Librat e fikhut që janë mësuar në medresetë e Kosovës
Në medresetë e Kosovës, në lëndën e fikhut janë mësuar librat më të rëndësishme të medhhebit hanefi. Kjo ngase Perandoria Osmane, pjesë e së cilës ishin edhe tokat shqiptare, i takonte medhhebit hanfei, dhe kjo ka ndikuar që në medresetë tona të mësohen librat bazë të këtij medhhebi.(1)
Në bazë të të dhënave për dorëshkrimet që gjenden në Kosovë mund të nxirret një pasqyrë e përgjithshme e librave të fikhut që janë mësuar në medresetë e Kosovës.
Si tekste në medresetë e Kosovës në lëndën e fikhut janë përdorur librat e mëposhtëm:
Multeka el-Ebhur: Kjo vepër është shkruar nga Ibrahim b. Muhamed el-Halebi (vdiq më 956/1549), dhe ka qenë libër bazë në medresetë osmane në Kosovë, madje ka qenë libër bazik edhe periudhat e para të Medresesë Alauddin, kur ajo ishte si shkollë e mesme e ultë, por edhe kur është bërë shkollë e mesme e lartë pas vitit 1962.(2) Kjo vepër gjithashtu është marrë për bazë si kod i së drejtës së Sheriatit edhe në gjykatat osmane.(3)
Terxhume-i Multeka: Kjo vepër është përkthim në gjuhën turke i veprës se njohur të fikhut “Multeka el-Ebhur”. Përkthyesi dhe komentuesi i kësaj vepre është Muhamed efendi Mevkufati dhe iu është kushtuar sulltan Ibraimit (1049/1058 h. - 1640/1648 m.). Në bazë të kësaj, këtë vepër Muhamed efendi Mevkufati e ka shkruar në mesin e shekullit XVII. Kjo vepër njihet edhe me emra të tjerë, si: “Terxhume-i multeka el-Ebhur”, “Sherh-i Multeka el-Ebhur”, “Sherh-i Kitab Multeka el-Ebhur”, “Terxhume-i Multeka el- Ebhur me’a Sherh bit-turkijjeti li el-Mevkufati”.(4)
Kuduri: Kjo vepër është shkruar nga Ebu?l-Hüseyn Ahmed b. Muhamed el-Kuduri el-Bagdadi (vdiq më 428/1039), i cili ka qenë njëri prej përfaqësuesve më të njohur të shkollës juridike hanefite. Kjo vepër për një kohë të gjatë është mësuar si libër didaktik nëpër medresetë e kohës, e rrjedhimisht edhe te ne. Te hanefitë kjo vepër shpeshherë, në shenjë respekti, është quajtur “El-Kitab”, ndërsa te nxënësit, sidomos tek ata të mëvonshmit, është njohur me emrin “El-Kuduri”, pra me emrin e autorit. Gjithashtu njihet edhe me emrin “Muhtesar el-Kuduri”.(5)
Kitab Munjeti el-Musal-li ve Gunjetu el-Mubtedi: Kjo vepër është shkruar nga Saduddin Muhamed bin el-Kashgari (vd. 705/1306) dhe ka të bëjë me rregullat e namazit.(6)
Kitab Gunjeti ei-Mutemli fi sherhi Munjeti el-Musal-li (Halebi sagir): Kjo vepër është komentim i veprës “Munjetu el-Musal-li” të Muhamed el-Kashgarit. Autor i këtij komentimit është Ibrahim ibën Muhamed bin Ibrahim el-Halebi (vdiq me 956/1549). Në fakt, autori i ka bërë dy komentime, njëri është vepra në fjalë që njihet me emrin “Halebi sagir” (Halebi i vogël), ndërsa tjetri është komentim më i zgjeruar dhe njihet me emrin “Halebi Kebir” (Halebi i madh). Këto dy komentimet kanë qenë shumë të njohura ndër ulematë tanë dhe i gjejmë pothuajse në të gjitha bibliotekat e ulemave tanë të mëhershëm.(7)
Kitab Ustuvani: Kjo vepër është e shkruar në gjuhën turke dhe i atribuohet Ustuvani Mehmet Efendisë. Autori i saj është një nxënës i Ustuvani Mehmet Efendisë, emri i të cilit është anonim.(8) Është në formë të një doracakut (ilmi-hal) dhe bënë fjalë për besimin islam, bazat e fesë islame, pastërtinë islame, namazin, etj.(9)
Shir’a el-Islam: Kjo vepër është shkruar nga myftiu i njohur Rukn el-Islam Muhamed bin Ebu Beker Imamzade el-Hanefi (vdiq me 573/1177). Kjo vepër e tij ka qenë mjaft e përhapur në botën islame si në mesin e njerëzve, ashtu edhe në mesin e ulemave osmanë. Ky libër, i cili është si një udhëzues në bazë të haditheve për jetën e myslimanit që nga lindja e deri në vdekje, ka qenë shumë i njohur dhe i lexuar në Anadoll. Gjithashtu është mësuar edhe në medrese, mejtepe dhe xhami.(10)
Durru’l-Muhtar: Kjo vepër është shkruar nga Muhamed Haskefi el-Hanefi (vd. 1088/1677). Në fakt, është komentim i veprës “Tenviru l-ebsar” të Dimeshkiut që ka të bëjë me jurisprudencën islame dhe të drejtën e Sheriatit.
El-Hidaje: Kjo vepër është një ndër veprat më të njohura të fikhut hanefi. Autori i saj është Burhanuddîn bin ebi Beker el-Merginani (vd. 650/1253), i cili i ka bërë komentim veprës së tij “Bidajetu’l-Mubtedi” duke i përmbledhur meselet që janë trajtuar në librin “El-Muhtasar” të Kuduriut dhe në librin “El-Xhami‘u’ssagir” të Muhamed bin Hasen esh-Shejbanit.
Muhtesar el-Vikaje: Kjo vepër është një ndër veprat më të njohura të fikhut hanefi. Autori është Sadr esh-Sheria eth-Thani (747/1346). Është komentim i veprës “Vikaje err- Rrivaje fi mesaili el-Hidaje” të Taxhusseria Omer bin Ubejdullah el-Buhariut (vd. 709/1309), i cili e ka shkruar këtë vepër për nipin e tij nga vajza, Sadr esh-Sheria eth-Thani, duke zgjedhur dhe marrë çështjet që i ka vlerësuar të rëndësishme në librin “Hidaje”.(11)
Kenz ed-Dakaik: Është vepër për fikhun hanefi, e cila përmban pyetje praktike dhe është mësuar nëpër medresetë e kohës. Autori i kësaj vepre është Hafizuddin ebu el-Berekat Abdullâh b. Ahmed b Mahmud en- Nesefi (vd. 710/1310).(12)
Ilmi Feraiz: Kjo vepër flet për ndarjen e trashëgimisë ndërmjet trashëgimtarëve. Autor i saj është Siraxhuddin Muhamed b. Aburrashid es-Sixhavendi (jetoi në shek. VII të hixhrit).(13)
Në medresetë tona në lëndën e usuli fikhut me ndonjë ndryshim janë mësuar librat e mëposhtme: Miratu Usul fi ?erh Mirkati’l-Vusul: Kjo vepër është një ndër veprat e njohura në lëmin e usuli fikhut. Autori i kësaj vepre është mulla Muhamed bin Feramerz bin Ali, i njohur si Mulla Husrev (vd. 885/1480). Autori në këtë vepër e ka komentuar veprën e tij, “Mirkatu’l- vusul ila ilmi’l-usul” e cila është më e vështir për t’u kuptuar.(14)
Tenkihu l-usul ve tavzihu’t- tenkih: Autor i këtyre veprave është Burhan e?-?eria Mahmud b. Sadri e?-?eria el-Evvel el-Hanefi (vd. 673/1274). Libri Tavzih është komentim i librit Tenkih. Këto vepra janë mësuar në medresetë osmane në lëndën e usuli fikhut.(15)
El-Mugni (el-Mugni fi usuli’l- fikh): Autor i kësaj vepre është Xhelaluddin Omer el- Habbaz el-Huxhandi (vd. 691/1292). Kjo vepër është mësuar në lëndën e usuli fikhut në medresetë tona.(16)
Sherhu’l-Menar: Kjo vepër është komentim i veprës “Menaru’l-Envar” të Ebu el-Berekat Hafizuddin en-Nesefi (vd.1310). Autor i saj është Ibën Melek (vd. 797/1395). Kjo vepër është mësuar për një kohë të gjatë në lëndën e usuli fikhut nëpër medrese.(17)
____________________________
1. Hasan Kayap?nar - Omer Korkmaz, “XVI. Yuzy?l Osmanli Medreselerinde F?k?h Egitimi (Sahn-i Seman ve Suleymaniye Ornegi), Uluslararas? Sosyal Arast?rmalar Dergisi, vëll. 10, Nr. 54, 2017, f. 1016.
2. Driton Arifi – Ekrem Maqedonci, “Kontributi dhe Roli i Medresesë Alaudin në kultivim dhe ruajtjen e shkollës juridike hanefite në trojet shqiptare”, Medreseja “Alaudin” e Prishtinës: 65 vjet në shërbim të arsimit fetar dhe kombëtar, Prishtinë, 2018, fq. 508-510.
3. Ayd?n - Erunsal, po aty, fq. 106.
4. Sadik Mehmeti, Dorëshkrimet orientale në arkivin e Kosovës, Prishtinë, 2008, fq. 74.
5. Po aty, fq. 71.
6. Po aty, fq. 76.
7. Po aty, fq. 77-78.
8. Muammer Goçmen, “Ustuvani Mehmet Efendi”, TDV Islam Ansiklopedisi, Vëll. 42, Stamboll, 2012, fq. 397.
9. Mehmeti, Dorëshkrimet Orientale… , fq. 80.
10. Po aty, fq. 81; Necati I?ler, “Muhammed b. Ibrahim’in Manzum ?ir’atu’l-Islam Tercumesi (?ir’a-i Manzum)”, Eskiyeni 41, Ankara, 2020, fq. 779.
11. Telkenaroglu, po aty, fq. 162; Mehmeti, Dorëshkrimet Orientale…, fq. 89.
12. Mehmeti, Dorëshkrimet Orientale…, fq. 92.
13. Mehmeti, Shkollat dhe arsimi në Kovovë….., fq. 286.
14. Po aty, fq. 83; Telkenaroglu, po aty, fq. 164.
15. Mefail Hizli, “Osmanli Medreselerinde Okutulan Dersler ve Eserler”, Bursa, UU Ilahiyat Fakultesi Dergisi, Vëll.17, Nr. 2008) 1), fq. 38; Mehmeti, Shkollat dhe arsimi në Kovovë….., fq. 286.
16. Mehmeti, po aty, fq. 287.
17. Po aty, fq. 287.
Jeton Neziri
Dituria Islame 367