Thirrësi kur të mbajë ndonjë ligjëratë nuk duhet të flasë verbërisht, por ai duhet që gjatë ligjëratës së tij të sjellë shembuj emocionues kur i përmend të vërtetat islame dhe konceptet e besimit. Ky veprim emocional duhet të konsolidohet mbi bazën e ringjalljes së emocioneve dhe koncepteve të besimit që ekzistojnë në shpirtin e njeriut.
Secili individ dallon nga tjetri dhe ka specifikat dhe karakteristikat e tij. Mbi këtë fakt, thirrësi duhet ta ndryshoj edhe stilin e ligjërimit në mënyrë që t’iu përshtatet çfarëdo situate. Misioni i ligjërimit islam ndër mjedisin tonë shqiptar është i një rëndësie jetike. Misioni i ligjërimit islam konsiston në përqendrimin e energjisë islame bashkëkohore për të faktorizuar sistemin e vlerave islame për kurimin e problemeve të shoqërisë shqiptare përmes edukimit të brezit të ri, dhe jo vetëm, me cilësitë e domosdoshme islame dhe humane që e bëjnë këtë brez të denjë dhe të aftë për të realizuar me sukses këtë lloj roli. Pyetja madhore, që duhet t’i përgjigjet veprimtaria islame në mjedisin tonë shqiptar, është: sa është i aftë produkti i kësaj veprimtarie për përmirësimin e gjendjes së shoqërisë shqiptare?! Kjo pyetje mund të shtrohet ndryshe: sa është e aftë veprimtaria islame për t’i shpëtuar fenomenit të “akuariumit brenda në oqean” dhe për t’u shndërruar në një shiringë që injekton produktin e saj brenda në damarë të shoqërisë, si një ilaç të aftë për të kuruar ashtu siç duhet sëmundjet e kësaj shoqërie?! Për të pasur një produkt të tillë, duhet domosdoshmërish, të ngrihet në nivelin e sfidës dhe qëllimit vetë procesi prodhues i këtij produkti, që është mënyra e prezantimit të Islamit, pra veprimtaria islame.1
Me ligjëratë shpjegohen tema shkencore-fetare të veçanta në mënyrë të hollësishme dhe duke përmendur gjithë atë që është thënë dhe thuhet për atë tematikë se cila janë mendimet e sakta për atë tematikë. Ligjërata e suksesshme është ajo që synon një cak të caktuar dhe ky synim del në shesh kur bëhet shpjegimi i qartë dhe bindës. Ligjëruesi duhet të jetë i përpiktë në atë që flet, të mos flasë verbërisht dhe të mos përdorë shumë shprehje emocionale, ngase këto shprehje parimisht i takojnë fushës së hytbes, e nuk janë pjesë thelbësore të ligjëratës.
Tjetra është se dëgjuesit duhet t’i bashkëngjitën ligjëruesit në atë se çfarë synon ai, ligjëruesi duhet t’ua shpjegojë rezultatet që i ka arritur gjatë gjurmimit të tij dhe po që se ky arrin t’i bindë ata në atë që ua shpjegon, atëherë arritja e dëgjueseve deri të rezultati do të jetë e lehtë. Po ashtu, ligjëruesi e ka për obligim dhe duhet të ofrojë një lloj hyrjeje se çfarë synon të arrijë duke i shpjeguar çështjet e njohura në mënyrë të qartë dhe të largohet prej çështjeve që janë shumë të detajuara dhe konfuze dhe për të cilat ka mospajtime apo janë çështje që kanë nevojë për t’u vërtetuar si çështje, të tilla janë çështjet e njohura filozofike. Kur ligjëruesi dëshiron të prezantojë ndonjë të vërtetë të fesë se a ka të bëjë me bazat e koncepteve të besimit islam, si p.sh. ringjallja pas vdekjes, në këtë rast është e mjaftueshme që t’ua tërheqë vëmendjen e atyre për ato gjëra që ne i dëshmojmë me sytë tonë në raste të vdekjes dhe ringjalljes në botën shtazore e bimore dhe që të ofrohen shembuj nga fusha e tillë me qëllim që e vërteta për ringjalljen të jetë më afër mendjeve. Këtë mënyrë të shpjegimit e ka ofruar vetë Kurani fisnik: “Nga argumentet e Tij është edhe toka që ti e sheh atë të thatë (shkretëtirë), e kur Ne ia lëshojmë asaj shiun, ajo gjallërohet e shtohet. E s’ka dyshim se Ai që e ngjalli atë do t’i ngjallë të vdekurit sepse Ai ka mundet për çdo gjë.” (Fussilet, 39).
Jeta pas vdekjes është një çështje e dëshmuar konkretisht, toka pasi thahet dhe nuk mbin asgjë prej saj dhe më nuk ka jetë në të, Allahu e zbret shiun dhe më pas ajo fillon të gjallërohet e të shtohet me bimë e ushqime të llojllojshme. Prandaj, Allahu, i Cili e ngjall tokën pasi ajo thahet, Ai është që u jep jetë të vdekurve, pasi që i ka krijuar ata prej një pike sperme e që ne e dëshmojmë me sytë tanë, andaj rikthimi dihet se është më i lehtë se krijimi prej fillimit. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ai na solli Neve shembull, e harroi krijimin e vet e tha: Kush i ngjall eshtrat duke qenë ata të kalbur? Thuaj: I ngjall Ai që i krijoi për herë të parë, e Ai është shumë i dijshëm për çdo krijim.” (Jasin, 78-79).
Pra, thirrësi kur të mbajë ligjëratën, nuk duhet të flasë verbërisht, por ai duhet që gjatë ligjëratës së tij të sjellë shembuj emocionues kur i përmend të vërtetat islame dhe konceptet e besimit. Ky veprim emocional duhet të konsolidohet mbi bazën e ringjalljes së emocioneve dhe koncepteve të besimit që ekzistojnë në shpirtin e njeriut.2
Duke u mbështetur në faktin se njerëzit dallojnë në formën e kuptimit dhe ligjërimit të teksteve, qenësorë në formimin e personalitetit të thirrësit është të ketë formën e ligjërimit të atillë që të jetë i këndshëm dhe jo i bezdisshëm për të gjithë audiencën. Në vijim do të paraqesim mënyrat dhe format e ligjërimit.
Mënyra e parë - Ligjërimi i pandërprerë
Kjo do të thotë që thirrësi të mbajë një fjalim të pashkëputur dhe të mos ketë ndërhyrje të njerëzve, qoftë me pyetje apo me argumente. Kjo praktikë zbatohet ditën e xhuma gjatë hytbes dhe është e përshtatshme kur mbahen ligjërime publike.
Mënyra e dytë - Bashkëbisedimi, pyetje-përgjigje
Kjo do të thotë që thirrësi të zhvillojë dialog me njerëzit nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve, për të mbërritur aty ku do.
Mënyra e tretë - Prezantimi i një problemi
Në këtë rast, thirrësi paraqet një problem dijeje para nxënësve, për të marrë përgjigje për zgjidhjen e saj. Qëllimi nëpërmjet kësaj është të bëhen pjesëmarrës edhe të tjerët dhe të vihen në lëvizje bashkë me predikuesin. Dy mënyrat e fundit janë më të përshtatshme nëpër mësimdhënie, madje ndonjëherë edhe në ligjërata e këshilla të ndryshme, me përjashtim të hytbes së xhumasë. Nëse thirrësi arrin të manovrojë mirë në këto dy mënyra, mund të vërë në lëvizje bashkëbiseduesit dhe ta largojë prej tyre mërzinë e lodhjen. Nuk është aspak e mençur që thirrësi të përdorë vetëm një mënyrë dhe një stil komunikimi, duke mos iu larguar e hequr dorë prej saj. Kjo gjë i shtyn njerëzit të lodhen, të mërziten dhe të mos aktivizohen. Kështu, edhe informacioni nuk memorizohet dhe të kuptuarit mbetet i paktë.
Një xhami diku në një zonë industriale kishte një xhemat, i cili nuk ulej të dëgjonte këshillat dhe mësimet. Njëherë një thirrës filloi duke thënë: “Nëse bashkia fillon të ndajë tokat në filan vend, si do t’i ndajë ato?!” Të gjithë u ulën të dëgjonin, madje edhe ata që dolën, u kthyen për të dëgjuar..! Të gjithë u përqendruan te thirrësi se çfarë po thoshte. Pasi ra qetësia tek të pranishmit, thirrësi tha: “Bashkia qenka më e rëndësishme për ne sesa Allahu dhe i dërguari Tij..?! Tokat e kësaj bote kalimtare qenkan më të shtrenjta sesa toka e Xhenetit?!” Pas kësaj here, kur ai fliste, ata nuk ngriheshin më.
Shembuj të larmisë së ligjërimit në Kuran dhe Sunet
Ai që lexon Kuranin, e sheh qartë dhe shpesh këtë kalim, diçka rreth saj e kemi përmendur edhe më parë. Po kështu edhe në traditën profetike gjejmë të Dërguarin e Allahut t’i përdorë të tria mënyrat që përmendëm. Nganjëherë stilin e tij e gjejmë në trajtën e një ligjërimi frikësues, sikur ai të lajmëron për armikun që ndodhet pas portës. Xhabir bin Abdullahi ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut mbante hytbe, i skuqeshin sytë, ngrinte zërin dhe nxehej mjaft, sikur të ishte duke urdhëruar një ushtri. Ai thoshte: “U gdhi këtu te ju, u ngrys këtu te ju.” (ka për qëllim që armiku mbërriti në të gdhirë ose në të ngrysur (sqarim) dhe thoshte: “Unë jam dërguar me Kiametin, kështu si këto të dyja” dhe bashkonte gishtin tregues me atë të mesit.”3
Një nga gjërat më interesante që vëmë re në komunikimin e Profetit a.s., është edhe përdorimi i asaj që sot në pedagogji quhet si ngacmimi i një problemi dhe më pas aktivizimi i nxënësve për zgjidhjen e tij. Njëherë Profeti a.s. u tha shokëve të tij: “Do të hyjnë në Xhenet prej ymetit tim një grup prej shtatëdhjetëmijë vetash, pa llogari dhe pa ndëshkim...” Pastaj hyri në shtëpinë e tij dhe nuk u shpjegoi se cilët ishin ata. Pa dyshim që një mënyrë e tillë komunikimi krijon një ngacmim të madh në mendjen e nxënësve, të cilët presin me padurim të dinë se kush janë këta shtatëdhjetëmijë veta, që edhe ata të jenë prej tyre. Kjo mënyrë, tërheq vëmendjen, vë në punë mendimin dhe bën që informacioni të ruhet më mirë. Kjo mënyrë është më
efektive dhe më mbresëlënëse se sa t’u thuhej: ata janë këta e ata. Për këtë, edhe nxënësit, që në këtë rast ishin shokët e Profetit, u vunë në lëvizje për ta zgjidhur... Dikush tha: Ata jemi ne, të cilët i besuam Allahut dhe ndoqëm të Dërguarin e Tij. Të tjerë thanë: Ata janë fëmijët tanë, të cilët kanë lindur në Islam. Thanë ...dhe thanë...Profeti a.s. e mori vesh, doli nga shtëpia dhe tha: “Janë ata, të cilët nuk kërkojnë rukje, nuk ndikohen nga oguret, nuk mjekohen duke u djegur dhe i janë mbështetur Zotit të tyre.”4
Edhe në pyetjen që Profeti a.s. drejtoi për pemën që i shëmbëllente myslimanit, në hadithin e mëparshëm, përdoret metoda e ngacmimit dhe pyetje-përgjigjes. Tradita profetike është e mbushur me të tilla mënyra mësimdhënëse, predikuese dhe edukuese. Sa nevojë kemi sot për to.5 Po ashtu, me rëndësi mbetet që gjatë ligjërimit hyn edhe mos zgjatja e ligjërimit, mos përsëritja e fjalëve dhe mendimeve dhe mos përdorimi qëllimisht i rimës. Natyra njerëzore është gatuar e tillë, që nëse dëgjon një ligjërim të zgjatur, të mërzitet, të bezdiset, të humbasë vëmendjen nëse tema për të cilën flitet, degëzohet shumë, ta urrejë sforcon, dhe shpërndarjen në të folur. Për këtë, ligjërimi i thirrësit duhet të mos jetë i gjatë, i mërzitshëm, i sforcuar dhe i padurueshëm, sepse i bën të lodhen dëgjuesit dhe të jenë të padëshiruar. Natyrisht kjo është humbje për të gjithë, në kohë dhe në energji.
Të zgjatesh në të folur, diçka që kuptohet, masa e saj varet nga nevoja që kanë njerëzit dhe se sa ata mbajnë.
Përsëritja e ideve, përsëritja e panevojshme e asaj që është thënë, me fjalë të tepërta. Ndërsa patosi dhe pompoziteti, të folurit me zjarr dhe madhështi, të sforcuarit për të thënë fjalë të mëdha, për të treguar oratori dhe për t’u dukur para njerëzve si elokuent që flet bukur.
Rima, përputhja e fjalëve me rrokje të njëjta si në një vjershë ose përputhje e plotë e rrokjeve të fundit të dy a më shumë vargjeve, duke filluar nga zanorja e theksuar.
Qëndrimi i traditës profetike ndaj këtyre gjërave është se i Dërguari i Allahut a.s. i ka ndaluar të gjitha këto, si zgjatjen, pompozitetin.., por i pëlqenin fjalët përmbledhëse. Ai thoshte: “...Më janë dhuruar fjalët e përmbledhura...”
Kjo do të thotë se fliste me pak fjalë të goditura, të shprehura mirë dhe që përmbanin kuptime të gjera. Një fjalë e urtë arabe thotë: “Fjalët më të mira janë ato të paktat dhe të saktat, ato që nuk zgjaten dhe nuk të bezdisin.” Një thirrës i mençur është ai që flet pak dhe lë gjurmë të thella në mendjet e njerëzve. Profeti a.s. ka thënë: “Namazi i gjatë i një njeriu dhe shkurtimi i hytbes është tregues i mençurisë së të kuptuarit të tij.”6
_________________________________
1. Sabahudin Jashari, Hartë e ligjërimit islam bashkëkohor tek shqiptarët, Ardhmëria, botim i parë, Tiranë, 2020, f.38.
2. Abdulkerim Zejdani, Usulu- d-ave, Muesesetu errisale, botimi i IX, Bejrut, 1999, f.576-567.
3. Sahihul Buhari 11/ 347 bashkë me “Çeljen e Krijuesit”.
4. Buhariu, 5705.
5. Adnan al Araur, Menhexh ed-da’ve fi dev’i el vaki el muasir, Tradita, Tiranë, 2009, f.223-224.
6. Muslimi,869.