Agjërimi, mburojë e besimtarit


Jemi në muajin e Ramazanit, muajit të madh, muajit të shpërblimeve, muajit, rëndësia e të cilit është jetike për besimtarin. Në këtë hutbe, do të doja të përkujtoja veçoritë, rëndësinë dhe vlerën e këtij muaji madhështor.


1. Allahu e ka veçuar muajin e Ramazanit nga muajt e tjerë me cilësi, veçori dhe begati të shumta, prej të cilave janë: 
• Era e gojës se agjëruesit tek Allahu është më e këndshme sesa aroma e myshkut (parfumit), 
• Melaiket kërkojnë falje për agjëruesit derisa të bëjnë iftar, 
• Allahu çdo ditë zbukuron Xhenetin dhe thotë: Ka gjasa që robërit e Mi të devotshëm, të largohen prej të këqijave dhe të vijnë tek ti!, 
• Lidhen shejtanët, 
• Hapen dyert e Xhennetit e mbyllen ato të Xhehenemit, 
• Në këtë muaj është Nata e Kadrit, e cila është më e mirë se 1000 muaj, 
• Në natën e fundit të Ramazanit, agjëruesve u falen mëkatet, 
• Allahu liron njerëz nga Xhehenemi, madje për çdo natë. Më thoni, si ta presim muajin me cilësi dhe begati të tilla! Ta presim të preokupuar nga epshe, marrëzira e humbje kohe?! Apo ardhja e tij të na stërmadhohet dhe të ndihemi keq prej tij?! Allahu na ruajttë, besimtarit nuk i takon kurrsesi të mendojë kështu, madje ai duhet ta presë Ramazanin me pendim, sinqeritet dhe vendosmëri për ta shfrytëzuar këtë muaj për vepra të hajrit. 


2. Veprat e mira që obligohen dhe rekomandohen në këtë muaj 


2.1. Agjërimi 


Thotë Muhamedi a.s. në një hadith kudsijj: “Çdo vepër e njeriut është për të, një e mirë (shpërblehet) me dhjetë e deri në shtatëqind sosh. Thotë Allahu: Përveç agjërimit, ai Më takon Mua dhe Unë shpërblej për të, (sepse) ai (njeriu) e braktisi dëshirën (seksuale), ushqimin dhe pijet e tij vetëm për Mua. Për agjëruesin ka dy shpërblime: një në iftarin e tij, dhe (tjetrin) kur ta takojë Zotin e vet. Era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu sesa era e myshkut (parfumit)”.(1) 
Po kështu thotë Muhamedi a.s. në një hadith tjetër: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe vetëllogari, i falen mëkatet e mëparshme”.(2) nuk ka dyshim se ky shpërblim marramendës nuk është vetëm për atë që ka lënë ushqimin dhe pijet, por edhe për ata që braktisin fjalët e këqija, ngase Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush nuk i braktis fjalët e këqija, veprimin sipas tyre dhe injorancën, (nuk ka fituar asgjë nga agjërimi), sepse Allahu nuk ka nevojë që njeriu t’i braktisë ushqimin dhe pijet e tij”.(3) Në një transmetim tjetër qëndron: “Agjërimi është mburojë; e kur dikush të agjërojë, le të mos i afrohet gruas(gjatë ditës për marrëdhënie intime), të mos i nëpërkëmbë dispozitat e Allahut, të mos shkaktojë grindje dhe të mos bëjë injorancë. Nëse ndokush e shan, le t’i thotë: Unë me të vërtetë jam agjërues”.(4) Vëllezër! Nëse agjëroni, le të agjërojnë së bashku me ju edhe dëgjimi, shikimi, gjuha dhe të gjitha gjymtyrët e trupit! Le të mos jetë për ju dita e agjërimit e ngjashme me ditët e tjera. 


2.2. Falja e namazit 


Thotë Muhamedi a.s. “Kush falet në Ramazan me besim dhe vetëllogari, i falen mëkatet e mëparshme”.(5) 
Kjo është një vërejtje me rëndësi, që namazin e taravive ta falësh me xhemat në xhami, në mënyrë që të shkruhesh prej atyre që kanë falur namazin. Thotë Pejgamberi a.s.: “Kush falet me imamin e tij derisa të largohet (të kryejë namazin), atij i shkruhet (shpërblimi) sikurse të jetë falur tërë natën”.(6) 


2.3. Sadakaja ose lëmosha 


Muhamedi a.s. ishte gjithmonë bujar, porse gjatë muajit të Ramazanit ishte edhe më bujar. Mu për këtë, kishte nxitur për bujari dhe kishte thënë:“Lëmosha më e mirë është në Ramazan”.(7)
 Sadakaja ka forma dhe mënyra të ndryshme: 
2.3.1. Thotë Allahu i Madhëruar (Shih El Insan, 8-12) 
Të parët tanë ishin të gatshëm për të dhënë bukë, madje, këtë si vepër të mirë, e favorizonin më shumë se disa lloje adhurimi. Kjo nuk përkufizohej vetëm në ushqimin e fukarasë, porse edhe në shtrimin e sofrës për miq, shokë, dashamirës, vëllezër e të tjerë. Prej të parëve tanë kishte njerëz që, edhe pse ishin vetë agjërueshëm, të tjerëve u shtronin bukë dhe u shërbenin. Prej tyre ishte edhe Hasan b. Mubareku. Ebu Sevar El Adeviu rrëfen: “Kam takuar njerëz nga fisi Beni Adijj, të cilët faleshin në këtë xhami dhe asnjëri prej tyre nuk hante vetëm; nëse gjente ndokënd, hanin së bashku, në të kundërtën, e sillte ushqimin në xhami dhe e hante me njerëzit”. Nga dhënia e bukës përfitojmë të mira të shumta, prej të cilave: dashuria dhe respekti i ndërsjellë me vëllezërit, të cilëve u ke dhënë bukë. Madje, kjo është edhe shkak për të hyrë në Xhenet. Thotë Muhamedi a.s. “Nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të duheni”. 
2.3.2. Dhënia iftar agjëruesve. Thotë Muhamedi a.s. “Kush i shtron iftar agjëruesit, ka shpërblimin sikurse të tij (agjëruesit) duke mos iu cunguar këtij të fundit asgjë nga shpërblimi i tij”.(8) 


2.4. Leximi i Kur’anit 


Çdoherë të jemi kureshtarë për leximin e Kur’anit me sinqeritet dhe meditim. Tek të parët tanë, Kur’ani ndikonte shumë. Bejhekiu transmeton nga Ebu Hurejre se, pasi kishte zbritur ajeti: “A prej këtij ligjërimi (Kur’ani) po çuditeni? E po qeshni dhe nuk po qani”?! (En-Nexhm, 59-60), qanë banorët e tendës (mistikët) derisa lotët u rridhnin nëpër faqe. Kur Muhamedi a.s. e dëgjoi të qarët e tyre, qau me ta, e nga të qarët e tij, qamë edhe ne. Atëbotë tha Muhamedi a.s. “Nuk do të hyjë në zjarre ai që qan nga droja e Allahut të Madhëruar”. 


2.5. Qëndrimi në xhami pas namazit të sabahut, derisa të lindë dielli 


Muslimi transmeton se muhamedi a.s. rrinte në xhami derisa lindte dielli. ndërsa tirmidhiu transmeton nga Enesi se Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush fal sabahun me xhemat, pastaj ulet dhe e kujton Allahun derisa të lindë dielli, pastaj fal dy rekate, ka shpërblimin sikur të ketë kryer një haxh dhe umre të plotë, të plotë, të plotë”. Vëllezër, ky shpërblim vlen për çdo ditë të zakonshme, ndërsa në ditët e Ramazanit ka vlerë të veçantë. 


2.6. I’tikafi ose qëndrimi në xhami 


Buhariu transmeton se Muhamedi a.s. bënte I’tikaf në Ramazan 10 ditë, ndërsa në vitin kur vdiq qëndroi 20 ditë”.


2.7. Umreja në Ramazan 


Është vërtetuar se Muhamedi a.s. ka thënë: “Umreja në Ramazan krahasohet me një haxh (për shpërblim)”.(9) 


2.8. Të kërkuarit e Natës së Kadrit 


Thotë Allahu(Shih: El Kadr, 1-3) Ndërsa Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush falet në Natën e Kadrit me besim dhe vetëllogari, i falen mëkatet e mëparshme”. (10)Muhamedi a.s. e kërkonte Natën e Kadrit dhe i urdhëronte ashabët që ta kërkonin atë, ndërsa në dhjetë netët e fundit e zgjonte familjen e tij për t’u falur dhe shpresonte që ta arrinin dhe ta gjenin këtë natë të bekuar, e cila zakonisht vjen në dhjetëditëshin e fundit. 


2.9. Shpeshtimi i dhikrit, duave dhe istigfarit (kërkimit falje) 


Ditët dhe netët e Ramazanit janë kohë të bekuara dhe të begatshme, andaj t’i shfrytëzojmë duke shpeshtuar dhikrin (përmendjen dhe kujtimin e Allahut), sidomos në kohët kur duaja nuk kthehet mbrapa. Këto kohë janë: iftari, pjesa e tretë e natës, syfyri dhe çasti - momenti i ditës së Xhuma, kur pranohen duatë. 


3. Vërejtje të përgjithshme Gjatë Ramazanit duhet të largohemi prej këtyre gjërave: 
• Natën të mos e bëjmë ditë dhe anasjelltas, 
• Të mos flemë në mënyrë që të na ikin namazet e obliguara, 
• Të mos e teprojmë me ushqim dhe pije, 
• Të mos e humbim kohën pa nevojë, 
• Të mos e hamë syfyrin herët, 
• Të mos e braktisim namazin e teravive, por ta falim të plotë, 
• Të mos bashkohemi dhe tubohemi për të bërë gjynahe, 
• Të mos flasim fjalë të ndyta dhe të mos përgojojmë askënd. 


Të nderuar vëllezër! Për fund, do të doja t’i qasem një problemi të rëndësishëm. Dua të përmend edhe sinqeritetin dhe rëndësinë e tij, ngase zhveshja prej sinqeritetit bën që agjërimi të ngelë i pavlerë. Sa agjërues nuk fitojnë prej agjërimit të tyre përveç urisë dhe etjes? Sa prej tyre janë falur, prej namazit të tyre nuk kanë fituar përveç lodhjes dhe pagjumësisë? Ndoshta pyet se si ndodh kjo,e unë jua rikujtoj se agjërimi është kushtëzuar me sinqeritetin. a nuk përmendëm disa herë hadithet: “kush agjëron Ramazanin me besim dhe sinqeritet..”., pastaj: “Kush falet në Ramazan me besim dhe sinqeritet..”.?!Allahun E lus që mua dhe juve të na dhurojë sinqeritet në fjalë dhe vepra! 


_________________
(1) Buhariu dhe Muslimi. 
(2) Buhariu dhe Muslimi. 
(3) Buhariu. 
(4) Buhariu dhe Muslimi. 
(5) Buhariu dhe Muslimi. 
(6) Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibni Maxheh dhe Nesaiu. 
(7) Tirmidhiu. 
(8) Ahmedi dhe Nesaiu, ndërsa Shejh Albani e ka cilësuar si të vërtetë, sahih. 
(9) Buhariu dhe Muslimi. 
(10) Buhariu dhe muslimi.


Artikulli i kaluar
Ramazani dhe ndihma e Allahut
Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Arsim Morina: “Premtimet e Allahut për agjëruesin (trajtim i haditheve përgëzuese)”