Komentimi i kaptinës “El-Ahkaf” (1)

Kaptina “El-Ahkaf, ka gjithsej 35 ajete, 344 fjalë dhe 2595 shkronja. Ka zbritur pas sures “El-Xhathije” dhe para sures “Edh-Dharijat”. Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 46-të, kurse në radhitjen e zbritjes është e 65-ta.

Kaptina “El-Ahkaf” sipas mendimit unanim të të gjithë dijetarëve, është kaptinë mekase.
Transmeton Ibn Merdevejhi nga Ibn Abasi dhe Ibn Zubejri të kenë thënë: “Ka zbritur surja “Ha Mim, El-Ahkaf” në Mekë.”(1) Transmetojnë Ibn Durrejsi, Nehhasi dhe Bejhekiu nga Ibn Abasi të ketë thënë: “Kanë zbritur të shtatë “Havamimët” - (Suret që fillojmë me Ha-Mim) në Mekë.(2) Po ashtu, Ibn Merdevejhi dhe Dejlemiu transmetojnë nga Semurete bin Xhundeb të ketë thënë: “Të gjithë “Havamimët” kanë zbritur në Mekë.”(3)
Kaptina “El-Ahkaf, ka gjithsej 35 ajete, 344 fjalë dhe 2595 shkronja.(4) Ka zbritur pas sures “El-Xhathije” dhe para sures “Edh-Dharijat”. Në radhitjen e Mus'hafit mban numrin 46-të, kurse në radhitjen e zbritjes është e 65-ta(5)

Emërtimi i kësaj kaptine

Emërtimi më i njohur i kësaj kaptine është “El-Ahkaf”. Me këtë emër është radhitur nëpër Mus'hafe, nëpër librat e Tefsirit dhe të Sunetit. Me këtë emër ka qenë e njohur qysh në kohën e sahabëve. Është transmetuar nga Ibn Mesudi r.a. të ketë thënë: “Ma ka lexuar i Dërguari i Allahut një sure që fillon me shkronjat (Ha, Mim), e që është surja “El-Ahkaf”...”(6)
Arsyeja e këtij emërtimi është fjala “Ahkaf”, e cila nënkupton vendbanimin e fisit Ad, popullit të Hudit a.s., që gjendet në pjesën veriore të Jemenit, e cila është përmendur në ajetin e 21-të të kësaj sureje: “Përkujto vëllain e Adit (Hudin) kur popullin e vet në Ahkafë e qortoi, megjithëqë qortime pati edhe para edhe pas tij, (u tha): “Të mos adhuroni tjetër vetëm se Allahun, pse unë i kam frikë dënimit tuaj në Ditën e madhe!”(7)
- Emërtimi i dytë i kësaj kaptine është “Suretu Ha-Mim, El-Ahkaf”. Ky emërtim është cekur në transmetimin e Ibn Abasit i cili ka thënë: “Ka zbritur surja “Ha-Mim, El-Ahkaf” në Mekë.”(8) Me këtë emërtim e ka cekur edhe Vahidiu në “El Vesit”.(9)

Vlera e kësaj kaptine

- Surja “El-Ahkaf” është e fundit prej shtatë sureve që fillojmë me shkronjat (Ha, Mim), Në lidhje me vlerën e këtyre shtatë sureve që ndryshe quhet edhe si Havamim(10), janë përcjellë disa transmetime nga i Dërguari i Allahut dhe sahabët.
- Surja “El-Ahkaf” bën pjesë në grupin e sureve të quajtura “El-Methani”. Në lidhje me këtë, transmetohet nga Vathilete ibnul Eskaë el-Lejthi të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Më është dhënë në vend të Tevratit, shtatëshja, (suret nga “El-Bekare” e deri te “El-Enfal” ose “Et-Tevbe”): më janë dhënë në vend të Zeburit, “El-Mi'ine” - njëqindëshet, (suret që kanë mbi 100 ajete): më janë dhënë në vend të Inxhilit “El-Methani” - (suret që kanë më pak se 100 ajete), ndërsa jam mbi nderuar (ndaj të dërguarve të tjerë) me suret “El-Mufassal” (nga surja “Kaf”, e është thënë nga “El-Huxhurat” e deri te “En-Nas”).”(11)
- Transmetojnë Muhamed bin Nasr dhe Ibn Merdevejhi nga Enes bin Maliku të ketë thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Allahu ma ka dhënë shtatëshen në vend të Tevratit, mi ka dhënë “Ra'atet”(12) deri në “Tavasinët(13) në vend të Inxhilit, e mi ka dhënë ndërmjet Tavasinëve deri në Havamim(14) në vend të Zeburit, e më ka mbi nderuar (ndaj të dërguarve të tjerë) me Havamimët dhe Mufassalët(15), të cilat nuk i ka lexuar asnjë i Dërguar para meje.”(16)
- Është transmetuar nga El-Muhel- leb ibn ebi Sufrete e ky ngai Dërguari i Allahut të ketë thënë: “Nëse ua mësyn armiku natën dhe befasisht, thoni: “Ha-Mim, La junsarune” - “Ha-Mim, nuk do të ngadhënjejnë”.(17)
- Transmetojnë Ibn Durejs, Ibnu-l Mundhiri, Hakimi dhe Bejhekiu nga Ibn Mesudi të ketë thënë: “Hava- mimët, janë stolia e Kuranit.”(18)
- Transmetojnë Ebu Ubejd, Muhamed bin Nasr dhe Ibnu-l Mundhiri nga Ibn Mesudi të ketë thënë: “Kur arrij te Havamimët (d.t.th. te leximi i tyre) më duket se arrita në kopshtet e rrafshëta në të cilat eci me elegancë (lirshëm).”(19)
- Është transmetuar nga Sad ibn Ibrahimi të ketë thënë: “Suret që fillojnë me: “Ha-Mim”, quhen “Arai- sul Kuran”- Bukuritë (stolitë) e Kuranit.”
- Transmetohet nga Abdullah ibn Omeri r.a. të ketë thënë: “Erdhi një njeri tek Resulullahu s.a.v.s. dhe i tha: Më lexo (mëso) diçka (nga Kurani) o i Dërguari i Allahut” Ai tha: “Lexoji tri nga suret që fillojnë me “Elif lam-Ra”. Ai tha: Jam plak, trupi më është rrëzbitur, zemra më është ligështuar kurse gjuha më është rënduar... Atëherë i Dërguari i Allahut i tha: “Lexoji tri nga suret që fillojnë me “Ha-Mim”. Ai i tha të njëjtat fjalë si më parë. Atëherë Resulullahu s.a.v.s. i tha: “Atëherë lexoji tri nga “Musebbihatet.”(21) Por, ai njeri i përsëriti sërish falët e mëparshme, duke shtuar: O i Dërguar i Allahut, më lexo ndonjë sure gjithëpërfshirëse, kurse Resu- lullahu s.a.v.s. ia lexoi suren “Idha zulzileti-l erdu zilzaleha...” deri sa e përfundoi. Atëherë ai njeriu tha: Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, unë nuk do të shtoj diç më tepër nga kjo kurrë, e pastaj ktheu shpinën dhe shkoi. I Dërguari i Allahut tha: “Ky njeri i vogël, shpëtoi, Ky njeri i vogël, shpëtoi...”(22)
- Transmeton Ibn Durejsi dhe Hakimi nga Abdullah ibn Mesudi të ketë thënë: “Ma ka lexuar i Dërguari i Allahut suren “El-Ahkaf”, por ia kishte lexuar edhe një tjetri, mirëpo leximi i një ajeti nuk përputhej me leximin tim. E pyeta: “Kush ta ka lexuar ty?” — “Ma ka lexuari Dërguari i Allahut”, më tha ai. — “Për Allahun, mua ma ka lexuar i Dërguari i Allahut më ndryshe.” Shkuam të dy tek i Dërguari i Allahut, dhe i thashë: - “Oi Dërguar i Allahut, a nuk ma ke lexuar këtë ajet kështu e kështu?” — “Posi”, më tha ai. Ndërkohë edhe tjetri e pyeti: “A nuk ma ke lexuar këtë ajet kështu e kështu?” — “Posi”, tha i Dërguari i Allahut. Dhe, fytyra e të Dërguarit të Allahut u mërrol dhe na tha: “Le të lexojë secili prej jush, ashtu siç e ka dëgjuar, sepse ata që ishin para jush, janë shkatërruar për shkak të këtyre mospajtimeve.”(23)

Shkaku i zbritjes

Rreth shkaqeve të zbritjes së kësaj sureje si tërësi, nuk kemi ndonjë shkak specifik të zbritjes, por kemi shkaqe të veçanta për ajetet: 10-të, 11-të, 15-të, 17-të dhe 29-të, për të cilët do të flasim gjatë komentimit të këtyre ajeteve veç e veç.

Lidhja e kësaj kaptine me alë paraprake - “El-Xhathije”

Kjo sure ka lidhshmëri të ngushtë më suren paraprake El-Xhathije në tri segmente:
1. Ngjashmëria në pjesën hyrëse në dy ajetet e para: (Ha-Mim. Tenzilu-l Kitabi minAllahi-l Azizi-l Hakim):
2. Ngjashmëria tematike e dy sureve, në vërtetimin e Njëshmërisë, Shpalljes, pejgamberisë dhe Ringjalljes, dhe
3. Surja paraprake ka përfunduar me qortimin e ashpër të idhujtarëve për shirkun e tyre, (Shih ajetet: (24- 26), ndërkohë që kjo sure në ajetet e fillimit po ashtu vjen me një qortim të tillë për idhujtarët e devijuar. (Shih ajetet: (4-5).(24)

Përmbajtje e shkurtër e kësaj kaptine

Ashtu si dhe simotrat e tjera mekase, edhe kjo sure shtjellon tri bazamentet e besimit islam: Besimin në Allahun Një, besimin në Shpalljen që po i zbriste Muhamedit a.s., dhe besimin në Ringjalljen pas vdekjes.
- Surja El-Ahkaf, është surja e fundit prej shtatë sureve që fillojnë me shkronjat simbolike: “Ha-Mim”. Në grupin e parë të ajeteve të kësaj sureje sqarohet se ky Kuran vërtet është zbritje dhe Shpallje nga Allahu i Gjithëfuqishëm dhe i Urtë. Allahu i Madhërishëm sjell argumente të Njëshmërisë së Tij dhe të ringjalljes, ndërkohë që vazhdon të qortojë ashpër idhujtarët për kufrin e tyre kur adhuronin idhuj, duke ua bërë me dije se kjo rrugë që kishin zgjedhur, do t'i shpinte në humbje të përjetshme. (Shih ajetet: 1-6).
- Ajetet (7-10), flasin rreth dyshimeve të idhujtarëve rreth pejgamberisë së Muhamedit a.s. dhe rreth Kuranit.
- Edhe ajetet (11-14), kanë në fokus disa dyshime të tjera të jobesimtarëve.
- Bamirësia ndaj prindërve, dhe kujdesi e dhembshuria ndaj tyre, shpërfaqen me tërë madhështinë e tyre nëpërmjet ajeteve (15-16).
- Ndërkohë, ajetet (17-20) bëjnë fjalë për fëmijën mosmirënjohës dhe arrogant ndaj prindërve të tij, ndërkohë që ata e ftojnë në besim të pastër. Ajetet vazhdojnë me përshkrimin e dënimit që do ta ketë i tilli, i cili e mohon këtë Kuran duke e quajtur përrallë apo legjendë e të parëve dhe mohon besimin e pastër islam.
Ajetet (21-28) flasin rreth Hudit a.s. dhe dënimit që përjetuan populli i tij zullumqar, “Adi”, të cilët u shkatërruan nga një erë e ashpër për shkak të kryeneçësisë së tyre dhe mohimit të së vërtetës.
- Ajetet (29-32) flasin rreth besimit të një grupi të xhindeve, të cilët e kishin dëgjuar Kuranin nga goja e Pejgamberit a.s., dhe menjëherë kishin besuar. Përveç kësaj, ata ishin zotuar se këtë Shpallje nga Allahu do ta përcillnin te populli i tyre apo te xhindet e tjerë.
- Vërtetimi i Ringjalljes nëpërmjet argumenteve, kërcënimi i jobesimtarëve dhe ftesa ndaj të Dërguarit a.s. që të duronte, ashtu siç kishin duruar pejgamberët elitarë të Ulu-l Azmit, para tij, nga sjelljet e këqija të popujve të tyre, sepse Dita e Llogarisë do të vijë shumë shpejt, e keqbërësit dhe jobesimtarët, do të jenë prej të shkatërruarve. (Shih ajetet: (33-35).

(vijon)


1. Imam Shevkaniu, Fet'hul Kadir, Mensure, 1994, vëll. V, f. 17.
2 Imam Sujutiu, Ed-Durru-l Menthur, Kajro, 2003, vëll. XIII, f. 5.
3 Fet'hul Kadir, vëll. IV, f. 630.
4. El-Fejruzabadi, Besairu dhevi-t-Temjizi, Kajro, 1996, vëll. 1, f. 428.
5. Ibn Ashur, Et-Tahriru vet-t-Tenviru, Tunis, 1984, vëll. XXVI, f. 6.
6. Imam Nuru-d-din El-Hejthemi, Mexhmeu-z-zevaid ve Menbeu-l fevaid, Xhedë, 2015, vëll. XIV, f 380, (nr. 11383), El-Bukai, Mesaidu-n-Nedhar li-l ishrafi ala mekasidi- s-suver, Rijad, 1987, vëll. II, f. 482.
7. Dr. Muhamed bin Abdurrahman esh-Shaji'ë, Esmau suveri-l Kurani-l kerim, Rijad, 2011, f. 140.
8 Dr. Munire ed-Devserij, Esmau suveri-l Kurani ve fedailuha, Demmam, 1426 h., f. 383.
9 El-Vahidij en-Nisaburi, El-Vesit fi tefsiri-l Kurani-l Mexhid, Bejrut, 1994, (41102).
10 Suret që fillojnë me (Ha Mim) janë shtatë: Gafir, Fussilet, Esh-Shura, Ez-Zuhruf. Ed-Duhan, El-Xhathije dhe El-Ahkaf
11. Transmeton Imam Ahmedi (4/107), Bejhekiu në Shuabil Iman (2/465), Në Sahihu-t-tergib (1457) është kategorizuar si hadith “hasen”, ndërsa si hadith “sahih” me të gjitha rrugët e transmetimit në Silsile es-sahiha (1480), dhe në Sahihu-l Xhamiu (1059).
12. Suret që fillojnë me (Elif Lam-Ra), (Elif Lam-Mim-Ra) janë gjashtë: Junus, Hud, Jusuf, Er-Rrad, Ibrahim dhe El-Hixhr.
13. Suret që fillojnë me (Ta-Sin), (Ta-Sin-Mim) janë tri: Esh-Shuara'ë, En-Neml dhe El-Kasas.
14. Suret që fillojnë me (Ha-Mim) janë shtatë: Gafir, Fussilet, Esh-Shura, Ez-Zuhruf, Ed-Duhan, El Xhathijeh dhe El-Ahkaf.
15. Prej sures Kaf, e është thënë prej El-Huxhurat e deri te En-Nas.
16. Ed-Durru-l menthur, vëll. XIII. f. 6.
17. Tirmidhiu (4/197), hadithi nr. (1686), Ebu Davudi (3/33) hadithi nr. (2597).
18. Ibn Durejsi (2-3), Hakimi (2/437) dhe Bejhekiu në Shuabi-l Imam (2471).
19. Ed-Durru-l Menthur, vëll. XIII. f 6.
20. Transmeton Darimiu në Sunenin e tij, (2/550), hadithi nr. (3422).
21. 'Musebbihatet' apo suret që fillojnë me fjalët “subhane”, “sebbeha”, “Jusebbihu” ose “sebbih”, janë shtatë: El-Israë, El-Hadid, El-Hashr, Es-Saff, El-Xhumuatu, Et-Tegabun dhe El-A ëla.
22. Hadith “hasen”. Transmetojnë Imam Ahmedi (2/169), Ebu Davudi (1399), Hakimi (2/532). Shih: Vehbe Zuhajli, Et-Tefsirul Munir, vëll. XXX, f. 356., Shih edhe: “Kitabul Xhamiu...” f. 306.
23. Imam Ahmedi në Musned (1/526), hadithi nr. (3993), Ibn Durejsi në “Fedail”, hadithi nr. (329): Hakimi (2/223).
24 Dr. Vehbe ez-Zuhajli, Et-Tefsirul Munir, Damask, 2009, vëll. XXVI, f. 319



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme