Karakteristikat metodologjike dhe tematike të ajeteve mekase e medinase si dhe disa aplikime në da’vet

Në vazhdim do të përqendrohemi në disa degë të shkencës së ajeteve mekase e medinase, e jo në të gjitha çështjet e ndërlidhura me këtë problematikë. Pastaj do të sqaroj funksionalizimin pozitiv të këtyre degëve shkencore me shkencën e ajeteve të tilla. Pra, do të shqyrtoj karakteristikat dhe veçoritë metodologjike, pastaj do t’i krahasoj me fakte e argumente nga jeta jonë aktuale në da’vet e arsim. Do të synoj që, këtë pjesë të shkencës mekase dhe medinase, ta bëj peshore ose dëshmi qendrore për t’u kthyer në Kur’anin Fisnik në të gjitha çështjet tona të da’vetit e arsimit.
Nuk kam ndërmend të zgjerohem shumë në këtë çështje, vetëm përpos asaj që është e domosdoshme të jetë si postulat për të ardhmen në shkencë. As që e kam ndërmend të merrem me dyshimet dhe thumbimet e orientalistëve, laikëve, modernistëve, të atyre të infiltruar dhe të atyre që janë të helmuar me mendimin perëndimor – orientalizmi laik modernist iluminist arab e joarab – gjegjësisht me polemikat e tyre rreth tekstit kur’anor e historisë së çështjes së ajeteve kur’anore mekase e medinase, sepse kjo është një çështje tjetër me të cilën janë marrë disa dijetarë të respektuar dhe, nëse dëshironi të përfitoni diçka rreth kësaj problematike, mund t’i lexoni punimet e tyre.
Karakteristikat metodologjike dhe tematike të ajeteve mekase e medinase
S’ka dyshim se nëse dëshirojmë të njohim hollësisht një shkencë duhet të shfletojmë literaturën burimore të asaj shkence, sepse në të kundërtën, nuk do të kemi dobi shkencore në të cilën fle zemra e qetësohet truri. Pra, për këtë çështje, duhet të mbështetemi te dijetarët e dalluar të shkencave të Kur’anit, për udhëheqjen dhe lidershipin e të cilëve në shkencat kur’anore ummeti është unanim, dhe këtu konkretisht e ka fjalën për Imam Zerkeshiun dhe Imam Sujutiun (Zoti i mëshiroftë!), sepse secili që vjen pas tyre është mbështetur në punimet e tyre.
Edhe pse disa të mëvonshëm janë dalluar në shqyrtimin, parashtrimin dhe analizimin e shkencave të paraardhësve të tyre, përsëri fama u ngelet atyre të parëve, pa marrë parasysh kreativitetin e të mëvonshmëve.
Për sa i përket kësaj çështje, Imam Zerkeshiu në librin e tij “El-Burhan fi ulumil-Kur’an”, ka theksuar të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me shkencën mekase e medinase.45 Edhe Imam Sujutiu e ka përcjellë metodën e paraardhësve të tij në librin “El-Itkan fi ulumil Kur’an”, në mënyrë të hollësishme, përpos faktit se duhen rregulluar dhe radhitur çështjet që ai ka theksuar rreth rregullave, cilësive dhe tipareve të ajeteve mekase e medinase.46 Studimi i Shejh dr. Muhamed Abduladhim Zerkanit, “Menahilul-urfan fi ulumil Kur’an”, sipas meje ka një radhitje më të mirë të çështjeve që kanë të bëjnë me ajetet mekase e medinase, dhe mendoj se do të ishte e dobishme, nga aspekti shkencor, që të theksoj disa karakteristika metodologjike dhe tematike të kësaj çështje, në formën e rezymesë.
Në këtë kontekst, ai thotë: “Nga karakteristikat e pjesës mekase theksojmë se më së shumti vërehen këto gjëra:
? Aty sulmohet ashpër idhujtaria e totemizmi, ashtu siç kritikohen ashpër edhe gënjeshtrat e banorëve të Mekës që ngulnin këmbë në idhujtari e totemizëm.
? Kur argumentonin dhe mbështeteshin në qëndrimet e baballarëve të tyre, ai u flet për respektin e njeriut që ata e cenonin me këta gurë e idhuj, si dhe i qorton ëndrrat e tyre dhe të baballarëve të tyre të cilët e kishin anashkaluar shikimin në vete dhe në horizonte të ajeteve të Zotit.
? Ai ua ka hapur sytë për t’i parë dëshmitë e të vërtetës në veten e tyre e në gjithësi, duke theksuar argumente të llojllojshme e të ndryshme, në bazë të të cilave ata do të bindeshin në monoteizmin e Zotit, në hyjninë dhe në besimin në ringjallje, në përgjegjësi, dhe në shpërblimin e drejtë e të saktë.
? Aty flitet për traditat e tyre të këqija, si p.sh., vrasja, derdhja e gjakut, mbytja e vajzave, prekja në nder dhe ngrënia e pasurisë së jetimëve.
? Aty sqarohen parimet e moralit dhe të drejtat e shoqërisë, qortohet kufri, mëkati, gjynahu, kaosi i injorancës, natyra e thatë, zemra e keqe, ashpërsia në fjalë, duke i nxitur ata që ta duan besimin, nënshtrimin, sistemin, diturinë, dashurinë, mëshirën, sinqeritetin, respektin ndaj të tjerëve, mirësinë ndaj prindërve, respektimin e fqinjëve, pastërtinë e zemrës, pastërtinë e gjuhës etj.
? Aty rrëfehen ngjarjet që u kanë ndodhur pejgamberëve dhe të dërguarve të mëparshëm me këshilla të bukura, me leksione të dobishme, si dhe konfirmohet se nga ligjet hyjnore kozmologjike është shkatërrimi i idhujtarëve, jobesimtarëve dhe se besimtarët dhe mirësia do të ngadhënjejnë, pa marrë parasysh se sa do të vonohet kjo gjë, përderisa ata kanë ndihmën e të vërtetës dhe besimit.
? Përmes sureve mekase, që janë të shkurtra e që kanë po ashtu edhe ajete të shkurtra, u drejtohet në mënyrë të thuktë banorëve të Mekës, sepse ata ishin elokuentë, të zotët e gjuhës dhe ekspertë në shprehje. Forma e tillë e thuktë në fjalë përputhej me natyrën e tyre gjuhësore.
? Ligji i urtësisë së lartë hyjnore caktoi që të shkohej në mënyrë graduale në edukimin e individëve, duke u dhënë përparësi gjërave më të rëndësishme. Nuk ka dyshim se besimi, morali dhe traditat janë forma të adhurimit dhe marrëdhënieve precize”.P46F47 Për sa u përket karakteristikave të ajeteve medinase, ai thekson:
? Aty bisedohet për saktësinë e ligjeve, detajet e parimeve dhe llojet e ligjeve qytetare, penale, luftarake, shoqërore, shtetërore, civile dhe llojet e ndryshme të ibadeteve e relacioneve. Për këtë, nëse dëshiron, shih suret Bekare, Nisa, Maide, Enfal, Kital…
? Aty ftohen në Islam ithtarët e librit, gjegjësisht çifutët dhe të krishterët. Po ashtu, zhvillohet polemikë rreth besimeve të tyre të kota, sqarohet bastardimi i së vërtetës nga ana e tyre dhe falsifikimi e Librit të Zotit, si dhe kërkohet prej tyre që të mbështeten te logjika dhe historia. Nëse dëshiron, shih suret Bekare, Ali Imran, Maide, Fet’h etj.
Më duket se kjo që u tha në këtë pjesë, rreth karakteristikave dhe veçorive të ajeteve mekase e medinase, është e mjaftueshme për t’i krahasuar ato me disa aplikime bashkëkohore të da’vetit, për të parë se sa mund të aplikohet një shkencë e tillë.
Aplikime praktike të shkencës së ajeteve mekase dhe medinase, si dhe të shkencës së astronomisë
Për sa i përket mënyrës së funksionalizimit të kësaj shkence në jetën tonë të da’vetit, mund të them se ne jemi të obliguar që ta analizojmë atë që dëgjojmë dhe që shohim në njoftimet e ndryshme informative, për t’i krahasuar metodat dhe temat e ligjëratave e të vazeve të tilla me metodologjinë kur’anore. Secili që largohet nga metoda kur’anore në da’vetin në Zot, do të dështojë.
Jam shumë i bindur se situata e shoqërive tona bashkëkohore, në Lindje e në Perëndim, nuk dallon shumë nga situata e shoqërisë mekase dhe medinase, kur në mesin e tyre u shpall Kur’ani Fisnik, me qëllim që ta përmirësonte jetën e tyre në besim, moral e shoqëri. Gjatë thirrjes në Islam, duhet të përqendrohemi në përdorimin e argumenteve shkencore dhe kozmologjike mbi ekzistimin e Zotit të Madhëruar, i Cili është i vetëm dhe nuk ka lindur. Ne duhet të përqendrohemi në estetikën e Islamit dhe në bukurinë e Krijuesit, Kreatorit, Formuesit dhe të Mençurit, që është i pastër nga të metat. Kjo bukuri hyjnore nuk mund të shihet përpos vështrimit dhe përsiatjes rreth krijesave rreth nesh, të cilat i ka krijuar Zoti i Madhëruar, pasi në këtë mënyrë shtohet besimi.
Në asnjë mënyrë nuk duhet të dalim në ndonjë tematikë tjetër, para se të përforcohet ideja dhe ëmbëlsia e besimit në zemrën e njeriut, pasi nëse veprojmë ndryshe, atëherë do të ishte sikur ta vilnim frytin para se t’i vinte koha që të piqej. Hadithi i transmetuar nga sahabi i njohur Muadh ibën Xhebeli, kur Pejgamberi a.s. e dërgoi në Jemen dhe ia tregoi mënyrat e da’vetit që duhet t’i aplikonte me ithtarët e Librit në Jemen, është argumenti më i mirë rreth kësaj çështje.
Biseda rreth parimeve të sheriatit, para përforcimit të besimit në zemër, është vetëm humbje kohe, punë e kotë dhe bie ndesh me metodën kur’anore dhe udhëzimin pejgamberik në da’vetin në Zot. Nëse ndokush pyet për urtësinë e da’vetit islamik në fillim të periudhës mekase, për ta përforcuar besimin e vërtetë në imanin në Zot dhe në Pejgamberin e Tij e jo edhe në tema të tjera përmirësuese, atëherë mund të themi se përgjigjja më e mirë e një analize të tillë do të ishte fjala e prof. Sejjid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!) në tefsirin e tij “Fi dhilalil-Kur’an”, posaçërisht në hyrjen e sures En’am, ku gjejmë këtë përgjigje të mjaftueshme e bindëse: “Ithtarët e Da’vetit në fenë e Zotit dhe në formimin e sistemit ku aplikohet kjo fe në jetën reale, duhet të qëndrojnë gjatë para kësaj dukurie të madhe, gjegjësisht në dukurinë e sfidimit të Kur’anit mekas gjatë trembëdhjetë viteve për ta përforcuar këtë besim, pa u ndalur në imtësirat dhe ligjet e këtij sistemi që do të aplikohen në shoqërinë islame. Urtësia e Zotit ishte ajo që caktoi si bosht temën e çështjes së besimit, që nga fillimi i mesazhit.
Pejgamberi a.s., në fillim të hapave të para të da’vetit, filloi me ftesën e njerëzve që të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut, t’ua mësojë njerëzve Zotin e tyre të vërtetë, me qëllim që të adhurojnë Atë e jo ndonjë tjetër…”
Them se ne duhet t’i risjellim këto të vërteta që mungojnë në ligjëratat tona, në shkrimet tona, në panelet tona, në simpoziumet tona, në derset tona dhe në diskutimet tona me të tjerët. Ne sot vërejmë situata dhe rrethana njësoj si ato që ishin në të kaluarën, në periudhën mekase. Në vazhdim do të përmend disa përvoja që i kam parë e që janë në kundërshtim me atë që na urdhëron e që na udhëzon sunneti i Pejagmberit a.s.
Kam parë shumë thirrës në Zot në vendet arabe, evropiane dhe te ne, në Gadishullin Ballkanik, gjegjësisht në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, në Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri e Serbi, që e kanë anashkaluar këtë të vërtetë të madhe në da’vetin në Zotin e Madhëruar. Madje të njëjtën gjë e kam hasur edhe në shtete të tjera të botës.
? Kam vërejtur se shumica prej tyre harrojnë ose qëllimisht bëjnë se harrojnë dhe e lënë anash, me qëllim ose paqëllim, të kuptuarit e natyrës dhe të karakteristikave të Kur’anit mekas.
? Gjatë takimeve të mia dhe gjatë programeve të tyre në video, të emetuara në rrjetin e internetit, kam vërejtur se shumica prej tyre flasin për gjëra anësore rreth Islamit, duke qëndruar larg çështjeve prioritare dhe të vërtetave të mëdha, në të cilat përqendrohej Kur’ani Fisnik dhe Pejgamberi a.s. në periudhën mekase, gjegjësisht larg asaj që kemi parë gjatë studimit të periudhës mekase e medinase (karakteristikave dhe tematikave të dy periudhave).
? Kam vërejtur se disa prej tyre kërkojnë aplikimin e ligjeve të sheriatit në sistemet e qeverive laike, – që janë në përgjithësi e në veçanti kundër Islamit, fshehurazi dhe haptazi, si në individë e në shoqëri, ashtu edhe në institucione e qeveri; – a thua se janë në fillim të një rruge me lule e karafila, e jo në fillim të një rruge të gjatë, të vështirë e të mbuluar plot pengesa e ferra.
? Shoh se prej muslimanëve që kanë besim të dobët, që bëjnë mëkate të mëdha e të vogla, që janë zhytur thellë në zina dhe në kamatë, që i dëmtojnë prindërit, që punojnë me ryshfet, që bëjnë tregti me lavire, bëjnë tregti me lëndë narkotike, nuk punojnë dhe merren me amoralitet, pra prej njerëzve të tillë ata kërkojnë që ta lëshojnë mjekrën, ta ndryshojnë pamjen e jashtme, të vishen ndryshe nga mënyra se si vishen në vendet e tyre, ta aplikojnë këtë metodologji dhe ta përhapin këtë kulturë nëpër institucionet, shkollat e kompanitë në të cilat punojnë, qoftë edhe nëse i dëbojnë nga puna apo shkolla në shtetet e tilla laike!
Pra, në vend që të thirrin në teube të sinqertë, në përforcimin e besimit me punë të mirë, në prezantimin e tyre në mexhlise shkencore, në mirësjellje ndaj prindërve e fqinjëve e të përmirësohen gradualisht lart e më lart, ata të mjerët, i thërrasin në përmirësimin e të dukshmes duke braktisur përmirësimin e të padukshmes! ? I kam parë duke i këshilluar njerëzit që t’i shkurtojnë teshat dhe pantallonat me pretekstin se veshjet tona janë veshje të perëndimorëve jobesimtarë. Pra, sipas tyre, dalja nga situata është veshja pakistaneze, afganistaneze ose arabe!!! Sipas tyre, kjo veshje është veshje islame që theksohet në Kur’an e sunnet!
? Njerëzit e tillë urdhërojnë ndryshimin e medhhebit juridik hanefi sunnit, të cilit i takojnë dhe të cilin e kanë trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit e tyre për të pranuar një medhheb tjetër të importuar! Ata argumentojnë se medhhebi hanefi është formuar në bazë të disa haditheve iluzore, se ai nuk është i mirë dhe se nuk duhet punuar sipas rregullave të këtij medhhebi!
? Një njeri, fjalës së të cilit unë i besoj, më ka treguar se ka parë disa të rinj të tillë ekstremistë duke u kacafytur me xhematin sunnit hanefit brenda xhamisë në një qytet kosovar, duke i akuzuar si jobesimtarë, të pafe dhe se namazi i tyre është i kotë dhe i papranuar!
? I kam parë dhe dëgjuar duke kërkuar prej femrave që të veshin mbulesën dhe të mbulojnë tërë trupin dhe fytyrën (ose nikab), sepse sipas tyre mbulesa e nënave të tyre, përveç duarve dhe fytyrës, është mbulesë jo sipas sheriatit dhe se ngjyra e vetme e mbulesës duhet të jetë e zezë, duke harruar se sheriati islamik, si mëshirë ndaj njerëzve, nuk ka folur për çështje të tilla duke i lënë të lirë njerëzit që të veprojnë sipas traditës së tyre në vendet ku jetojnë. Nuk ka asnjë tekst të sheriatit, as nga Kur’ani e as nga Sunneti, që përshkruan ngjyrën e mbulesës përpos disa kushteve, rregullave e gjërave të përgjithshme, që i kanë përcaktuar fukahatë dhe ulematë për hixhabin sipas sheriatit, që mbulesa të mos jetë e tejdukshme, atraktive, e ngushtë e as e hollë. Zoti e mëshiroftë Imamin dhe dijetarin e njohur Shejh Abdullah bin Bazin, i cili në një program “Nurun aled-derbi”, në radio Kur’ani Kerim në Arabinë Saudite, kur flet për dimensionin kulturor dhe tradicional, nga thellësia e zemrës thotë: “Mbulesa e gruas lindore dallon nga mbulesa e gruas perëndimore”. (Dhe këtë fetva ose këtë parim të sheriatit mund ta krahasoj me të gjitha llojet e mbulesave në botë, qoftë në Turqi, Malajzi, Britani,49 Amerikë, Australi ose Gjermani).
? Kam vërejtur se shumica prej tyre mbjellin fitne dhe urrejtje në mes grupeve të shoqërisë islame, duke importuar disa fetva nga disa vende arabe që bien ndesh me traditat aktuale, si p.sh., moslejimi i gruas për të vozitur në vendet evropiane apo moslejimi i pjesëmarrjes së saj në jetën e përgjithshme që lejohet sipas Islamit.P49F50 ? I kam parë duke i nxitur të rinjtë që të përdorin dhunën duke thyer e shkatërruar gurët e varrezave të muslimanëve e të jomuslimanëve, gjë që kërkoi intervenimin e menjëhershëm të forcave të rendit publik për të qetësuar zjarrin që ndiznin të rinjtë e tillë të edukuar, për t’i vendosur të këta rinj nëpër burgje e në lista të zeza.
? Kam vërejtur se shumica prej tyre i thumbojnë personalitetet e njohura historike, nacionale, politike, zyrtare e diplomatike të vendeve tona, gjë që krijon një reagim të ashpër nga qarqet qeveritare dhe hapje të proceseve e hetimeve në institucionet dhe simbolet zyrtare fetare në vend.
? Kam parë se si disa prej tyre kanë trilluar një formë të re të dhunës ndaj njerëzve, të jenë të ashpër, të dhunshëm e agresivë me muslimanët në vendet evropiane dhe në Gadishullin Ballkanik.
? I kam parë duke diskutuar në minbere çështje të sihirit, magjisë dhe pritjes së sihirit dhe ç’bën magjistari me të sëmurin.
? Ka edhe shumë e shumë situata të tilla të çuditshme e të dyshimta, të cilat s’është vendi të theksohen këtu hollësisht, dhe mendoj se mjafton vetëm kjo që përmenda deri këtu.
Them se ata përshpejtuan në pritjen e rezultateve të da’vetit të tyre dhe për fat të keq, rezultatet nuk ishin shpresëdhënëse për shkak se ata i mohonin këto të vërteta të da’vetit me njerëzit, që janë njësoj sikurse muslimanët e rinj të periudhës së Mekës.
Kjo ishte nga njëra ana, ndërsa nga ana tjetër, ata kundërshtonin dhe kritikonin thirrësit në fe dhe dijetarët e mëparshëm e më të vjetër në vendet e tilla, si dhe binin ndesh me traditat e zakonet e vendeve ku jetonin, dhe kështu misioni i tyre, paraprakisht, ishte e destinuar të dështonte, pa marrë parasysh se ata mendonin se gjoja bënin vepër të mirë. Unë nuk jam përqendruar vetëm në thirrësit që janë bij të kombit tim, por edhe në ata të territorit arab që veprojnë nëpër media e internet.
Dhe as të tillët nuk i gjeta në rrugë më të saktë e as më të mençur se ata që i përmenda pak më parë. Disa thirrës në fe, qofshin arabë ose joarabë, amerikanë, britanikë, apo lindorë në gjuhën angleze, flasin rreth xhinëve, sëmundjeve nga magjia, sihirit, rukjes, martesës me xhinë e njerëz, martesës me shumë gra, martesës së përkohshme, poligamisë, divorcit, bëjnë reagime të ashpra kundër bashkësive fetare e partive politike etj., dhe si duket, djalli ka gjetur mundësi të murmurojë në ta, sepse ata as që mund ta lëvizin përpara botën islame e cila ndahet, përçahet e copëzohet shumë e më shumë.
Besoj se mjafton kjo që theksova në faqet paraprake, rreth aktiviteteve të da’vetit që janë në kundërshtim me Islamin, sepse kemi vërejtur se botën islame e ka kapluar një dëm i madh për shkak të sjelljeve të tilla dhe injorancës së tyre nga mos leximi dhe moskuptimi i natyrës së Kur’anit mekas e medinas dhe mos përfitimit nga kjo shkencë.
Dhe tash, para përfundimit, do të dëshiroja të krahasoj gjendjen e atyre që u përmendën më sipër me udhëzimet e prof. Sejjid Kutubit, për t’iu treguar atyre dhe neve fshehtësinë e fillimit me besimin në da’vet, ashtu siç ishte në periudhën mekase, si dhe për të treguar kuptimin e vërtetë të dëshmisë: “S’ka zot tjetër përveç All-llahut”, të cilën e përjetuan arabët idhujtarë gjatë shpalljes, për të kuptuar arsyen se pse i rezistonin da’vetit islamik. Shejhu thotë: “Kjo çështje, që ishte në trurin e mbyllur njerëzor, nuk depërtoi lehtë në zemrat e arabëve. Ata e kuptonin gjuhësisht domethënien e fjalës “Zot” dhe domethënien “S’ka zot tjetër përveç All-llahut”. Ata e dinin se Hyjnia nënkuptonte pushtetin suprem. Ata e kuptonin se monoteizmi hyjnor i Zotit të vetëm nënkuptonte mënjanimin e pushtetit të sihirbërësve dhe udhëheqësve të fiseve, duke iu kthyer tërësisht Zotit.
Pushteti i tillë kishte të bënte me ndjenjat, me emocionet, me realitetin e jetës, me pronësitë, me gjykatën, me shpirtin e trupin. Ata e dinin se fjala: “S’ka zot tjetër përveç All-llahut” ishte revolucion kundër pushtetit në tokë dhe konsiderohej si një nga karakteristikat primare të Hyjnisë, ashtu siç ishte edhe revolucion kundër parimeve të nacionalizmit. Ky revolucion zhvillohej edhe kundër ligjeve të cilat Zoti i Madhëruar nuk i lejonte. Pra, për këtë arsye, ata e refuzonin ashpër këtë revolucion dhe i kundërviheshin me luftë, ashtu siç e dinë të gjithë njerëzit.
Pse ishte kjo pikënisje e këtij da’veti? Ku qëndronte urtësia e Zotit që e gjithë kjo të fillonte me ashpërsi aq të madhe?
Them se ku janë ata vëllezër e thirrës që e kuptuan këtë të vërtetë? Pse thirrësit e tillë i përshpejtojnë rezultatet brenda ditës? Pse e refuzojnë metodën e tillë kur’anore? Apo ende ndjekin epshin e tyre? Si qëndron puna me ata thirrës që refuzojnë të kuptuarit e fshehtësive të da’vetit dhe edukatës nga shkenca e ajeteve mekase e medinase, si dhe mos përfitimin e dobive nga karakteristikat dhe metodat e periudhës mekase e medinase? Ku është ai nivel i lartë intelektual gjatë punës së tyre me njerëzit? Cila është e vërteta e ligjëratave të tyre fetare në da’vet? Apo thirrësit janë në një anë, e njerëzit në anën tjetër? Vetëm dijetarët i kuptojnë të vërtetat e tilla të da’vetit, që janë të zhdukura e të harruara.
Pastaj, vazhdon prof. Sejjid Kutubi, duke shqyrtuar dhe analizuar leksionet e tilla (tre mundësitë), të gjithë ne që punojmë në da’vetin islamik, pa marrë parasysh gjuhën apo shtetin, duhet t’i kuptojmë këto të vërteta historike të da’vetit në Zot.
Po ashtu, është e sigurt se do të dështojnë dhe do të pësojnë disfatë të gjithë ata që janë larg metodologjisë kur’anore në da’vet të të dyja periudhave, mekase e medinase, dhe ata që nuk përfitojnë nga leximi, kuptimi, përsiatja e komentimi i Kur’anit Fisnik.



SHQYRTIMI ANALITIK I FUNKSIONALIZIMIT TË SHKENCAVE TË KUR’ANIT NË DA’VET (Shembull konkret – shkenca e ajeteve mekase dhe medinase)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi