(Trajtim juridik sipas shkollës hanefite)
Ligjësimi i sadakatul fitrit dhe dispozita e saj
Nocionin "sadakatul fitri"(1) në literaturën përkatëse të jurisprudencës Islame, shpeshhere e gjejmë edhe me nocionin "zekatul fitri" me të njëjtin kuptim. Sadakatul fitri, siç e përshkruan Imam Kasani në veprën e tij "Bedaiu es-sanai" është sadaka e obliguar për kokë të njeriut(2)
Dispozita e sadakatul fitrit sipas juristëve të medhhebit hanefi, është vaxhib për çdo besimtar islam, mashkull apo femër qoftë, i vogël apo i madh, i mençur apo i sëmurë mendor. Nga sadakatul fitri nuk lirohen as edhe ata që nuk e agjërojnë Ramazanin, apo nuk e falin namazin përderisa thirren se janë myslimanë.
Sadakatul fitri është bërë vaxhib në vitin e dytë sipas hixhretit, respektivisht në të njëjtin vit kur është bërë farz edhe agjërimi i muajit Ramazan dhe të zekatit.(3) Në veprën "Telhisul habir" nga Ibni Haxher el Askalanit thuhet:
"Agjërimi i muajit Ramazan është bërë farz një muaj pas ndërrimit të kibles (nga mesxhidi aksaja në mesxhidi haram), i cili është bërë tetëmbëdhjetë muaj pas hixhretit. Në këtë vit është urdhëruar edhe dhënia e sadakatul fitrit, e kjo ishte ende pa u bë farz zekati për pasurinë.”(4)
Argumentet për ligjësimin dhe obligimin e dhënies së sadakatul fitrit janë të shumta, e ne do të përmendim disa prej tyre. Hadithi i cili transmetohet nga Abdullah ibën Sair Udhriju, i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut a.s. na mbajti një ligjëratë në të cilën përveç tjerash tha: "Për çdo të lirë dhe rob, të vogël e të madh, jepni sadaka nga gjysmë sa'i(5) nga gruri, ose nga një sa’ë nga hurmat, apo nga një sa’ë prej elbit.”
Në hadithin tjetër të transmetuar nga Abdulla iben Omeri r,a., ka thënë: "I Dërguari i Allahut a.s, e përcaktoi sadakatul fitrin për çdo mashkull dhe femër, të lirë dhe rob nga një sa’ë me hurma ose nga një sa’ë me elb.” (Muslimi).
Juristët e shkollës hanefite, nocionin "fereda- farz" që përmendet në hadith, e interpretuan në kuptimin gjuhësor të saj, që do të thotë "përcaktim" e jo në kuptimin terminologjik të sheriatit islam. Në bazë të kësaj, nga hadithi nënkuptohet se "Pejgamberi a.s. ka përcaktuar sadakatul fitrin...” e nuk e ka bërë farz. Prandaj juristët tanë janë të vendosur se dispozita e sadakatul fitrit është vaxhib, e jo farz.
Marrë parasysh faktin se sadakatul fitri në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhet me Ramazanin dhe agjërimin, përveç vlerave humane dhe sociale që ka, ai bënë edhe rigjenerirnin dhe pastrimin agjëruesit dhe të agjërimit nga mangësitë eventuale dhe veprimet e shëmtuara, dhe e pastron agjëruesin ashtu si e pastron uji papastërtinë e trupit, Këtë dimension të sadakatul fitrit, më së miri na e bënë të qartë hadithi që e transmeton Ibni Abasi r.a. i cili thotë: "I Dërguari i Allahut a.s, përcaktoi sadakatul fitrin pastrues për agjëruesin nga fjalët e këqija dhe ushqim për të varfrit, andaj kush e paguan atë para namazit (të Fitër Bajramit), ajo është sadaka e pranuar, e kush e nxjerr pas namazit (të Bajramit), atëherë ajo është sadaka sikur edhe sadakatë e tjera.”(6)
Sasia e përcaktuar e sakedatul fitrit
Sipas juristëve te medhhebit hanefi, sasia e përcaktuar e sadakatul fitrit është gjysmë sa'i me grurë ose një sa’ë me elb, hurma apo rrush të thatë.(7) Në shpjegimin e veprës "Multekal ebhur" nga shejh Vehbi Sulejman Gavoxhi thuhet: "Sadakatul fitri është obligim një sa’ë me drithë"
Transmetohet nga Ebu Seid el Huderiju r.a., i cili ka thënë: "Në kohën e të Dërguarit të Allahut a.s., sadakatul fitrin e jepnim një sa’e me ushqim, ose një sa’ë me hurma ose një sa’ë me elb, ose një sa’ë me rrush të thatë...” (Buhariul/204).(8)
Ajo që bie në sy dhe që ka specifikën e vet, është fakti se këto artikuj, në kohën e Pejgamberit a.s. kanë qenë të barabartë në vlerë, që nënkupton se gjysmë sa'i grurë ishte i barabartë me një sa’ë hurma ose rrush të thatë, kurse sot, ky dallim është shumë i madh. Pra, sasia e përcaktuar tek artikujt ushqimor është vlera e tyre. Nga tërë kjo që u tha, konstatohet se juristët e medhhebit hanefi thonë se sadakatul fitri jepet prej katër gjërave që janë: gruri, elbi, hurma dhe rrushi i thatë.(9)
Pagesa e sadakatul fitrit në kundërvlerë (monedha)
Eshtë fakt i pa kontestuar se në esencë, përcaktimi i dhënies së sadakatut fitrit dhe vlera e saj është përcaktuar në artikuj ushqimorë që i përmendëm më parë dhe ky përcaktim është bërë pikërisht për ruajtjen e interesit të të varfrit, por a lejohet dhënia e sadakatul fitrit edhe në kundërvlerë të këtyre artikujve, pra në monedha të ndryshme?
Fillimisht të theksojë se, në këtë çështje juristët islam janë të ndarë në dy mendime kryesore. Sipas mendimit të parë, nuk lejohet largimin nga tekstet që nënkupton se sadakatul fitri detyrimisht duhet të paguhet nga artikujt e lartpërmendur dhe si rezultat i kësaj nuk lejohet pagesa me kundërvlerën e tyre ose me monedha.
Mendimi i dytë është se pagimin e sadakatul fitrit në kundërvlerë, nuk është largim nga tekstet autentike, porse pikërisht mbështetje në tekstet e tilla, andaj ndërtuan mendimin se sadakatul fitri mund të paguhet me artikujt bazë të përmendur në tekste, por lejohet të paguhet edhe kundërvlera e tyre, pra në monedha të llojeve të ndryshme ku jetojnë njerëzit, e përparësi do t'i jepej asaj që kanë nevojë më shumë marresit e sadakatul fitrit dhe që është më e lehtë për dhënësin e sadakatul fitrit.
Mirëpo, meqenëse, që të dy këto qëndrime janë të përfaqësuar nga dijetarët e Ehli Sunetit dhe që të dy mendimet kanë bazë autentike, për të mos i lodhur lexuesit me argumente dhe kundër argumente, sepse ky debat është i nivelit akademik të fushës islame, si dhe marrë parasysh faktin se popullata jonë shqiptare islame në tërësi i takon medhhebit hanefi, në vazhdim këtë çështje do ta trajtojmë vetëm nga metodologjia e argumentimit të këtij medhhebi.
Juristët e medhhebit hanefi janë të mendimit se, lejohet dhënia e sadakatul fitrit në vlerën e artikujve me para ose kartëmonedha. Ky është edhe qëndrimi i Imam Ataut, Hasan Basrijut, Omer ibën Abdulazizit, Imam Thevrijut, Imam Ebu Hanifes, Ebu Jusufit, Imam Tahavijut etj., kështu kanë vepruar dhe kështu jepet fetvaja edhe për zekatin, edhe për sadakatul fitrin.(10) Ky është edhe mendimi i Imam Buhariut, si dhe i shumë dijetarëve eminent bashkëkohore.
Imam Mevsiliju në librin e tij, "El ihtijaru li talilil muhtar" thotë: "Sadakatul fitri është gjysmë sa’i me grurë ose mielli i tij, ose një sa'ë me elb ose mielli i tij, ose një sa'ë hurma apo një sa me rrush i thatë, ose kundërvlera e tyre.” Në realitet, gruri dhe elbi përmenden në tekst (hadith), kurse mielli i tyre nuk përmendet, por jepet sepse ka të njëjtin trajtim me bazën e tyre, madje ndoshta edhe më e nevojshme. Imami nuk ndalon vetëm këtu, por thotë: "ose kundërvlera e tyre” Imam Ebu Jusufi thotë: "Për mua, mielli është më i preferuar të jepet se sa drithi, mielli, sepse kjo është më dobishme për të varfrin". Nuk lejohet të jepet bukë dhe bylmet për sadakatul fitër, por duhet llogaritur kundërvlera e tyre, për shkak se nuk ekziston tekst për të.(11)
Imam Serahsiju në veprën e tij "El Mebsutu" thotë: "Nëse për sadakatul fitr, jepet kundërvlera e grurit, lejohet sipas mendimit të fukahave hanefi, sepse ajo që është në konsideratë është intenca e arritjes së pasurimit ditën e Bajramit, e kjo arrihet edhe me pagesën e kundërvlerës, ashtu si arrihet me dhënien e grurit."(12) Fekihu i njohur, Tahaviju ka thënë: "Dhënia e sadakatul fitrit në vlerë është më e mirë, sepse është më afër dobisë së të varfrit, ngase me to mund të blejë gjërat qe i nevojiten atij, kurse përcaktimi tekstual për grurin dhe elbin ishte sepse ne atëkohe në Medine shitblerja bëhej me to, kurse në vendet tona shitblerja realizohet me monedha dhe monedhat janë pasuria më e dashur, andaj edhe pagesa me të oshtë më vlefshme"(13)
Imam El Kasani në veprën e tij, "Bedaiu es-sanai" thotë: "Sipas fukahave tonë, (hanefi) artikujt që përmenden në tekst motivohen për shkak se konsiderohen pasuri me vlerë komerciale, prandaj i përmendi ato për lehtësim, sepse me to bëhej tregti dhe shitblerje në kohën e Pejgamberit a.s."(14) Në veprën "El fikhul islami ve ediletuhu" nga dr. Vehbe Zuhejli thuhet: "Sipas fukahave të medhhebit hanefi, lejohet pagesa e sadakatul fitrit në vlerën e artikujve të përmendur pavarësisht me cilën monedhë paguhet, sepse sipas juristëve hanefitë, vaxhib është pasurimi i të varfrit në bazë të hadithit të Pejgamberit a.s., e ky pasurim për diten e Bajramit edhe më mirë dhe më lehtë realizohet me pagesën e vlerës."(15)
Këtë mendim e gjejmë në mbarë literaturën e medhhebit hanefi, me ca ndryshime të vogla, por ne përmendëm vetëm disa burime më kryesore.
Argumentet ku mbllshtetet ky mendim
Nga argumentet ku mbështetet mendimi i fukahave të medhhebit hanefi dhe i disa fukahave të tjerë, edhe nga shkollat e tjera, për lejimin e dhënies së sadakatul fitrit në kundërvlerë, janë të shumtë, e ne do të përmendim vetëm disa prej tyre:
- Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë thotë: "Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën do t'i pastrojë ata dhe me të cilën do t'u rrisësh veprat e mira." (Et Tevbe,103). Nocioni "emval" që është shumësi i nocionit "malun" pasuritë, që permendet në ajet, nënkupton të gjitha llojet e pasurisë që njeriu i ka ne pronën e tij, qoftë flori, argjend, apo pasuri tjetër, kurse atë qe e ka përcaktuar Pejgamberi a.s. ne mënyrë tekstuale ështe sqarim për lehtesim dhe pezullim të vështirësive, e nuk nënkupton përkufizimi të obligimit.(16)
- Hadithi Pejgamberit a.s. i regjistruar tek Imam Buhariu, i cili thotë: Transmetohet nga Tavusi, i cili ka thënë: "Muadhi r.a. (kur ishte dërguar në Jemen si mësues dhe gjykatës i Jemenit, popullit të Jemenit u kishte thënë: "Më jepni sadakanë në rroba dhe veshmbathje në vend të elbit dhe drithit, sepse kjo është më lehtë për ju dhe më e dobishme për shoket e Pejgamberit a.s. ne Medine.” Hadithi na e bënë të qartë se Muadhi r.a. në vend të zekatit dhe sadakatul fitrit, kishte mbledhë artikuj të tjerë të barasvlershëm në vlerë me zekatin dhe sadakanë, duke mbajtur llogari në lehtësimin e atij që jep sadaka dhe në interesin e atij që e pranon sadakanë. Muadhi r.a. këto sadaka dhe këtë zekat të grumbulluar në këtë formë, e dërgonte te Pejgamberi a.s. në Medine dhe ai ua shpërndante të varfërve, por nuk e kontestoi këtë veprim të Muadhit që konsiderohet se ka dhënë pëlqimin.(17) Prandaj, imam Ajniu në shpjegimin e ketij hadith.i thotë: "Fukahatë e medhhebit tonë (hanefi) me këtë hadith argumentojnë lejimin e dhënies së zekatit dhe sadakatul fitrin në vlerë."(18) Për këtë çështje, Imam Ajniu thotë se Ibni Reshidi ka thënë: "Edhe pse Imam Buhariu kundërshtohet në shumë çështje me fukahatë hanefi, në këtë mesele pajtohet me ta.”(19) që argumenton se ky është edhe mendimi i Imam Buhariut.
- Hadithi i regjistruar te Sahihu i Imam Buhariut, ku Ebu Bekri r.a. kur e kishte nxjerrë Enesin r.a. dhe të tjerët në teren për të grumbulluar zekatin, e të cilëve u ishte dhënë një shkresë te vulosur me vulen e Pejgamberit a.s., në mesin e tjerave thuhet: "Nëse dikush ka deve sa të japë zekat një deve që ka mbushur katër vite (xhedhatun) por nuk ka prej tyre, atëherë, duhet të japë një deve që i ka mbushur tri vite (el hikatu), atëherë pranohet prej tyre deveja tre vjeçare dhe bashkë me të jep edhe dy dele nëse i vjen më lehtë, ose njëzet dërhem. Nëse dikush ka për obligim të japë sadaka një deve që ka mbushur tri vite (el hikatu), por nuk ka prej tyre, atëherë jep zekat një deve që ka mbushur katër vite (el xhedhatu) kurse sadaka mbledhësi i rikthen dy dele ose njëzet dërhem.” (Buhariu).
- Hadithi i transmetuar nga Ibni Omeri r.a., i cili ka thënë: "I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Mos i leni ta dalin të varfrit për të lypsur bile në këtë ditë."(20) Nga hadithi kuptohet se Pejgamberi a.s. ka urdhëruar që përmes sadakatul firrit t'u mundësohet të varfërve të sigurojnë ushqimin dhe nevojat e tjera në kete ditë festive të Bajramit, në menyrë që ata te mos kërkojnë këtë ditë, e kjo arrihet edhe me nxjerrjen e sadakatul fitrit nga vetë lloji i artikullit të përmendur, por edhe nga dhënia e vlerës së tyre, madje kjo e dyta është më e përshtatur, sepse nevojat e të varfërve janë të ndryshme, nuk janë vetëm ushqimi, andaj është më me prioritet. Ndoshta motivi i përcaktimit të artikujve të përmendur në tekst për dhënien e sadakatul fitrit, është sepse në kohën e përcaktimit, nevoja më e madhe ishte ushqimi dhe se me këto artikuj ushqimor bëhej edhe tregtia mes veti, e monedhat ishin shumë më të rralla dhe nuk gjendeshin kudo.
- Nga dijetarët bashkëkohorë që e ka shkoqitur në detaje çështjen e zekatit dhe të sadakatul fitrit, është edhe prof. dr. Jusuf Kardavi, i cili në veprën e tij të njohur "Fik'hu et-zekat" thotë: “Ajo që më rezulton mua është se, i Dërguari i Allahut a.s. sadakatul fitrin e obligoi me artikuj ushqimor për dy shkaqe që janë:
-për shkak se monedhat në atë kohë ishin të pakta dhe të rralla tek arabët, e dhënia e sadakatul fitrit në ushqime për ta ishte më e lehtë, dhe
-vlera e monedhave ndryshon fuqinë e saj ekonomike nga koha në kohë, për dallim nga sa’i me ushqim, që në çdo kohë mbulon nevojën njerëzore për ushqim. Pastaj dhënia e sadakatul fitrit në ushqime atëherë ishte më e lehtë edhe për dhënësin e sadakasë.”(21)
Në bazë të këtyre argumenteve që u paraqitën deri më tani dhe shumë argumenteve të tjera, kuptohet qartë se zekati dhe sadakatul fitri janë ligjësuar për të përmbushur nevojat e të varfërve, e nevojat e të varfërve janë të llojllojshme,(22) prandaj duhet parë cila është nevoja më parësore e të varfrit, e veçanërisht në kohën e industrializimit bashkëkohor, kur shumica e njerëzve tani nuk i gjejnë ose i gjejnë, por me vështirësi artikujt e përmendur në tekstet autentike, kurse kundërvlerën e tyre, pra monedhat i kanë për çdo ditë në duart e tyre.
Përmbyllje
Kohëve të fundit, duke u bazuar në nevojën e kohës, në dinamikën e jetës në shoqërinë njerëzore në përgjithësi, por edhe në shoqërinë islame në veçanti, qendrat shkencore, kërkimore e studimore në botën islame, gjithnjë e më shumë po unifikojnë qëndrimet e tyre dhe fetvatë për dhënies së zekatit dhe sadakatul fitrit në para - kartëmonedha, pra në vlerën e artikujve të përmendur në hadithet e Pejgamberit a.s .. Kjo na tregon se sa vigjilentë dhe sa thellë e kishin kuptuar fukahatë fushën e jurisprudencës islame kur lejuan nje veprim të tillë. Në pamundësi që të sjellë të gjitha fetvat dhe vendimet e qendrave shkencore islame që janë bartës dhe përgjegjës për dinamikën e zhvillimit të jetës islame në botë, në veçanti, si rezyme po sjell vetëm unifikimin e mendimeve të disa qendrave përgjegjëse islame që lejojnë pagimin e vlerës së zekatit dhe sadakatul fitrit në vendet e tyre.
Qendrat botërore shkencore që kanë përcaktuar kundërvlerën e sadakatul fitri në monedha për vendet e tyre Jane: Akademia e Fetvasë në Egjipt, Akademia e Universitetit të Az'harit në Kajro, Akademia e Fikhut Islam në Sudan, Këshilli për Fetva, Hulumtime dhe Studime Islame në Jordan, pastaj këshillat për fetva në Libi, Siri, Turqi, Allxhir, Tunis, etj .. Në të gjitha këto vende islamike, përmes qendrave studimore shkencore islame apo varësisht nga komisionet që posedojnë, bënë përcaktimin e vlerës së sadakatul fitrit me valutën vendore ku jetojnë ata. Një përcaktim të këtillë e ka bërë edhe Arabia Saudite.
Si përfundim i tërë kësaj është se, po të mos kishte bazë juridike islame për ligjësimin e pagimit të sadakatul fitrit në kundërvlerën e artikujve të lartpërmendur, sigurisht se këto qendra islame nuk do të lejonin as përcaktimin e vlerës së sadakatul fitrit. Mendoj se në këto qendra shkencore janë bërë studime dhe analiza të thella shkencore duke marrë parasysh edhe rrethanat sociale, shoqërore dhe ekonomike të kohës që po jetojmë, kurse zërat individual që po qarkullojnë edhe në vendin tonë, duke kundërshtuar të gjitha këto mendime si të pabaza, i konsiderojmë me tendenca jo të mira e as të pastra për islamin dhe për myslimanët, e veçanërisht kur dihet roli dhe rëndësia e zekatit dhe sadakatul fitrit në zhvillimin e islamit institucional në trevat tona.
___________________________
1. Nocioni sadakatul fitr nënkupton: sadakaja të cilën e paguan besimtari islam gjatë muajit Ramazan deri në faljen e namazit të Bajramit, për ta pastruar agjërimin e tyre nga mangësitë eventuale. J. Zimeri, Fjalor terminologjik i Fikhut Islam Arabisht - Shqip, f. 281, Botim Rijaseti i BFI-së Shkup, 2021.
2. El Kasani, Alaudin Ebu Bekr ibën Mes'ud, bedaisu es-sanai fi tertibi esh-sherai, 2/69, Darul kutub el ilmije Bejrut- Liban.
3. Grup autorësh, "Pesë shtyllat e fesë islame", f. 454, bot. i tretë- Shkup.
4. El Halebij, Ibrahim ibën Muhamed ibën Ibrahim, Multekal Ebhuru, përkthim në gjuhën shqipe nga J. Zimeri 1/421. Bot. Rijaseti i BFI-së Shkup, 2020.
5. Nje sa'ë, si njësi matëse e kohës profetike sot është e barabartë me 3 kg e 260 gr, Sipas juristëve hanefitë.
6. Ebu Davudi, 1609, lbni Maxhe 1827.
7. Abdulganij el Gunejmi el Midani, El-lubab sherhul kitab, f. 152-153.
8. El Halebij, Ibrahim ibën Muhamed ibën Ibrahim, Multekal Ebhuru, përkthim në gjuhën shqipe nga J. Zimeri 1/423. Bot. Rijaseti i BFI-së Shkup, 2020
9. Dr. Zuhejli Vehbe, El fikhul islami ve ediletuhu, 2/909. Darul fikr, Damask.
10. Ahmed ibën Muhamed ibën Sadik el Gumarij el Hasenij, Talikikul amal fi ihraxhi zekazil fitri bil mal, f.45.
11. Mevsiliju, Abdullah ibën Mahmud, El ihtijar i ta 'lilil muhtar.
12. Es Serahsij Muhamed ibën Ahmed ibn Ebi Sehl Shemsul eimeti, el mebsutu 3/108, babu sadakatul fitri).
13. Po aty.
14. El Kasani, Alaudin Ebu Bekr ibën Mes'ud, Bedaiu es-sanaifi tertibi esh-sherai 2/541 ).
15. Dr: Zuhejli Vekhbe, el fikul islami ve ediletuhu, 2/909-910, Daraul fikr, Damask 1989.
16. Ahmed ibën Muhamed ibën Sadik el Gumarij el Hsenij, Tahkikul amal fi ihraxhi zekazil fitri bil mal, f.59.
17. Po aty, f. 52.
18. El Ajnij, Alame Bedrudin Ebi Muhamed Mahmud ibËn Ahmed, Umdetu el karij sherh Sahihul buhari, 9/6, Darul kutub el ilimije, Bejrut- Damask, bot. parë, 2001.
19. Po aty, 9/6.
20. Hadithin e ka bë tahrixh Darekutni në librin e zekatit (2/152) nr. Hadithit (67), Bejhekiju në "Sunenul kubra' në librin e zekatit, kapitulli koha e dhënies së sadakatul fitrit (4/175) nr. (7528), me transmetim nga Ibni Omeri r.a.
21. Dr. Kardavi Jusuf, "Fikhu ez-zekat" 2/949, botimi i dytë 1985, Muesesetu er-risale, 8ejrut -Liban.
22. Dr. Ahmed Ebu Dahir, nadhratun fi hukmi ihraxh kimetu zekatil emvali fil fikhil islami, Mexhl-le xhamiatu Dimesh lil ulumi iktisadije vel kanunije, muxheled 22, nr. 2006.
Jusuf Zimeri