Fjala itikaf në aspektin gjuhësor ka kuptim: izolim, veçim, qëndrim, apo ndenj në një vend të caktuar për një interval kohor. Kurse në aspektin terminologjik, shprehja itikaf është e definuar me definicione të ndryshme, njëra ndër to është: Qëndrimi në xhami për një kohë të caktuar duke qenë agjërueshëm dhe me nijet të adhurimit (itikafit).(1)
Parimisht, norma e itikafit është sunet, mirëpo varësisht gjendjes dhe rrethanave, kjo normë mund të ndërrojë, andaj dijetarët kanë ndarë normën e itikafit në tri lloje, e ato janë si në vijim:
1) Itikafi vaxhib - obligativ. Ky lloj itikafi është rezultat i çdo fjale apo betimi të njeriut, i cili thotë se do ta kryejë, ose nëse vetë personi e bën obligim ndaj vetes. Kjo formë e itikafit kuptohet si në vijim: nëse personi thotë: "Në qoftë se Allahu më ndihmon në kryerjen e kësaj pune, ose nëse Allahu më shëron nga një sëmundje e caktuar, ose nëse e arrij këtë fitim përmes tregtisë sime, në shenjë falënderimi ndaj Zotit betohem që do hyjë në itikaf për kaq ditë.” Nëse personi e bën këtë betim, atëherë ai obligohet ta kryej në përpikëri, duke ruajtur çdo gjë që është betuar në ditët e caktuara dhe vendin - xhaminë e caktuar (nëse e ka specifikuar edhe atë).
2) Itikafi sunetun - muekede - sunet i fortë. Ky lloj i itikafit është më i njohuri dhe është pikërisht itikafi të cilin Pejgamberi a.s. vazhdimisht e ka praktikuar derisa ka vdekur. Lidhur me këtë formë, kemi hadithin e njohur të transmetuar nga Aisheja r.a., e cila ka thënë se: "Pejgamberi a.s. bënte itikaf vazhdimisht në dhjetëshin e fundit të Ramazanit derisa i erdhi vdekja.”(2)
3) Itikafi mustehab, i pëlqyer ose i preferuar. Ky lloj itikafi nuk ka ndonjë kohë të caktuar, prandaj bëhet edhe jashtë muajit Ramazan. Ky lloj itikafi është nga ato forma në të cilët nuk kushtëzohet që personi të jetë agjërueshëm, sepse parimisht është mustehab - i pëlqyer, prandaj nuk kushtëzohet kohëzgjatja apo të qenët agjërueshem, siç kushtëzohet te llojet e tjera.
Urtësia e itlkafit
Ne si mysliman jemi të bindur që çdo adhurim, urdhër apo ndalesë që vjen prej Zotit ka urtësinë e tij, së këndejmi, edhe te bërja e itikafit, dijetarët kanë përmendur disa urtësi, prej tyre:
1) Largimi i plotë nga punët dhe angazhimet e kësaj dynjaje dhe nga ato veprime që e ngurtësojnë zemrën e besimtarit duke u përqendruar vetëm në adhurimin ndaj Allahu xh.sh..
2) Pastrimi i zemrës nga gabimet apo sëmundjet e saj, duke kërkuar qetësinë përmes namazit, kërkim faljes, madhërimit të Zotit, e të ngjashme.
3) Dorëzimi dhe nënshtrimi ndaj Krijuesit bujar, Allahut xh.sh., duke qëndruar në shtëpinë e Tij.
4) Meditimi në faljen, fuqinë e madhështinë e Zotit duke lexuar Kuranin e madhërishëm.
5) Pastrimin e gjuhës së tij nga përgojimi dhe fjalët e kota dhe zëvendësimi i tyre me fjalë të mira dhe përmendje ndaj Zotit
6) Përkushtimi i tij me tërë qenien dhe fuqinë e tij ndaj Zotit të Madhërishëm.
7) Shtimi i adhurimeve gjatë kohës që është ne itikaf.(3)
Kushtet e vlefshmërisë së itikafit
Sa u përket kushteve të vlefshmërisë së itikafit, ato ndahen në dy grupe: kushtet të cilat ndërlidhen me personin, dhe kushtet të cilat ndërlidhen me vendin ku bëhet itikafi.
Kushtet të cilat ndërlidhen me personin janë si në vijim:
1) Të jetë mysliman, sepse jobesimtarët nuk janë të ngarkuar me çështjet e adhurimit sipas mësimeve të fesë islame.
2) Të jetë i shëndoshë psikikisht. Ky kusht vjen në shprehje për faktin se ata të cilët nuk kanë mendje të shëndoshë nuk llogariten në grupin e atyre që ngarkohen me obligime fetare, duke pasur parasysh që mendja është kusht esencial për të qenë i tillë.
3) Të qenët i pastër nga papastërtia e madhe, të mos jetë në ciklin mujor apo lehoni te femrat, ngase dihet që personit të papastër i ndalohet hyrja në xhami dhe kur ndalohet hyrja, atëherë ndalohet edhe qëndrimi në të.
Vlen të theksohet se arritja e moshës madhore apo puberteti nuk është kusht për pranimin e këtij adhurim, dhe rrjedhimisht ai pranohet edhe nga fëmija i mençur, sepse ai bën pjesë në grupin e besimtarëve apo adhuruesve, dhe njëlloj siç pranohet agjërimi vnllnetar i tij pranohet edhe itikafi.
Kurse sa i përket vendit që bëhet itikafi, kushtëzohet që vendi të jetë xhamia, (për gjininë mashkullore), në të cilën falen kohët e namazit. Argument për këtë është ajeti kuranor në suren Bekare, ku Allahu xh.sh. ka thënë:
"Dhe mos ju afroni atyre (bashkëshortëve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurimin në xhami."(4) Lidhur me kushtëzirnin e të bërit itikaf në xhami, kemi edhe hadithin e Pejgamberit a.s., i cili transmetohet nga Hudhejfe ibën Jemami r.a., i cili ka thënë: "Në çdo xhami që ka imam dhe myezin, në të ka itikaf'.”(5) Edhe Imam Ebu Hanife është i mendimit që itikafi nuk lejohet veçse në atë xhami që falen të gjitha kohët e namazit në të. Ndërsa farzi i itikafit është qëndrimi në xhami, duke pasur parasysh që fjala itikaf ka këtë kuptim.(6)
Gjërat të cilat e prishin itikafin
1) Kontaktet bashkëshortore (intime). "Dhe mos ju afroni atyre (bashkëshortëve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurimin në xhami,”(7) gjithashtu ndalohen edhe gjërat që ndërlidhen me kontaktet bashkëshortore, siç janë përkëdhelja, puthja e të ngjashme.
2) Të dalit nga xhamia pa ndonjë arsye e prish itikafin, sepse qëllimi i tij është qëndrimi në xhami dhe dalja pa arsye është e kundërta e tij dhe rrjedhimisht e prish atë.
3) Paraqitja e ciklit apo lehonisë te gjinia femërore e prish itikafin, duke pasur parasysh që pastërtia nga to është nga kushtet e vlefshmërisë së tij.
4) Goditja e personit me sëmundje psikike, si çmenduria, gjithashtu e prish itikafin sepse mendja apo vetëdija është prej kushteve të vlefshmërisë së tij, dhe me humbjen e saj, humb edhe qëllimi i itikafit.
5) Itikafin e prish edhe ngrënia apo pirja qëllimisht në atë lloj itikafi që kushtëzohet agjërimi.
Normat e përgjithshme lidhur me itlkafin
1) Lejohet dalja nga xhamia për ndonjë nevojë urgjente ose të domosdoshme; si në rast rreziku nga shembja e xhamisë si pasojë e ndonjë termeti, ose në rastin e nevojave fiziologjike, që personi të pastrohet nga ejakulimi në gjumë e raste të ngjashme.
2) Lejohet realizimi i kontratave të ndryshme gjatë kohës kur është në xhami, si shitblerjet, qiratë, fejesa, nikahu etj., mirëpo duke respektuar shenjtërinë e xhamisë.
3) Personi i cili është në itikaf duhet vazhdimisht të merret me ibadete e të flas vetëm fjalë të mira, duke shfrytëzuar kohën e tij në ato punë me të cilat është i kënaqur Zoti i Madhërishëm.
4) Për dallim nga meshkujt, të cilët itikafin e tyre e bëjnë në xhami (siç u sqarua më lart), femra myslimane itikafin e saj e bën në faltoren e saj, gjegjësisht në dhomën e saj që e fal namazin në të. Urtësia e ndalimit të itikafit të saj në xhami, sipas dijetarëve islam qëndron në faktin që natyra e saj është në kundërshtim me fjetjen apo qëndrimin e saj në xhami, andaj ajo, itikafin e saj, e bën në faltoren apo dhomën e saj ku falet.
5) Rregullat dhe normat e saj janë të njëjta me ato të meshkujve (si ato të daljes apo qëndrimit në vendin ku bëhet itikafi), pavarësisht se ajo itikafin e bën në dhomën e saj.(8)
6) Fillimi i itikafit bëhet në ditët e njëzetë të Ramazanit para perëndimit të diellit, duke vazhduar deri në ditën e fundit të muaji (natën e Bajramit) pas perëndimit të diellit. Vlen të theksohet që është më e preferuar të qëndrohet pas faljes së namazit të fitër Bajramit.
Vlera e 10 netëve të fundit të ramazanit
Ashtu siç e dalloi i Plotfuqishmi muajin Ramazan nga muajt e tjerë dhe siç i dalloi ditët e Dhul Hixhes nga ditët e tjera, ashtu i dalloi edhe dhjetë netët e fundit të muajit Ramazan nga të tjerat, duke i bërë ato një begati të pashoq në faljen dhe mëshirën e Tij dhe duke i liruar myslimanët nga dënimi i zjarrit.
Ndër begatitë dhe mirësitë e shumta të këtyre netëve të fundit mund të theksojmë Natën e Kadrit në të cilën ka zbritur Kurani, e cila u cilësua si më e mirë sesa një mijë muaj, si një natë e begatë e paqeje, si dhe përcaktuese apo ndarëse e çështjeve.
Gjërat të cilat preferohen të veprohen gjatë këtyre netëve:
1) Itikafi.
2) Namazi i natës - është prej veprave që preferohet gjatë gjithë muajit Ramazan, e veçanërisht në dhjetëshin e fundit dhe është prej suneteve të forta, duke pasur parasysh insistimin e Pejgamberit a.s. në faljen e tij, sidomos në netët tek, duke shpresuar në gjetjen e natës së Kadrit, dhe e përforcon këtë edhe fakti qe ai i inkurajonte dhe porosiste shokët dhe familjen e tij që te vepronin njësoj sikur ai.
3) Leximi i Kuranit - muaj i Kuranit, ashtu siç njihet për zbritjen e tij, njihet edhe për leximin e tij. Këtë e praktikonin të gjithë sahabët, tabiinët dhe gjeneratat që erdhën pas tyre, duke u dhënë plotësisht pas Kuranit dhe duke u larguar nga angazhimet e tjera.
4) Sadakatul fitri - kjo sadaka është obligim material për të gjithë myslimanët, moshërritur e fëmijë, dhe ka lidhje direkte me muajin Ramazan, e cila nxirret në ushqim ose në të mira materiale (të holla), këtë të fundit e lejojnë dijetarët e medhhebit hanefi, aq sa i nevojitet një personi mesatar për ushqimin e tij ditor. Vlen të theksohet se sot punohet me këtë mendim për shkak të rrethanave dhe efektit më të madh të bamirësisë. Duhet përmendur që koha e dhënies së sadakatul fitrit lidhet ngushtë edhe me qëllimin e tij, e që është furnizimi me ushqim për ditën e Bajramit për të varfrit e shoqërisë, gjë kjo që qartësohet në hadithin e Pejgamberit a.s., që e transmeton Abdullah bin Abasi ku citon: "I Dërguari i Allahut na e bëri obligim sadakatul fitrin si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe të pahijshme, por edhe si ushqim për të varfrit, kush e jep atë para namazit (të Fitër Bajramit) konsiderohet si sadakatul fitër i pranuar, e kush e jep pas namazit (të Fitër Bajramit), ajo është thjesht një sadaka e rëndomtë."(9)
Pra hadithi na tregon që sadakatul fitri mund të jepet edhe para namazit të Fitër Bajramit, mirëpo kjo preferohet të jetë në dhjetëshin e fundit, kurse obligueshmëria e sadakatul fitrit llogaritet në momentin që hyn koha e namazit të sabahut në ditën e Fitër Bajramit dhe vazhdon deri në kohën e namazit të Fitër Bajramit. Nëse nuk kryhet gjatë këtij intervali, mbetet borxh i besimtarit që duhet dhënë, mirëpo vonesa te dijetarët hanefitë është e urryer.(10)
5) Lutja duaja dhe kërkim falja - istigfari janë prej gjërave të cilat preferohen të bëhen më së shumti gjatë këtyre netëve, duke mos harruar që Pejgamberi a.s. porosiste të thuhet - vazhdimisht duaj a "O Zot, Ti je falës, e do faljen, andaj më fal mua!"(11)
__________________________
1. Imam Burhanudin el Merginani, El-Hidaje sherh bidajetul-mubtedi (2/70).
2. Muhamed Ismail el Buhari, Sahih El-Buhari (2026).
3. Imam Hasen bin Amar el Shurunbulali, Meraki El-Fetah (fq.573).
4. El Bekare 187, Përkthimi i Hasan Nahit.
5. Imam Daru Kutniu, Sunen Ed-Daru Kutni 2332.
6. Imam El Kesani el Hanefi, Bedaiu El-Sanai (3/6,16).
7. Është përmendur më herët.
8 Shejh Abdullah bin Mahmud bin Mevlud el Muvasili el Hanefi, El-lhtijar Li-Talil El-Muhtar (1/220,221).
9. Ebu Davud es Sixhistani, Sunen Ebu Davud (1609).
10 Imam Hasen bin Amar el Shurunbulali, Meraki El-Fetah (fq.582).
11. Ahmed bin Hanbel, Musned Ahmed (42/236, nr. 25384).
Nehat Shehu
Dituria Islame 389