Komentimi i kaptinës “Es-Sexhde”- (7)

Ndërlidhja ndërmjet revelatave hyjnore : Tevrati i Musait a.s. ishte udhërrëfyes për Beni Isralët.
“Ne i dhamë Musait Librin (Tëvratin) — dhe mos dysho aspak në takimin me të (Natën e Israsë dhe Miraxhit), kurse atë (Tevratin) e bëmë udhërrëfyes për Beni Israilët. Ne zgjodhëm prej tyre prijës, të cilët me urdhrin Tonë udhëzonin, sepse ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve tona ishin të bindur. Vërtet, Zoti yt është Ai që do të gjykojë midis tyre Ditën e Kiametit, për çështjet në të cilat kishin mospajtime.” - (Es-Sexhde, 23-25)

Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Meqë në fillim të kësaj sureje, u vunë në pah tri bazat e besimit, Njëshmëria, Ringjallja dhe Revelata, tash në këto ajete, kah fundi i sures, u përmend sërish Shpallja dhe lidhja e Kuranit me Tevratin që i zbriti Musait a.s.. Arsyeja e përmendjes së Tevratit dhe jo e Inxhilit ishte se në kohën e Muhamedit a.s. në Siujdhesën Arabike, sidomos në Medine dhe në afërsi të saj, kishte shumë më tepër hebrenj, që pasonin Tevratin e Musait a.s., me gjithë ato ndërhyrje dhe devijime të cilat rabinët hebrenj i kishin bërë gjatë shekujve, e shumë më pak kishte të krishterë, të cilët mbase mund të numëroheshin edhe në gishta.

Koment

23. Ne i dhamë Musait Librin (Tevratin), dhe aspak mos dysho në takimin me të (Natën e Israsë dhe Miraxhit), kurse atë (Tëvratin) e bëmë udhërrëfyes për Beni Israilët.

Ajeti në fjalë ka për qëllim ndërlidhjen në mes dy shpalljeve hyjnore, asaj të Musait a.s. dhe kësaj të Muhamedit a.s. Këtu i bëhet e ditur Muhamedit a.s. se Musait ia kishte dhënë Tevratin si udhërrëtyes për Beni Israilët, ashtu siç edhe Kurani do të jetë dritë dhe udhëzues për mbarë popujt e botës.
Tevrati që i zbriti Musait a.s., është një prej katër librave të shenjtë. Allahu atë e ka përshkruar si “udhërrëfyes për Beni Israilët”, pastaj si udhëzim e dritë: “Ne e zbritëm Tevratin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë!” - (El-Maide, 44) etj...
Të besuarit se origjinali i këtij libri është fjalë e Allahut dhe shpallje e Tij, është detyrim (farz) për çdo mysliman, ndërsa mohimi i kësaj e çon personin në mohim (kufër)

Sot njihen tre ekzemplarë të Tevratit, të emërtuar me këta emra: Testamenti i Vjetër, ekzemplari hebraisht i cili pranohet nga hebrenjtë dhe protestantët, ekzemplari greqisht i pranuar nga kishat e krishtera të Romës dhe ato ortodokse të Lindjes si dhe ekzemplari samaritan i pranuar nga samaritanët.
Sa i përket ajetit të cilin jemi duke e komentuar, se çfarë është synuar me fjalët: “dhe aspak mos dysho në takimin me të”, dijetarët në lidhje me të i kanë dhënë tri mendime:
1. Mendimi i parë, i cili është edhe më i pranuari ndër dijetarët, nënkupton se ti o Muhamed mos dysho aspak në takimin me Musain, gjë që u realizua në natën e Israsë dhe Miraxhit, në sferat e larta qiellore.(1)
2. Mendimi i dytë nënkupton se, ashtu siç Musai a.s. përjetoi mundime e përgënjeshtrime nga populli i tij, po ashtu edhe ti o Muhamed, do të ballafaqohesh me vuajtje e përjetime jo të këndshme nga populli yt.(2)
3. Ndërsa sipas mendimit të tretë të dijetarëve, Allahu xh.sh. e njoftoi Muhamedin a.s. se ashtu siç ia pati zbritur Musait -Tevratin, po ashtu po ta zbret edhe ty Kuranin, për ç’gjë jep shenjë edhe ajeti i 6-të i sures En-Neml: “Në të vërtetë, ty (o Muhamed) po të shpallet Kurani nga ana e të Urtit, të Gjithëdijshmiti”. Sipas këtij grupi të dijetarëve fjala “dhe aspak mos dysho në takimin me të” ka të bëjë pikërisht me zbritjen e Kuranit.(3)
Sidoqoftë, mendimi i parë është më i pranuari nga ana e dijetarëve, ndonëse edhe dy mendimet e tjera, po ashtu janë të pranuara logjikisht dhe kuptimisht. Zaten, shumëdimensionaliteti kuptimor i ajeteve kuranore, shpërfaq më së miri madhështinë e Librit të Allahut.

24. Ne zgjodhëm prej tyre prijës, të cilët me urdhrin lonë udhëzonin, sepse ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve Tona ishin të bindur.

Allahu i Madhërishëm nëpërmjet këtij ajeti kuranor dëshiron të na vë në dijeni se njeriu për të qenë i denjë t'i prijë një populli, qoftë si udhëheqës politik, qoftë si prijës fetar, patjetër duhet të jetë i pajisur me durim dhe bindje të paluhatshme në Zotin e Plotfuqishëm.(4)
Po kështu, Allahu xh.sh. zgjodhi nga Beni Israilët pejgamberë, njerëz të devotshëm dhe prijës të shquar fetarë, të cilët u bindeshin porosive të Allahut, e njëkohësisht ishin të durueshëm dhe i udhëzonin të tjerët në rrugën e Zotit. Por, me kalimin e kohës, paria e tyre fetare, po edhe prijësit e tyre ranë nën tundimin e pushtetit, të lakmisë dhe të fitneve. Madje, rabinët hebrenj pa asnjë ndjenjë frike a turpi, shtrembëruan dhe devijuan qëllimisht Tevratin prej kuptimeve të tij burimore të zbritura nga Zoti, me se e merituan mallkimin e dhe hidhërimin e Tij të përjetshëm ndaj tyre. Edhe hebrenjtë e Medinës dhe të disa vendbanimeve përreth, ishin me të tilla bindje të devijuara, dhe me padurim po prisnin një të Dërguar nga mesi i tyre, duke pretenduar marrëzisht se ata ishin popull i zgjedhur nga Allahu, por kur i Dërguari i fundit, Muhamedi a.s., u dërgua si vulë e fundit e pejgamberëve, nga arabët dhe jo prej tyre, ata e refuzuan me kryeneçësi, ndonëse Tevratin që e lexonin, i kishte paralajmëruar për ardhjen e tij, me përshkrime shumë të qarta.
Në lidhje me këtë ajet, Ibnul Kajimi ka thënë: “Baza e çdo fitneje vjen atëherë kur i jepet përparësi mendimit njerëzor ndaj Ligjit të Zotit, dhe pasioneve ndaj logjikës së shëndoshë. E para shpie në fitnen e dyshimit, kurse e dyta në fitnen e epsheve. Për këtë arsye, fitneja e dyshimit, largohet me bindje në argumentet e Allahut, kurse fitneja e epsheve largohet me durim. Mbase kjo edhe është arsyeja pse Allahu xh.sh. e ka ndërlidhur postin e prijësit fetar me bindje dhe durim, ashtu siç ka ardhur edhe në këtë ajet: “Ne zgjodhëm prej tyre prijës, të cilët me urdhrin Tonë udhëzonin, sepse ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteveTona ishin të bindur.(5)

25. Vërtet, Zoti yt është Ai që do të gjykojë midis tyre Ditën e Kiametit, për çështjet në të cilat kishin mospajtime.

Në Ditën e Gjykimit, Allahu i Madhërishëm me drejtësinë e Tij absolute, do të gjykojë në mes njerëzve, për çdo gjë. Secili do ta marrë atë që e ka merituar në bazë të veprave të tij në këtë botë. Vepërmirët dhe besimdrejtët do të shpërblehen me kënaqësitë e Xhenetit, kurse ata që iu shmangën udhëzimit hyjnor dhe e refuzuan atë, do të ndëshkohen në zjarr të Xhehenemit. Po ashtu në Ditën e Gjykimit do të dalin në shesh edhe mospajtimet që kishin njerëzit në mes vete, në mënyrë që secili të bindet në të vërtetën. Ata që ishin në lajthitje do ta shohin dhe do ta kuptojnë të vërtetën, por mjerisht shumë vonë për ta.
Disa dijetarë anojnë kah mendimi se në Ditën e Gjykimit, Allahu Fuqiplotë do të gjykojë në mes të dërguarve të Tij dhe popujve të tyre, për të gjitha vuajtjet dhe mundimet që të zgjedhurit e Tij pësuan nga ata, gjatë ftesës për besim në Zotin Një.(6)

Porosia e ajeteve 23-25

- Prej mirësive dhe begative të Allahut ndaj njerëzve, është dërgimi i pejgamberëve dhe i Shpalljeve hyjnore, për udhëzimin e tyre.
Ashtu siç janë pasuesit e Kuranit, thirrës në rrugën e Allahut për mbarë botën, po ashtu edhe pasuesit e Tevratit ishin thirrës në rrugën e Allahut për kohën dhe popullin e tyre, duke thirrur njerëzit në rrugën e drejtë të udhëzimit. Prej mesit të tyre Allahu zgjodhi prijës të drejtë, dhe thirrës në të vërtetën.
- Allahu e zbriti Kuranin te Muhamedia.s., si udhëzim për mbarë njerëzinë, ndërkohë që Tevrati që ia kishte zbritur Musait a.s. ishte i veçantë vetëm për Beni Israilët. Besimi në këta dy libra të shenjtë është farz dhe pjesë e Imanit.
- Nga këto ajete dalin në pah cilësitë që duhet t'i posedojë një prijës apo udhëzues fetar, e ato janë durimi dhe përballimi i sprovave në rrugën e Allahut, si dhe vetëpërmbajtja nga kënaqësitë e përkohshme të kësaj bote, të cilat mund ta largojnë nga të përmendurit e Allahut.(7)
- Në Ditën e Gjykimit, Allahu është i vetmi Gjykatës, dhe do të gjykojë me drejtësi në mes njerëzve. Secili prej tyre do ta marrë atë që meriton nga shpërblimi ose ndëshkimi. Po ashtu, në këtë Ditë, Allahu do t'i njoftojë të gjithë njerëzit, për mospajtimet që i kishin në mes vete, për shumë çështje të kësaj bote, e në mesin e tyre edhe mospajtimet rreth besimit dhe fesë.

- vijon –



1. Ebu Hajjan el Endelusi, El-Bahru-l Muhit, Bejrut, 1993, vëll. VII, f. 199.
2. Imam Kurtubiu, El-Xhamiu li Ahkami-l Kuran, Bejrut, 2006, vëll
XVII, f. 41. (redaktuar nga dr: Abdullah Turki).
3. Dr. Vehbe ez-Zuhajli, Et-Tefsiru-l Munir, vëll. XXI, f. 236.
4. Abdulmelik bin Ahmed Ramadani, Min kul-li suretin faidetun, Inabe-Algjeri, 2006, f. 205.
5. Ibnu-l Kajjim el Xhevzijje, Igathetu-l lehfan fi mesajidi-sh-shejtan, Kajro, 1939, (2/167).
6. Abdulhamid Kishk, Fi Rihabi-t-Tefsir: vëll. XXI, f. 4075.
7. Grup autorësh, El-Kuranu tedebburun ve amelun, Rijad, 1438 h., f. 417.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme