KUR’ANI FISNIK
Kur’ani është të folurit e Zotit, që i është shpallur Muhammedit [alejhis salatu ves selam], leximi i të cilit është adhurim dhe i cili na është transmetuar sipas tevaturit [mënyrës më të saktë të mundshme], e i cili sfidon (qoftë edhe) me një ajet apo një sure që gjendet kopertinave të Mus’hafit.
Kur’ani është i vetmi që meriton të pasohet. Me shpalljen e tij janë anuluar të gjitha shpalljet e mëparshme. Allahu ka thënë:
“Feja e pranueshme tek All-llahu është Islami…“ (Ali Imran, 19)
“E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.“ (Ali Imran, 85)
Ai është i vetmi që përmban udhëzimin e pastër hyjnor ndërsa kush kërkon udhëzim në libër tjetër, do ta humbasë Allahu.
“Në qoftë se ata besuan ashtu siç besuat ju, ata vërtet kanë gjetur rrugën e drejtë, e nëse refuzojnë, atëherë ata janë kundërshtarë (opozitë), po ty (Muhammed) kundër tyre do të mjaftojë All-llahu. Ai është dëgjuesi, i dijshmi.“ (el-Bekare, 137)
Prej urtësisë së Allahut ishte që Kur’ani të shpallej pjesë-pjesë, ndërsa përmbajtja e tij është udhëzim, mëshirë,. Shërim, ligjësim, përgjegjësi. I është shpallë Muhammedit [alejhis salatu ves selam] që t’i udhëzojë me të njerëzit në rrugën e drejtë, që të zgjidhë problemet e tyre shoqërore. Ai nuk është i shkurtër që të mund të lexohet në një ndejë, apo të mësohet përmendësh për një ditë, gjë për të cilën edhe iu shpall Muhammedit [alejhis salatu ves selam] jo përnjëherë. Sigurisht kjo është bërë për urtësi të rëndësishme, si:
• Themelimin e Ummetit sipas ligjit të gradualitetit, të cilit i nënshtrohet njëherësh e tërë jeta.
• Për të lehtësuar nxënien përmendësh dhe kuptimin e domethënieve të tij.
• Përforcimi i besimtarëve para sfidave të ndryshme dhe të shumta
• Për sqarimin e rasteve dhe rrethanave, për t’iu përgjigjur pyetjeve të ndryshme, për të zbuluar sekretet e fshehura, etj.
• Për të sqaruar se Kur’ani është i shpallur nga Allahu. Ajetet në të cilat qortohet Muhammedi [alejhis salatu ves selam] janë dëshmia më e mirë se Kur’ani është shpallje prej Allahut.
Në fakt, edhe Kur’ani ka dhënë shpjegime pse është shpallë i tillë, pjesë-pjesë.
“Dhe (ta shpallëm) Kur’anin që Ne e ndamë pjesë – pjesë për t’ua lexuar njerëzve dalëngadalë dhe ashtu e shpallëm atë një pas një.“ (el-Isra, 106)
“E ata që nuk besuan thanë: “Përse të mos i ketë zbritur atij (Muhammedit) Kur’ani përnjëherë?” Ashtu (e zbritëm pjesë-pjesë) që me të ta forcojmë zemrën tënde dhe Ne e sollëm atë ajet pas ajeti (dalëngadalë).“ (el-Furkan, 32)
Kur’ani është shpallë pjesë-pjesë për të përforcuar zemrën e Muhammedit [alejhis salatu ves selam].
Ndërsa sa i përket temave që trajton Kur’ani, në radhë të parë, ai i referohet udhëzimit. Allahu ia shpalli Muhammedit [alejhis salatu ves selam] për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë, nga pabesimi në besim. Në mësimet e tij është lumturia e të dy botëve. Kur’ani nuk është libër matematike, gjeografie, kimie, mjekësie a fizike,e dhe pse në të ka gjëra që iu përkasin këtyre shkencave të dobishme njerëzore dhe për të cilat Kur’ani e thërret njeriun të studiojë e përfitojë prej tyre. Allahu, duke përshkruar Kur’anin, thotë:
“O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.“ (Junus, 57)
“Ky është libri që nuk ka dyshim në të (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.“ (el-Bekare, 2)
“Ky (Kur’ani) është sqarim për njerëzit, është udhëzim dhe këshillë për të devotshmit.“ (Ali Imran, 138)
“Ai krijoi qiejt e tokën dhe gjithçka që gjendet ndërmjet tyre brenda gjashtë ditësh, e pastaj mbizotëroi Arshin. Ai është Mëshiruesi. Për këtë pyete ndonjë shumë të dijshëm.“ (el-Furkan, 59)
“A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë.“ (el-Mulk, 14)
Kur’ani është sfidues në stilin dhe formën e tij. Ai është sfidues në strukturën dhe lidhshmërinë, përsosmërinë dhe përputhjen ndërmjet pjesëve të tij. Ai është sfidues me ndikimin e tij, sikurse që sfidon me lajmërimet për të kaluarën dhe të ardhmen. Allahu ka thënë:
“Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri – tjetrin”.“ (el-Isra, 88)
Obligimet tona karshi Kur’anit janë të shumta, por si më të rëndësishmet do të veçonim:
• Leximi dhe këndimi i tij
• Mësimi përmendsh i tij
• Meditimi dhe mësimi i tij
• Praktikimi dhe stolisja me moralin e tij
• Thirrja në të
• Dashuria për të, respektimi dhe madhërimi i tij.
SUNNETI PEJGAMBERIK
Termi ‘Sunnet’ vjen nga rrënja foljore ‘senne’ ( ?? ?? ), në shpjegimin e së cilës Ibni Farisi, në ‘Mu’xhemu mekajisi-l-lugah’, thotë se, gjuhësisht, ky term nënkupton rrjedhjen e një gjëje dhe largimin e saj me lehtësi. Thuhet: senentu-l-mae ala vexhhi – e kam derdhur ujin në fytyrën time! Ibn el-A’rabiu përmend edhe kuptime të tjera, si: traditë, lëmim (i hekurit), përkujdesje (për devetë), kryerje të diçkaje në mënyrë të mirë etj.
Tradita e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] – Sunneti – i përfshin edhe këto domethënie gjuhësore, për shkak se prej saj rrjedhin dispozita, me të cilat jeta njerëzore bëhet më e mirë. Nga këto domethënie gjuhësore përfitohet dija se Sunneti ka domethënie të përsëritjes, bërjes shprehi të një gjëje, vlerësimit – korrigjimit – ndreqjes, (thuhet) ‘senne Allahu sunneten’ – Allahu ka sqaruar një rrugë të drejtë (të duhur). Sunnetu-Allah (????? ?) janë dispozitat e Allahut, urdhëresat dhe ndalesat. Në Kur’an, fjalët Sunnet dhe Sunen janë përmendur 27 herë dhe në të gjitha herët kanë ardhur me kuptimin e dispozitave të Allahut në funksion. Në këtë domethënien e fundit aludojnë këto ajete:
“…Pra ata nuk janë duke pritur tjetër vetëm gjurmët e të parëve, e në ligjin e Allllahut kurrë nuk do të hasësh devijim.“ (Fatir, 43)
“(ky është) Ligji i All-llahut që është i kahershëm edhe ndër të parët, në ligjin e
All-llahut nuk do të gjesh ndryshime.“ (el-Fet’hu, 23)
“…Ky është ligj i All-llahut (i kahershëm) ndaj robërve të Tij dhe aty, në atë çast, pësuan disfatë jobesimtarët.“ (Gafir, 85)
Ndërsa në terminologjinë fetare, Sunneti nënkupton fjalët, veprat, miratimet dhe vetitë morale dhe fizike të të Dërguarit të Allahut, Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. Në fakt, ky është një definicion i përgjithshëm, përndryshe mund të gjesh definicione, dallimi tek të cilat nuk shprehet për shkak të mospajtimit përmbajtjesor a filozofik, por për shkak të definimit nga një këndvështrim i caktuar. Hadithologët e kanë vështruar Sunnetin nga aspekti i pasimit të tij, ndërsa usulistët e kanë shikuar nga cilësia e të qenit ligjërues dhe sqarues nga Allahu i Madhëruar, kështu që kanë marrë prej tij atë që iu është dashur si argument për ndonjë dispozitë fetare që ka të bëjë me lejimin apo ndalimin… Sunneti, në raport me Kur’anin Fisnik, mund të jetë:
• Të sjellë atë që përputhet me mësimet e Kur’anit, si: urdhri për namaz etj.
• Të ligjësojë atë që parimisht gjendet në Kur’an, si: ndalimi i ngrënies së mishit të gomarit shtëpiak dhe kafshëve të egra me dhëmbë ushqyes. Baza e kësaj ndalese është në Kur’an:
“…u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet…“ (elA’rafë, 157)
• Ligjësim të dispozitave të pavarura, që nuk janë përmendur fare në Kur’an, si: ndalimi i bashkimit në një kurorë të gruas me hallën apo me tezen e saj.
• Sqarim të asaj që përgjithësisht është përmendur në Kur’an, sqarim të ndonjë gjëje të paqartë, specifikim të ndonjë gjëje të përgjithshme, kushtëzim të ndonjë gjëje të pakushtëzuar. Allahu ka thënë:
“Ty ta zbritëm Kur’anin që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kur’anin).“ (en-Nahl, 44)
P.sh. në Kur’an, namazi është përmendur vetëm si obligim, ndërsa detajet për të janë dhënë në Sunnet.
Dijetarët janë unanim sa i përket autoritetit të Sunnetit për të argumentuar me të dhe për të qenë burim i dispozitave fetare. Allahu ka thënë:
“…Çka t’ju japë Pejgamberi, atë merreni, e çka t’ju ndalojë, përmbajuni dhe kini frikë All-llahun, se All-llahu është ndëshkues i ashpër.“ (el-Hashr, 7)
“Kur All-llahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.“ (el-Ahzab, 36)
Muslimanët i përfitojnë vlerat, qëndrimet, zakonet, ligjet, karakteristikat dhe tiparet e personalitetit të tyre nga Sunneti. Sunneti ka lënë gjurmë të pashlyera, jo vetëm në botën islame. Perëndimorët kanë pranuar se personaliteti i Muhammedit [alejhis salatu ves selam] është më i shquari në të gjithë historinë njerëzore, madje në librat e tyre e kanë vënë në krye të të gjithë personaliteteve botërore. Allahu ka thënë:
“Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!“ (el-Kalem, 4)
“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun.“ (el-Ahzab, 21)
Nga ajetet e mësipërme kuptojmë faktin se Allahu e ka lëvduar të Dërguarin e Tij dhe e ka vlerësuar për tiparet dhe cilësitë e mira që ka, gjë që do t’i mjaftonte Ummetit Islam për t’u nderuar edhe sikur të mos kishte asgjë tjetër me të cilën të nderohej.
Ndërsa sa i përket rëndësisë së Sunnetit për muslimanin intelektual, atëherë ajo do të mund të përmblidhej në pikat në vijim:
Sunneti reflekton një korpus të madh vlerash dhe virtytesh, në rrethana paqeje dhe lufte, dhe këtë pavarësisht se a bëhet fjalë për individin, shoqërinë apo shtetin. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Feja është këshillë!…”
Kushdo që prej jush sheh një të keqe, le ta ndalë atë me dorë, e nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij…” (Muslimi)
Kush shpik diç në këtë çështjen tonë, e që nuk ka të bëjë me të, vepra do t’i refuzohet!”
Sunneti sqaron mënyrat dhe rrugët e njohurive të sakta, si edhe kërkon argumentimin e gjërave. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
Nuk ka infektim, as pesimizëm dhe as gogol!”
Domethënia e hadithit është se infektimi nuk është se do të ndodhë patjetër. Në fakt ai nuk ndodh veçse me caktimin e Allahut. Pesimizmi, po kështu, është kotësi. Arabët, në periudhën para Islamit, e kishin zakon që kur niseshin në ndonjë udhëtim lëshonin një pëllumb. Në rast se ai fluturonte në të djathtë, ata bëheshin optimistë, ndryshe binin në pesimizëm. E këtillë mbetet edhe bindja në trillimet dhe besëtytnitë se kinse ka gogol, me të cilin ata i frikësonin fëmijët për të fjetur.
Sunneti është i rëndësishëm dhe për faktin se e edukon besimtarin me moral praktik dhe edukativ. P.sh. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
Nuk është prej nesh ai që nuk i mëshiron të vegjlit tanë dhe nuk i nderon pleqtë!”
Nuk do të hyjë në Xhennet ai në zemrën e të cilit ka qoftë edhe një grimcë mendjemadhësie!”
Para se ta përmbyll këtë pikë, gjithsesi se do të ndalem pak edhe tek kur’anistët, lëvizje kjo që është përhapur në disa vende islame dhe e cila, ndonëse pretendon referimin në Kur’an, nuk ka të bëjë fare me të. Më ka rënë të dëgjoj disa prej tyre nga afër, respektivisht të dëgjoj ligjëratat e tyre të publikuara në internet, por nuk kam parë tjetër veçse një injorancë të thellë. Kam parë madje se ata gabojnë edhe në rregullat më të thjeshta të leximit të Kur’anit. Turp për ta që mohojnë rëndësinë e Sunnetit! Sikur të më lejonte natyra e punimit, gjithsesi do të flisja më shumë për ta, por me kaq po e mbyll, duke përsëritur edhe një herë rrezikun e madh që vjen prej tyre, për shkak se me një injorancë të thellë e mohojnë rëndësinë e Sunnetit!
MENDIMI DHE TRASHËGIMIA ISLAME
Mendimi islam është prej veçorive më të spikatura të intelektualit musliman bashkëkohor. Thënia “unë mendoj, pra unë ekzistoj” mbase është e qëlluar. Jeta njerëzore, si të thuash, është një lloj bashkëveprimi ndërmjet mendjes dhe pranisë (ekzistimit). Pas çdo lëvizje a veprimi qëndron një ide. Edhe Kultura Islame ka idetë dhe mendimtarët e saj. Në fakt, ky sfond i saj prej të medituari dhe përsiaturi nuk është tjetër vetëm se reflektim i veçorisë tjetër të saj, asaj hyjnore. Kur’ani na fton për meditim dhe përsiatje rreth shumë gjërave, dhe këtë për shkak të rëndësisë që ka meditimi në formimin e personalitetit të intelektualit musliman në çdo kohë dhe vend.
Mendimi dhe të menduarit (përsiatja, meditimi, studimi, hulumtimi) kanë këto veçori:
1) Janë obligim islam. Me ringjalljen e këtij obligimi, ringjallet edhe Ummeti nga agonia e tij. Allahu ka thënë:
“…Kështu ua sqaron All-llahu juve argumentet ashtu që të mendoni (çka është mirë e çka është keq).“ (el-Bekare, 219)
“Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si ishte përfundimi i kundërshtarëve!”“ (en-Neml, 69)
“Dhe për ju nënshtroi gjithë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë, njëmend për njerëzit që mendojnë thellë, në to ekzistojnë argumente.“ (el-Xhathije, 13)
“E nga ai vend Ne kemi lënë gjurmë të qartë për një popull që mendon.“ (el-Ankebut, 35)
“Ai është që ju krijoi (filloi) prej një njeriu; aty (mbi tokë) jetoni (qëndroni) dhe nën të do të pushoni. Ne ia sqaruam argumentet një populli që di të kuptojë.“ (el-En’amë, 98)
2) Të medituarit është formë dhe mjet i kuptimit të fesë dhe nxjerrjes së dispozitave fetare, sidomos në rastet kur këto të fundit duhet të përfitohen indirekt nga kuptimi dhe domethënia e teksteve. Allahu ka thënë:
“Madje kur u vjen atyre (munafikëve) ndonjë lajm qetësues (kur fitojnë muslimanët) ose shqetësues (kur dështojnë), ata e përhapin atë, e sikur t’ia linin atë (përhapjen lajmit) Pejgamberit dhe përgjegjësve të tyre, ata do dinin të nxirrnin përfundime (se si do të duhej shpallur). Por sikur të mos ishte dhuntia e All-llahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, atëherë ju, pos një pakice, do të ndiqnit rrugën e djallit.“ (en-Nisa, 83)
Kjo është ajo që ne e quajmë ixhtihad, të cilit feja ia ka ngarkuar barrën e gjetjes së zgjidhjeve për shumë ngjarje dhe ndodhi29.
Intelektuali musliman bashkëkohor, duhet të disponojë medoemos njohuri dhe dije për historinë islame, për biografinë e katër Hulefai-Rrashidinëve (katër prijësve të drejtë pas Muhammedit [alejhis salatu ves selam]). Po kështu, intelektuali musliman bashkëkohor duhet të disponojë njohuri të bollshme rreth: aktualitetit të Ummetit Islam, të vërtetës përkitazi me forcat kundër Islamit, realitetin e feve moderne, realitetin e drejtimeve politike bashkëkohore, të vërtetën mbi lëvizjet moderne islame, të vërtetën mbi rrymat me qëndrim negativ ndaj Islamit, të vërtetën për fraksionet me ngjyrë islame, njohjen me rrethin dhe ambientin etj.
Se çfarë duhet të posedojë, të dijë dhe me çka duhet të dallohet intelektuali musliman modern, do të mësojmë gjerësisht edhe në vazhdim, me lejen e Allahut!
Prof.Dr.Hfz Hajredin Hoxha: KULTURA E MUSLIMANIT BASHKËKOHOR
Bibliografija:
Ibni Zekerijja, Ebu el-Hasen Ahmed Faris. (1999) Mu’xhemu mekajis-l-lugah. 3/61.
El-ihkam fi usuli el-ahkam të Amidiut, f. 1/129; El-mustasfa të Imam
Ibni Abidinit, f. 176 dhe Gazaliut, f. 1/129; El-ihkam fi usuli el-ahkamEl-muvafekat të Shatibiut, 3/4. të Ibni Hazmit, f. 1/93; Hashijetu nesemati el-es’har të
Fajiz, Habis. Eth-thekafetu el-islamijjeh II, f. 135-141.
Shih librin ‘100 personalitetet më me ndikim’ të Majkëll Hartit.
Transmetojnë Imam Ahmedi në Musned, 1/269, dhe Ibni Maxhe në Sunen, nr. 3539. 28 Transmetojnë Imam Muslimi në Sahihun e tij, nr. 91, Imam Ahmedi në Musned, 1/312 dhe Ebu Davudi në Sunen, nr. 4091.
Mursafi, Seid. (2005) Eth-thekafetu el-islamijjeh ve etheruha fi tekvini-sh-shahsijjeti-l-islamijjeh, f.
Muslim, Mustafa. (2004) Eth-thekafetu el-islamijjeh: ta’rifuha, mesadiruha, mexhalatuha, tehaddijatuha, f: 30; Seid, Hemmam & Halidi, Salah. (2002) El-vexhiz fi-th-thekafeti-l-islamijjeh, f: 45; Ulvan, Abdullah Nasih. (2002) Esh-shebab el-muslim fi muvaxheheti-t-tehaddijat, f. 221-275;
Thekafetu-d-daijehKardavi, Jusuf. (2005) , f. 102-108.Thekafetuna bejnel infitahi vel ingilak , f. 35-53; Kardavi, Jusuf. (2010)
Kardavi, Jusuf. (2010) Thekafetu-d-daijeh, f. 141-145; Izetbegoviq, Alija. (1994) El-Islamu bejnesherki ve-l-garbi, f. 105-110; Salah Abdul Fettah. (2002) Amerika min ed-dahil bi-mindhari Sejjid Kutb, f. 97-123
Musnedi i Imam Ahmedit, nr. 2297, dhe Tirmidhiu në Sunen, nr. 1926.
Buhariu (nr.2697) dhe Muslimi (1718).
Zerkani, Abdu-l-Adhim. (1999) Menahil el-urfan fi ulumi-l-Kur’an. F. 60-75; Kattan, Mennaë.
(1999) Mebahith fi ulumi-l-Kur’an.f. 105-118.
Gazali, Muhammed. (1996) Kejfe neteamel mea-l-Kur’an, f. 30-56; Kardavi, Jusuf. (2001) Kejfe neteamel mea-l-Kur’an, f. 50-95; Gazali, Muhammed. (1995) Es-Sunnetu en-nebevijjeh bejne ehli-lfikhi ve-l-hadith, f. 5-35.