Tregon Abdullah bin Amri r.a. se Resulullahu a.s. ka thënë: “Mysliman i kompletuar është ai, nga gjaku dhe dora e të cilit myslimanëve nuk u vjen e keqe. Edhe muhaxhir i vërtetë është ai që largohet nga gjërat, që Allahu i ka ndaluar.(1) Termidhiu dhe Nesaiu kanë shtuar: “Besimtar ideal është ai nga i cili njerëzit e kanë të sigurt gjakun dhe pasurinë e tyre.”(2) Bejhekiu ka shtuar: “Dhe luftëtar i sinqertë është ai i cili lufton me veten e tij në nënshtrim të Allahut.”(3).
Shkaku i thënies së hadithit
Një numër i konsiderueshëm i haditheve kanë edhe rrethanat dhe shkaqet e thënies së hadithit. Pasi që emigrimi apo hixhretit kishte marrë fund, njëkohësisht edhe vlera dhe shpërblimi i tij ishte ndërprerë, atëherë shumë prej myslimanëve ishin të preokupuar se një shpërblim i madh u kishte ikur. Atëherë Pejgamberi a.s. për t’ua zbutur zemrat dhe për t’ua freskuar shpirtrat e tyre ju bëri me dije se emigrant i vërtetë është ai i cili ka braktisur mëkatet e mëdha dhe është tërhequr nga ndalesat e Allahut, e me këtë emigrimi i tij mbetet i përjetshëm sa të ekzistojë jeta. Në këtë kontekst, në ditën e çlirimit të Mekës, Resulullahu a.s. u tha: “Nuk ka emigrim pas çlirimit (të Mekës), por ka xhihad dhe nijet, e kur të kërkohet mobilizim (për luftë) mobilizohuni.”(4)
Thuhet se Pejgamberi a.s. u ishte drejtuar me këto fjalë muhaxhirëve të Mekës, në mënyrë që ata të mos veprojnë gjithçka duke u mbështetur në veprën e madhe të emigrimit nga Meka në Medine. Këtë mbështetje e kishte refuzuar Pejgamberi a.s. dhe ua bëri me dije se emigrimi madhor mbetet largimi dhe braktisja e mëkateve, largimi nga pretendimet e pasionit dhe të djallit.
Kuptimi dhe ilustrimi i hadithit
Ka njerëz që bëjnë gjëra të këqija, duke vjedhur, përgojuar, mashtruar e çka jo. Ata sikurse nuk e vërejnë fjalën e Pejgamberit për myslimanin e vërtetë dhe ideal, kur thotë: “Mysliman i kompletuar është ai nga gjuha dhe dora e të cilit, myslimanëve nuk u vjen e keqe.”
Për shumë çështje që njeriu pretendon, fare nuk gjendet në to, ai tjetër gjë paraqet e tjetër fsheh. Ende më shumë, njeriu e mashtron veten e tij kur mendon se me paraqitje mund të arrijë synimet e veta në formën më të plotë. Ai mundohet ta kënaq veten, e në realitet me këtë kënaqësi të vetes ai më shumë krijon pakënaqësi dhe hidhërim ndaj tij. Shumë prej njerëzve tregohen të vetëmjaftueshëm dhe formalistë të mëdhenj duke anashkaluar të vërtetën e brendshme të tyre. E kur ndodh të sprovohen, atëherë shumë shpejt sqarohet sekreti i brendshëm i tyre.
Lidhur me këtë gjendje, Allahu xh.sh. thotë: “Dhe sigurisht Ne do t’ju sprovojmë ju, derisa Ne të njohim luftëtarët dhe durimtarët dhe Ne do t’i provojmë veprat tuaja (cilat janë të sinqerta dhe cilat janë formale).” (Muhamed, 31)
Pra, vetëm pretendimi në besim nuk mjafton që të pranohet, përderisa nuk e jep frytin dhe nuk i lë gjurmët e imanit, e kjo ndodhë kur njeriu vihet në sprovë të vështirë dhe në gjendje të palakmueshme.
Hadithi na jep mesazhin se ai që braktisë pasionin, unin, aninim tendencioz dhe atë që e dëshiron nga epshi, duke zgjedhur që ta pasojë kënaqësinë e Allahut dhe duke ia nënshtruar veprimet e gjymtyrëve, duarve, gjuhës, këmbëve dhe tërë vetveten Atij, i tilli meriton të konsiderohet mysliman i vërtetë dhe kështu ai e fiton kënaqësinë e Tij.
E kur myslimani e vepron këtë, atëherë e ka plotësuar fenë e tij dhe ai posedon një islam të sinqertë pa formalitete dhe mashtrime. Për shkak të formaliteteve, njeriu duhet ta rehabilitojë veten gjatë hidhërimit, dhe ta frenojë veten përballë kundërshtarit duke mos e zbritur veten e tij në nivel të ulët dhe të shkaktojë konflikt, e pastaj të mos jetë në gjendje që ta mbrojë veten e tij. Nëse njeriu në këtë gjendje arrin ta rehabilitojë veten e tij, atëherë ai posedon një islam që jep fryte dhe që lë gjurmë. Në këtë rast, me plot të drejtë mund të quhet besimtar ideal. Ky i thotë vetes se nuk hidhërohem dhe e kam të ndaluar që myslimanit t’i shkaktojë dëm dhe dhimbje. Kështu edhe myslimanët e tjerë do të ndihen të sigurtë dhe do të kenë besim në të dhe mund t’ia kthejnë shpinën pa ndjerë asnjë lloj dyshimi apo frike, sepse ata e dinë që prej tij nuk i vjen dëmi dhe e keqja. Po që se dikush duhet t’ia lë shtëpinë, familjen dhe pronën amanet dikujt, mund t’ia lë atij pa u kthyer prapa e të shikojë se kujt ia la, sepse askujt nuk i vjen e keqe prej dorës, gjuhës dhe gjymtyrëve të tij. Aq sa e do nderin dhe dinjitetin për vete, aq e do nderin dhe dinjitetin për të tjerët.
Kush është mysliman në bazë të hadithit?
Shprehja në hadith: “Mysliman i kompletuar është ai nga gjuha dhe dora e të cilit myslimanëve nuk u vjen e keqe”, kjo shprehje nuk e përcakton kuptimin e vërtetë dhe të prerë të fjalës “muslim”, në fjalorin fetar, që është një fjalë përmbledhëse dhe përmbajtjesore në mes teorisë dhe praktikës, por neve na jep nga cilësitë e islamit vetëm një degë prej degëve praktike, e që është pengesa e të keqes ndaj njerëzve. Edhe pse kjo degë është dytësore, mund të na shërbejë si parim me të cilin veçohet myslimani i kompletuar nga myslimani i luhatshëm. Me këtë shprehje Pejgamberi a.s. i ka vënë një definicion, sikur deshi të thotë: “Kur të shihni njeriun që myslimanët i ruan dhe i mbron nga gjuha dhe dora e tij, dijeni se ai është mysliman, e kur ta shihni duke u shkaktuar dëme myslimanëve me gjuhën dhe dorën e tij, ai nuk i përket islamit në asgjë, edhe pse ai pretendon se është në kuadër të Islamit.” Shembuj të fjalëve të tilla mund të ngjasojnë edhe këto: “Nuk është dijetar ai i cili nuk punon me dijen e tij, nuk është djalë ai i cili nuk kujdeset ndaj prindërve...”
Hadithi është sinjalizues i qartë që tregon se myslimani që e ruan gjuhën dhe dorën e tij, është mysliman ideal dhe model.
Këtë e përkrah edhe një version tjetër i hadithit, ku një sahabi e pyeti të Dërguarin a.s.: “Cili është Islami më i vlefshëm?” Ai tha: “Ai nga gjuha dhe dora e të cilit nuk u vjen ndonjë e keqe myslimanëve.”(5)
Në të dy gjendjet kemi të bëjmë me myslimanin, por në rastin e parë (kur i bën myslimanit dëme) ai Islam është i begatshëm dhe jep frytin e tij.
Përcaktimi i fjalës mysliman, në hadith nuk do të thotë që jomyslimanëve të mos i bëhet mirë, por ndalimi i të keqes ndaj myslimanëve është prioritet dhe detyrim, ndërsa pengimi i të keqes ndaj jomyslimanëve është i kushtëzuar me sjelljen dhe qëndrimin e tyre ndaj nesh.
Të jesh mysliman me vepër është obligative
Sipas tezës së dytë nocioni “mysliman” në hadith ka për qëllim bazën e besimit, por ka për qëllim kuptimin e përgjithshëm, përmbledhës për të gjitha shtyllat obligative, kështu çështja e myslimanëve është vetëm një degë prej degëve obligative dhe kjo është në pozitën kur diçka nuk mund të plotësohet përveçse me të.
Sa i përket anës gjuhësore ka dallim në mes shprehjes “Nuk është mysliman, përveç ai që i ruan myslimanët” dhe “Nuk i ruan myslimanët, përveç myslimani.” Sikur kjo e fundit të ishte kuptimi i hadithit, atëherë do të mjaftonte në islam vetëm ana praktike.
E nëse hadithi është në kuptimin e parë: “Nuk është mysliman përveç atij që i ruan myslimanët”, atëherë për të qenë në islam patjetër duhet t’i ruajmë myslimanët nga dëmtimi i tyre, po ashtu është patjetër të kryhen edhe obligimet e tjera që kanë mbështetje në argumentet e tjera të sheriatit. Kështu bazuar në këtë mund të themi se nuk plotësohen shtyllat e Islamit përveçse nëse e pengojmë të keqen nga myslimanët, e ai që nuk i mbron myslimanët nga e keqja nuk e meriton të quhet me termin “mysliman”, sepse ai në islam ka humbur njërën prej dy gjysmave të islamit.
Ruajtja e myslimanëve nga e keqja është kulminacioni i islamit
Sipas tezës së tretë, e ndoshta është mendimi më i mirë, hadithi nuk ka për qëllim vetëm tërheqjen e vëmendjes se kjo degë është obligative sikur obligimet e tjera, por e konsideron në pozitën kulminante të Islamit dhe çdo obligim tjetër kur peshohet me të është sikur diçka që nuk ekziston. E këtë mund ta shpjegojmë ashtu siç thotë Resulullahu a.s. në hadithin: “Haxhi është Arafat”, që d.m.th. se qëndrimi në Arafat është shtylla më kryesore dhe kulminante e haxhit dhe kush e arrin të qëndrojë në Arafat, e ka plotësuar haxhin apo krejt haxhi është Arafat.
Bazuar në këtë metodë të shprehjes, atëherë sikur Resulullahu a.s. thotë: “Nuk është mysliman ai që falet e agjëron dhe nuk largohet nga të bërit dëm njerëzve, por mysliman është ai i cili njerëzve nuk u bën keq dhe ata janë të qetë nga sherri i tij.”
Baza e të quajturit mysliman është mosdëmtimi i të tjerëve
Metoda e shprehjes në hadith sinjalizon gjithashtu në një kuptim edhe më preciz se të tjerët, ai aludon në atë se kjo degë është baza e të emërtuarit të myslimanit mysliman dhe nga kjo rrjedhe emri Islam. Pra, sikur kuptimi i fjalës “esleme” e bëri atë që të tjerët të jenë të ruajtur dhe të mbrojtur prej tij. Realisht ky është myslimani ideal, i cili nuk i dëmton të tjerët as me fjalë e as me vepër. Praktikisht të tjerët janë të ruajtur dhe të sigurt prej tij dhe kjo është shëmbëlltyra e një myslimani praktik.
______________________
1 “Sahihul Buhari”, vëll. I, fq.15, nr. 9;
2 “Et-Tirmidhij”, vëll. IX, fq.215, nr. 2551; “En-Nesaij”, vëll. XV, fq.182, nr. 4909.
3 “Shu’bul iman lil Bejhekij”, vëll. 23, fq. 8, nr. 10679.
4 “Sahihul Buhari”, vëll. IX, fq. 345, nr. 2575.
5 “Sahihul Buhari”, vëll. I, fq. 17, nr.10.