“Ti bën durim, se premtimi i Allahut është i vërtetë, kërko falje për mëkatin tënd, lartësoje me falënderim Zotin tënd mbrëmje e mëngjes.” (Gafir, 55)
Pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi a.s. krahas vështirësive të thirrjes, ai vazhdimisht u motivua dhe u shoqërua nga ajetet e durimit nga ana e Allahut xh.sh.. Ndonëse misioni i tij po haste në vështirësi, njëkohësisht rritej edhe numri i urdhëresave drejtuar atij që të jetë i durueshëm. Ajetet e tilla që urdhërojnë për durim drejtuar Pejgamberit a.s., në Kuranin fisnik mund t’i gjejmë në njëzet vende, e që në tetëmbëdhjetë vende prej tyre, shprehja “duro” vjen në formë të udhëzimit.(1)
Ajetet kuranore drejtuar Pejgamberit a.s. që të jetë i durueshëm
Vështruar nga aspekti kronologjik, këto ajete i gjejmë në këtë formë: “Ti ec pas asaj që të shpallet dhe bëhu i durueshëm derisa Allahu të gjykojë. Ai është më i miri i gjykatësve.” (Junus, 109)
Në kaptinën Hud, Allahu e urdhëroi Pejgamberin a.s. që të jetë i durueshëm, pasi që paraprakisht e informoi me atë se çfarë ka ndodhur me Nuhun a.s. dhe me të birin e tij: “Këto janë disa nga rrëfimet e panjohura (për ty), që po t’i shpallim, e që para këtij (Kuranit) nuk i ke ditur as ti as populli yt. Pra, të jesh i durueshëm se përfundimi (i lavdishëm) është për të devotshmit.” (Hud, 49)
Allahu xh.sh. i drejtohet Pejgamberit a.s., që përveçse ai të jetë i durueshëm, Ai kërkon po ashtu që edhe thirrja e tij të jetë me mirësi, dialog dhe me urtësi.
“Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit.” (En-Nahl, 125)
Në suren El-Kehf: “Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote...” (El-Kehf, 28)
Në suren Ta Ha: “Prandaj, ti bëhu i durueshëm ndaj asaj që thonë ata, dhe duke falënderuar Zotin tënd, falu para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, falu edhe në orët e natës dhe në skajet e ditës, ashtu që të gjesh kënaqësi (me shpërblim).” (Ta Ha, 130)
Në ajetin e fundit të sures Er-Rrum: “Ti pra bën durim, pse premtimi i Allahut është i saktë, e kurrsesi të mos luhatin ty ata që janë të dyshimtë.” (Er-Rrum, 60)
Në suren Sad: “Ti duro ndaj asaj që thonë ata, dhe përkujto robin Tonë, Davudin, të fuqishëm (në fe e në trup), vërtet ai gjithnjë i drejtohej Allahut.” (Sad, 17)
Urdhrin për durim e gjejmë të përmendur dy herë në suren Gafir: “Ti bën durim, se premtimi i Allahut është i vërtetë, kërko falje për mëkatin tënd, lartësoje me falënderim Zotin tënd mbrëmje e mëngjes.” (Gafir, 55); “Ti pra bëhu i durueshëm, premtimi i Allahut është i vërtetë. E Ne ose do të bëjmë të shohësh diçka nga ajo që u premtojmë atyre, ose do ta marrim jetën (pa parë asgjë), e ata vetëm te Ne do të kthehen.” (Gafir, 57)
Allahu i Madhëruar nuk e ka urdhëruar të Dërguarin a.s. që të marrë shëmbëlltyrë nga pejgamberët e mëparshëm në ndonjë etikë morale, përveçse në durim, gjë që tregon pozitën e lartë, domosdoshmërinë dhe vështirësitë që paraqet durimi për shpirtin njerëzor. Për këtë, Allahu xh.sh. në ajetin e fundit të sures El-Ahkaf, ka thënë: “Ti (Muhamed) duro, ashtu sikurse duruan të dërguarit e vendosur dhe mos kërko ngutjen e dënimit për ta...” (El-Ahkaf, 35)
Në suren Kaf: “Po ti (Muhamed) me durim përballo atë që ata thonë, para lindjes së diellit dhe para perëndimit madhëro me falënderim Zotin tënd.” (Kaf, 39)
Në ajetin e parafundit të sures Et-Tur, i cili në vete përmban edukim, përforcim, qetësim dhe kënaqësi për të Dërguarin a.s.. Ajo që i përmban gjitha këto është pjesa e ajetit “... se ti je nën mbikëqyrjen Tonë...”, e ai që gjendet nën mbikëqyrjen e Allahut, padyshim se është prej të shpëtuarve dhe nuk do të jetë prej të humburve.(2) “Ti bën durim në vendimin e Zotit tënd, se ti je nën mbikëqyrjen Tonë dhe kur të ngrihesh madhëroje me falënderim Zotin tënd.” (Et-Tur, 48)
Në suren El-Kalem: “Po ti bëhu i durueshëm ndaj caktimit të Zotit tënd, e mos u bë si ai i peshkut në kohën kur pat thirrur (Zotin) dhe ishte i mllefosur.” (El-Kalem, 48)
Në suren El-Mearixh: “Ti pra duro, me një durim pa ankesë (të mirë).” (El-Mearixh, 5)
Në suren El-Muzzemil: “Dhe kij durim ndaj asaj që të thonë dhe largohu atyre i matur.” (El-Muzzemil, 10)
Kjo shprehje në Kuranin fisnik përmendet në katër vende, gjë që tregon se fjalët dhe ofendimet drejtuar Pejgamberit a.s., siç ishin i marrë, magjistar, gënjeshtar... etj., kishin lënë gjurmë të thella në zemrën e tij.
Në suren El-Mudethir: “Dhe për hir të Zotit tënd duro.” (El-Mudethir, 7).
Sipas Jusuf Kardavit, ky ajet ka dy domethënie, e para se njeriu duhet të ketë durim deri në përcaktimin dhe gjykimin e Allahut, dhe e dyta që duhet të jemi të durueshëm për Allahun, e jo për ndonjë tjetër apo diç tjetër, që do të thotë se kërkohet sinqeritet në durim, duke e bërë atë vetëm për Allahun.(3)
Pejgamberët, sinonim të durimit
Gjatë misionit të tyre fisnik, të gjithë të dërguarit ishin të sprovuar me sprova të ndryshme. Në Kuranin fisnik, Allahu i Madhëruar përmend disa nga pejgamberët të cilët në misionin e tyre hasën në vështirësi të ndryshme.
Ejubi a.s.
Emri i Ejubit a.s. është një ndër emrat më të njohur të cilët lidhen me durimin. Lirisht mund të thuhet se emri i tij është një sinonim për fjalën durim. Durimi i tij lidhet me sëmundjen e rëndë që ai kishte, si dhe me humbjen e anëtarëve të familjes së tij. Allahu i Madhëruar përshkruan ngjarjen e tij në suren El-Enbija, ku thotë: “(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit. Ne iu përgjigjëm atij nga mëshira Jonë, ia hoqëm ato vështirësi që i kishte, i dhamë familjen e tij dhe aq sa ishin ata, dhe e bëmë përkujtim për të devotshmit. (Përkujto) Edhe Ismailin, Idrisin dhe Dhulkifin, që të gjithë ishin të durueshëm.” (El-Enbija, 83-85)
Në suren Sad, Allahu i Madhëruar, duke shprehur nderimet më të larta për pejgamberin e Tij, Ejubin a.s., i drejtohet Muhamedit a.s. me fjalën “përkujto”(4) “Përkujto edhe robin tonë Ejubin, kur me lutje iu drejtua Zotit të vet: ‘Djalli më ka goditur me mundim e dhembje.’ Bjeri me këmbën tënde tokës. Ky është (ujë) i ftohtë, lahesh dhe pi. E nga mëshira Jonë dhe mësim për ata që kanë të menduar, Ne ia falëm familjen e tij dhe po aq sa ishin ata. E merre me dorën tënde një deng thupra dhe bjeri me të, e mos e thyej besimin. Vërtet, Ne e gjetëm atë të durueshëm. Sa rob i mirë ishte ai dhe i kthyer te Zoti.” (Sad, 41-44)
Jakubi a.s.
Ndër pejgamberët e përmendur për durim gjatë vështirësive të tij, Allahu xh.sh. përmend edhe Jakubin. Atë, Allahu e përshkruan në një ajet kuranor së bashku me Ibrahimin dhe Is’hakun a.s.: “Përkujto robërit tanë, Ibrahimin, Is’hakun, Jakubin që ishin të fortë në zbatimin e detyrave dhe largpamës në fe.” (Sad, 45)
Jakubi a.s. u sprovua nga Allahu xh.sh. me ndarjen nga i biri i tij, Jusufi a.s., të cilin e donte më tepër se sa bijtë e tjerë. Por, përveç kësaj ndarje, ai u sprovua edhe me ndarje nga Bunjamini. Në suren Jusuf, Allahu i përshkruan këto ndarje dhe durimin e Jakubit a.s.: “... Halli im është durimi i mirë. Allahu është nga i Cili kërkohet ndihmë për këtë që përshkruani ju.” (Jusuf, 18); “... (mua nuk më ka mbetur tjetër) Durim i mirë është shpresë që Allahu do të m’i sjellë të gjithë, Ai është më i dijshmi, më i urti.” (Jusuf, 83)
Edhe pse Jakubi a.s. premtoi se do të jetë prej durimtarëve, prapëseprapë ndarja me të birin e tij, Bunjaminin, solli tek ai dhimbjen për Jusufin, duke e shoqëruar më pas pikëllimi, butësia dhe malli.
Jusufi a.s.
Nga shembujt lakmues të durimit, të përmendura në Kuranin fisnik, është edhe shembulli i Jusufit a.s., jeta e të cilit ishte e mbushur me sprova. Sa dilte nga njëra sprovë e gjente tjetra, ndonëse shpeshherë sprova e dytë ishte edhe më e rëndë se e para. Ai u sprovua me pozitën e ministrit, me vetminë, me largimin nga familja etj., por në durimin e tij, ai asnjëherë nuk kishte luhatje. Për këtë, Allahu në Kuranin fisnik thotë: “Dhe kështu Ne Jusufit i dhamë pozitë në vend (në Egjipt) zinte vend aty ku dëshironte. Ne e pajisim me të mirat tona atë që duam, e Ne nuk ua humbim shpërblimin punëmirëve.” (Jusuf, 56)
Devotshmëria dhe durimi e ngritën Jusufin a.s. në grada të larta. Ai u gjend para dy sprovave, sprovës në fe, e ajo ishte t’i dorëzohej imoralitetit dhe të bëhej i pamoralshëm, dhe sprovës së kësaj bote, e që ishte burgosja. Ai i dha përparësi sprovës së dytë, duke e sakrifikuar këtë botë për shkak të fesë dhe për shkak të bindjes së tij. Zoti për këtë në Kuran ka thënë: “Ai (Jusufi) tha: “O Zoti im, burgu është më i dëshiruar për mua, se sa atë që ma ofrojnë ato mua dhe nëse Ti nuk largon prej meje dredhinë e tyre, unë mund të anoj te ato e të bëhem injorant.” (Jusuf, 33)
Ibën Kajjimi për këtë, transmeton fjalët e Ibën Tejmijes, i cili thotë: “Me të vërtetë, durimi i Jusufit a.s. ndaj asaj që ishte hedhur në pus, pastaj ndaj aktit të shitjes dhe ndarjes nga babai i tij, ishte durim i detyruar, sepse aty nuk kishte rrugëdalje tjetër, përveç se të durojë.”(5)
Ismaili a.s.
Për këtë të dërguar të Allahut, është karakteristikë shembulli i durimit, përmes së cilit vërehet nënshtrueshmëria ndaj Allahut, pa marrë parasysh rreziqet dhe sakrificat në jetë. Ëndrra e Ibrahimit a.s., që ta therë kurban të birin e tij, Ismailin a.s., ishte kuptuar si porosi nga ana e Ibrahimit a.s., kjo pasi që ëndrrat e pejgamberëve janë shpallje. Për këtë, Allahu në Kuran na rrëfen ngjarjen e Ibrahimit a.s. kur i kishte treguar për ëndrrën të birit të tij, Ismailit: “... O djali im, unë kam parë ëndërr (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” (Es-Safat, 102).
A thua se si ishte qëndrimi i të riut Ismail a.s., karshi kësaj kërkese, që ta vendos kokën e tij në tehun e thikës? Ai, pa kurrfarë dyshimi ia shprehu qëndrimin babait të tij, duke u radhitur kështu te të dërguarit durimtarë dhe shembull për besimtarët: “... Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të durueshmëve.” (Es-Safat, 102)
Durimi i pejgamberëve të vendosur
Shembulli i të dërguarve të vendosur është shembulli më i mirë i durimtarëve, për shkak se ata përfaqësojnë durimin në vështirësi gjatë thirrjes në rrugën e Allahut. Nga pejgamberët e vendosur janë: Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai dhe Muhamedi a.s., të cilët njihen ndryshe edhe me emrin “Ulul Azmi”, që ka kuptimin e përqendrimit dhe vendosmërisë në një çështje. Se këta pejgamberë ishin shembull që duheshin ndjekur edhe nga Muhamedi a.s., e vërteton edhe porosia e Allahut drejtuar atij që t’i ketë si shembull këta për durim: “Ti (Muhamed), duro, ashtu sikurse duruan të dërguarit e vendosur dhe mos kërko ngutjen e dënimit për ta...” (El-Ahkaf, 35)
Këta të dërguar, ishin më të ballafaquarit me vështirësi gjatë thirrjes së tyre. Nuhu a.s. e thirri popullin e tij në besim për 950 vjet, thirri ditën dhe natën, hapur dhe fshehurazi, mirëpo vazhdimisht ballafaqohej me njerëz të cilët mohonin atë dhe zemrat e tyre ishin të vulosura. Për këtë, Allahu në Kuran na rrëfen: “Ai tha: “O Zoti im, unë e thirra popullin tim natën e ditën. Por thirrja ime vetëm ua shtoi ikjen. Dhe sa herë që unë i thërrisja ata për t’u falur Ti atyre mëkatet, ata i vënin gishtat e tyre në vesh dhe i mbulonin kokat me teshat e tyre dhe vazhdonin në atë të tyren me një mendjemadhësi të fortë.” (Nuh, 5-7)
Ibrahimi a.s. u shqua për durim të fortë gjatë thirrjes që ai ia bëri babait dhe popullit të tij për besimin në Zotin Një. Për këtë rrëfen Kurani fisnik: “Ai (babai) tha: “A ti Ibrahim i refuzon zotat e mi? Nëse nuk ndalesh (së fyeri ndaj zotave të mi), unë do të gurëzoj, ndaj largohu prej meje për një kohë të gjatë.” (Merjem, 46)
Edhe përkundër këtyre fjalëve, Ibrahimi a.s. prapë vazhdoi thirrjen dhe durimin e tij të mrekullueshëm. Ai po ashtu përveç kësaj, u sprovua edhe me hedhje në zjarr, mirëpo edhe këtu, Allahu e mori përsipër mbrojtjen e tij, duke e bërë kështu zjarrin e ftohtë dhe shpëtues.
Musai a.s. lindi në një periudhë në të cilën mbisundonte frika dhe çrregullimet të cilat i shkaktonte Faraoni dhe njerëzit e tij. Për shkak të frikës për jetën e Musait a.s., nëna e tij u inspirua nga Allahu që fëmijën e saj ta hedhë në lumë. Allahu deshi që ky fëmijë të rritej në pallatin e Faraonit. Pasi që Allahu e dërgoi si pejgamber Musain a.s., Faraoni filloi talljen me fjalët e Musait. “Ai (Faraoni) tha: “A nuk të rritëm ty si fëmijë në mesin tonë, ku i kalove disa vjet të jetës sate. Dhe ti e bëre punën tënde që e bëre, pra ti je mohues (i të mirave që t’i bëmë).” (Esh-Shuara, 18-19). Derisa Musai a.s. po transmetonte fjalët e Allahut, si i dërguar që ishte, Faraoni e kërcënoi me mbytje atë dhe pasuesit e tij. Musai a.s. duroi gjatë gjithë këtyre sprovave dhe sulmeve që atij iu bënin. Ai gjithnjë kërkonte e këshillonte popullin e tij që të kërkojnë ndihmë vetëm nga Allahu i Madhëruar. Ai duroi edhe në sprovën tjetër, me të cilën ndoshta asnjë pejgamberët nuk u sprovua më parë në këtë mënyrë, e që ishte vrazhdësia e popullit të tij. Nga shembujt e padëgjueshmërisë dhe të vrazhdësisë e kemi edhe refuzimin e tyre që të hyjnë në “tokën e shenjtë”, pasi për një gjë të tillë, Musai a.s. kishte marrë urdhër nga Allahu xh.sh.: “Ata thanë: “O Musa, ne kurrë nuk hyjmë në të derisa ata janë aty, shko pra ti dhe Zoti yt e luftoni, ne po rrimë këtu.” (El-Maide, 24)
Shembuj të tillë, Allahu në Kuranin fisnik, na sjellë në shumë ajete, sa që edhe Pejgamberi a.s. e përkujtonte atë që kishte duruar vëllai i tij me popullin e tij të vrazhdë.
Isai a.s. u dërgua pejgamber te populli në të cilin më parë kishte ftuar Musai a.s.. Ndonëse iu drejtua popullit të tij me fjalët më të bukura dhe me shembujt më të mirë, ai hasi në vesh të shurdhër e në zemra të
mbyllura. Ata refuzuan ta pranojnë Isain a.s. si pejgamber, e pos kësaj, ata ndaj tij dhe nënës së tij, Merjemes, shpifën intriga dhe gënjeshtra të
ndryshme. Për këtë, Allahu na rrëfen në suren En-Nisa ngjarjen e tij: “Edhe për shkak të mosbesimit dhe të thënies së tyre shpifëse kundër Merjemes. Madje për shkak të thënies së tyre: “Ne e kemi mbytur Mesihun, Isain, birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut.” Po ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau. Ata që nuk u pajtuan rreth (mbytjes së) tij, janë në dilemë për të (për mbytje) e nuk kanë për të kurrfarë dije të saktë, përveç që iluzojnë. E ata me siguri nuk e mbytën atë.” (En-Nisa, 156-157).
Kjo ishte rruga e thirrjes së të dërguarve të Allahut, kështu ata gjatë rrugës së tyre pejgamberike u sulmuan me sulmet më të rënda dhe më të vrazhda. Mirëpo, ata duruan dhe qëndruan në thirrjen drejt së vërtetës.
Allahu i Madhëruar e njoftoi të Dërguarin e Tij, Muhamedin a.s., me përvojën e të dërguarve të mëparshëm që ata kishin me popujt e tyre, duke sjellë kështu mësime te Muhamedi a.s., pasi që ai barti porosinë e Allahut që nuk ishte e kufizuar për një popull, për një krahinë, por ishte për gjithë njerëzimin deri në Ditën e Gjykimit.
Ibën Ebi Hatimi transmeton në tefsirin e tij nga Mesruki, e ai nga Aisheja r.a. se i Dërguari i Allahut pasi kishte agjëruar kishte thënë: “Kjo botë nuk i takon Muhamedit e as familjes së Muhamedit. Oj Aishe, Allahu ishte i kënaqur me të dërguarit e vendosur (Ulul-Azmi) me durimin e tyre ndaj gjërave të papëlqyera, si dhe ndaj gjërave të dashura, më pastaj, Ai është i kënaqur që edhe mua të më ngarkojë me gjërat që i ngarkoi ata. “O populli ynë, përgjigjuni thirrësit të Allahut dhe besoni atij! Ai iu falë mëkatet tuaja dhe ju shpëton prej një dënimi plot vuajtje.” (El-Ahkaf, 31). Pasha Zotin, unë kam për të duruar me tërë mundin, ashtu siç duruan ata, dhe s’ka fuqi përveçse me Allahun.”
__________________
1. Jusuf Kardavi, Durimi në Kuranin fisnik, 2002, fq. 24.
2. Ibid, fq. 28.
3. Ibid, fq. 31.
4. Ibid, fq. 84.
5. Ibën el-Kajjimi, Medarixhu es-Salikin, 2/157.