“Sa për hixhabin, mendoj se ai nuk është vetëm zakon islam, ose një pjesë e veshjes islame, por hixhabi është diçka që na vjen nga thellësitë e historisë semite të shenjtë. Kur gratë myslimane e veshin hixhabin, ato i ngjasojnë hixhabit të Virgjëreshës Mari/Merjemes. Kurani përhapë se 'Zoti e ka zgjedhur mbi gratë e të gjitha botëve'” - Akademik Enes Kari?
Në qoftë se hymë në një kërkim më të thellë rreth çështjes së hixhabit, mund të vijmë në konkluzion se ai ishte obligim për gratë në të gjitha gjeneratat, pra, të gjithë pasueseve të besimit të pastër të Ibrahimit a.s., dhe se ky fakt nuk është përmendur vetëm në Kuran por edhe në Dhiatën e Vjetër dhe të Re.
Tradita islame dhe mbulesa e kokës
Hixhabi, përkatësisht shamia të cilën e bartin gratë myslimane, është një detyrim fetar dhe praktikë e veshjes së një gruaje myslimane e përshkruar nga burimet themelore të Islamit, Kuranit, Synetit dhe ixhmasë. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
“O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t'i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen” (El-Ahzab, 59).
“Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t'i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre” (En-Nur, 31).
Komentatori i famshëm i Kuranit, Ibn Abbasi r.a., komentoi se fjalët “përveç atyre që janë të dukshme“ i referohet fytyrës dhe duarve.
Për obligimin e hixhabit tregon edhe hadithi i të Dërguarit të Zotit s.a.v.s., të shënuar nga Ebu Davudi në Sunenin e tij nga Aisheja r.a., në të cilin thuhet se Pejgamberi s.a.v.s., Esmasë, vajzës së Ebu Bekrit i kishte thënë: “Esma, kur femra bëhet e moshës madhore, nuk i lejohet që të shihet asgjë tjetër përveç kësaj dhe kësaj, duke bërë me shenjë në fytyrë dhe duar”.
Është e njohur se gratë myslimane në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. dhe gjeneratat e mëvonshme, duke ndjekur urdhrin e përmendur kuranor dhe udhëzimin e Pejgamberit s.a.v.s., mbanin hixhabin.
Në veprat e fikhut përmendet ixhma'i – unanimiteti i ulemave për obligimin e bartjes së hixhabit për një grua myslimane.
Në një kuptim më të ngushtë, termi hixhab përdoret si sinonim për mbulimin e kokës me shami, kurse në një kuptim më të gjerë si një stil i veçantë veshjeje që është në përputhje me normat islame. Në lidhje me kodifikimin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, hixhabi i përket fushës së praktikimit të fesë.
Sipas interpretimit të shkollës sonë juridike (hanefite) dhe shumicës së shkollave të tjera juridike dhe muxhtehidëve të pavarur, hixhabi në një kuptim më të gjerë nënkupton mbulimin e të gjithë trupit përveç fytyrës dhe duarve, kurse mbulimi i fytyrës (nikab, burka, ferexhe) nuk është pjesë e obligueshme fetare të myslimanes.
Hixhabi, përkatësisht shamia në traditën islame, nuk trajtohet si një simbol dhe tipar i veçantë fetar, ashtu siç nuk trajtohen veshjet e tjera që mbulojnë pjesë të tjera të trupit të njeriut dhe që përbëjnë gjithashtu një pjesë integrale të praktikës së veshjes së grave myslimane, prandaj nuk mund të përfshihen nga dispozitë ligjore për ndalimin e nxjerrjes në pah të simboleve dhe tipareve fetare në institucionet shtetërore.
Tradita hebraike dhe mbulesa e kokës
Në librin e vetë "Gruaja hebreje në literaturën rabine", rabini Dr. Menachem M. Brayer (profesor i komentimit të Biblës në Universitetin Yeshiva), flet në lidhje me këtë temë. Sipas tij, ishte traditë që gruaja hebreje të dalë në publik me një mbulesë në kokën e saj, e ndonjëherë, ishte edhe e mbuluar edhe në fytyrën e saj, duke lënë të pa mbuluar vetëm njërin sy. Ai citon disa rabinë të famshëm e të hershëm, të cilët thanë: "Kjo nuk u ngjason grave të Israelit, që të ecin përreth me kokat e zbuluara", si dhe: "Qoftë i mallkuar njeriu i cili lejon që flokët e gruas së tij të shihen."
Tradita e krishterë dhe mbulesa e kokës
Është e njohur mirë se murgeshat katolike i kanë mbuluar kokat e tyre për dymijë vjet. Shën Pali në Dhiatën e Re ka dhënë një deklaratë shumë interesante rreth vellos: "Por, do të doja që të dini: secilit mashkull kreu i tij është Krishti, kreu i gruas është burri, kurse kreu i Krishtit është Zoti ...".
Kur është pyetur Roberto Maroni, ministër në Parlamentin e Italisë, rreth ndalimit të vellos – shamisë, është përgjigjur si vijon: “Nëse virgjëresha Mari paraqitet në çdo fotografi e freskë me vellon e saj, atëherë, si mund të prisni nga unë që të përkrah ligjin rreth ndalimit të hixhabit grave myslimane.”
Gjatë historisë shënohet se edhe mbretëreshat, princeshat, dhe figura të tjera të shquara në traditën evropiane, i kishin mbuluar kokat e tyre si një shenjë e kulturës dhe identitetit të tyre. Si shembull, mund të përmendim Mbretëreshën Anne nga Danimarka, gruaja e mbretit të Skocisë, e cila në njërën nga fotografitë e saj, të vitit 1589, vërehet se kishte vello në kokën e saj.
Me zhdukjen e komunizmit dhe bindjeve ateiste, feja në këto vende filloi të marrë frymë më lirshëm dhe të jetë gjithnjë e më e pranishme në rajonin e Ballkanit. Para luftës së Dytë Botërore si dhe disa vjet më pas, gratë myslimane në këto troje kishin veshur: hixhabin, por edhe zarin, ferexhen dhe peqen. Nënat dhe gjyshet tona këtë e kujtojnë mirë.
Ndalimi i shamisë është shkelje dhe manipulim i të drejtave të njeriut
Duhet të theksohet se “hixhabi” është një obligim i detyrueshëm për gratë myslimane, e jo si "dekor", i cili ka për qëllim të tregojë përkatësinë fetare dhe shenjën mbrojtëse të Islamit.
Në një shoqëri laike, hapësira publike duhet të jetë neutrale, dhe shteti nga të gjitha fetë dhe botëkuptimet, duhet të jetë po aq i largët dhe të garantojë të drejtat e njëjtat për të gjithë, pa favorizuar ndonjë fe apo botëkuptim. Në këtë hapësirë neutrale të cilën e siguron shteti, duhet të jenë të garantuara të drejtat e çdo individi që lirisht dhe madje edhe në publik - si individ ose bashkësi - të praktikojë fenë dhe bindjet e veta fetare.
Në Amerikë, kohë më herët, patëm mundësi të shihnim një myslimane afro-amerikane, Carolyn Walker-Diallo, e cila është bërë gjyqtare shtetërore e Gjykatës Civile në New York me shami në kokë dhe duke u betuar në Kuran. Po ashtu, në policinë e Britanisë së Madhe, myslimanet e kanë uniformën e përshtatur, e cila u lejon atyre të mbajnë hixhab.
Shembuj të tillë sot ka me bollëk, prandaj mbajtja e shamisë nuk është risi në shtetet demokratike perëndimore, e që Kosova edhe për këtë duhet të merr shembull nga shtetet demokratike, e jo vetëm aspektet negative, antivlere e antihumane...