Muhamedi a.s., njeriu i përsosur

Myslimanët në mbarë botën dhe në viset tona shënojnë ditën e lindjes së Muhamedit a.s., më 12 rebiul evel. Dita e lindjes së Muhamedit a.s. është një ngjarje e shënuar dhe ditë gëzimi. Ajo është një nga ditët më të lumtura për myslimanët. Lindja e Pejgamberit a.s. përfaqëson fillimin e plotësimit të pjekurisë shpirtërore të njerëzimit.
Gjatë këndimit të mevludit, myslimanët nderojnë dhe lartësojnë Muhamedin a.s. Mevludi është një ngjarje me rëndësi që festohet me krenari e kënaqësi nga myslimanët. Ata shprehin dashurinë dhe respektin ndaj Pejgamberit a.s. dhe mësimeve që na ka lënë amanet dhe gjatë gjithë muajit i çojnë salavate dhe selame.
Sikurse e përshkruan Shejhul Ezheri Ahmed Et Tajib, “festimi ynë i lindjes së vulës së pejgamberëve, nuk është një festë e një të madhi të të mëdhenjve, në rolet e të cilëve historia ndalet, pastaj ai ikën shpejt dhe i lë ato, por përkundrazi është një festë e një lloji tjetër.
Një festë e profecisë dhe shpalljes hyjnore, e ambasadës së qiellit në tokë, e përsosmërisë njerëzore në stadet dhe nivelet e saj më të ngritura dhe e madhështisë dhe e manifestimeve të saj më të larta.
Një festë e përngjasimit të moralit hyjnor aq sa mund të durojë natyra njerëzore, i cili u përfaqësua në natyrën e pejgamberëve dhe të dërguarve, të cilët Zoti i mbrojti nga devijimi dhe i ruajti sjelljet e tyre nga mashtrimet, pasioni dhe tundimet e shejtanëve.
Ai unifikoi të jashtmen dhe të brendshmen e tyre në të vërtetën, mirësinë dhe mëshirën. Pejgamberi a.s. i arriti gjithë këto ngjitje dhe lartësime, saqë u quajt ‘njeriu i përsosur’.”
Zoti i Plotfuqishëm thotë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!” (El-Kalem: 4).
Allahu e ka veçuar Muhamedin a.s. me pejgamberi, miqësi të ngushtë, dashuri, përzgjedhje dhe me favore dhe virtyte të tjera që nuk i përshkruan penda dhe nuk mjafton letra.
Përshkrimi ynë është i mangët para madhështisë së trajtimit të personalitetit dhe shkëlqimit të madhështisë së tij të nderuar. Çfarë të themi dhe çfarë të shkruajmë, në lidhje me krijesën më të nderuar, të Dërguarin e së vërtetës, të mëshirës dhe të mirësisë së dhuruar?
Fjalët për biografinë aromatike të Muhamedit a.s. dhe cilësitë e tij të nderuara janë një përshkrim që rrëmbejnë zemrën dhe tronditin ndërgjegjen. Jetëshkrimi i tij është një biografi e ndritur dhe e pavdekshme, dhe një shkollë sipërore. Mblidhen në tryezën e saj të dashuruarit nga të gjitha anët e tokës, që të thithin nektarin nga biografia e këtij të Dërguari të madh dhe të thithin aromën e cilësive të tij të pastra: “O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar përgëzues e qortues, dhe me urdhrin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues. E përgëzoi besimtarët se prej Allahut ata kanë dhunti të madhe.” (El-Ahzab: 45-47).
Myslimanët e besojnë Muhamedin a.s., e respektojnë dhe e nderojnë atë. “... Pra, ata që e besojnë atë, e nderojnë dhe e ndihmojnë, veprojnë me dritën, që iu zbrit me të, të tillët janë të shpëtuarit.” (El-Araf: 157).
Ata e shënojnë ditën e lindjes së Muhamedit a.s. në mënyrë të përshtatshme me mësimet e tij, të cilat ai ua komunikoi nga Allahu xh.sh. Myslimanët duke lexuar jetëshkrimin e Muhamedit a.s., dëshirojnë të ndjekin dhe të marrin shembull nga ai, sepse tek i Dërguari a.s. është modeli dhe shembulli më i mirë dhe më i shkëlqyeshëm: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (El-Ahzab, 21).
Kur shqyrtojmë dhe studiojmë biografinë e të Dërguarit dhe moralin e tij, bëhet e qartë madhështia e të Dërguarit a.s. dhe e mesazhit të tij. Rritet pasimi i fesë dhe dashuria për të Dërguarin a.s.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi