Mahsheri – Dita e Madhe


Vendi i tubimit të përgjithshëm


Po dalim të gjithë nga varri. Atëherë të gjithë do të habitemi. Madje edhe besimtarët do të habiten. Ata i kanë besuar të gjitha çfarë Zoti u tha për këtë ditë. Por nuk e kishin provuar vetë, “live”. Nuk e kishin provuar se si është të dalësh nga dheu, e të pastrosh trupin prej dheut. Nuk e kishin provuar se si është të të formohet përsëri trupi që ke pasur. Pasi ka qenë tretur për shekuj me radhë në dhe.
Dal unë, del edhe ti, edhe ai tjetri. Shpejt gjithë ajo fushë e madhe, mbushet me njerëz që sapo kanë mbirë nga dheu. Ti dhe unë jemi njëri nga miliarda e miliarda qenie njerëzore që sapo kanë mbirë nga toka. Tamam si ato fijet e grurit, kur pasi e ke hedhur farën në tokë, nisin të çajnë dheun. Ky proces në bujqësi zgjat me javë. Nga koha kur toka është e kaftë, e deri kur prej saj dalin fije-fije filizat e parë të grurit. Derisa krejt toka të bëhet e blertë.
Aty pranë teje do të dalë edhe bashkëshortja jote, pak më tej edhe fëmijët, edhe prindërit. Por ata duket sikur nuk kanë asnjë lidhje me ty. Secili habitet me veten e tij. Nuk po të njohin. Pret t`i takosh, por secili është i zënë me hallet e veta.
Pastaj sheh se ajo masë e madhe të ringjallurish, kanë marrë një drejtim. Pa vetëdije të gjithë ecin. Ecin drejt fushës së madhe të Mahsherit. Vendit ku grumbullohen të gjithë.
Disa njerëz ecin duke u habitur për trupin e tyre. Shohin se si në gjymtyrët e tyre ka dritë. Ajo buron nga vetë mishi i tyre. Nga fytyra e tyre. Është vendi ku i prekte uji i abdesit përditë. Sot ai abdes po ua ndriçon fytyrën.(1)
Nga ana tjetër sheh disa njerëz me fytyra të errëta, janë në hall të madh. E kuptojnë se kjo ditë është e tmerrshme për ta. Disa të tjerë qajnë me të madhe, duke thënë: “Ah, na patën thënë pejgamberët për këtë ditë. Por nuk u besuam...!”
Atë ditë do të ketë edhe fytyra të nxira. Të tmerruara. Ata janë jobesimtarët, të ligjtë...(2)
Tashmë të gjithë jemi në një fushë të madhe. Edhe unë edhe ti. Edhe ai apo ajo, që ecnin me eskortë dhe që mund ta shikoje vetëm në televizor. Sot nuk ka më VIP-a. Të gjithë do të jenë aty. Po po, aty dhe të gjithë lakuriq. Si herën e parë kur lindën. Nuk ka më tituj, nuk ka më doktorë shkencash dhe as shkëlqesi. Të gjithë janë aty, duke pritur çfarë do të ndodhë me ta. Askush nuk di asgjë. Askush nuk mund të thotë diçka. Janë të gjithë lakuriq, burra dhe gra. Por askush nuk e ka mendjen të shoh tjetrin. Të gjithë kanë hallet e veta.(3)
Disa janë të qetë, disa janë të tmerruar. Disa kokën e mbajnë ulur me frikë. Disa i kthejnë sytë lart nga qielli.


Vijnë librat

Pastaj një fenomen i habitshëm ndodh. Një turmë e madhe zogjsh që po vjen drejt tyre. Po vijnë shpejt dhe po ulen mbi ta. Nuk qenkan zogj, por qenkan libra. Disave libri u vjen lehtë dhe butësisht në anën e djathtë dhe ata e presin. Është i ndriçuar. Ata e shfletojnë dhe lumturohen. Është libri i veprave të tyre. E shohin të habitur. Shumë kapituj aty kanë marrë notën: I FALUR... I FALUR... I FALUR...
Janë mëkatet e tyre që janë falur. Disa kapitujkanëmarrënotën,SHKËLQYESHËM... I PRANUAR... MIRNJOHJE...
Janë të mirat që bënë. Agjërimet, namazet, sadakatë dhe fjalët e mira që thanë. Janë aty të vërtetat që mbrojtën me gjakun e tyre. Janë aty edhe vitet e burgut që bënë, padrejtësisht. Janë aty edhe lotët e nënave që humbën fëmijët e tyre. Janë aty edhe kamxhikët që provuan në rrugën e Zotit. Janë aty edhe përbuzjet që provuan pse ishin besimtarë. Pse mbanin shaminë apo pse mbanin mjekër.
Hej, shikoni librin tim! - Thërrasin të lumturuar.(4)
Por ka edhe të tjerë që nuk janë si ata. Atyre libri u ka ardhur në krahun e majtë. Libri i tyre është i errët. Kanë frikë ta hapin. Kushedi sa e sa maskarallëqe ka aty. A thua do të jenë shënuar të gjitha? Nisin ta shfletojnë. Ato janë aty të gjitha. Koha kur ka vrarë një zog të vogël pa mëshirë, atëherë kur ishte akoma një djalë i ri. Koha kur ia nxiu jetën gruas sa ishin të martuar. Koha kur u bë financier banke dhe vodhi shumë para. Ai tjetri po sheh se si janë shënuar vendimet gjyqësore që ai ka marrë kur ishte gjykatës. Po sheh se si e futi në burg atë fukaranë, thjesht se i duhej një njeri në burg, për të shpëtuar atë politikanin që vërtet i kishte bërë ato krime.
Edhe ai mohuesi që thoshte se Zoti nuk ekziston, edhe ai po e shfleton librin e tij. Kush pra, kush ma solli këtë libër? Kush më ringjalli? Kush më solli këtu? Ah i mjeri unë, të kisha besuar atëherë kur të gjithë njerëzit besuan. Por sot nuk e di nga t`ia mbajë. Fillon të shikojë shiritin e jetës së vet. Të gjitha horrllëqet që ka bërë, tradhtitë, dallaveret, vjedhjet, kamatën. Sa shumë që është lodhur për t`i fituar ato para të shkreta. Po sot, ku janë? Si ka mundësi që të jem mashtruar kaq keq? A ia vlejti tani? Gjithë ajo garë e madhe për pushtet, famë e pasuri. Gjithë mashtrimet, premtimet, korrupsioni... A ia vlejti sot?
Sot është koha e shpagimit. Sot nuk ka as gjykata, dhe as pushtet që të mbrohet. Të gjithë kanë hallet e veta.
Por më keq, do ta kenë disa të tjerë. Ata që me dijen e tyre u shërbyen zullumqarëve. Ata që justifikonin zullumet e tyre, duke dredhuar ajetet e Kuranit. Ata që justifikonin zullumqarët me bindje të plotë. E për çfarë? Për karrigen e ngrohtë të rektorit të Universitetit, apo të kryetarit të Komunitetit, apo ndoshta edhe për një zarf të mbushur me para? Dje llogaria ishte: Më mirë me zullumqarin, sesa kundër zullumqarit. Por sot? Ku do ta gjeje shefin e tij, zullumqar? Nuk është shumë larg tij në fakt. Diku më tej, duke vajtuar për hallet e veta. Shkon tek ai, që t`i ndihmojë pak. Por ai e përzë, duke i thënë: Zhduku se kam hallet e mia.
Disa të tjerë, akoma po presin. I dinë krimet e veta dhe nuk shpresojnë asgjë të mirë. Duart i kanë pas shpinës, se e dinë që libri do t`u zbresë në dorë. Por libri nuk gabon të zotin e vet. Librat e tyre të ndyrësirave, u përplasen mbi shpinë. Nuk shpëtojnë dot. Edhe ata do ta marrin librin e tyre. Por çfarë të lexojnë? Ai ishte prokurori që ka dënuar me vdekje dhjetëra burra dhe gra të pafajshëm. Ai ka ndarë nënën nga fëmija. Ai ka bërë gjenocid mbi njerëz të pambrojtur. Madje ai kënaqej kur shikonte krijesën e gjallë të vuante prej tij. Sot është koha e shpagimit dhe ai, e di mirë këtë.


Dielli mbi kokë

Papritur skena ndriçohet. Dielli po afrohet mbi kokat e njerëzve. Aty janë me miliarda njerëz, të gjithë duke vuajtur në nxehtësinë e tij. Fillon djersa të kullojë. Nuk po flasim për ballin e lagur. Por nga djersa e tyre, nis të bëhet baltë, në këmbët e tyre. Pastaj pak nga pak, po bëhet pellg me ujë. Pastaj uji ngrihet më shumë, derisa nisin të notojnë në djersën e tyre. Disa gati sa nuk mbyten me djersët e tyre. Skena të tmerrshme, sikur të një anijeje të mbytur... Gjithsesi është vetëm fillimi dhe kjo është vërtet shumë pak, nga ajo që i pret ata...


Vetëm një ditë

Do të jetë vetëm një ditë. Por jo një ditë, si gjithë ditët e tjera. Ajo është një ditë që llogaritet sa 50.000 vjet me ditët e kësaj bote. Aq sa njerëzit dëshpërohen në pritje, lodhen, frikësohen për çfarë i pret dhe ata akoma nuk e kanë parë zjarrin. Disa kanë nisur të bëjnë llogaritë. Sa qëndruam në atë botë? Pyesin njëri-tjetrin. Disa thonë një ditë të vetme si kjo. Janë brezat që kanë jetuar në këtë botë. Disa thonë vetëm një pjesë të saj. Disa madje do të thonë se gjithçka kaluam në atë jetë, ishin thjesht disa orë.(5)
Të gjitha për çka luftuam dhe harxhuam jetën tonë, ishin vetëm për disa çaste që shijuam. E gjitha, a ia vlejti?
Aty në atë fushë të madhe të Mahsherit, disa prej njerëzve do të jenë të qetë. Do të jenë në hijen e Arshit të Allahut. Ndërkohë që pjesa tjetër do të jenë duke u munduar nën tmerrin e diellit mbi kryet e tyre. Këta do të jenë në një vend të lartë, të freskët. Ata janë të zgjedhurit e Allahut të Madhëruar. Për ta nuk do të ketë mundime të tilla. Janë ata njerëz që ishin dashuruar me xhaminë. Ata që duheshin me njëri-tjetrin për hatrin e Allahut. Janë ata që refuzuan tundimet dhe jetuan një jetë të ndershme. E shumë të tjerë që vetëm Allahu i njeh dhe i ka zgjedhur, për atë ditë, të jenë nën hijen e Arshit të Vet.(6)


Shefati

Do të qëndrojmë të gjithë aty duke pritur. Nga mundimi i madh i pritjes, njerëzit do të qajnë derisa lotët t`i shterojnë. Pastaj do qajnë me gjak. Të gjithë duan vetëm diçka. Gjykimi të fillojë. Madje edhe zullumqarët, që e dinë se nuk kanë shpëtim, duan të nisë gjykimi sa më shpejt. Të gjithë duan vetëm të mbarojë kjo fazë. Le të shkojnë në zjarr, vetëm nga aty të largohen. Është shumë e lodhshme dhe e mundimshme. Por ajo fazë nuk mbaron. Njerëzit shkojnë tek Ademi a.s., njeriu i parë. I kërkojnë atij të ndërmjetësojë te Zoti, që ta nisë gjykimin. Por ai refuzon për shkak të lëshimit të tij. Shkojnë pastaj te Nuhu, tek Ibrahimi, te Musai dhe te Isai a.s., por të gjithë refuzojnë. Sepse të gjithë kanë nga një kleçkë të vogël në biografi. Edhe pse të gjitha ato janë të falura dhe të pastruara. Por të gjithë kanë frikë. Deri kur shkojnë tek i dashuri i Allahut, Muhamedi a.s.. Ai e merr përsipër dhe shkon i vetëm para Arshit të Allahut. Aty ai bie në sexhde dhe qëndron ashtu pa lëvizur. Derisa Allahu dërgon një engjëll dhe e ngre atë nga sexhdja.
Pastaj Allahu i Madhëruar i flet: “O Muhamed!” Ndërsa Muhamedi a.s. i përgjigjet: “Po!” Allahu i thotë: “Kërko dhe do të të jepet!” Pejgamberi a.s. thotë: “Më ke premtuar që do të ndërmjetësoj për njerëzimin. Të lutem Allah, nise gjykimin e njerëzimit.”
Allahu thotë: “Pranohet prej teje. Do ta nis gjykimin e njerëzimit.” Pastaj Pejgamberi a.s. largohet dhe bashkohet me pjesën tjetër të turmës.(7)


Paraqitja e madhe

Pastaj diçka tjetër e madhe ndodh. Sot në fakt është dita kur ndodhin gjërat e mëdha.
Një oshtimë e madhe dëgjohet dhe qielli nis të hapet...


____________________________
1. Bazuar në hadithin e Pejgamberit a.s. “Në ditën e gjykimit, ymeti im do të vijë me gjymtyrë të ndriçuara, prej gjurmëve të abdesit.” Mutefekun Alejhi –Teksti është i Muslimit.
2. Abese, 40-42.
3. Bazuar në hadithin e Pejgamberit a.s., transmetuar nga Aisheja r.a: “Atë ditë njerëzit do të ringjallen lakuriq të pabërë synet dhe të zbathur, të vetmuar.” –Thashë: “Burra dhe gra të gjithë bashkë?” –“Të gjithë bashkë moj Aishe. Por çështja është aq e madhe, sa askush nuk ka mendjen të shoh tjetrin.” Mutefekun Alejhi.
4. Frymëzuar nga Kurani, sure Haka, ajetet 19-24.
5. Mu`minunë, 112-113.
6. Bazuar në hadithin e Pejgamberit a.s. që flet për shtatë kategoritë e personave që do të jenë nën hijen e Arshit të Allahut xh.sh., Mutefekun Alejhi 4/449.
7. https://halakat.taimiah.org/index.spx?function=Printabl e&id=967&node=6868#reference2



Eduart Thartori
Dituria Islame 396