Njeriu është qenie shoqërore dhe lidhja e tij emocionale me të tjerët e plotëson dhe e bën më të lumtur. Njeriu, duke u mbështetur te tjetri, e gjen qetësinë dhe përkrahjen. Sa më shumë që të aktivizohet dhe t'u bëjë mirë të tjerëve, aq më shumë ai i afrohet Zotit, Krijuesit, i Cili ka faljen dhe mëshirën e madhe.
Falëbderimi i takon Zotit të botëve, i Cili ka krijuar, ndër të tjera, kohën dhe njeriun. Kur njeriu çmon kohën, ai ka vlerësuar një mirësi të Zotit, për të cilën edhe është betuar. Koha ka mundësi të kalohet vetëm, por ka mundësi të kalohet edhe me shoqëri dhe në aktivitete shoqërore.
Njeriu i sotëm, si duket, është prirur të distancohet, ta kalojë kohën i vetëm, me dëshirën apo pa dëshirën e tij. Kalimi i kohës në vetmi, njeriut i kanos jetën dhe shëndetin. Vetmimi vetëm me Zotin, vetmia duke u thelluar herë pas here në meditim, sigurisht se është e shëndetshme dhe e kërkuar, por jo të jetë stil dhe modë kohe. Veçimi dhe largimi pa nevojë nga njerëzit, është ikje nga vetvetja, e përshkuar me sfida dhe probleme të ndryshme.
Në dhjetë vitet e fundit mjekësia ka bërë të ditur se vetmia është një nga faktorët e rëndësishëm që ndikon në shkatërrimin e shëndetit dhe në shtimin e sëmundjeve dhe rritjen e numrit të vdekjeve. Sipas disa hulumtimeve më të reja, vetmia shkakton më shumë dëme se sa mund të shkaktojë mbipesha, shtypja e lartë dhe pirja e duhanit.
Nëse i shfletojmë tekstet fetare, Kuranin dhe traditën profetike, do të shohim se të jetuarit i vetëm, larg njerëzve, nuk është e përkrahur nga Zoti dhe aspak e shëndetshme.
Në faqet e Kuranit fisnik hasim shqetësimin e Zekerijjasë (a. s.), i cili në moshë të shtyrë, nga frika se do të mbetet pa trashëgimtar, iu drejtua Zotit me lutjen: "U frikësohem të afërmve të mi pas meje, ndërsa bashkëshortja ime është sterile, andaj më dhuro nga ana jote një pasardhës." (Merjem: 5)
Lutja e pejgamberit Zekerijja (a. s.), në një kuptim më të gjerë, mund të kuptohet si një shprehje natyrale e frikës njerëzore nga vetmia dhe të mbeturit i vetëm dhe në vetmi.
Ka njerëz që kanë nevojë të distancohen ngapak prej njerëzve, sepse kështu ndjehen më rehat, por ka dhe të tillë që, edhe përkundër asaj se janë të rrethuar me njerëz, përsëri ndjehen të vetmuar, për mos me thënë më keq, të lënë pas dore.
Vetmia përjetohet më rëndë atëherë kur njerëzit e tu të afërt, me të cilët ke lidhje emocionale, nuk i ke pranë dhe nuk të vizitojnë. Sa shumë nëna dhe baballarë kemi sot të vetmuar? Sa e sa vëllezër u ndanë nga motrat e tyre, nga kushërinjtë dhe shokët, të cilët, për shkaqe të vështirësive dhe nevojave ekzistenciale, u desh të merrnin rrugët e ndarjes nga njëri-tjetri?
Teknologjia bashkëkohore ka bërë që rreziku që vjen nga vetmia të jetë më i madh dhe të kërcënojë më shumë. Çdo ditë e më tepër kontaktet e gjalla dhe të drejtpërdrejta po zëvendësohen me komunikimin virtual. Edhe pse të rrethuar dhe të lidhur me tërë botën, prapëseprapë të rinjtë e sotëm ndjehen intensivisht të vetmuar dhe të vetëmbyllur. Për më tepër, ata që vuajnë më shumë nga pasojat e vetmisë janë të moshuarit, kështu që sipas disa të dhënave mbi 40% e vetëvrasjeve realizohen nga persona të moshës 65-vjeçare e lart, ndërsa si arsyetim merret zhgënjimi që përjetojnë nga ikja e njerëzve të afërt dhe mosinteresimi i shoqërisë për t’u qëndruar afër.
Sot, për fat të keq, gjithnjë e më shumë po shohim se si po rritet individualizmi, egocentrizmi dhe narcizmi, kurse, nga ana tjetër, vrullshëm është pakësuar empatia për njëri-tjetrin, solidariteti dhe dëshira për t'u parë dhe për t’u takuar.
Hulumtimet tregojnë se çdo ditë e më tepër kemi njerëz të vetmuar, të rinj dhe pleq të vetmuar. Pikërisht për këto dy kategori të njerëzve ka folur Muhamedi (a. s.), i cili në një hadith thotë: "Nuk është prej nesh ai që nuk i respekton të moshuarit dhe nuk i më- shiron të vegjëlit."
Njeriu është qenie shoqërore dhe lidhja e tij emocionale me të tjerët e plotëson dhe e bën më të lumtur. Njeriu, duke u mbështetur te tjetri, e gjen qetësinë dhe përkrahjen. Sa më shumë që të aktivizohet dhe t'u bëjë mirë të tjerëve, aq më shumë ai i afrohet Zotit, Krijuesit, i Cili ka faljen dhe mëshirën e madhe.
Duke e kuptuar se jeta nuk ka kuptim pa bashkësinë, pa komunitetin, pa tjetrin, thuhet se gati çdo i katërti evropian merr pjesë aktive në ndonjë organizim vullnetar shoqëror. Gjithashtu, është vërtetuar shkencërisht se ka një lidhje të fortë mes dhurimit e ndihmës dhe kënaqësisë shpirtërore e shëndetit fizik. Sa më shumë që vizitojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin, aq më shumë e forcojmë sistemin e imunitetit tonë shpirtëror dhe fizik.
I dërguari i Allahut na këshillon se ilaçi kundër vetmisë dhe izolimit është mbajtja e lidhjeve familjare dhe miqësore, me të cilët ndajmë bindjet, mjedisin ku jetojmë dhe ku veprojmë, duke i shtuar sa më shumë veprat e mira:
Ebu Hurejre (r. a.) përcjell se i dërguari i Allahut (a. s.) ka thënë: "Kush ia largon një besimtari një brengë të kësaj bote, Allahu do t'ia largojë atij një brengë të Ditës së Kiametit. Kurse kush ia lehtëson ndonjë vështirësi atij që ka, Allahu do t'ia lehtësojë në këtë botë dhe në të amshueshmen. Kush ia mbulon të metat ndonjë myslimani, Allahu do t'ia mbulojë atij të metat në këtë botë dhe në tjetrën. Allahu i ndihmon robit të vet për aq kohë sa ky i ndihmon vëllait të vet.” (Imam Muslimi)
E, pa dyshim, këto nivele shpërblimi dhe përkrahjeje hyjnore nuk mund të arrihen pa u përzier me njerëzit dhe pa e kaluar kohën me ta. Pajtohem: ndonjëherë njeriu ka nevojë për vetminë, por me të ai duhet të sillet si me ilaçin, të cilin e merr vetëm kur i duhet.
Huazuar nga Revista Islame “Hëna e Re” 373