Atdhedashuria si kërkesë fetaro-islame

Dashuria ndaj atdheut është e lindur te njeriu. Ajo është dhunti e Zotit që është e qëndisur në shpirtin dhe zemrën e tij. Kah do që të shkosh përsëri malli për atdheun nuk shuhet asnjëherë.
Feja është domosdoshmëri për njeriun, pasi vetëm nëpërmjet saj arrihet njohja e ekzistencës dhe njëshmërisë së Allahut xh.sh.. Përmes saj arrihet kthjelltësia shpirtërore. Duke vepruar në rrugën e Allahut xh.sh., arrihet virtyti më i lartë moral, arrihet harmonizimi i marrëdhënieve me njerëzit, arrihet ndjenja e përgjegjësisë, interesimi dhe dashuria ndaj të gjitha krijesave.
Feja i drejtohet njeriut për të ndriçuar mendjen e tij. Ajo është e nevojshme për njeriun që ai të jetojë i lumtur dhe i qetë, sepse besimi dhe adhurimi i japin atij qetësi shpirtërore dhe njëherazi forcë për të përballuar jetën. Feja mundëson që njerëzit të jetojnë në paqe, harmoni dhe siguri, sepse ajo ndalon të këqijat dhe padrejtësitë, e ndalon krimin, mërinë, gënjeshtrat e mashtrimet dhe, në anën tjetër, urdhëron për dashuri, respekt, për ndihmë të përbashkët, ndershmëri dhe sjellje të mira mes njerëzve. Feja rregullon raportet e njeriut me Krijuesin e tij, por njëkohësisht edhe raportet me krijesat rreth tij. Kërkon që njerëzit të shkojnë mirë me njëri-tjetrin, të kenë respekt për të drejtat e njëri-tjetrit dhe këshillon jetesën në paqe. Kështu shoqëria fiton qetësi, siguri dhe lumturi.(1)
Andaj, vetëm nga kjo që lexuam, është fare e lehtë të kuptojmë se kjo fe nuk ka ardhur vetëm për çështjen shpirtërore, për të na mësuar se si ta adhurojmë Allahun në shtëpi apo në xhami, se si të falemi e si të agjërojmë, etj., por, para së gjithash, është program i jetës së njeriut që nga lindja e deri në vdekje. Ajo përfshinë dhe menaxhon me çdo segment të jetës së njeriut: edukimin shpirtëror, arsimimin dhe shkencën, edukatën dhe kulturën, artin e politikën, ekonominë e biznesin, martesën dhe jetën bashkëshortore, shitblerjen dhe tregtinë, etj..
Kjo fe, Islami, si faktor i rëndësishëm në shoqëri, nuk ka dyshim se ka edhe platformën e vet hyjnore që ndihmon çdoherë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë së jetës njerëzore. Këtë, Islami e realizon përmes pesë objektivave madhore që ka, e që janë komponentët kryesorë të stabilitetit të një vendi: ruajtjen e jetës, ruajtjen e mendjes, ruajtjen e pasurisë, ruajtjen e nderit dhe ruajtjen e fesë. Pa fe njeriu është i humbur e i devijuar, pa mendje, i çorientuar, pa moral, i lajthitur, pa pasuri, i mjerë, pa jetë, pra pa lirinë, për të nuk mund të paramendohet. Nuk ka dyshim se këto objektiva ndihmojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë nëse merren parasysh dhe implementohen me mekanizmat përkatës. Kështu që atdhedashuria dhe fitimi i lirisë, mbrojtja dhe ruajtja e saj është një ndër parimet bazë dhe objektivat themelore të sheriatit.

Besimtari dhe atdheu-vatani

"Pa një atdhe të lirë feja nuk mbahet, nuk mund të ushtrohet..."(2) Njeriu është i krijuar që të dojë disa gjëra dhe të favorizojë më shumë se të tjerat. Ai e do pasurinë, fëmijët, familjen, të afërmit, shokët, dhe në mesin e shumë gjërave të tjera, ai e do edhe vatanin(3) e tij. Dashuria për vatan atdhe, është instinkt i mbjellë në shpirt, i cili e bën të qetë njeriun kur qëndron në të dhe mallëngjehet për të kur është jashtë dhe larg tij. Nëse sulmohet e mbron, nëse përbuzet hidhërohet.

Dashuria e Muhamedit a.s. për vendin e tij

Muhamedi a.s., me lot e lëshoi Meken dhe me gëzim të madh u kthye në te. Nëse e shfletojmë historinë e Muhamedit a.s., shohim se mësimet kuranore ngërthejnë në vete vlera të larta morale. Muhamedi a.s. ishte i inspiruar dhe i edukuar me këto mësime, gjë të cilën na e vërteton bashkëshortja e tij, Aisheja r.a., e cila kur u pyet për moralin e Muhamedit a.s., u përgjigj: "Morali i tij ishte Kurani". Nga kjo mësojmë se atë që Muhamedi a.s., ia preferonte njerëzimit, atë e praktikonte edhe vetë. Kur në jetën tonë, e marrim si shembull për moral dhe veprimet e tij, Muhamedin a.s., në të njëjtën kohë ne i kemi vënë në zbatim edhe mësimet kuranore.(4)
Kur e lexojmë historinë e hixhretit-migrimit të Pejgamberit a.s., nga Meka në Medinë, kur ai kishte dalë në periferi të Mekës e kishte kthyer kokën edhe njëherë kah Mekja dhe kishte thënë: "Sa vend i bukur që je, sa e dashur më je (Meke)! Sikur populli yt të mos më nxirrnin me dhunë prej teje, kurrë nuk do të kisha banuar diku tjetër?"(5) Ai pas vendosjes së tij në Medinë, e luste Allahun që ta pajisë me dashuri për të siç qëndron te Buhariu: "O Allahu ynë! Na e bë Medinën të dashur ashtu siç e duam Meken, apo edhe më shumë.”(6) Pejgamberi a.s. u lut për Medinën që Allahu ta bekojë dhe ta furnizojë me të mira ashtu siç ishte lutur për Meken Ibrahimi a.s.: "Kur Ibrahimi u lut: "Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij...!" (El Bekare, 126).
Se sa e donte Medinën, vendin e tij, tregon edhe ky rast i rrëfyer nga Enesi r.a., se derisa Muhamedi a.s. po kthehej nga Hajberi dhe e pa Medinën, shikoi kah kodra Uhud dhe tha: "Kjo është një kodër që na do dhe e duam."(7)
Dashuria për vendin është një çështje e natyrshme të cilën Islami nuk e mohon, mirëpo e përkrah. Krahas saj, ai i obligon pjesëtarët e saj të jenë besnikë dhe të gatshëm për ta ruajtur pragun e shtëpisë me pasurinë dhe jetën e tyre. Islami nxitë çdoherë që besimtari të jetë produktiv dhe i vyeshëm për veten, familjen dhe vendin e tij, që çdo herë të mundohet të avancojë në të gjitha fushat. Se feja i ka kushtuar rëndësi të madhe atdhedashurisë, flet edhe fakti se sakrificën për ta mbrojtur atdheun e ka vlerësuar në shkallën më të lartë, atë të shehidit. Allahu xh.sh. në Kuran thotë: "E për ata që u mbytën në rrugën e Allahut mos thoni: "Janë të vdekur", Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk kuptoni (gjallërinë e tyre)." (El Bekare, 154). Ndërsa Muhamedi a.s. në një hadith ka thënë: "Kush lufton për pasurinë e tij është shehid. Kush lufton për nderin e tij është shehid. Kush lufton për familjen e tij është shehid. Kush lufton për fenë e tij është shehid.”(8)
Angazhimi për lirinë e vendit, përveç që është detyrim kombëtar, është edhe urdhër fetar. Allahu xh.sh. na ka urdhëruar ta mbrojmë, ta duam, ta zhvillojmë dhe ta ndërtojmë vatanin tonë. Pejgamberi ynë i dashur, është shembulli më praktik se si duhet ta duam vendin tonë dhe si duhet të kujdesemi për të. Ai, gjithashtu na ka mësuar e dëshmuar se si duhet të ndërtohen shoqëria dhe shteti. Kujtojmë me këtë rast themelimin dhe ndërtimin e shoqërisë në qytet-shtetin e Medinës, me rregullat, kushtet, ligjet dhe të drejtat e shkruara nga vetë Pejgamberi a.s. në Sahifen apo Kartën e Medinës.
Sipas mësimeve të fesë islame, çdo njeri duhet ta dojë vendin e vet dhe e ka për detyrë t'i dal zot atij në rast rreziku. Pra, besimtari i mirë është edhe atdhetar i mirë. Së këndejmi nuk është rastësi që pikërisht nga radhët e ulemasë-dijetarëve shqiptarë myslimanë, kanë dalë atdhetarë të njohur dhe të përkushtuar ndaj atdheut, siç ishin: Haxhi Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Hoxhë Voka, Imam Vehbi Dibra, Hoxhë Kadriu, Mulla Idriz Gjilani, e sa e sa të tjerë që nuk kursyen asgjë për liri. Nuk është rastësi që shumë organizata dhe institucione fetare kanë qenë vatra të organizimit të shqiptarëve në luftën për çlirimin kombëtar.(9) Këtë rrugë dhe praktikë e ndoqën edhe ulemaja jonë e mëvonshme, edhe prijësit tanë të shquar, këtë rrugë e ndoqën edhe nxënësit, studentët e talebet tona, të cilët, së bashku me strukturat e tjera të shoqërisë sonë, kontribuuan fuqishëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit, si dhe për ndërtimin e shtetit dhe konsolidimin e tij.(10) Motoja, “me fe e komb", apo, "me komb e fe" ishte dhe mbeti përkushtimi i tyre i paluhatshëm në rrugën e përhapjes së Islamit, por edhe në mbrojtje të të drejtave kombëtare kundër pushtuesve. Kontributi i hoxhallarëve për vatan nuk u ndal kurrë, por ai vazhdoi deri në luftën tonë çlirimtare ku, vetëm në këtë të fundit, në vijat e para të frontit u vranë 36 hoxhallarë.(11)

Si ta duam atdheun?!

Atdheu kërkon prind të mirë, i cili edukon fëmijët e tij në frymë të shëndoshë e në rrugë të drejtë. Kërkon mësues të mirë, i cili edukon nxënësit dhe i mëson në formën më të mirë të mundshme, kërkon punëtor administrate që u kryen shërbime qytetarëve me ndërgjegje të plotë. Kërkon hoxhë, i cili punon natë e ditë për vetëdijesimin e shoqërisë, i lidhë njerëzit me fenë dhe atdheun e tyre duke u shpjeguar atyre rëndësinë e atdheut, ruajtjen e tij dhe kultivimin e vlerave. Kërkon politikan, i cili nuk merr postin për tjetër pos që t'i shërbejë popullit të vet. Kërkon tregtarë e biznesmenë të mirë, të cilët synojnë ta përparojnë vendin e ta zhvillojnë ekonominë. Kërkon gazetarë të mirë, të cilët mbrojnë vlerat e popullit dhe i përhapin ato. Kërkon policë e ushtarë të mirë, që mbrojnë vatanin me dinjitet nga çdo e ligë e mundshme. Kërkon bujk, që punon tokën mirë dhe me vullnet. Pra kërkon një sensibilizim gjithëpopullorë të çdo individi. Dashuria ndaj atdheut nënkupton që interesi i shtetit, pra i atdheut dhe i shoqërisë, të jetë parësor dhe mbi interesat personale.
Mbrojtja e atdheut me pasuri e me trup, është parim i fesë, dhe llogaritet kontribut i shenjtë, i cili gradohet lart dhe shpërblehet shumë nga Zoti xh.sh.. Mu për këtë, sipas mësimeve të Islamit, ata që mbyten në rrugë të Zotit, shehidët-dëshmorët nuk vdesin. Nga ana tjetër, sipas mësimeve të Islamit tradhtia ndaj atdheut, është ndër mëkatet më të mëdha. Ata që nuk e duan atdheun e tyre, ata që punojnë për të keqen e popullit dhe të vatanit të vet ata nuk i do as Zoti Fuqiplotë, siç ka theksuar Kurani Famëlartë: "Allahu nuk i do ata që tradhtojnë.” (El Enfal, 58).


_______________
1. Ilmihal i Zgjeruar, (Tiranë-Prishtinë-Shkup), 2018. f.16.
2. Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idris Gjilani dhe mbrojtja kombëtare e
Kosovës lindore, 1941-1951, (Prishtinë), 1995, f. 15.
3. Mikel Ndreca, Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, Vatan-i. ar. Vatan- atdhe; tur. atdhe; vendlindje.
4. Naim Tërnava, Morali Islam "Ahlaku" 2, (Prishtinë), 1996.
5. Tirmidhiu, Sunen Et Tirmidhiu, Rijad, Mektebetu el Mearife, botimi i
tretë, 2008, nr. 3926.
6. Buhariu, Sahihu el Buhari, Kajro, Daru el Gadi el Xhedid, 2013, nr. 1889.
7. Buhariu, Sahihu el Buhari, Kajro, Daru el Gadi el Xhedid, 2013. nr. 4083.
8. Tirmidhiu, Sunen Et Tirmidhiu, Rijad, Mektebetu el Mearife, botimi i
tretë. 2008. 1421.
9. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Feja, Kultura dhe tradita islame ndër Shqiptarët, (Simpozium ndërkombëtar) Prishtinë, 1995. f. 534.
10. Naim Ternava, Ligjërime për fenë e atdheun, fjalime, hytbe, urime, deklarata, intervista. (3) Prishtinë, 2023.
11. Shih monografinë: Imamët dëshmorë në luftën e fundit në Kosovë, 1989-1999.



Dituria islame 396


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi