Hyrje
Mektebi është institucioni themelor edukativo-arsimor që ka kaluar nëpër faza të ndryshme të zhvillimit. Mektebet e para, së bashku me xhamitë, ishin simbol i njohur i lagjes së caktuar. Nga shkollat e para fetare brenda sistemit shkollor për fëmijët myslimanë, mektebet gradualisht u rritën në shkolla që ishin pjesë e sistemit zyrtar. Pas shfuqizimit të këtyre shkollave, mektebet, si institucione të pavarura, filluan jetësimin e tyre të ri nën kujdesin e xhamive ose mesxhideve.
Që nga themelimi i mektebeve të parë në vendet tona, roli i tyre është zhvilluar deri më sot në një mënyrë për të përmbushur nevojat edukativo-arsimore të fëmijës myslimane dhe Bashkësisë Islame të kësaj zone.
Mektebet kanë qenë veçanërisht të suksesshëm gjatë tre shekujve të parë që nga ardhja e Islamit. Në atë kohë, mektebi ishte shkollë private, funksionimi i së cilës varej nga aftësitë materiale të vakëf-dhuruesit. Me dobësimin ekonomik të Perandorisë Osmane, mektebi kaloi vitet e tij të vështira. Një gjendje e tillë rezultoi në idenë e modernizimit të mektebit.
Historiku i mektebit shkurtimisht
Emri mekteb vjen nga folja ketebe, shkrimi, të shkruarit.(1) Mektebi është vendi ku dikush mëson të shkruajë. Se sa është e rëndësishme të dihet shkrim-leximi, dëshmon edhe betimi i Krijuesit në Kuranin Fisnik: “Nun, betohem në pendën dhe në atë çka shkruajnë!”(2)
Duke ardhur në këto hapësira, turqit Osmanë futën një sistem të ri arsimor në të cilin mektebi ishte një formë e shkollës fillore dhe përkrah xhamisë ishte simbol i krijimit të një qeverie të re. Prandaj termi mekteb, në gjuhën tonë, në fakt, erdhi përmes gjuhës turke. Mektebi, mejtefi ose mehtefi, siç quhej në pjesë të ndryshme, ishte shkolla fillore myslimane gjatë sundimit turko-osman në këto troje. Për një periudhë të gjatë kohore, për shumicën myslimane, veçanërisht për fëmijët e varfër, kjo ishte forma e vetme e arsimit fillor, kështu që përveç lëndëve fetare, mësoheshin edhe lëndë të përgjithshme. Ashtu siç ndryshoheshin rrethanat shoqërore, u ndryshua edhe mektebi duke e ndryshoi formën, por edhe rolin e tij brenda sistemit arsimor.(3)
Në mekteb, paraardhësit tanë morën arsimim të përgjithshëm, mësuan matematikë, gjeografi, histori, gjuhë, por me ndryshimet në shoqëri ai këtë rol të përgjithshëm e humbi dhe u fokusua vetëm në mësimin e fesë dhe urdhrave e riteve fetare. Ai, duke humbur rolin e tij të përgjithshëm, nuk ka humbur asgjë në rëndësi në jetët tona. Përkundrazi, ai mbeti një hap i pazëvendësueshëm dhe një hallkë e domosdoshme në zinxhirin e rrugëtimit jetësor dhe edukimit të fëmijëve tanë.(4)
Prej kur daton mektebi?
Që nga dita e parë e misionit pejgamberik të Muhamedit a.s., ekziston mektebi. Pejgamberi a.s., sahabët harfet e para të Shpalljes dhe rregullat e para të fesë i mësoi në shtëpinë e Erkamit. Në Medine Pejgamberi a.s., i angazhon në mekteb edhe të burgosurit e Bedrit(5), ku mektebi e fiton rolin e përgjithshëm e të mësuarit të shkrim-leximit, sepse aty, në xhaminë e Pejgamberit a.s., përveç fesë, mësoheshin edhe shkenca të tjera. Në atë mekteb të Pejgamberit a.s., është rritur gjenerata e cila me angazhimin e vetë, edhe sot e kësaj dite, i mahnit njerëzit.
Në ditët e sotme, është detyrimi ynë të kryejmë Urdhrin e parë të Zotit, që me kujdes dhe rregullisht t'i përgatisim fëmijët tanë për shkollën e mektebit, sepse kërkimi i njohurive për të gjithë myslimanët e myslimanet është farz (detyrim i prerë). Po kështu, ne jemi të detyruar të bëjmë gjithçka që duhet për ta bërë që fëmijët tanë të edukohen në frymën e pastër islame, sepse siç thotë Pejgamberi a.s.: “Nuk mund t'u lësh fëmijëve asgjë më të mirë se një edukim të mirëfilltë”.(6)
I Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s., ka thënë: “Edukoni fëmijët tuaj në shenjën e tre cilësive: ta donë Pejgamberia a.s., ta donë familjen e tij dhe të donë që të lexojnë/mësojnë Kuranin!”(7)
Po ashtu, Pejgamberi a.s., ka thënë: “Armiku juaj nuk është njeriu të cilin ju e vrisni në betejë dhe kështu e fitoni titullin gazi/luftëtar, ose ai të vret ty dhe bini si dëshmor dhe e meritoni xhenetin. Armiku juaj i vërtetë është fëmija i juaj i paedukuar që erdhi nga shtylla kurrizore e juaj. Pastaj, armiku juaj është edhe pasuria e juaj që e keni fituar me duart e veta dhe ajo u bë preokupimi i juaj i vetëm”.(8)
Rëndësia e mektebit
Sot, fëmijët arsimohen në shkollë dhe edukohen në mekteb. Shkolla do t'i udhëzojë ata gjatë rrugëtimit të tyre për t'u bërë ekspert në ndonjë fushë të jetës, kurse mektebi do t'i udhëzojë dhe drejtojë ata përgjatë rrugës në të cilën do të bëhen „njeri“ në plot kuptimin e fjalës.
Në mekteb mësohen rregullat dhe ritet e fesë tonë. Kjo është e rëndësishme të dimë sepse ato nuk na lejojnë që të lajthitemi, na mbrojnë gjithashtu që të ecim drejt dhe me dinjitet në tokë. Fëmija duhet të mësojë se si falet namazi dhe të mësohet ta e ketë si shprehi faljen e tij, sepse vetëm namazi është i fuqishëm që ta mbajë njeriun larg nga mëkatimi. Përmes namazit arrihet kontakti i përditshëm me Zotin, duke biseduar me Të, dhe bëhet i vetëdijshëm se nuk ka vend për të shpëtuar nga dija absolute e Zotit. Cili prej nesh nuk do të donte që fëmija i tij të ishte larg çdo vesi? Secili prej nesh do të donte fëmijë të hairit. Ekziston rruga drejt këtij qëllimi. Duhet të nisemi në këtë rrugë dhe të qëndrojmë vazhdimisht në atë rrugë.
Prej qëllimeve parimore të mektebit është që të mësohen harfet e Kuranit dhe të dihet leximi i Fjalës së Zotit. Të gjithë do të përballemi me pyetjen se kush ishte udhërrëfyesi ynë në këtë botë? Përgjigja duhet të jetë se udhërrëfyesi (imami) ynë ishte Kurani. Është detyrimi ynë, të bëjmë gjithçka që mundemi për t'i mësuar fëmijët tanë të lexojnë Shpalljen, të mësojnë Kuranin. Nga Ebu Hurejre r.a., transmetohet se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kur njeriu vdes, i pushon veprimtaria e tij me vepra të mira, përveç në tre raste: lëmoshë e përhershme, dije të dobishme prej së cilës kanë dobi të tjerët ose fëmijë të mirë që bën dua për të!“(9)
Fëmija që në mekteb “shartohet” dhe do të jetë si një penë e frytshme me fruta të ëmbla. Frytet janë vepra të mira, kurse nga ato fryte të mira do të kenë dobi edhe vetë prindit e tij dhe rrethi ku ky do të jeton e vepron, sepse fëmija i edukuar është e mirë e përhershme.
Pejgamberi a.s., u pyet se a pushon detyrimi i fëmijëve për t’iu bindur prindërve pas vdekjes së tyre? Pejgamberi a.s., tha se nuk ndalet dhe se, përveç detyrimeve të tjera, është të kërkojë falje për prindërit e tij. Nëse i mësoni fëmijët të falin namaz dhe të bëjnë shprehi faljen e tij, ata do të lexojnë në namaz çdo ditë: “Rabbenagfir li ve li validejje” – “Zoti ynë, më fal mua dhe prindërit e mi”. Ai do të kërkojë falje dhe do t'ju dërgojë dhurata edhe pas vdekjes suaj. Do të jetë gëzimi i juaj i përjetshëm.
Ne e dimë, sepse kështu na mëson Pejgamberi a.s., se disa njerëz kur të ringjallen në botën tjetër do të pyesin, prej nga më kanë ardhur këto vepra të mira, unë nuk i kam sjellë ato me vete? Do t'i përgjigjet atij, fëmijët t'i dërguan dhe dhuruan ato. Po ata fëmijë të cilët rregullisht i dërgove në mekteb dhe vëzhgove mbi edukimin e tyre, ashtu siç urdhëron Allahu i Lartësuar në suren Ta-Ha: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë”(10).
Përfundim
Bazuar në të dhënat e ofruara, është e qartë se mektebi është institucion me një traditë të gjatë të Islamit në këto troje. Gjatë shtatë shekujve, mektebi si formë edukimi, shënoi ulje dhe ngritje, ndryshoi formën e tij, ishte rregulluar pak a shumë, por kurrë nuk u shua.
Detyra e vendosur përpara kësaj lloj shkolle, për të edukuar dhe arsimuar në frymën e Islamit, ishte herë më e vështirë, herë më e lehtë, varësisht nga rrethanat shoqërore, ekonomike dhe politike, por rëndësia e tij nuk ishte kurrë e papërfillshme.
Duke pasur parasysh faktin se momenti aktual karakterizohet nga një neglizhencë gjithnjë e më e theksuar e përgjegjësive prindërore, roli i mektebit, si një institucion edukativo-arsimor, padyshim që bëhet edhe më i rëndësishëm, kurse kërkesat që vendosen para tij edhe më të shumta.
Mektebi është një nga shtyllat kryesore në aktivitetet e Bashkësisë Islame, sepse bashkon familjen dhe xhematin duke edukuar anëtarët e saj të ardhshëm. Prandaj, familja duhet të mbështesë mektebin në aspektin e përfshirjes së anëtarëve të saj në punën e tij, kurse Bashkësia Islame duhet të njohë specifikat e kohës, në mënyrë që mektebi të plotësojë kërkesat e kohës në mënyrën më të mirë të mundshme.
__________________________________
1. Teufik Mufti?, Arapsko-bosanski rje?nik, (Sarajevë: El-Kalem, 2017), 1267.
2. Surja El-Kalem, ajetet 1-2. Përkthimi i ajeteve nga Haxhi Sherif Ahmeti.
3. Amira Trnka-Uzunovi?, (Uloga mekteba u historiji obrazovnog sistema Bošnjaka), Novi Muallim, nr. 34, Sarajevë, 2008, 72.
4. Nga web-faqja: http://dzemat-braunau.at/mekteb-nas-zove/.
5. Shih në web-faqen: https://znaci.ba/tekstovi/bitka-na-bedru; https://mesihat.org/2017/06/09/bitka-na-bedru-nas-uci/.
6. Hadithin e shënon El-Hakimi.
7. Hadithin e shënon Ed-Dejlemiu.
8. Hadithin e shënon Et-Taberaniu.
9. Hadithin e shënon Imam Muslimi në Sahihun e tij.
10. Surja Ta-Ha, ajeti 132. Përkthimi i ajetit nga Haxhi Sherif Ahmeti.