Tri përmbajtjet thelbësore të KURBAN BAJRAMIT

Jemi në prag të festës së madhe të Kurban Bajramit. Së shpejti do të kemi rastin t'i përjetojmë begatitë dhe dhuratat e tij të mëdha.

Falënderojmë Zotin që na e bëri të mundur t'i presim edhe njëherë këto ditë të mëdha të festës së Kurban Bajramit. Kurban Bajrami është festa e muslimanëve, është festa e një miliardë e gjysmë njerëzve të botës.

Të kremtuarit e këtyre ditëve na përkujtojnë ditët e lavdishme të se kaluarës se ndritshme Islame dhe nxisin besimtarët muslimanë në angazhime më të vendosura, për detyra më të reja dhe energji më të mëdha në organizimin dhe krijimin e një ardhmërie të mirë e të lumtur.

Kur'ani, Haxhi dhe Kurbani janë përmbajtje themelore të Kurban Bajramit, të cilët paraqesin tri ideale të larta Islame. Kur'ani paraqet arsimimin dhe devotshmërinë, Haxhi solidaritetin reciprok dhe Kurbani - sakrificën për të tjerët.

Prandaj porosia e parë e këtij bajrami për të gjithë besimtarët musliman është të kërkuarit e diturisë dhe shfrytëzimi i mendjes dhe i trurit nga ana e tyre. Feja Islame, edhe në burimet e saja fetare por edhe në traditën historike, shumë qartë e ka theksuar faktin që faktori intelektual është mbartës i afirmimit të njeriut në çdo aspekt të jetës së tij. Jo vetëm kaq, por edhe fuqia e fes në Islam matet me arsye. Profeti ynë, Muhammedi a.s. thoshte:
"Feja e një njeriu është arsyeja e tij, ai që nuk ka arsye nuk ka fe."
Kur'ani dhe Muhammedi a.s. lavdërojnë çdo punë fizike mendore që i sjell dobi individit, familjes bashkësisë, shtetit, njerëzimit. Janë disa citate të cilat do të bëjnë të qartë obligimin e muslimanëve për punë fizike e mendore (për shkencë, filozofi, tregti, zanate, bujqësi etj.)
"Thuaj, o Muhammed, a mund të jenë njësoj ata që dinë me ata që nuk dinë."
"Allahun e kanë frikë nga robërit e Tij vetëm shkencëtarët."
"Shkencëtarët janë trashëgimtarët e profetëve të Zotit."
"Në ditën e gjykimit do të matet ngjyra e lapsit të dijetarit me gjakun e dëshmorit - shehidit."

Konstatimi që "Shkenca dhe të mësuarit është farz - detyrim për të gjithë pjesëtarët e Islamit" (Ibni Maxhe), vë në dukje vlerën e madhe të thirrjes Islame për këtë, aktivitetin më human dhe më të rëndësishëm të të gjithë njerëzve. Kërkimi i diturisë, mësimi dhe studimi është aktiviteti më i pëlqyeshëm i cili nuk duhet të pushojë deri në fund të jetës. Thirrja për arsimimin e gruas është thirrja e parë në histori që me dituri duhet të armatoset njësoj si mashkulli dhe femra. Ky që një hap deri te barazia e plotë midis mashkullit dhe femrës.

Lidhur me çështjen në fjalë dhe situatën që po kalon Shqipëria duhet vënë në dukje gjithashtu edhe rolin e intelektualëve me qëllime dhe vullnete të mira.
Ata janë shpresa më e madhe e njerëzimit. Sikurse është thënë, dijetarët - intelektualët janë kripa e kësaj bote, në qoftë se prishet kripa, do të prishet bota. Ata janë zemra e kombit ! Nga intelektualët kërkohet të flasin më shumë, duhet të dëgjohet zëri i tyre, mendimi dhe qëndrimi i tyre, sepse kjo është në dobi të të gjithë njerëzve. Në qoftë se ata heshtin, hesht njerëzimi ose flasin ato që nuk janë kompetent. Shenjë e shkatërrimit të kësaj bote është kur flet injoranti ndërsa hesht i mençuri. Mendimet e intelektualit nuk duhet të jenë të programuara me interesat e individëve apo grupeve madje as me interesat personale. Ata duhet të flasin për hir të së vërtetës dhe drejtësisë, për hir të atdheut, kombit dhe ata duhet të jenë inkurajuesit dhe luftëtarë të këtyre idealeve. Kështu u shpreh Pejgamberi a.s. duke thënë që :
"Kontributi më i madh që i bëhet të vërtetës është që njeriut të padrejtë t'ia thuash të vërtetën në fytyrë." Po ashtu Muhammedi a.s. tha: "Pasardhësit e mi do të përparojnë dhe me ta do të jetë ndihma e Allahut gjithnjë derisa mbartësit e pushtetit nuk u nënshtrohen (nuk dëgjojnë fjalën) bartësve të diturisë (intelektualëve)."

Të kuptuarit drejtë të domethënies së dispozitave dhe institucioneve Islame në mënyrë të domosdoshme kërkon arsimim. A është e mundur, vallë, që një njeri i paditur të kuptojë domethënien e lartë të dispozitave Islame, me të cilat admirohen edhe shkencëtarët më të mëdhenj. Islami është fe e jetës, i cili gjithmonë zhvillohet, shkon përpara duke e ndërruar stilin dhe formën e vet. Çdo musliman e muslimane në përgjithësi dhe të rinjtë e të rejat në veçanti u duhet patjetër të pranojnë e përvetësojnë shkrim - leximin, arsimimin dhe shkencën, si mjete të domosdoshme për afirmimin më fisnik dhe progresin jetësor në gjirin e fesë së tyre të lartë.

Porosia e dytë e Kurban Bajramit është Haxhi dhe ne përsëri jeni në ditën e tij. Përsëri jemi dëshmitarë të mbajtjes së manifestimit numerikisht më të madh njerëzor që mban mend historia. Miliona njerëz nga vendet më të ndryshme të botës, dhe me mund e sakrifica të mëdha, u nisën në udhëtimin më të gjatë dhe më të dashur, udhëtimi i cili shpie në takim me Zotin, historinë dhe njeriun. Haxhi i këtij viti është takimi i 1417-të i muslimanëve nga gjithë bota.

Më se 14 shekuj muslimanët nga të gjitha anët e botës i përgjigjën thirrjes së Allahut dhe me nxitim nisën me mjetet më të përshtatshme drejt Qabes të cilët i ngjajnë rrjedhës së një deti në të cilin nga të gjitha anët derdhën lumenjtë të vegjël e të mëdhenj.

Haxhi, sikurse e thamë, është manifestimi unitetit, harmonisë dhe vëllazërisë së vërtetë Islame. Sipas dispozitave fetare të gjithë haxhinjtë gjatë kohës së bërjes së haxhit, kanë të njëjtën uniformë (ihramin) dhe që të gjithë pavarësisht nga profesioni, pozita e klasa, kanë të drejta të barabarta, për të hyrë në faltoren e Zotit në Qabe. Titujt e nderit dhe famës së kësaj bote aty nuk merren parasysh, jo më t'i jepet vendi i parë, para dyerve të mëshirës se Zotit të gjithë janë të barabartë. Aty në mënyrë të veçantë manifestohen fjalët kur'anore: "Besimtarët janë vëllezër". Ndoshta vetëm në këtë vend dhe vetëm në këtë rast mund të shohim si ofiqarët e lartë musliman të vendeve të ndryshme futen në bashkësi me të tjerët. Këtu na jepet shembulli më i mirë se si njerëz me ngjyrë, gjak dhe gjuhë të ndryshme mund të jenë vëllezër kur në mjedisin e tyre i japin pak më shumë vend njerzishmërisë dhe të menduarit. Këtu mund të shihet mirë se si muslimanët Rusë, Kinezë, Japonezë, Shqiptarë etj. Në mënyrë vëllazërore i shtrëngojnë dorën njëri - tjetrit dhe me lot në sy përqafohen. Ata bëjnë kështu sepse gjenden në vendin ku egoizmi dhe interesat materiale të kësaj bote nuk kanë ndikim, ku flet ndërgjegjja e pastër, zemra e pastër dhe morali i pastër ku vëllazëria dhe paqja nuk lidhën me fjalë dhe kushte, por me ndjenjën e sinqertë të zemrës së kalitur me shkencën e pastër Islame.

Këtu njeriu ka rastin më të mirë që të njihet me popujt e tjerë dhe me kushtet e tyre, ndërsa nëpërmjet njohjeve të tilla reciproke duhet të vijë deri te solidariteti i ndërsjellë për të cilin gjithmonë ka nevojë të domosdoshme populli. Allahu xh.sh. në Kur'an thotë: "O njerëz. Ne ju kemi krijuar juve prej një mashkulli dhe një femre dhe ju kemi bërë të ndarë në popuj që të njiheni mes vete.. Më i miri tek Allahu është ai i cili bën vepra të mira." (huxhurat, 13)

Fjalimi i fundit i Muhammedit a.s. në Haxhin lamtumirës është një mesazh i mirë edhe për popullin shqiptarë dhe për gjendjen nëpër të cilin ai po kalon.
Duke festuar Bajramin ne i konfirmojmë dhe i përtërimë këto porosi dhe qëllime të larta, duke sakrifikuar çdo gjë, për të mirën, paqen, harmoninë dhe mirëqenien ndërnjerzore. Meqë flasim si muslimanë atëherë duhet të nisemi nga vetja, duhet të dimë cilat janë themelet paqes sonë si e përjetojmë atë dhe si arrijmë deri te përbërja shpirtërore e paqes në vete. Përndryshe paqe të vërtetë nuk do të ketë përderisa paqja nuk ngadhënjen qenien njerëzore. , përderisa nuk bëhet dimensioni shpirtëror i njeriut. E kjo do të arrihet kur të jetojmë plotësisht sipas dispozitave të Zotit xh.sh.. Nëse nuk e përfillim fjalën e Zotit xh.sh., nëse krahas ligjeve njerëzore nuk përfillim edhe ligjet hyjnore dhe normat e përcaktuara në to, do të jemi të detyruar t'i përjetojmë sanksionet e ligjit natyror si ndëshkim dhe goditje paralajmëruese për moszbatimin e ligjit të parë. Këtë e shpjegon qartë Muhammedi a.s. duke thënë: "Pesë për pesë. Kur një popull nuk e kryen obligimin ndaj Zotit, Ai do t'ju dërgoj armikun për sundimtar. Në qoftë se gjykojnë ndryshe nga ajo që ka urdhëruar Zoti, do t'ju shfaqet varfëria. Kur të përhapet në popull imoraliteti e prostitucioni, pritni shtimin e sëmundjeve e të vdekjeve. Nëse heqin në peshë (mashtrojnë në peshë), nuk do të ketë bereqet në të mbjellura dhe do të jetë vit i lig. Dhe kur të pengojnë dhënien e zeqatit, do t'i zënë thatësia."
Çështja e paqes dhe e pajtimit të njerëzve është çështje e shpirtit njerëzor. Paqja e vërtetë ekziston në shpirtrat e njerëzve o nuk ekziston fare. Marrëdhëniet reciproke në mes njerëzve janë pasqyrë dhe reflektim i cilësive shpirtërore e morale. Ajo që zihet dhe vlon në shpirtin e njeriut patjetër do të shfaqët në veprat dhe raportet ndërnjerëzore. Atje ku ka paqe në shpirt atje është e vendosur, ndërsa atje ku nuk ka paqe në shpirt atje duhet mbrojtur. Nuk duhet filozofi e madhe për të treguar sa e keqe është një luftë. Vetëm një përfytyrim i një lufte të mundshme është i mjaftueshëm për ata që kanë mend, të kuptojnë sa fisnik është ai zë i cili ngrihet në mbrojtje të paqes dhe marrëdhënieve të mira ndërmjet popujve, feve dhe racave të ndryshme.
Antagonizmat që lindin në mes besimtarëve të feve të ndryshme tregojnë për mosnjohjen e fesë. Ata të cilët kanë raporte të tilla antagoniste, nuk e kanë kuptuar esencën e fesë, shpalljen e urdhëresave e porosive dhe ligjeve të Zotit të cilat kanë zbritur sipas etapave në pajtim me zhvillimin shpirtëror e intelektual te njerëzit.

Edhe e ardhmja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, në mënyrë të veçantë e Shkodrës dhe e shkodranëve do të jetë e lumtur, në qoftë se pjesëtarët e fesë Islame, Katolike e Ortodokse do të përqafojnë e të përvetësojnë secili fenë e vetë me dije e vepër dhe të respektojnë fenë e tjetrit me sjellje të mira.
Si vëllezër nga gjuha, por edhe si besimtarë musliman e të krishterë duhet ta kuptojmë njëherë e përgjithmonë se realiteti dhe fati jo vetëm i yni, por i gjithë botës, që nga fillimi e deri në mbarim të saj është larmi besimesh. Ky është vullneti i Zotit dhe cili musliman apo i krishterë do ta merrte guximin të ngrihej kundër vullnetit të Zotit. Njeriu është vepër madhore e Zotit, shkatërrim për atë që cenon nderin dhe dinjitetin e veprës së Tij. Shqiptarët nuk do të kenë përçarje fetare përderisa të besojnë se fetë në Shqipëri janë pasuri e jo fatkeqësi dhe se Zoti i vetëm është për të gjithë i njëjtë.
Ardhmëria e njerëzimit është në maksimën : "Beso Zotin dhe bën vepra të mira".

Duke i festuar ditët e madhnueshme të Bajramit ne përkujtojmë sakrificat e mëdha që janë bërë gjatë historisë për realizimin e atyre qëllimeve e synimeve sublime të jetës njerëzore. Për parimin e bashkëjetesës, për atë që të realizohet atmosfera e lirisë dhe e dashurisë, shumë popuj të botës kanë dhënë sakrifica të mëdha. Pa sakrifica nuk mund të ketë as vepra të mëdha. Njerëzit do të bëhen të shquar dhe të pavdekshëm vetëm nëse janë të gatshëm të sakrifikojnë, ndërsa popujt bëhen të mëdhenj dhe të fuqishëm vetëm nëse stolisën me virtyte e ndjenja sakrifikuese për të mirën e përgjithshme për të mirën e kombit të atdheut.

Ditët e gëzuara të këtij bajrami na përkujtojnë Ibrahimin, Ismailin a.s. dhe gatishmërinë e tyre për të sakrifikuar çdo gjë për hir të Zotit dhe veprës së mirë.

Vendosmëria e Ibrahimit të bëje sakrificë dhe gatishmëria e Ismailit të bëhet sakrificë, ka qenë sprovë shumë e madhe dhe e pa precedent në histori. I gatshëm të flijoj djalin, lindja e të cilit ka qenë fryt i lutjes dhe i shpresës modeste në pleqëri, gëzim i pritur gjithë jetën. Dhuratë e Zotit që duhej kthyer Zotit. Ta bësh kurban atë, mendja njerëzore do të thoshte ta presësh palmën e gjelbër që shkretëtirës së vdekur i premton shpresë në zgjatjen e jetës, ndërsa për mendjen profetike do të thotë të vërtetuarit e nënshtrueshmërisë ndaj përcaktimit të Zotit.

Kjo është ngritja e njeriut deri tek dashuria më e lartë, dashuria që shkrin çdo dashuri tjetër, deri te vullneti i çeliktë i cili eviton çdo gjë që rrezikon dorëzimin e plotë ndaj Zotit. Ai na jep çdo të mirë, e në shenjë mirënjohjeje falim namazin dhe presim kurbanin. Ai që nuk na do të mbetet i pa përkujtuar, ndërsa përkujtimi i ynë është Ibrahimi për brezat e vonshëm.
Nga sa u tha më lartë, mund të përfundojmë që sakrifica është ajo rruga kryesore, e cila çon te mëshira e Zotit, pse jo edhe te miqësia e Zotit, ashtu si e fitoi Ibrahimi a.s. dhe u bë Halilullah (Mik i Allahut).

Çdo musliman e ka për detyrë të ndjekë këtë rrugë, rrugën e atyre prijësve shpirtërorë të cilët i ndihmuan popujt e tyre sa herë që ata e sillnin vetën buzë greminës. Rrugën e profetit të Zotit Muhammedit a.s.i cili thoshte se drejtimi i popujve është amaneti dhe përgjegjësia më e madhe në këtë bot dhe se popujt kanë ë prijës ata që i meritojnë.

Trashëgimtari i parë i Muhammedit a.s. Ebu Bekri r.a. duke pasur para sysh këtë, ju drejtua populli dhe i tha: "Më vendosët si udhëheqës tuajin, por kjo nuk do të thotë se unë jam më i miri prej jush. Në qoftë se do të punoj mirë, më ndihmoni, nëse gaboj më korrigjoni. Jini të bindur ndaj meje derisa unë i bindëm Zotit dhe Profetit të Tij. Në qoftë se unë heq dorë nga ajo bindshmëri, më braktisni edhe ju mua".

Një halif tjetër Malik Ibn Hervan i nxitur nga halifet e mëparshëm, tha: "Njerëzit më të mirë janë ata të cilën falin kur kanë mundësi të dënojnë, të cilët janë modestë kur janë në pozita të larta, dhe kur janë në piramidën e pushtetit sillën me drejtësinë më të madhe.


Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi