Argumentet e Allahut dhe ftesa për besim
“A nuk e shihni se Allahu e fut (kthen) natën në ditë dhe ditën në natë, se e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën dhe secili lëviz deri në një afat të caktuar dhe se Allahu hollësisht është i njohur me atë që veproni ju! Kjo (argumenton) se Allahu është e Vërteta, kurse ajo çfarë adhurojnë në vend të Tij është gënjeshtër, e Allahu është i Lartësuar dhe i Madhërishëm. A nuk e shihni se anijet lundrojnë nëpër det në saje të mirësisë së Allahut, për t’ju treguar disa nga argumentet e Veta? Vërtet, në këtë ka mësim për secilin që është i durueshëm dhe mirënjohës. E kur ata i mbulon ndonjë valë (e madhe) sikur reja (apo bjeshka), i luten Allahut me sinqeritet e besim të plotë, ndërsa kur i shpëton (dhe dalin) në tokë, ka që i mbesin mirënjohës. Argumentet tona i mohon vetëm i pabesi dhe mosmirënjohësi” – (Llukman, 29-32)
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake Këto ajete janë vazhdimësi e sjelljes së argumenteve nga ana e Allahut të Gjithëpushtetshëm, për madhështinë e Tij krijuese. Në ajetet paraprake u vërtetua në mënyrë të përgjithësuar se qiejt dhe Toka, me tërë çka ekziston në to, i janë nënshtruar vetëm Allahut, kurse tash në këto ajete kemi të bëjmë me disa specifikime të këtij nënshtrimi, siç janë f.v. procesi i errësirës së natës dhe zbardhëllimit të ditës, nënshtrimi i diellit dhe i hënës, të cilat ndjekin trajektoren e tyre të lëvizjes, ashtu siç ua ka caktuar i Lartmadhërishmi deri në Ditën e Gjykimit. Si shenjë e këtij nënshtrimi ndaj fuqisë absolute të Allahut është edhe lundrimi i anijeve në det të hapur, nëpërmjet të cilave njerëzve u lehtësohet jetesa, qoftë për sigurimin e ushqimit qoftë për tregti dhe bartje të mallrave.
Koment:
29. A nuk e shihni se Allahu e fut (kthen) natën në ditë dhe ditën në natë, se e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën dhe secili lëviz deri në një afat të caktuar dhe se Allahu hollësisht është i njohur me atë që veproni ju!
Në shumë vende në Kuran, Allahu xh.sh. u drejtohet jobesimtarëve dhe atyre që kanë dyshime në ekzistencës e Tij, nëpërmjet argumenteve të shumta lëndore, të cilat mund të shihen edhe me sy, për t’ua bërë me dije se vetëm Ai është krijues i tyre dhe njëkohësisht është edhe mbikëqyrës i tërë proceseve që zhvillohen në këtë gjithësi. Në këtë grup ajetesh, ndër argumentet e para është procesi i natës dhe i ditës. Ku proces i zëvendësimit të ditës dhe natës nga njëra-tjetra, është dëshmi se Toka jonë ashtu sikur edhe Dielli dhe planetët e tjerë, kanë forma sferike apo eliptike dhe vazhdimisht janë në lëvizje. Kjo lëvizje e tokës rreth boshtit të saj po edhe rreth diellit, krijon procesin e natës dhe të ditës. Vetëm meditimi rreth këtij procesi, do të duhet të ishte shkak i udhëzimit të këtyre njerëzve të pabindur. Shumë prej komentatorëve të Kuranit, këtë ajet e kanë shpjeguar edhe me faktin se Allahu i Madhërishëm gjatë stinës së dimrit e zgjat natën dhe e shkurton ditën, kurse verës, e zgjat ditën ndërsa e shkurton natën.1 Ky proces mund të vërehet më së miri në hemisferën tonë, kur ne i përjetojmë të katër stinët e vitit.
Pastaj Allahu xh.sh. na tregon se i ka nënshtruar Diellin dhe Hënën dhe i ka vënë në funksion për të mirën e njeriut. Në bazë të lëvizjes së Diellit dhe të Hënës, njeriu ka arritur të përpilojë kalendarë për njehsimin e kohës dhe të viteve. Nëpërmjet lëvizjes dhe fazave të hënës, myslimanët i kanë përcaktuar fillimet dhe përfundimet e muajve të shenjtë, ndërsa me lëvizjen e diellit nëpër horizont, i kanë përcaktuar kohët e namazit. Allahu xh.sh. thotë: “Ne i bëmë natën dhe ditën dy argumente (që dëshmojnë për fuqinë Tonë). Natën e mbështollëm me errësirë, kurse ditës i dhamë ndriçim, që ju të kërkoni begati nga Zoti juaj e që të mësoni numërimin e viteve dhe njehsimin e kohës. Çdo gjë e kemi sqaruar hollësisht” – (El-Israë, 12).
Ndërsa lëvizja e këtyre dy trupave qiellorë në orbitat e përcaktuara nga Krijuesi fuqiplotë, është një argument dhe dëshmi tjetër shtesë për idhujtarët dhe jobesimtarët, që të udhëzohen e të binden për ekzistencën e Krijuesit të tyre.
Ajeti përfundon me fjalët se: të gjithë ju o njerëz të pabindur, do të ballafaqoheni me veprat tuaja në Ditën e Gjykimit, ngase Allahu është hollësisht i njohur me atë çfarë keni punuar në këtë botë, andaj mos e fajësoni askënd tjetër përveç vetvetes, kur nesër do ta merrni ndëshkimin meritor në Ahiret.
30. Kjo (argumenton) se Allahu është e Vërteta, kurse ajo çfarë adhurojnë në vend të Tij është gënjeshtër, e Allahu është i Lartësuar dhe i Madhërishëm..
Pothuajse shumica e ajeteve kuranore janë përqendruar në thirrjen në besimin në Allahun nëpërmjet argumenteve të shumta lëndore dhe logjike, duke ua argumentuar njerëzve Njëshmërinë absolute të Krijuesit fuqiplotë e të Gjithëpushtetshëm. Këto ajete thërrasin në besim në Zotin Një, sqarojnë cilësitë e Allahut, diturinë, vullnetin, mëshirën, dhembshurinë, premtimin dhe kërcënimin, por mbi të gjitha thërrasin në besimin e drejtë dhe në largimin nga e kota.2 Edhe nëpërmjet këtij ajeti të cilin jemi duke e komentuar, sqarohet sjellja e të gjitha argumenteve paraprake rreth krijimit të qiejve, futjes së natës në ditë dhe ditës në natë, nënshtrimit të Diellit dhe Hënës etj., nëpërmjet të cilave dëshmohet se Allahu xh.sh. është Krijuesi absolut, Një, i Vetëm dhe i Pashoq në sundim, planifikim dhe përcaktim të proceseve në këtë gjithësi. Argumenton se Allahu është i vërtetë, ndërsa të gjithë idhujt që idhujtarët u përuleshin e i madhëronin janë gënjeshtër, shpifje dhe sajesa injorantësh.3 Mbase, misioni i fesë islame ishte ky, që njerëzit të largohen nga e kota dhe të kthehen në natyrshmërinë në të cilën i ka krijuar Allahu i Lartmadhërishëm, i Cili është i vetmi që meriton adhurimin dhe nënshtrimin.
31. A nuk e shihni se anijet lundrojnë nëpër det në saje të mirësisë së Allahut, për t’ju treguar disa nga argumentet e Veta? Vërtet, në këtë ka mësim për secilin që është i durueshëm dhe mirënjohës.
Pasi në ajetet e mëparshme Allahu xh.sh. përmendi disa nga argumentet qiellore që dëshmojnë për madhështinë dhe Njëshmërinë e Tij, tash në këtë ajet, ai e sjell një argument tokësor, që ndërlidhet me anijet të cilat lundrojnë në det me mirësitë dhe bekimin e Allahut. Në ta kaluarën, para së njerëzit të shpiknin teknologjinë moderne, anijet ishin pothuajse mjeti më i leverdishëm për transportimin e mallrave për tregti dhe çështje që kishin të bënin me ekzistencën e tyre, në distanca të gjata. Ato lundronin me ndihmën e velave, në varësi të erërave që frynin në det. Por edhe tash në kohët tona, dituria me të cilën i ka pajisur Allahu njerëzit, është mirësi sepse ka mundësuar që këta të shpikin motorë të fuqishëm, të cilët mundësojnë lëvizjen e anijeve të mëdha tejoqeanike, me anë të të cilave sot barten mallra tregtare etj. Mjafton vetëm uji i detit si mirësi që i mban këto anije të mos fundosen, por të qenë në shërbim të njeriut dhe mirëqenies së tij. Prandaj, Allahu xh.sh. e ka quajtur lundrimin e tyre mirësi dhe bereqet, si shenjë për falënderim nga të gjithë ata që janë të durueshëm dhe falënderues ndaj Tij.4
32. E kur ata i mbulon ndonjë valë (e madhe) sikur reja (apo bjeshka), i luten Allahut me sinqeritet e besim të plotë, ndërsa kur i shpëton (dhe dalin) në tokë, ka që mbesin mirënjohës.
Argumentet tona i mohon vetëm i pabesi mosmirënjohës”. Ky ajet shpërfaq më së miri natyrën dhe karakterin e disa njerëzve, të cilët kur i kaplon ndonjë shqetësim, rrezik apo trishtim, menjëherë kthehen te Zoti dhe i luten Atij që t’u ndihmojë e t’i shpëtojë, kurse sapo ta kalojnë atë rrezik, sërish i kthehen kryeneçësisë dhe arrogancës së tyre, duke u larguar nga të përmendurit e Zotit, e madje edhe duke i bërë Atij shirk në adhurim. Simbolika e këtij ajeti është e qartë, meqë ajeti paraprak fliste për anijet që lundrojnë në det me mirësitë e Allahut, ndërkohë që lundërtarët dhe udhëtarët që udhëtojnë me anije, shpeshherë ballafaqohen me shtrëngata të mëdha detare, uragane apo edhe lloj cunami shkatërrues, me dallgë të mëdha sa bjeshkët. Përderisa janë në det në mes këtyre shtrëngatash, shumë prej tyre i luten Zotit dhe bëhen të devotshëm, kurse sapo të dalin në cekëtinë-breg, shumë prej tyre harrojnë lutjet e tyre që i bënin te Zoti, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e tyre i mbesin besnikë besimit të drejtë.5
Në lidhje me këtë ajet, Shejh Sharavi thotë: Arsyeja pse idhujtarët dhe jobesimtarët kur ballafaqohen me sprova e vështirësi, të cilat i çojnë në buzë të vdekjes, i drejtohen Zotit që t’i shpëtojë, është se ndjenja e natyrshme fetare vazhdon të jetë e pranishme diku e strukur në thellësitë më të skajshme të shpirtit të tyre. Kjo ndjenjë e fetarisë, vazhdon të qëndrojë në gjenet, indet dhe qelizat e secilit njeri, prej kur Allahu i Madhërishëm e krijoi Ademin a.s., dhe pastaj iu drejtua të gjithë pasardhësve të tij duke u thënë: “(Kujtoje) Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmitarë të vetes së tyre, (duke u thënë): “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, dëshmojmë (se Ti je).” Që të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Ne për këtë (dëshmim) ishim të painformuar.” - (El-A’raf, 172)
Pra, secili prej nesh, bart me vete këtë grimcë që e ka dëshmuar atë besatim me Zotin, e kjo grimcë imanore është burim i të gjitha shkëndijave rrezatuese në shpirtin e secilit besimtar, shkëndijë e cila duhet ruajtur që drita e saj të mos venitet apo të fiket duke kundërshtuar ligjin hyjnor,6 ashtu siç na e ka përshkruar Allahu xh.sh.: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të mjeruar dhe në Ditën e Kiametit do ta ringjallim të verbër.” – (Ta Ha, 124)
Ndërkohë që këtë çështje e ka sqaruar shumë mirë edhe i Dërguari a.s. kur thotë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e tij (në fenë e pastër të Allahut-Fitre), e pastaj prindërit e tij e bëjnë hebre, të krishterë apo zjarrputist”7
Fundi i këtij ajeti: “Pra, argumentet tona i mohon vetëm i pabesi mosmirënjohës” është një tërheqje e vërejtjes nga ana e Allahut për të gjithë mohuesit e Tij, se janë të mjerë ata që harrojnë Zotin e tyre dhe ia kthejnë shpinën udhëzimit hyjnor, sepse këto argumente nuk i refuzon askush tjetër përpos atij që është i pabesë, tradhtar dhe përbuzës ndaj dhuntive të Tij.
Porosia e ajeteve (29-32)
- Argumentet e shumta kozmologjike, siç janë nata dhe di ta, të cilat varësisht nga stinët, shkurtohen apo zgjaten, pastaj nënshtrimi i Diellit dhe i Hënës, të cilat lëvizin me urdhër të Allahut nëpër orbitat e tyre, janë shenja hyjnore për Fuqinë absolute të Allahut xh.sh. si krijues i tyre, i Cili me urtësinë dhe përcaktimin e Tij, i ka nënshtruar që të jenë në shërbim të njerëzimit.
- Çdo gjë tjetër që adhurohet përpos Allahut, është shirk-idhujtari, që njeriun e shpie në zjarrin e Xhehenemit, ndërsa vetëm adhurimi i Allahut si Krijues të lartë e të pashoq në Madhështinë e Tij, është e rruga e drejtë dhe e Vërteta.
- Edhe anijet që lundrojnë në det, të cilat shërbejnë për bartjen e njerëzve dhe të mallrave, janë argument tjetër për madhështinë e Allahut, prandaj njerëzit duhet të jenë të durueshëm, nëse i godet ndonjë sprovë e njëkohësisht edhe falënderues për çdo të mirë që e gëzojnë në jetën e kësaj bote.
- Të kundërtën e kësaj e veprojnë idhujtarët dhe jobesimtarët, të cilët kur janë në pozitë të palakmueshme, i drejtohen Allahut duke kërkuar prej Tij ndihmë dhe largim të vështirësive, kur janë në mirëqenie, e harrojnë fare Krijuesin e tyre dhe bëhen mosmirënjohës!
- vijon –
_______________
1. Et-Tefsiru-l Munir, vëll. XXI, f. 187. 2. Abdulhamid Kishk, Fi Rihabi-t-Tefsir, vëll. XXI, f. 4027. 3.Imam Ebu-t-Tajjib Siddik Han bin Hasen el-Kinuxhi en-Nexhari, Fet’hu-l Bejan fi mekasidi-l Kuran, Bejrut, 1992, vëll. X, f. 299. 4. Et-Tefsiru-l mevdui li suveri-l Kuran, vëll. VI, f. 42.5. Muhamed Izzet Druzeh, Et-Tefsiru-l hadithu - tertibu-s-suveri hasebe-n-nuzuli, Kajro, 2000, vëll. IV, f. 261.6. Muhamed Mutevel-li esh-Sharavi, Havatiri havle-l Kurani-l Kerim, vëll. 19, f. 11753.7. Transmetojnë nga Ebu Hurejra, Buhariu (4775); Muslimi (2658)
Sabri Bajgora