë sakrificën që bën me trupin e tij.
E, nderimi i Allahut ndaj besimtarit të devotshëm është ndihma dhe përkrahja e Tij. Kur Allahu e merr në mbrojtje besimtarin, çdo gjë për të është mirësi nga Allahu. Edhe atëherë kur ai sprovohet me ndonjë të keqe, edhe ajo është e dobishme për atë, po kjo mbase fshihet në urtësinë e Allahut. Për shembull, kur sëmuremi, këtë shpeshherë e shohim si një të keqe që na godet. Kurse harrojmë se Pejgamberi a.s., kur kishte vizituar një të sëmurë, për gjendjen e tij kishte thënë: “Kjo sëmundje, nëse do Allahu, është pastrim prej mëkateve”. Dua të them, edhe sëmundja që është krejtësisht e padëshirueshme, ka të mirën e vet, por ajo është në dëshirën e Allahut, dhe dikujt i vjen si mirësi e dikujt si dënim.
Mjafton që besimtari të gëzojë kënaqësinë e Allahut, nuk ka mbrojtës dhe ndihmëtar më të mirë dhe më të madh sesa Allahu. Çdo gjë që ndodh në këtë gjithësi, ndodh me caktimin e Allahut.(Shih: El En’am, 59). Prandaj, gjithçka që zhvillohet në raport me agjëruesin e sinqertë, nuk është e rastit. Çdo gjë ndodh brenda caktimit të Allahut dhe me lejen e Tij. Besimtari e ka vështirë derisa të fitojë ndihmën e Allahut e, kur ta fitojë atë, për të nuk ka frikë nga vështirësitë e kësaj bote dhe të Ahiretit, e as pikëllim për asgjë. Për këtë arsye, besimtari duhet t’i lutet Allahut për ndihmë, gjatë gjithë kohës, jo vetëm në çaste të vështira.
Agjërimi është një argument që tek Allahu shndërrohet në një “gurthemel” të përkrahjes së Allahut, sepse i Lartmadhërishmi agjërimin e ka konsideruar si një ibadet të veçantë nga të veçantat, prandaj edhe hatri i tij tek Allahu është i madh. Në Ditën e Gjykimit, për nder të agjëruesve, është e caktuar një derë e veçantë në Xhennet që quhet “rej-jan”, në të cilën do të hyjnë ekskluzivisht vetëm agjëruesit. Nderimi ndaj agjëruesve është i madh në këtë botë dhe në Botën tjetër. Shumë mirësi sjell ky muaj i bekuar, por njeriu ato nuk i vëren, ngase nuk është në aftësinë e tij. Ku ta dimë, ndoshta shumë të këqija do të na vinin po të mos agjëronim!? Por, për hir të agjërimit, Allahu dhuron të mira dhe i largon të këqijat. Fundja, Ramazani është muaj i begative. Njeriu do të mund t’i kuptojë të gjitha këto vetëm atëherë kur është i bindur se çdo gjë lëviz sipas dëshirës së Allahut, edhe e mira që na vjen neve, po edhe e keqja që na godet. Ai që nuk beson në këtë parim fundamental, nuk beson as në mirësitë e muajit të Ramazanit dhe as në hatrin e agjërimit tek Allahu. Mirëpo, besimtari duhet të qëndrojë larg këtyre bindjeve të mbrapshta. Në të vërtetë, këto janë cytje të shejtanit, i cili i kundërvihet njeriut.
Ndihma e Allahut në Bedër në muajin e Ramazanit
Në kohën e Pejgamberit a.s. pati ndodhur lufta e Bedrit. Ajo luftë ishte quajtur “gazvetul furkan”- lufta që ndau të vërtetën nga e pavërteta, sepse u dëshmua drejtpërdrejt se kush e ka ndihmën e Krijuesit - dhe është në rrugën e drejtë dhe kush nuk e ka ndihmën e Tij - dhe është në rrugën e gabuar. Në fushëbetejë, kur ushtria armike politeiste ishte trefish më e madhe, pësoi disfatë të thellë, dhe kjo ndodhi në muajin e shenjtë të Ramazanit. Allahu, në ndihmë të besimtarëve dërgoi melaike mu në kohën e luftimeve, të cilat ishin të ashpra dhe tmerruese për armikun. Besimtarët nuk i panë melaiket, po pala armike i shihte. Ashabët tregojnë se si kishin parë kundërshtarët e tyre tek binin përtokë, pa i goditur kush; në të vërtetë ata goditeshin nga melaiket. Për këtë luftë Allahu flet në Kur’an.
Qëllimisht e mora shembull luftën e Bedrit, jo vetëm sepse ka ndodhur në Ramazan, po edhe për faktin se Allahu u ka dhënë ndihmë të drejtpërdrejtë myslimanëve. Prandaj, këtë ndihmë të Allahut nevojitet ta analizojmë me vëmendje. Shikoni se çfarë thotë Allahu në Kur’an: (Shih:El Enfal, 12).
Musai a.s. vazhdoi fuqishëm, sepse Allahu i tha: “Ne jemi me ju…” dhe e fitoi luftën me Faraonin. Shtrohet pyetja -Përse? Sepse e kishte ndihmën e Allahut.
Fare në fund, agjëruesi ka ndihmën e Allahut dhe përkrahjen e Tij. Le të shpresojmë që këtë përkrahje Allahu do t’ia thotë secilit agjërues të devotshëm e të sinqertë. Kjo është fitorja më e madhe për besimtarin. E lusim Allahun e Lartësuar që agjërimin ta bëjë sebep për ta fituar ndihmën e Tij në këtë botë dhe në Botën tjetër. Amin!
_____________________
(1) Er-Rrazi, Tefsirul mefatihil gajbi, et-tefsiru’l-Kebir, komentimi i ajetit Gafir, 51.
Dituria Islame 276