Hyrje konceptuale në shkencën „Qëllimet e Sheriatit” (1)


Abstrakt

Në këtë studim hyrës shqyrtohet koncepti i disiplinës “Qëllimet e Sheriatit” dhe sigurohen disa përkufizime themelore për këtë fushë të jurisprudencës islame. Kjo është bërë duke hulumtuar kuptimet e çdo nocioni me ndikim në ndërtimin e perceptimit për këtë lëmi, duke reflektuar fillimisht në kuptimet etimologjike të nocioneve, për t’u thelluar më pas në zanafillën dhe objektin e këtij lëmi, për të arritur deri te përkufizimi terminologjik dhe, në fund, radhitja e të gjeturave përfundimtare të këtij punimi shkencor.
Fjalët kyçe: Qëllim, interes, ligj, sheriat, jurisprudencë islame, filozofi e të drejtës sheriatike, jurisprudencë e interesave.

1. Hyrje

E drejta islame, në drejtim të angazhimit të saj për lumturinë e njerëzve dhe për të arritur mirëqenien e tyre, që qëndron në ‘ruajtjen e fesë, jetës, mendjes, pasardhësit dhe pronës’(1), erdhi me dispozita të caktuara për të realizuar synime të qarta dhe sublime që njihen si Qëllime të Sheriatit. Ajo i promovon këto qëllime për anëtarët e vet dhe për të gjithë të tjerët nëpërmjet drejtësisë mëshiruese, e cila në rrethana të një praktikimi koherent do të kufizonte rastet kur njerëzve iu duhet të shkojnë në gjykatë dhe do të përqendronte vëmendjen në përmbushjen e kërkesave bazë të shoqërisë. Një qasje e tillë, përveç se do të reflektonte në ligj frymën morale të bashkësisë, do ta rinovonte për mbarë edhe qytetërimin njerëzor. Pra, në thelb të kësaj disipline është koncepti i ndërveprimit mes komunitetit dhe shpalljes në adresimin e shqetësimeve që ka shoqëria dhe zgjidhjeve për to, gjë e cila demonstron se Sheriati përmban në bollëk parimet e nevojshme për avancim.
Qëllimet, mbi të cilat themelohet dhe i mbron e drejta islame si idealet më të larta, me kalimin e kohës u bënë objekt studimi i një disipline të veçantë shkencore e cila zuri vend të konsiderueshëm në mesin e diturive tjera islame. Kjo lëmi tashmë e ka marrë vëmendjen e merituar të hulumtuesve, edhe nga studiuesit jomyslimanë, e ky punim shpresoj të ngjallë kujdes më të madh për këtë fushë të rëndësishme të mendimit te lexuesit shqipfolës.
Ky studim është një kontribut modest në avancimin e diskutimeve mbi qëllimet e të drejtës islame dhe natyrën e saj, në mënyrë që të hedhet dritë mbi vlerat më të larta të Sheriatit dhe të ekspozohet fryma e përgjithshme e tij, ashtu që të jemi në gjendje të hartojmë dispozita të drejta dhe politika zhvillimore. Njëherësh është një përpjekje që të pasurohet sadopak boshllëku në literaturën shqipe në sferën e këtij lëmi, e cila mund të jetë pjesa më e varfër e librotekës islame në gjuhën tonë në krahasim me njohuritë e tjera.
Meqenëse kjo disiplinë ngjan shumë me jurisprudencën, shkencën apo filozofinë e së drejtës,(2) që studion konceptet dhe teoritë filozofike ligjore, njëjtë si ajo edhe kjo mund të ndahet në tri degë: analitike, sociologjike dhe teorike:
i. Dega analitike artikulon aksiomat, përcakton termat dhe përshkruan metodat që më së miri i mundësojnë një të parë të qartë për rendin ligjor si një sistem logjik i qëndrueshëm. Pra, kërkon të përgjigjet në pyetjen: çfarë është e drejta ose cila është natyra e saj?
ii. Dega sociologjike shqyrton efektet aktuale të ligjit brenda shoqërisë dhe shkallën e ndikimit të fenomeneve sociale në aspektet thelbësore dhe procedurale të ligjit.
iii. Dega teorike vlerëson dhe kritikon ligjin në kuptim të idealeve apo qëllimeve të parashtruara për të.(3)
Problemi i studimit buron nga supozimi se koncepti i qëllimeve të ligjit islam nuk është plotësisht i qartë as te studiuesit shqipfolës të kësaj të drejte, e lëre më te joprofesionistët, prandaj edhe lëmi nuk ka gjetur përhapje në vendet tona. Arsyeja për këtë mund të jetë mjaftimi i juristëve te ne me metodën e detajimit të meseleve (Menhexhul-furui), në vend se t’ia bashkëngjitin edhe metodën e themelimit mbi të përgjithshmet (Menhexhut-te’sili), e cila mëson procesin si arrihet deri te nxjerrja e dispozitave nisur nga identifikimi i urtësive legjislative që përfaqësojnë drejtësinë dhe zhvillojnë interesat.
Problemi i studimit mund të formulohet në pyetjen: Çfarë janë konceptualisht(4) “Qëllimet e Sheriatit”? Kjo problematikë kryesore shqyrtohet nëpërmjet përgjigjeve që do të japë hulumtimi në pesë nënpyetjet vijuese:
- Pse janë të rëndësishme dhe çka nevojiten ‘Qëllimet e Sheriatit’? - Çfarë kuptimi etimologjik kanë?
- Nga rrjedh zanafilla e kësaj teorie ligjore?
- Cili është objekti studimor i këtij lëmi shkencor?
- Si përkufizohen në terminologji “Qëllimet e Sheriatit”?
Metoda analitike për këtë lëmi përqendrohet në studimin e strukturës logjike të së drejtës islame dhe e mënyrave të veprimit të saj. Fillon me një analizë konceptuale të fjalëve dhe fjalive në revelatë, për të marrë prej tyre termet dhe kuptimet themelore në fushën e së drejtës. Më pas kalon në racionalizëm, duke kërkuar përgjigje për pyetjet: çfarë duhet të nënkuptojmë dhe ç’rrugë duhet ndjekur që kuptimet tona të jenë të drejta, sepse vetëm përmes arsyes së ushtruar metodologjikisht arrijmë të formojmë idenë e re me anë të së cilës vijnë dhe përshkruhen qëllimet më të larta të Sheriatit. Dhe, përfundon në eksperiencë, si metodë për njohjen e interesave bazuar në përvojë.
Për ta vënë në rregull punimin është planifikuar të zhvillohet në shtatë pika të ndara, që fillojnë me këtë hyrje metodike për të vijuar me përgjigjet në pesë nënpyetjet e parashtruara dhe mbarojnë me të gjeturat përfundimtare, por që janë të ndërlidhura në mes vete në mënyrë që leximi të jetë më i lehtë dhe kuptimi të ndërtohet sistematikisht.
Në hartimin e studimit jam mbështetur në tekstet e përdorura sot si referenca të lëmit në shumë universitete botërore, në mënyrë që ky punim t’iu shërbejë sado pak studentëve dhe studiuesve të fushës në gjuhën shqipe.

2. Rëndësia e lëndës

Në mendimin modernist dhe atë bashkëkohor islam, në fushën e jurisprudencës dhe të filozofisë, ka pasur një interes në rritje për qëllimet e Sheriatit, teori e cila tashmë ka zënë vend të rëndësishëm në mendimin islam, për faktin e thjeshtë se e drejta, pjesë e së cilës është edhe kjo lëmi, në njëfarë mënyre është domethënia thelbësore e çdo civilizemi.
Në ditët e sotme, kurrikulat e fakulteteve të drejtësisë islame në mbarë botën përmbajnë minimalisht një kurs të detyrueshëm për studimin e “Qëllimeve të Sheriatit”, duke e trajtuar këtë lëndë si gurthemel të arsimit juridik islam, praktikë e mirë kjo e cila duhet të jetësohet edhe tek ne.
Këtë disiplinë, për studimin e së cilës janë mbajtur konferenca dhe janë themeluar institute, na nevojitet ta mësojmë për arsye se:
a) Në rrafshin personal: harmonizon qëllimet e njeriut me qëllimet e të drejtës. Nëse nuk merren parasysh urtësitë e normave gjatë zbatimit të dispozitave, vepra do të konsiderohet sikur të mos ishte kryer, nëse shpëton pa u kthyer në një punë të keqe. Sepse, çdo veprim që bëhet nga myslimani, që të pranohet si i mirë, i hijshëm dhe i drejtë, objektivi i tij duhet të jetë në përputhje me qëllimet e fesë dhe vepra të jetë në pajtueshmëri me modelin e jetësuar nga i Dërguari i Zotit alejhisselam. Në mënyrë që bërësi të mos e asgjësojë punën pa e ndier dhe të mos e prishë pa e vënë re ndërkohë që kërkon përmirësimin.
b) Në rrafshin profesional: orienton intelektin juridik (ixhtihadin) ta mësojë dhe ta analizojë një çështje nga shumë pikëpamje. Kjo është me rëndësi, ngase realiteti jetësor dëshmon se nganjëherë gjendemi në situata të tilla ku ligjet të interpretohen në mënyra të ndryshme dhe të duket sikur shumë palë kanë të drejtë deri në atë masë sa bëhet e vështirë të pranohet tërësisht vetëm një mendim.
c) Në rrafshin kulturor: identifikon thelbësoret e Islamit, qëllimet e tij, realizimi i të cilave është ideali i një shteti të së drejtës në një shoqëri myslimane të hapur ndaj përvojës njerëzore. Dijetarët që përkufizuan qasjet të cilat çojnë në zbulimin e këtyre qëllimeve, nuk lejuan të zihen robër të sipërfaqësores së çfarëdo teksti, sado madhështor të jetë ai, derisa konteksti ku është thënë dhe logjika e përgjithshme e shkrimit ndihmon në thellimin e deri te urtësitë e fjalëve.
Si pasojë, njohja e ‘qëllimeve’ jo vetëm që është e dobishme për qytetarin e rëndomtë, por edhe mund të jetë e domosdoshme për intelektualin, myftiun, ligjvënësin, gjykatësin, zbatuesin e ligjit dhe politikëbërësin. Kështu që, aspekte të caktuara të kësaj disipline nevojitet të kthehen në kulturë qytetare gjithë popullore. Ndërkaq, njohja e thellësishme e urtësive të fesë, bukurive dhe qëllimeve të saj konsiderohet nivel elitar i dijes fetare(5), prandaj edhe me të drejtë thuhet “kushdo që nuk vëren shfaqjen e qëllimeve në urdhrat dhe ndalesat, nuk ka njohuri në zhvillimin e ligjit të sheriatit”(6).
Ky lloj i diturisë nevojitet në jurisprudencë që të njohim nëpërmjet saj: a) Natyrën e të drejtës islame, e cila sipas bindjes unanime të myslimanëve është e tëra urtësi për nga njohja, mëshirë e drejtësi në strukturën e vlerave të legjislacionit dhe interes e dobi në modelin e qëllimeve. Kjo bindje përputhet me misionin e Profetit alejhiselam dhe të revelates së fundit të përkufizuar në vërsetin kuranor ku i Gjithëmëshirshmi thotë: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse mëshirë për botët”(7), e nuk do të ishte mëshirë sikur të mos merrte në përkujdesje interesat e të mëshiruarve. Në këtë kuptim, Kurtubiu do të shkruante: “Nuk ka divergjencë mes mendarëve se me ligjet e profetëve synohet realizimi i interesave fetare dhe jetësore të krijesave”(8) . Njëjtë me të u deklarua edhe Shatibiu kur, me të drejtë, deklaroi: “Ligjvënësi ka vënë rendin e Sheriatit në bazë të interesave”, për ç’gjë ai pohon se ka pajtueshmëri mes dijetarëve(9). Nisur nga ky konsensus i përmendur edhe nga të tjerë, Ibnul Kajjim do të theksonte se “sheriati është strukturuar dhe themeluar mbi bazën e urtësive dhe interesave të robërve të Zotit në këtë dhe botën tjetër. Ai është i tëri drejtësi, mëshirë dhe dobi; çdo çështje që kalon nga drejtësia në padrejtësi, nga mëshira në të kundërtën, nga interesi në dëm dhe nga urtësia në kotësi nuk ka të bëjë aspak me sheriatin, edhe nëse futet në të nëpërmjet interpretimit (të gabuar).”(10)
b. Ndërlidhjen e të drejtës islame me realitetin shoqëror, ashtu që kjo e drejtë të rikthehet në zgjidhëse problemesh dhe që myslimanët të bëhen pasqyrim real i mësimeve të Kuranit, duke gjallëruar besimin nëpërmjet standardizimit të veprimtarisë së tyre mbi kritere me bazë në vet Librin e shpallur.
Si rrjedhojë, njëmend del se njohja e qëllimeve të Sheriatit, të fshehura në dispozita që shoqërojnë njerëzimin, na mundëson:
i. ta kuptojmë dhe ta rregullojmë jetën në bazë të një qëllimësie humane tek e cila thërret Shpallja, e si pasojë;
ii. të rritim rolin në ngritjen e qytetërimit njerëzor mbi përfilljen e të vërtetës dhe të drejtës, si në shkaqe ashtu edhe në rezultate.
Së këndejmi, kjo lëmi, edhe pse komplekse, është kusht paraprak për muxhtehidin (intelektualin):
i. për të trajtuar që në thelb çështjet sfiduese të kohës,
ii. për të zhvilluar jurisprudencën islame bazuar në objektivat që ka, duke rirenditur prioritetet në bazë të vlerave, dhe
iii. për të jetësuar urtësitë humane që ngërthejnë në vete dispozitat e kësaj të drejte, duke i ndërlidhur dispozitat me qëllimet e tyre funksionale dhe duke i sistemuar qëllimet në parime dhe norma.
Kjo është kështu sepse lëmi mekasid përfaqëson koncepte ligjore dhe metodologji standarde për zhvillimin e një ixhtihadi të mirëfilltë, duke filluar që nga saktësimi i argumentit dhe përzgjedhja e atij që i përgjigjet rastit, e deri te argumentimi për dispozitën dhe dhënia e gjykimit përfundimtar që siguron realizimin e qëllimit të argumentit. Ngase, standardi që siguron vlefshmërinë e një ixhtihadi është vërtetimi se argumenti i përdorur për të argumentuar një dispozitë realizon qëllimin e sheriatit përkitazi me çështjen e parashtruar. Përforcohet roli i mekasidit në saktësimin e argumenteve, nëse marrim në konsideratë se “dallimi i analogjisë së saktë (kijas sahih) nga e pasakta (kijas fasid), që është prej njohjeve (juridike) më me peshë, mund të arrihet vetëm nga një ekspert në fushën e urtësive të sheriatit dhe qëllimeve të tij.”(11) Pas verifikimit të argumenteve, puna e muxhtehidit -sipas imam Xhuvejnit- fillon me qartësimin e argumentit të prerë (delil kati’)(12), në mesin e të tjerëve me të cilët punohet, pasi që argumentet përmbajnë në vete qëllimet dhe janë burim i tyre. E meqenëse ‘argumentet citate’ (en-nusus) janë një prej rrugëve të identifikimit të qëllimeve të sheriatit, mund të konkludojmë se prej marrëdhënieve më kryesore mes tyre mund të jetë edhe: aneksimi i urtësisë së dispozitës për nga niveli i shkallës së prerë me nivelin e shkallës së prerë të argumentit të saj.(13) Pra, vlefshmëria e ixhtihadit varet nga dy gjëra: a) saktësia e argumenttit dhe; b) argumentimi i saktë për dispozitat dhe domethëniet që jep argumenti, komfor rregullave gjuhësore dhe racionale në suaza të realizimit të qëllimeve ligjore. Prandaj, ka të drejtë Shatibiu kur pohon se grada e ixhtihadit (intelekti ligjor) në përfitimin e dispozitave (istinbat) nga kuptimet (meani) që japin citatet, kryekëput varet nga: a) njohja e plotë e qëllimeve të sheriatit dhe nga b) aftësia për të nxjerrë përfundi- me bazuar në këtë njohje të qëllimeve.
E, kur individi arrin shkallën për të kuptuar nga Ligjvënësi qëllimin e tij në çdo çështje (mesele) prej çështjeve të sheriatit dhe në çdo fushë prej fushave të tij, atëherë ai ka fituar tiparin për hir të së cilit zë pozitën e zëvendësit të Profetit alejhisselam në mësimdhënie, fetva dhe në gjykim sipas asaj që i mundësohet të dijë nga Zoti”.(14)
Kështu që, qëllimet e ligjit shërbejnë si frymë e përgjithshme e cila lidh dobishmërinë që ligji synon për njerëzit me të mirën që vetë njerëzit duan. Gjë e cila sot përbën arritjen më të lartë në mendimin modern në politikën globale që përkujdeset për interesat e përbashkëta të njerëzve.
Pra, njohja e disiplinës mbi qëllimet e sheriatit është e rëndësishme sepse me metodologjinë e saj na mundëson të rregullojmë jetën në përputhshmëri me shpalljen, aq sa mundësohet nga dija jonë shkencore, si dhe të ngremë qytetërimin në bazë të realitetit dhe të drejtës, si në shkaqe ashtu edhe në rezultate, për të arritur konceptin e përgjithshëm të adhurimit të Zotit si vepërmirësi mbarëjetësore, e cila mundëson harmonizimin e njeriut me ekzistencën që pandërprerë lavdëron Zotin nëpërmjet gjuhës së rendit, madhështisë dhe bukurisë që manifeston.

3. Kuptimi etimologjik

Sikurse në çdo shkencë tjetër, ashtu edhe në këtë, hyrja fillon me shpjegimin gjuhësor të emrit të disiplinës në fjalë. Ngase duke dhënë sqarime etimologjike për domethënien dhe zanafillën e emrit të një shkence, ne kuptojmë shumëçka për esencën dhe natyrën e fushës që ajo studion, si një dituri e veçantë e krijimtarisë intelektuale dhe shpirtërore të njeriut.
Para se t’i shpjegoj “Qëllimet e Shariatit” si koncept, vlen të theksohet se ky emërtim është përkthim i emrit të përveçëm të kësaj disipline që është “Mekasidush-Sheria”, me të cilin edhe njihet te profesionistët e fushës anë e kënd botës bashkëkohore. Ky emër rrjedh nga gjuha arabe dhe përbëhet nga këto dy fjalë: “mekasid” dhe “sheria”. Kuptimi i secilës fjalë veç e veç ndihmon në perceptimin e drejtë të kuptimit të tërësishëm që japin të dyja së bashku kur përdoren si emër i një lëmi.
Pra, të shohim fillimisht çfarë domethënie kanë këto dy fjalë.
a) Fjala “mekasid” ka kuptimin qëllime. Ajo është shumësi i fjalës “maksad” që do të thotë qëllim dhe jep kuptimin e drejtpërdrejtë të foljes/veprimit në trajtë emri. Por, gjithashtu, është shumësi i fjalës “maksid” që nënkupton vendorientim, kur duam të tregojmë vendin që e synojmë.(15) Kështu që, kjo fjalë dëfton dy gjëra: e para, vendosmërinë në vepër për të arritur diku dhe, e dyta, kuptimin që synojmë të shprehim përmes fjalëve.(16)
Vlen të përmendim këtu se nga folja "kasade", prej së cilës rrjedh termi “Mekasid”, kanë origjinën tri teori të jurisprudencës (Usulit) të veçanta nga njëra tjetra, edhe pse të ndërlidhura ngushtë mes vete(17):
i. Teoria El-Maksudatë: teoria e kuptimeve ose semantikës. Shqyrton qëllimshmërinë e fjalëve/fjalive, gjegjësisht raportin fjalëkuptim. Pra, merret me përmbajtjen semantike të ligjërimit ligjor dhe ndryshe njihet si ed-delalatë.
Përgjithësisht fjalët nuk synohen në vetvete, por për shkak të kuptimeve që japin. Mirëpo, qëllimi i një folësi, sikur që shfaqet nga e përgjithshmja e tekstfjalës, mund të bëhet edhe nga e përgjithshmja e kuptimit (gjuhësor ose sheriatik)(18) të tekstfjalës që çon te “kuptimi i kuptimit sipërfaqësor”(19). Por mund të ndodhë të aludojnë për qëllimin që të dyja në mënyrë të barabartë.(20)
ii. Teoria El-Kusudë: shumësi i fjalës kasd (kast)(21) që d.m.th. qëllim i paramenduar. Lëmi e cila studion nijetet, qëllimshmërinë e bërësit, për të cilat flet thënia profetike: “Njëmend veprat janë me nijete, e secilit paramendues i takon çfarë ka pas për qëllim”(22).
Kjo është kështu ngase “dispozitat ligjore nuk janë thjesht tekste gjuhësore që kuptohen vetëm në bazë të rregullave gramatikore ose retorike, para së gjithash ato nga njëra anë përfaqësojnë vullnetin e ligjvënësit në ligj, e në anën tjetër ligjvënësi nga ligji ka për qëllim obligimin e të ngarkuarve me ligj që të mbajnë qëllimin e tyre në përshtatshmëri me qëllimin e ligjit”(23). Përndryshe, “kushdo që paramendon të arrijë nga kryerja e detyrave të Sheriatit diçka tjetër prej asaj që është marrë në konsideratë nga ligjvënësi si qëllim i dispozitave, veçse ka kundërshtuar sheriatin. E, çdonjëri që e kundërshton atë, veprimin e tillë e ka pavlerë (batil)”. Pra, kërkohet që “qëllimi i bërësit në veprimin e tij të bashkërendohet me qëllimin e ligjvënësit në vënien e atij ligji”(24), e kurrsesi të mos kundërshtohen.
iii. Teoria El-Mekasid: teoria e qëllimeve të Sheriatit. Lëmi që studion përmbajtjen vlerore të ligjërimit islam. Për këtë lloj qëllimi, Gazali thotë se ndahet në dysh; fetar dhe jetësor, e secili prej tyre degëzohet në ‘profitsjellës’ (tahsil), që ndryshe mund të quhet ‘sjellës interesi’ (xhelbul-menfeati) dhe ‘profitruajtës’ (ibka’), që ndryshe mund të quhet ‘largues i dëmit’ (def’ul-me- darr-rre). Kështu që, përkujdesja për qëllimet nënkupton dy gjëra: a) ruajtja e përfitimeve të arritura nga dëmtimet e ndërprerjet; b) sjellja e përfitimeve të reja dhe zhvillimi i të siguruarave.(25)
b) Fjala sheriat do të thotë udhë kah uji, pra që çon te burimi i jetës, por kështu quhet edhe vet rrjedha e pandalshme e ujit nga e cila në mirëqenie shuhet etja pa pasur nevojë për nxjerrje me kovë.(26) Kjo simbolikë e përshkruan Islamin në funksion si udhëzim jete dhe udhë e mirëqenies. Nga kjo pikëpamje sheriati është: udhëzimi që ndiqet për të gjallëruar jetën me vlerat dhe normat e besimit që e konkretizojnë mirëqenien. Pra, është diçka ushqyese, nga e cila shoqëria myslimane e merr lehtësisht ushqimin e saj themelor për jetën. E, derisa Sheriati përcakton rrugën, subjekti i tij i vërtetë është Zoti.
Më vonë, fjala Sheriat është kthyer në një term shkencor që nënkupton vetë të drejtën islame (fikhun), si tërësi vlerash e normash me bazë në shpallje që rregullojnë veprimtarinë njerëzore, e jo më si mënyrë e të jetuarit që lehtëson përqafimin e atyre vlerave dhe normave me burim te besimi.
Kurani fisnik, në një prej verseteve të tij, për të sinjalizuar njëfarë dallimi mes sheriatit si a) rrugë që ndiqet, dhe si; b) rend që zbatohet, i drejtohet të Dërguarit të Zotit alejhiselam me fjalët: “Dhe tani, Ne të kemi vënë në një rrugë të rendit (urdhrit), andaj ndiqe atë dhe mos shko pas dëshirave të atyre që nuk dinë!”(27)
Aplikimet bashkëkohore të sheriatit në çdo shoqëri myslimane ose në politikë juridike kërkojnë një metodologji që përfaqëson universalitetin dhe fleksibilitetin e sheriatit me rrethanat në ndryshim. Pa komponentët e sheriatit, që kanë të bëjnë me vendosjen e ndërlidhjes me mjediset dhe kulturat, ose me fjalë të tjera me dimensionet e historisë dhe gjeografisë së popullit, çdo aplikim ose politikë e tillë do të ishte kundërproduktive.
Në këtë kontekst duhet theksuar se termi sheriat ka marrë tri përdorime në literaturën islame:
i. Sinonim i Islamit/Dinit, kur përdoret si emër i gjithë asaj që kanë kumtuar nga Zoti të Dërguarit e Tij, paqe dhe mëshirë paçin! Dallimi qëndron në atë se sheriati si rrugë e shtruar korrespondon me shpalljen nga Zoti si burim vlerash dhe normash, ndërkaq Islami/Dini si nënshtrim/ndjekje e rrugës subjekt i tij është njeriu. Në këtë kuptim përmbledhës të sheriatit si udhë feje e profetëve, Kurani fisnik thotë: “(Zoti) Për ju shtroi (sherea) atë rrugë feje (din) që e porositi me të Nuhun dhe ta shpalli ty (Muhamed), me të cilën pati porositur edhe Ibrahimin, Musën e Isanë: “Mbani ngritur fenë e mos u përçani në të”(28). Ndërkohë, për sheriatin si emër i përveçëm i udhës Zotit të modifikuar përfundimisht me çfarë i shpalli Muhamedit alejhisselam, Kurani thotë: “Dhe tani, Ne të kemi vendosur në udhën e rendit (Sheriatul-emri), andaj ndiqe atë dhe mos shko pas dëshirave të atyre që nuk dinë!”(29). Pra, sheriati dhe dini do të ishin identikë sa i përket “rrugës”, nëse lëmë mënjanë referencën hyjnore apo njerëzore, për nga burimi ose praktikimi.(30)
ii. Sinonim i Fikhut kur me këtë nënkuptohet vetëm ana juridike në Islam ose vetëm doktrina e besimit (akaidi),(31) ndaras nga njëra tjetra. Kjo sepse tërë spektri i dijes fetare ishte Fikhu, i cili kur përdorej për besimin quhej Fikhul-Ekber, e kur përdorej për të nënkuptuar praktiken ligjore quhej Fikhul-Furu’. Pastaj, me kohë është specifikuar si term që identifikon shkencën për ligjin islam.
iii. Sinonim i Ixhtihadit ligjor, kur nënkupton opinionet juridike që kanë hyrë në literaturën e së drejtës islame përmes interpretimeve të juristëve, pavarësisht a janë të qëlluara apo të gabuara. Sipas këtij kuptimi përfshirës të praktikes ligjore islame, sheriat quajmë dispozitat specifike me të cilat rregullohet veprimtaria e mukelefit dhe që janë të përshkruara ose të mbështetura në shpallje.


__________________
1. Muhammed el-Gazali, El-mustasfa fi ilmil-usul, botuar me librin e Muhibbullah Abdushs- hekur: Musel-lemuth-thubut, ed.1, Egjipt: El-Matbeatul-emirijje, 1392 h, 1/285.
2. Ajo që në evropën kontinentale njihet si “Filozofia e së drejtës”, në shumë shkolla të së drejtës, sidomos në ato anglo-saksone, quhet Jurisprudencë. Vetëm në shekullin XIX termi “Jurisprudencë” mori kuptimin e një shkence të së drejtës, falë kontributit të dy autorëve anglosaksonë, Xheremi Bentamit (Jeremy Bentham) dhe Xhon Ostinit (John Austin), idetë e të cilëve u përhapen edhe në Evropën kontinentale.
Shih, Luljeta Ikonomi, Filozofia e së drejtës, ed. 2, Tiranë: Onufri, 2010, fq. 12-13.
3 Shih, Enciklopedia Britanika, “jurisprudence”: www.britannica.com/science/jurisprudence.
4. Fjala ‘koncept’ është përdorur në punim për t’iu referuar përmbajtjes kryesore të disiplinës.
5. Ahmed bin Abdulhalim Ibnu Tejmijje (728 h), Mexhmu’ul-Fetavi, Medine: Mexhmaul-melik Fehd lit-tibaatil-Mus’hafish-sherif, 1995, 11/354.
6. Abdulmelik bin Abdullah el-Xhuvejni (478 h), El-Burhan fi Usul’il-Fikh, ed. 1, Beirut: Da- rul-kutubil-ilmijje, 1997, 1/101. Poashtu shih, Muhammed bin Ali Hakim Tirmidhiu, Ithbatul- ilel, rec. Halid Zuhri, Ribat: Menshurat Kul-lijetil Adabë uelumil-insanijje, Kasablankë: Mat- beatun-nexhah, pa vit botimi, fq. 78.
7. Kurani, El-Enbija (21): 107.
8. Muhamed Ahmed el-Kurtubi (671 h), El-Xhami’ li ahkamil-Kuran, ed. 2, Kairo: Darul kutu- bil-misrijje, 1964, 2/64.
9. Ibrahim Musa Shatibi (790 h), El-Muvafekatë, ed.1, Demmam: Daru Ibni Affan, 1997, 1/139.
10. Muhamed bin Ebu Bekër “Ibnul-Kajjim” (751 h), I’lamul-muvekkiinë an Rabbil-aleminë, ed.1, Beirut: Darul-kutubil-ilmijje, 1991, 3/11.
11. Ahmed bin Abduhalim ‘Ibnu Tejmijje’, Mexhmuul-fetava, Mekë: Mektebetun-nahdatil-hadi- theti, pa vit botimi, 2/583.
12. Abdulmelik el-Xhuvejni, El-burhan fi usulil-fikh, ed.2, rec. Abduladhim ed-Dibë, Kairo: Darul-Ensarë, 1400 h, 1/85.
13. Galijetu Buhedde, El-eb’adul-mekasidijje fi menahixhit-teâmuli meas-Sunneti indel-Muxhte-hidine ue tatbikatuhel-muâsire, revista “Islamijjetul-ma’rife”, Amman, v. 16, nr. 61, 2010, fq.13. Shih edhe, Muhammedtahir bin Ashurë, Mekasidush-Sheria, ed. 2, Tunizi: Esh-sheri-ketut-tunisijje lit-tevzi’, 1988, fq. 42.
14. Ibrahim Musa esh-Shatibi, El-Muvafekatë, rec. Elhusejn Ejt Seid, ed. 1, Fas - Marok: Mens- huratul-Beshir, 2017, 5/44-46; Rejsuni, Objektivat e ligjit islam, fq.490.
15. Shih, Halil bin Ahmed el-Ferahidi (vdiç 170 h), Kitabul-Ajn, red. Mehdi el Mahzumi dhe Ibrahim Es-samerrai, Daru ue mektebetul-hilal, 5/54; Ahmed bin Muhammed el-Fejumi (vdiç rreth 770 h), El-misbahul-munir fi garibish-sherhil-kebir, ed. 2 Beirut: El-mektebetul-ilmijje, 1994, fq. 504; Ahmed Muhtar Abdulhamid e të tjerë, Mu’xhemul-lugatil-arabijetil-mua- sire, ed.1, Beirut: Alemul-kutub, 2008, 3/1820.
16. Shatibiu ndau qëllimet e sheriatit në katër; dy të paret kanë të bëjnë me kuptimin dhe sqarimin, ndërkaq dy tjerat kanë lidhje me vendosmërinë dhe vullnetin.
17. Referencë të mirë konsultuese për këtë çështje do të përbënin tre vepra: Taha Abdurrahman, Texhdidul-menhexh fi takvimit-turath, ed. 2, Beirut: El-Merkezuth-thekafil-arabi, 1994, fq. 98; Abdurrahman el-Adravi, Med’hal te’sisi fil-fikril-mekasidi, ed. 1, Beirut: Merkez Nema lil buhuth ued-dirasat, 2015, fq 22; Valon Myrta, Mekasidut-teshri’il-islami fis-sijaseti uel- hukm, dizertacion doktorature i mbrojtur në Universitetin e Jordanit, 2016, i pabotuar, fq. 13.
18. Shih ndarjen dyshe të kuptimeve te: Alauddin el-Buhari, Keshful Esrar an Usuli Fakhril-Is- lam el-Bezdevi, ed. 1, Beirut: Darul-kutubil-ilmijje, 1997, 1/23. Xhuvejni, në një rast të tillë, do të theksonte se “pjesa më e madhe e Usulit ka të bëjë me tekstet dhe kuptimet.” El-Bur- han fi Usulil-Fikh, ed. 3, rec. Abduladhim ed-Dibë, El-Mensure: Darul-vefa, 1/130.
19. Shih për këtë term “ma’nal-ma’na”, Abdulkahir el Xhurxhani, Delailul-i’xhâz, rec. Muhamed Reshid Rida, Mekë: El-Mektebetut-Tixharijje, pa vit botimi, fq. 175.
20. Ibnul Kajjim, I’lamul-Muvekkinë, rec. Taha Seid, Beirut: Darul-Xhilë, pa vit botimi, 1/217.
21. Shih, webfaqen e fjalorit shqip-shqip: https://fjale.al/kast.
22. Buhari, El-Xhamius-sahih, kapitulli: Fillimi i shpalljes, tema: Si filloi shpallja, hadithi nr. 1.
23. Fet’hi ed-Durejni, El-Menahixhul-usulijje fil-ixhtihadi bir-re’ji fit-teshri’il-islami, Esh-she- riketul-muttehide, 1985, fq. 29.
24. Ibrahim bin Musa Shatibiu, El-Muvafekatë fi Usulish-Sheria, rec. Abdullah Diraz, Beirut: Darul-ma’rife, pa vit botimi, fq. 2/332 dhe 329.
25. Muhammed el-Gazali, Shifaul Galil fi bejanish-shebehi uel-mukhajjeli ue mesalikut-ta’lil, rec. Hamed el Kubejsi, Bagdad: Matbeatul-irshad, 1971, fq. 159.
26. Ahmed bin Faris, Muxhmelul-lugati, rec. Zuhejr Sulltan, ed. 2, Beirut: Muesseturr-rrisale, 1986, 1/526.
27. Kurani, Surja 45: El-Xhathijeh, ajeti 18.
28. Kurani, Surja 42: Esh-Shura, ajeti 13
29. Kurani, Surja 45: El-Xhâthije, ajeti 18.
30. Shih, Fazlur Rrahman, Islami, përktheu dr. Eqrem Kryeziu, Shkup: Logos-A, 2010, fq. 223.
31. Fikhul-Ekber nënkupton doktrinën e besimit. Disa autorë të hershëm si Axhurri kanë shkruar për të nën titullin “Sheriati”. E, gradualisht është specifikuar si term sinonim me ligjin islam.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi