Agjërimet e ndaluara
Agjërimi sa do që është i dobishëm e me shumë sevape, jo gjithmonë është i lejuar për t’u bërë. Nganjëherë është haram me agjëruar e nganjëherë mekruh.
Është e ndaluar (haram) me agjëruar ditën e parë të Fitër-Bajramit dhe katër ditët e Kurban-Bajramit. (Dita e dytë, e tretë dhe e katërt e Kurban-Bajramit quhen “ejjami teshrik”). Ditët e bajrameve janë ditë gëzimi, prandaj atë ditë duhet bashkuar familjes në sofrën e stolisur me begatitë e Allahut të Gjithëmëshirshëm. Ukbe bin Amiri transmeton një hadith nga Pejgamberi (a.s.): “Dita e Arefatit, dita e Fiter-Bajramit, dita e Kurban-Bajramit dhe ditët e teshrikut janë festat tona të myslimanëve. Këto janë ditë gostie dhe përmendjeje të Allahut xh.sh.!” (Transmeton Buhariu, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu). Gjithashtu, lidhur me këtë ndalesë ka edhe një transmetim nga Said El-Hudarij kur thotë: “I Dërguari i Allahut ndaloi agjërimin në këto dy ditë: në ditën e Fitër-Bajramit dhe të Kurban-Bajramit!”.
Agjërimi i tërë vitit përveç ditëve të ndaluara. Natyrisht që kjo e dobëson njeriun përkatës për kryerjen e detyrimeve fetare dhe të përfitimit material me të cilin edhe jeton, megjithëse, nëse këto nuk paraqesin pengesa ai edhe mund të agjëroj, por me këtë rast është mekruh tenzihij.
I ndaluar është, gjithashtu, edhe agjërimi i njëpasnjëshëm (visal) e që është agjërimi i dy a ma shumë ditëve pa bërë iftar fare në mes tyre. Hz. Aisheja, ka thënë: “Nga dhembshuria për myslimanët, i Dërguari i Allahut e ka ndaluar agjërimin e njëpasnjëshëm (të pandërprerë)!”. (Transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).
Agjërimi i ditës së dyshimtë
(jeumush-shekki)
Dita e dyshimtë (jeumush-shekk) është dita e tridhjetë e muajit Shaban, pas të cilës pason Ramazani. I Dërguari i Allahut (a.s.) e ka ndaluar agjërimin e asaj dite. Ja se ç’rrëfen Amar bin Jasiri: “Kush agjëron ditën e dyshimtë-shekk, del kundër Pejgaberit (a. s.)!”. Pejgamberi (a. s.), gjithashtu, ka thënë: “Askush prej jush të mos agjërojë një ose dy ditë para Ramazanit, vetëm nëse ka ndonjë agjërim që ka filluar edhe më herët, atëherë ai le të agjëroj!” (Transmeton Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu). Pra, nëse ndokush e ka ndonjë agjërim që e ka mbajtur prej kohësh dhe ky agjërim bjerë në ditën e dyshimtë-shekk, nuk ka ndonjë të keqe nëse e mbanë. Ose, ata të cilët kanë vendosur që t’i agjërojnë tre muajt e mëdhenj (ata i agjërojnë muajt Rexheb dhe Shaban duke i parapri kështu Ramazanit), nuk ka të keqe edhe po që se e agjërojnë ditën e dyshimtë-shekk.
Agjërimi i femrave me të përmuajshme dhe lehona
Gjatë kohës kur femra është me të përmuajshme (menstruacione) ose pas lindjes-lehonë, ajo nuk duhet të falë namaz e as të agjëroj. Por, në qoftë se agjërimi ka rastis të jetë i Ramazanit, atëherë ato ditë duhet t’i kompensojë pas Ramazanit në një kohë të përshtatshme, kurse namazin nuk ka nevojë që ta bëjë kaza. Në këtë kuptim është edhe rivajeti i Muadhit kur e kishte pyetur hz. Aishen se pse femra me menstruacione e bënë kaza agjërimin e jo edhe namazin, ajo i kishte thënë: “Kur ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut, kur unë isha me të përmuajshme, më thoshte ta bëja kaza vetëm agjërimin, kurse për namazin nuk më pati thënë gjë!”. (Transmeton Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ahmed b. Hanbeli).
Agjërimi vetëm i ditës së xhuma
Dijetarët kanë konfirmuar se është mekruh sikur të agjërohet vetëm ditën e xhuma (e premte), sepse ajo është ditë feste e myslimanëve. Pejgamberi (a.s.) në një hadith ka thënë: “...dhe mos e caktoni vetëm ditën e xhuma për agjërim. Por, po që se dikush nga ju mban një agjërim që e ka bërë traditë, kjo përjashtohet!“. (Transmeton Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).
Mekruhet gjatë agjërimit
• Përdorimi i misvakut gjatë kohës së agjërimit është mekruh. Madje, në qoftë se misvaku është i lagur e që mund edhe të shkojë në fyt, kjo nuk është e lejuar, sepse kjo e prish agjërimin. Është e vërtet se goja (dhëmbët) duhet pastruar, mirëpo, më mirë është që kjo të bëhet pas iftarit dhe para imsakut, me se e largojmë çdo dyshim eventual.
• Gjatë marrjes së abdesit ose gjatë larjes trupore nuk duhet tepruar duke futur ujë në gojë ose në hundë, prandaj me këtë rast duhet treguar kujdes meritor, se në të kundërtën është mekruh. Edhe tejshpenzimi i ujit duke marrë abdes ose duke u larë është mekruh.
• I lejohet gruas ta shijoj me maje të gjuhës ushqimin që e ka përgatitur për familjarët ose për foshnjën e saj për krip ose për shije, duke pas kujdes që të mos e gëlltis teposhtë dhe atë nëse nuk ka njeri tjetër në shtëpi që nuk është duke agjëruar me arsye.
• Nëse personi që është duke agjëruar dëshiron me dhënë gjak, por ka frikë se kjo e dobëson sa detyrohet ta prishë agjërimin, me këtë rast dhënia e gjakut është mekruh. E, në qoftë se nuk e dobëson, nuk është mekruh. Natyrisht, më mirë do ishte sikur dhënien e gjakut ta linte pas iftarit.
• Është mekruh që personi i cili nuk ka siguri të mjaftueshme në vetvete për t’u përmbajtur në një kufi të caktuar, ta puth apo ta përkëdhel bashkëshorten e tij. Pasiguria mund të rezultojë me ejakulim, dhe rrjedhimisht me prishje me dashje të agjërimit, ditë këtë të cilën duhet kompensuar. Puthja nuk është mekruh për atë që është i sigurt se mund ta kontrolloj vetveten. Transmeton Ebu Hurejreja se me një rast ka vajtur dikush te Pejgamberi (a. s.) dhe e ka pyetur nëse i lejohet përqafimi dhe përkëdhelja e bashkëshortes nga ana e agjëruesit, për se ai e ka lejuar. E kur njëjtë e ka pyetur dikush tjetër, atij ia ka ndaluar. Atij që ia ka lejuar ka qenë i shtyrë në moshë, kurse ai që ia ka ndaluar ka qenë i ri.
Kush lirohet nga agjërimi
Ka disa raste kur njeriu lirohet nga agjërimi, sepse Ligjdhënësi/Allahu (xh. sh.) ashtu e ka parapa:
- Sëmundja - është një prej atyre rasteve, kur njeriu lirohet nga agjërimi, nëse ajo e dëmton agjëruesin e sëmurë ose ia vonon shërimin, kështu që me këshillim të mjekut specialist të fushës dhe të përkushtuar në fe, ai lirohet nga agjërimi, me kusht që ditët që ka prishur t’i kompensojë (kaza) më vonë, kur të shërohet.
- Udhëtimi - për shkak të vështirësive që paraqet udhëtimi. Pra, në qoftë se një person është i detyruar të udhëtojë duke agjëruar, dhe kjo për të paraqet vështirësi të konsiderueshme, ai mund të mos agjërojë, sepse, në të kundërtën, kjo mund ta shpjerë në rrezik jete.
Udhëtimi i ligjshëm që e justifikon mosagjërimin është ai që i shkakton mundime e vështirësi personit, që e ka bërë nijet të arrijë në një vend, largësia e të cilit është 90 km e më tepër dhe i cili ka vendosur që atje të qëndrojë më pak se 15 ditë. Ditët e paagjëruara gjithsesi duhen agjëruar më vonë kaza. Allahu (xh. sh.) ka thënë në Kuran:
“...e kush është i sëmurë ose në udhëtim, (le të agjërojë) aq (ditë) nga ditët e tjera.” (Bekare, 184)
- Të përmuajshmet e grave dhe lehonia: Gjatë kohës kur femra është me të përmuajshmet e veta ose në kohën e lehonisë, jo vetëm që lirohet, por madje nuk i lejohet të agjërojë dhe as të falë namaz. Në qoftë se kjo gjendje ka ndodhur në ditët gjatë Ramazanit, atëherë ato ditë duhet t’i kompensojë pas Ramazanit në një kohë të përshtatshme, kurse namazin nuk ka nevojë ta plotësojë. Hazreti Aishja me një rast tjetër ka thënë: “Kur ne gratë e familjes së Profetit ishim me zakonet e grave (të përmuajshmet) ose lehoni, Profeti na urdhëronte të mos agjëronim dhe të mos e falnim namazin, e pas pastrimit prej tyre, na urdhëronte ta bënim kaza agjërimin e jo edhe namazin!”
- Shtatzënësia dhe ushqimi me gji (mëkimi). Gratë shtatzëna dhe ato që janë mëkuese, me qëllim që të mos dëmtohen vetë, si dhe fëmijët e tyre, përfitojnë nga leja për të mos agjëruar. Mirëpo, ditët e paagjëruara duhet t’i plotësojnë pas përfundimit të mëkimit.
- Pleqëria. Nëse njeriu është i moshuar dhe nuk mund ta përballojë dot agjërimin, ose e përballon por me shumë shqetësime e vështirësi, atij i lejohet mosagjërimi.
Në realitet, ata do të duhej që së paku tri ditë të fillojnë të agjërojnë dhe të binden se nuk mund ta përballojnë, madje as në stinën e dimrit, kur dita është dukshëm më e shkurtër. E pra, pasi vërtetohet se ata nuk kanë mundësi as ta bëjnë detyrimin kaza, atëherë detyrohen me shpërblesë (të ushqejnë një të varfër, ushqim njëditor me dy vakte dhe me masë të caktuar) që i jepet një të varfri për çdo ditë të cilën nuk e ka agjëruar. Allahu (xh. sh.) me Kuran na ka urdhëruar:
“E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim njëditor një të varfri...” (Bekare, 184).
Ndërkaq, nëse ai vetë është i varfër dhe nuk ka mundësi për shpërblesë (fidje), atëherë nuk ka kurrfarë detyrimi. "Ky ajet, njëkohësisht, ka të bëjë edhe me të sëmurin nga një sëmundje për shërimin e së cilës nuk ka shpresë...”- siç ka thënë Ibni Abbasi r.a..
Pra, këtu duhet pasur kujdes se nga agjërimi lirohet plaku ose plaka të shtyrë në moshë, për shkak të pleqërisë dhe i sëmuri pa shpresa për shërim. Mirëpo, në qoftë se i sëmuri nuk ka agjëruar dhe në fund të Ramazanit e ka paguar shpërblesën (fidjen) e pas një kohe është shëruar, ai duhet që ditët që nuk i ka agjëruar t’i bëjë kaza, sepse i është krijuar mundësia për agjërim.
- Ballafaqimi me armikun në luftë. Në qoftë se agjërimi e dobëson agjëruesin, i cili duhet të ballafaqohet në fushëbetejë me armikun, atëherë atij i lejohet të mos agjërojë. Kjo për faktin se interesi i përgjithshëm ka përparësi ndaj atij individual dhe se këtë të dytin mund ta realizojë edhe më vonë. Ditët e paagjëruara duhet të bëhen kaza.
- Prishja e agjërimit për shkak të presionit-dhunës fizike. Nëse agjëruesi kërcënohet me jetë ose lëndim të rëndë trupor ose këputje gjymtyre nëse nuk e prish agjërimin (kur e ka të detyrueshëm-farz), atij i lejohet edhe ta prishë e më pas duhet bërë kaza.
- Puna e rëndë fizike. Ka punëtorë të cilët janë të detyruar të kryejnë punë të rënda fizike, ose të rrezikshme për jetën, siç është puna në miniera, në metalurgji, ose në termocentrale, sidomos ditëve të gjata e të nxehta të verës. Të tillët duhet ta provojnë agjërimin, por nëse nuk kanë mundësi për ta përballuar, ose kanë frikë se do t’u rrezikohet jeta, dhe ekzistenca e familjes varët nga djersa e tyre, atëherë iu lejohet mosagjërimi dhe ditët e paagjëruara duhet t’i bëjnë kaza gjatë ditëve kur të kenë mundësi.
Kazaja e ditëve të prishura nuk është kusht të bëhet pa ndërprerje dhe, nga ana tjetër, kur njeriut i ofrohet mundësia duhen përmbushur sa më parë, e jo t’i vonojë pa nevojë. Borxhi ndaj Zotit duhet të paguhet sa më shpejt që është e mundur. Transmetohet nga Ibni Omeri (r. a.) sesi Pejgamberi (a. s.) ka thënë:
“Kompensimin (kazanë) e Ramazanit nëse dëshiron e agjëron ndaras, e nëse dëshiron i bashkon”. (Darekutni)
Ngjashëm transmeton edhe Buhariu sesi Ibn Abasi kishte thënë: “Nuk prish punë nëse kompensimi i Ramazanit bëhet me ndërprerje.”
Edhe disa dispozita rreth agjërimit
• Për t’u liruar nga agjërimi, udhëtari duhet ta ketë vendos bindshëm para imsakut se do udhëtoj dhe niset në udhëtim. Kjo, sepse, nëse niset të udhëtoj para ose pas dite, nuk i lejohet prishja e agjërimit. Ndërkaq, kur është fjala për të sëmurin, rregulli i mësipërm ndryshon, sepse i sëmuri edhe nëse ka filluar në agim të agjëroj, por më vonë e ka kapluar sëmundja, ai mund ta prish dhe të mos agjëroj. Dallimi është evident, sepse udhëtari mund ta shtyjë udhëtimin e tij, sepse ajo varët nga ai, kurse i sëmuri nuk mund ta evitojë sëmundjen e tij, sepse ajo i vjen edhe përkundër dëshirës së tij.
• Nëse personi është duke i kompensuar (agjëruar kaza) ditët e paagjëruara të Ramazanit, është mekruh me e prish ndonjë ditë për shkak të ndonjë gostie, kurse gjatë agjërimit vullnetarë edhe mund të mos agjëroj, nëse është i sigurt se do ta kompensojë, në të kundërtën jo.
• Nëse pabesimtari e pranon fenë islame ose i mituri hynë në pubertet gjatë një dite të Ramazanit, ata duhet ta plotësojnë atë ditë të Ramazanit, por jo edhe ditët tjera të kaluara, sepse nuk kanë qenë të obliguar.
• Nëse gruas i shfaqën të përmuajshmet (hajdi) gjatë ditës sa është agjërueshëm, në veçanti nëse i ndodh në fillim të ditës, ajo duhet menjëherë ta prishë, sepse nuk guxon me agjërua për faktin se ibadeti nuk bëhet në gjendje të papastër. Nga ana tjetër, udhëtari që kthehet nga udhëtimi joagjërueshëm, ose femra që pastrohet nga menstruacioni gjatë ditës, që të dy nuk duhet të hanë atë ditë deri në mbrëmje.