Misioni i pejgamberëve

Pejgamberët kishin një mesazh dhe një umet të vetëm, pa marrë parasysh devijimet kohore dhe të dërgesave të tyre nëpër kohë, nga njerëzit dhe pasuesit e tyre

Është më se e ditur se për ta trajtuar këtë temë ne duhet t’i qasemi argumenteve kuranore për të marrë, mendimin adekuat, që pejgamberët kishin një program dhe mision të vetëm. Dhe si të tillë kishin një mesazh dhe një umet të vetëm, pa marrë parasysh devijimet kohore dhe të dërgesave të tyre nëpër kohë, nga njerëzit dhe pasuesit e tyre.
Këtu po përmendim disa pjesë të citateve kuranore që argumentojnë pejgamberinë dhe qëllimin e thirrjes së tyre nëpër periudha të ndryshme: “Ne e patëm dërguar Nuhun te populli i vet, e ai tha: “O populli im adhurojeni Allahun, nuk keni të adhuruar përpos Tij.” (El A’raf 59).
“Edhe te populli Ad dërguam vëllanë e tyre Hudin, e ai tha: “O populli im adhurojeni një Zot, Allahun, ju nuk keni të adhuruar të vërtetë pos Tij, a nuk po frikësoheni?!” (El A’raf 65).
“Edhe te populli Themud ua dërguam vëllanë e tyre, Salihun, e ai u tha: “O populli im besojeni Allahun, nuk keni Zot tjetër pos Tij.” (El A’raf 73).
“E në Medjen vëllanë e tyre Shuajbin. Ai tha: “Populli im , adhurojeni Allahun, ju nuk keni të adhuruar të vërtetë pos Tij. Juve ju erdhi mrekullia nga Zoti juaj. Zbatoni drejt matjen dhe peshojën, e mos u bëni padrejtësi njerëzve në sendet e tyre.”(El A’raf, 85).
“Këto janë fshatra për të cilat po të tregojmë disa nga lajmet e tyre. Atyre u patën ardhur të dërguarit e tyre me argumente, por ata nuk i besuan asaj të cilën më parë e kishin gënjyer. Ja kështu vulos Allahu zemrat e atyre që nuk besojnë.”(El A’raf , 101).
“Mandej pas tyre e dërguam Musain me mrekulli të argumentuara te Faraoni dhe rrethi i tij, e ata i refuzuan edhe ato, e shih se si ishte përfundimi i shkatërruesve!” (El A’raf, 103).
Në Kuran gjithashtu është një kaptinë me emrin suretul Enbija, kaptina e pejgamberëve, ku Allahu thotë: “Ne i patëm dhënë Musait e Harunit Furkanin (dalluesin mes të vërtetës e të kotës, Tevratin), që ishte dritë e këshillë për të devotshmit.”(El Enbija, 48).
“Edhe ky (Kurani) është këshillë, është i bekuar që Ne e shpallëm. A ju po e refuzoni! Ne ia dhamë Ibrahimit herët të mbarën, sepse Ne e kemi njohur mirë atë.!”(El Enbija,50,51).
“Atëherë ata thanë: Digjeni atë (Ibrahimin) dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni t’i ndihmoni! Po Ne i thamë: O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” ata deshën t’i bëjnë atit kurth, po Ne i bëmë ata, më të dështuarit!” “E Ne e shpëtuam atë edhe Lutin në atë tokën që e kemi bekuar për njerëz. Dhe ia falëm atij Is’hakun, e si dhuratë edhe Jakubin. Edhe që të gjithë i bëmë të mirë (pejgamber). Dhe ata i bëmë shëmbëlltyrë që udhëzonin sipas urdhrit Tonë, i orientuam në punë të mira, në faljen e namazit, në dhënien e zekatit, dhe ata ishin adhurues Tanë të sinqertë.”(El Enbija, 68-73).
“Përkujto edhe Nuhun më parë pati thirrur Zotin, e ne ia pranuam atij (edhe lutjen) e atë dhe familjen e tij e shpëtuam nga ai tmerri i madh.”(El Enbija, 76).
“Përkujto Davudin e Sulejmanin kur pleqëronin për çështjen e bimës (mbjelljes) të cilën delet e atij populli e kishin kullotur natën, e Ne ishim përcjellës të gjykimit të tyre.”(El Enbija, 78)
“Përkujto edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: “Më gjeti belaja e Ti je më Mëshiruesi ndër mëshiruesit!”(El Enbija, 83).
“Përkujto edhe atë të peshkut (Junusin) kur doli i hidhëruar prej popullit dhe mendoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë, por në errësira ai tha se: “Nuk ka të adhuruar të vërtetë pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtë vetes!” (El Enbija, 87).
“Përkujto, edhe Zekerijan kur e luti Zotin e vet: “Zoti im, mos më lë të vetmuar se Ti je më i miri trashëgues.” (El Enbija, 89).
“Ne i pranuam lutjen e tij, ia dhuruam atij Jahjain dhe ia përmirësuam bashkëshorten atij (e bëmë që të lindë pasi që ishte sterile). Ata përpiqeshin për punë të mira, Na luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj Nesh. Përkujto edhe atë që ruajti nderin e saj, e Ne e frymëzuam atë me shpirt (barrë) nga ana Jonë dhe atë dhe të birin e saj i bëmë mrekulli për njerëzit. Kjo fe është e juaja dhe është e vetmja fe (e shpallur), kurse Unë jam Zoti juaj, pra më adhuroni vetëm Mua. Po ata e ndanë çështjen e fesë dhe u përçanë mes vete, mirëpo që të gjithë do vinë tek Ne.” (El Enbija, 90-93).
Të gjitha këto citate kuranore argumentojnë një botë të tërë profetike, dhe se ata kanë ardhur me një porosi dhe koncept të njëjtë, e se umeti i tyre është një umet, duke e ditur se ky umet ka ndryshuar qasjen e tij nëpër kohë dhe kanë devijuar rrugëtimin e tyre pasardhësit e tyre. Gjithashtu në Kuran kemi një kaptinë me emrin Ibrahim, që përmend një grup profetësh dhe se ata kanë pasur një koncept dhe thirrje të veçantë si dhe qëllimi i tyre ka qenë i njëjtë. Allahu i madhëruar në këtë kaptinë thotë: “Ne e patëm dërguar Musain me argumentet tona (dhe i thamë): “Nxirre popullin tënd prej errësirave në dritë dhe kujtoju atyre të mirat e Allahut, se vërtet në ato ka argumente për secilin që është shumë i durueshëm dhe shumë falënderues.” Dhe në të njëjtën kaptinë thotë: “A nuk jeni të njoftuar me lajmin e atyre që ishin para jush, si populli i Nuhut, i Adit, i Themudit e edhe i atyre që erdhën pas tyre, që nuk di kush për ta pos Allahut. Atyre u patën ardhur të dërguarit e vet me argumente, ata i vinin duart e tyre në gojët e veta dhe thoshin: “Ne e mohojmë atë me çka jeni të dërguar dhe ne dyshojmë shumë në atë që ju na thërrisni.”
Pra, Kurani përmend debatin e një të dërguari me popullin e tij, dhe përgjithëson të gjithë pejgamberët me një gjuhë të përbashkët në thesarin e përbashkët të thirrjes së tyre, ku gjithashtu thotë: “Të dërguarit e tyre u thanë: “A mos keni dyshim në Allahun, Krijuesin e qiejve e të tokës? Ai ju thërret në besim për t’ju falur mëkatet dhe për t’ju vazhduar jetën tuaj deri në një afat të caktuar!” Ata thanë: “Ju nuk jeni tjetër pos njerëz siç jemi ne, ju dëshironi të na pengoni nga ajo që adhuronin prindërit tanë, pra na sillni ndonjë argument të qartë!” “Të dërguarit e tyre ju thanë: “Ne nuk jemi tjetër vetëm se njerëz si edhe ju, por Allahu i jep dhuratë kujt të dojë nga robërit e vet. Ne nuk na takon t’ju sjellim ndonjë argument, vetëm me dëshirën e Allahut, pra besimtarët le t’i mbështeten vetëm Allahut.” (Ibrahim, 10-12).
Gjithashtu Kurani përmend zinxhirin profetik ku thotë: “Ne e patëm dërguar Nuhun te populli i tij, e ai u tha: “O populli im adhurojeni vetëm Allahun, se nuk ka te adhuruar të vërtetë pos Tij; a nuk i frikësoheni (dënimit)?” (El Muminun,23).
Gjithashtu përmend ngjarjen e Nuhut dhe tufanit dhe thotë: “Mandej pas tyre ne sollëm popull tjetër. Edhe atyre u dërguam pejgamber nga mesi i tyre që u tha: Adhurojeni Allahun, ju nuk keni ndonjë të adhuruar të vërtetë pos Tij, a nuk frikësoheni!” (El-Muminun, 31-32).
Pastaj vërteton njëshmërinë profetike dhe mesazhin hyjnor, si dhe umetin profetik: “Mandej pas tyre Ne sollëm brezni të reja. Asnjë nga popujt e shkatërruar nuk mundi ta shpejtojë e as ta vonojë afatin e vet të caktuar. Ne më pas i dërguam pejgamberët tanë një pas një, mirëpo çdoherë që një populli i erdhi i dërguari i vet, ata e përgënjeshtruan atë, prandaj Ne i përcollëm ata me dënim njërin pas tjetrit dhe i bëmë që të përmendën në tregime. I shkatërruar qoftë populli që nuk beson! Më pas Ne dërguam Musain dhe vëllanë e tij Harunin me mrekulli dhe argumentet tona të qarta, te Faraoni dhe rrethi i tij, po ata u treguan kryelartë, sepse ishin popull mendjemadh. Dhe thanë: “Si t’u besojmë dy njerëzve që janë si ne, kur populli i tyre është në shërbim tonë?”Kështu, ata i përgënjeshtruan që të dy, andaj me të drejtë i shkatërruam. Ne Musait i dhamë librin (pas shkatërrimit të Faraonit) në mënyrë që ata (populli i israelit) të gjejnë rrugën e drejtë. Edhe të birin e Merjemes dhe nënën e tij i paraqitëm si argumente dhe i vendosëm që të dy në një rrafshnaltë dhe me ujë rrjedhës. O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që ju veproni. Kjo feja juaj është e vetmja fe, e Unë jam Zoti juaj, ruajuni dënimit Tim. E ata më vonë u ndanë në grupe sipas çështjes së fesë dhe secili grup krenohej me atë që kishte përvetësuar për vete.”(El-Muminun, 42-53).
Këto citate kuranore argumentojnë vazhdimisht njëshmërinë profetike, njëshmërinë e porosisë, njëshmërinë e umetit të tyre, si dhe qysh është ndarë dhe përçarë umeti i pejgamberëve nga pasuesit e tyre. Dhe si këta pasues krenohen me ndarjen e tyre dhe nuk ndiejnë përgjegjësi për humbjen e asaj esence me të cilën kanë ardhur pejgamberët e tyre në përgjithësi, me besimin në një Zot, dhe bashkimin në një umet, si dhe bashkimin në një porosi hyjnore



Bahri Sejdiu


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kosova nikoqire e një prej ngjarjeve më të rëndësishme fetare - Garave Ndërkombëtare të Kuranit