Dëlirësia e liridashësve dhe ideali për liri

Etja për liri është e krijuar nga Zoti i Plotfuqishëm në shpirtin e secilit njeri. Ajo nuk lind thjesht vetëm si një nevojë e njeriut për dalje nga robëria, përtej kësaj, ajo buron edhe nga mëria racionale që kemi ndaj atyre njerëzve të cilët shfaqin prirje gllabëruese ndaj trojeve tona, e që kanë pasion nëpërkëmbjen për shpërfilljen e të drejtave tona. Duke qenë një popull që lirinë e ëndërruam gjatë, ne shqiptarët më së miri do të duhej ta kuptojmë vlerën dhe çmimin e lartë që ajo meriton për ta fituar. Epoka e rilindësve shqiptarë, ishte ajo që ka bërë kthesën më të madhe në historinë tonë shqiptare dhe dukshëm që atëherë filloi konsolidimi i mirëfilltë i projektit nacionalist shqiptar. Sigurisht, më vonë edhe u gravura linja që do të shpinte trojet tona drejt mëvetësimit e sovranitetit.
Kombi, si një projekt politik i të qenët bashkë dhe sovran në vendimmarrje, është ideali që u përvijua mprehtësish nga rilindësit tanë shqiptarë. Të gjithë ata që erdhën pas tyre, në fakt lëvruan në truallin e ideve dhe projekteve të tyre. Figurat e përndritura patriotike e intelektuale të rilindjes sonë, arritën që idealet për liri t'i shndërronin në një platformë nacionaliste, ku divergjencat fetare apo edhe ato zonale e fisnore të shërbenin thjesht sa për ta qëndisur mozaikun e bukur të një kombi që mëtonte të ecte i mbajtur e në këmbë të veta në rrugën e avancimit e progresit të gjithmbarshëm shoqëror. Idealistët e kombit tonë besuan në kauzën e drejtë për liri, andaj nuk kursyen asgjë për jetësimin e saj. Më 28 nëntor të vitit 1912, ëndrra dhe ideali bëhet realitet. Shqipëria bëhet shtet i mëvetësishëm dhe shpall pavarësinë e saj. Ata qenë të bindur se liria mbetet sekreti i lumturisë së mbarë kombit tonë dhe vullneti për ta fituar atë duhet çelikosur mjeshtërisht për të mbetur gjallë gjer në amshim.
Mund të duket absurde linja e analogjisë për dikë, por ed edhe nëse e kthejmë kokën tonë prapa në historinë e të Dërguarit tonë, Muhamedit a.s., mahnitemi se si ai qe i gatshëm të sakrifikonte çdo gjë për hir të lirisë. Lirisë së thënies e përhapjes së të vërtetës. Ai braktisi vendlindjen e tij të shenjtë, Mekën, jo për një jetë komode, luks e rehati, porse aty iu ngulfat fryma e fundit për të kumtuar lirshëm mesazhin hyjnor që e mori nga Zoti i tij. Jo shumë më vonë, u kthye në vendlindjen e shtrenjtë të tij, aty ku të pabesët ia rrëmbyen lirinë, për ta çliruar e për bërë atë sërish një tokë të pëlleshme të lirisë dhe një çerdhe të ngrohtë të fjalës hyjnore. Me një zë dhembshurie e ngushëllues për vetveten, duke u arratisur nga Meka e bekuar pati thënë: “Sa vend i bekuar-mirë që je e sa i dashur për mua që je (oj Meke), dhe sikur banorët tu të mos më nxirrnin nga ti, nuk do të ikja diku tjetër asnjëherë." Mekën nuk deshi ta braktiste, sigurisht sepse ishte vend i bekuar nga Zoti, por ngaqë aty edhe kishte lindur. I donte edhe kodrat e ngrehinat e thepisura të saj.
E pra, idealistët e liridashësit nuk mund të jenë ndryshe e as nuk mund të dallojnë shumë prej njëri-tjetrit. Ata kanë një mendësi e një motiv gjithandej nëpër botë. Mjetet që zgjedhin për të realizuar ëndrrat e tyre mund të dallojnë, por besimi se kauza e tyre është e shenjtë është skalitur thellë në karakterin e secilit prej tyre.
Diktati poshtërues dhe mizoria e dehumanizuar mbeten ajo hija e zezë që idealistët shpirtdëlirë të çdo populli gjetën guximin për ta flakur dhe ishin tejet të vetëdijshëm se si të çlirohen prej saj. Ata fshihnin një gatishmëri të çuditshme që të harrojnë emrin, trupin e në rastin më tragjik edhe shpirtin e tyre, për të mbijetuar kauza e tyre fisnike. Preferojnë jetën nën dhe, por me lavdi, ndaj asaj mbi të, por të mjeruar e nën mizori. Heronjtë, kudo qofshin ata, nuk u bënë thjesht të tillë pse e derdhën gjakun për tokën e etur për liri, por edhe ngase shpirti i tyre mbajti gjallë shpresat e të shtypurve gjithandej nëpër botë, se mbi këtë tokë ka ende njerëz që ruajnë me zell altruizmin e njerëzinë. Ata, liridashësit e heronjtë e vërtetë pakursyer vënë në shërbim të LIRISË: pasurinë, dijen, djersën dhe jetën e tyre, ani pse, siç do të thoshte Eqrem bej Vlora: "Heronjtë mbesin gjithnjë të keqkuptuar ose martirë të përndjekur padrejtësisht."
Megjithatë, keqkuptimi i heronjve dhe përndjekja e tyre kudo në botë, janë fakte të gjalla se skena e teatrit të drejtësisë nuk mbaron në këtë botë. Ajo, finalizon drejtësinë në formë të mirëfilltë vetëm në Ditën e Drejtësisë Absolute në Ahiret. Atje na pret i Drejti Absolut.
Kjo për besimdrejtët duket se mjafton.



Editorial
Dituria islame 396


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi