Në hapësirat e tij të shumëllojshme, Kurani në mënyrë të dukshme dhe të fshehtë, është i gërshetuar me një mesazh të fuqishëm të largimit nga politeizmi (shirku). Sikur në faqet e Kuranit shohim një “vrenjtje” kundrejt edhe vetëm mendimit se njerëzit ose prodhimet e tyre idhujtare (statujat, idhujt, imazhe kulti, totemet...) mund të hyjnizohen. Gjithashtu, në kapitujt e tij, Kurani në disa vende qorton se politeizëm është kur dikush hyjnizon ndonjë yll, Diellin, Hënën...
Natyrisht, krijimi hyjnor është impozant dhe i fuqishëm. Ai vetvetiu i bën përshtypje njeriut. Universi është aty, përbri shikimit dhe dëgjimit tonë, si mrekulli e pranishme e cila zhvillohet rreth nesh. Është e pamundur që Universi të mos e trajtojë njeriun, të mos e mahnit atë. Kundrejt madhështisë dhe pafundit të Universit është e pamundur të qëndrosh indiferent.
Megjithatë, Kurani porosit se kjo mahnitje me Universin nuk është diç e keqe nëse gjatë kësaj kemi parasysh Krijuesin e gjithçkaje, Një dhe i Vetmi Zot, i Cili krijon të gjitha katet qiellore, i Cili është i Dukshmi (Dhahir), por në një mënyrë njëkohësisht është edhe i Padukshmi (Batin).
Kërkimi i Ibrahimit a.s. për Zotin
Pikërisht ajo që Zoti me krijimin e vet të botëve të panumërta “shfaqet”, por njëkohësisht edhe “fshihet” - është misteri qendror i sekretit hyjnor. Është e mundur që pikërisht në atë sekret të ekzistojë ajo arsyeja kryesore, andaj njerëzit kërkojnë ose kanë kërkuar “ta shohin Zotin në njëmendësi”.(1)
Në këtë kuptim është shumë interesant shembulli i Ibrahimit, të dërguarit të Zotit. Ai ka dëshiruar ta “shihte” Zotin. Rasti i tij është edhe më interesant, ngase në kërkim të Zotit, Një dhe të Vetëm, ai nisi një udhëtim duke u larguar nga hyjnitë e dukshme të rreme të politeizmit. Surja El En?am, 74-79, thotë se Ibrahimi i tha babait të tij, Azerit, t’i refuzonte idhujt e tij si hyjni dhe konsideron se “edhe babai i tij edhe populli e tij janë në humbje të dukshme!”
Ibrahimi pastaj u drejtua në natyrë, ku atij iu shfaq “Mbretëria e Qiejve dhe e Tokës”: “Dhe kur ra nata, ai e pa një yll e tha: “Ky është Zoti im!”, Por, pasi perëndoi ai, tha: ‘Nuk i dua ata që perëndojnë!’. E kur e pa hënën që po lind, ai tha: “Ky është Zoti im!” E pasi që edhe ai perëndoi, ky tha: “Nëse Zoti im nuk më drejton në rrugë të drejtë, unë me siguri do të jem nga ata që kanë humbur.” Por kur e pa diellin si po lind, ai thirri: ‘Ky është Zoti im, ky është më i madh!’ Mirëpo, pasi edhe ai perëndoi, ai tha: ‘O populli im, unë heqë dorë nga ato që ju i bëni shokë! Unë po e drejtoj fytyrën time si besimtar i vërtetë kah Ai që ka krijuar qiejt dhe tokën...!”(2)
Por, filloi nata dhe perëndoi Dielli, muzgu po binte rreth e rrotull... Pjekuria e Ibrahimit atëherë arriti kulmin, e kuptoi se ai duhet të “kthente fytyrën e tij të përkushtimit dhe besimit të pastër tek Ai që krijoi qiejt dhe Tokën!”
Si edhe në vende tjera në Kuran, edhe ky pasazh (6:74-79) ofrohet bujarisht për interpretime mahnitëse.
E para, kërkimi i Ibrahimit për Zotin, Një dhe të Vetëm, në këtë botë të shfaqjeve, paraqitjeve dhe ndryshimeve “materiale” ndjek shtegun nga “më e vogla” te “më e madhja”. Ibrahimi lë statujat dhe idhujt, pranoi yllin e ndritshëm në horizontin qiellor, pastaj e lë atë, pranoi Hënën e ngrohtë, pastaj e lë atë dhe, më në fund, pranoi Diellin përcëllues si ai që iu shfaq si “më i madhi”, pra, më i ndritshmi. Por edhe Diellin e lë, pasi që perëndoi.
E dyta, pikërisht kur atij në këtë botë fenomenesh “materiale” iu shfaq gjëja “më e ndritshme”, vetëm Dielli, Ibrahimi bëri një hap thelbësor shpirtëror në kërkimin e tij për Zotin: Kur perëndoi Dielli, Ibrahimi mësoi: Është Ai i Përhershmi, Ai i Cili është gjithandej, Ai i Cili nuk perëndon! Ai është në kohët e fenomeneve të cilat kanë inkurajuar përkohësisht Ibrahimin, por Ai është edhe përtej atyre kohëve. Ai nga përjetësia e Tij i bashkëpërcakton të gjitha këto, aspak pa e humbur gjithëpraninë e Vet.
E treta, Ibrahimi kuptoi se ylli, Hëna, Dielli ... janë shenja (ajat) të cilat tregojnë për Zotin. Ato vetë nuk janë hyjni. Ky tregim për Ibrahimin tregon se i gjithë Kurani mundet (dhe duhet) të lexohet si një mesazh, i cili e mëson njerëzimin që në botët e panumërta të natyrës të lexohen shenjat që tregojnë për Zotin, Një dhe të Vetëm.
katër zogjtë e Ibrahimit a.s.
Në Kuran, të dërguarit e Zotit i shohim më shpesh si njerëz që jetojnë jetën e tyre tokësore me njerëz të tjerë, gra dhe burra, dhe me këta njerëz - dëshmitarë të besueshëm - ata i përcjellin ditët dhe netët e tyre këtu, rrëzë sferës së Hënës.
Të dërguarit e Zotit jetojnë, ndiejnë dhembje, vuajnë, përmallohen, dashurojnë, emigrojnë, pësojnë, kaplohen dhe preken nga vorbullat e luftës, tmerret e përmbytjeve, tërmeteve, furtunave, stuhive, sëmundjeve... Gjatë gjithë kësaj, ata ishin të dërguarit e Zotit, ata ngulmuan në misionin dhe detyrën e tyre prej të dërguari dhe pejgamberike, për shkak se ata ishin të obliguar ndaj njerëzve të kohës së tyre që t’ua komunikojnë urdhrat dhe porositë e Zotit, udhëzimet shpirtërore, parimet morale.
Nuk është e vështirë të zbulohet se Kurani për të dërguarit e Zotit i flet tërthorazi vetë jetës, ose brenda pulsimeve dhe ndodhive shumëtrajtëshe të jetës. A duhet të thuhet atëherë se jeta e një të dërguari ishte e vështirë?! Gjithsesi, mund të thuhet se nuk ishte e lehtë. Ishte përplot spontanitete dhe paparashikueshmëri. Të dërguarit e Zotit shpesh ishin në skaj të durimit. Kurani shpesh flet për këtë. Surja El Bekare (2:214) përmend sprova të rënda që përjetonin i dërguari dhe pasuesit e tij, madje bërtisnin me zë të lartë: “Kur do të vijë më [ajo] ndihmë e Zotit?!” Ata u ngushëlluan me fjalët: “Ndihma e Zotit është afër, me të vërtetë!” E njëjta sure përmend se “të dërguarit u vranë në drejtësinë e Zotit (pa kurrfarë të drejte)!” (2:61). Fjalët fort të imagjinueshme dhe prekëse përshkruajnë pikëllimin e gjatë të Jakubit a.s. për djalin e tij Jusufi a.s.: “O Jusuf, o dëshpërimi im (O i mjeri unë)!” - fliste Jakubi (krhs. Jusuf, 12:84). Në një vend në Kuran (El Isra’, 17:74) për Muhamedin a.s., thuhet: “Dhe sikur të të mos kishim përforcuar ty, gati u lëshove pe (paganëve), sadopakë qoftë!“ Kjo për Muhamedin a.s. me sa duket thuhet në lidhje me vështirësitë që pësoi dhe duroi gjatë viteve të bojkotit mekas. Sigurisht, ai vuajti edhe më vonë, gjatë fatkeqësive të imigrantëve për në Medinë. Dhe kështu me radhë, ne mund të numëronim sprova të rënda të pësuara nga të dërguarit e Zotit, nga ato edhe se Junusin a.s., e gëlltiti balena (Es Saffat, 37: 142) deri te fakti se Nuhi a.s., duroi tmerret e një përmbytjeje të madhe (El Mu?minun, 23:23-29).
Jo vetëm që Kurani flet për vuajtjet dhe tundimet e mëdha të të dërguarve të Zotit, ky libër gjithashtu na flet për të dërguarit e Zotit të cilët, megjithëse besojnë me ngulm në Zot, i kërkojnë Zotit garanci shtesë për të mbështetur besimin e tyre. Në këto ese e kemi përmendur Musain a.s., i cili kërkoi që “Zoti ti shfaqet, e që Musai ta shohë atë” (El A?raf, 7: 143).
Me këtë rast, një klithmë e rëndë e Ibrahimit a.s., paraardhësi i njerëzimit monoteist, është veçanërisht interesant për ne në suren El Bekare, 2:260): “Zoti im, më mundëso të shoh se si i ngjallë të vdekurit”? Pas paralajmërimit të Zotit: “A nuk beson ti atë?!” - Ibrahimi u përgjigj se beson, por “dëshiron që zemra t’i qetësohet!”(3)
Pasoi urdhri i Zotit drejtuar Ibrahimit: “Merri katër zogj, dhe theri ato, e pastaj në çdo mal vendos nga një pjesë të tyre, mandej thirri ato, do të vijnë ty shpejtë, e dije se Allahu është i Gjithëfuqishmi, i Urti.”(4)
Asgjë më shumë nuk thuhet në Kuran për këtë, nuk thuhet nëse Ibrahimi a.s., mori katër zogj dhe bëri ashtu siç ishte urdhëruar. Duke pasur parasysh mënyrën se si Kurani flet për mrekullitë, duhet të supozohet se Ibrahimi a.s., iu bind urdhrit të Zotit, pasi që ai pasoi pas klithmës së tij: “Zoti im, më mundëso të shoh se si i ngjallë të vdekurit?”
Me anë të një analize kontrastuese të tërësisë së tekstit kuranor, vijmë deri te njohuritë jashtëzakonisht interesante si në vijim:
Surja El En?am, 6:74-79, e tregon mjaft qartë Ibrahimin a.s., si ai që vrojton yllin, Hënën, Diellin, për të gjitha ato veç e veç në të njëjtin çast pohon se është zoti i tij. Por, si perëndojnë ato, ai heq dorë prej tyre, atëherë vjen në pjekurinë se Zoti është Ai që i krijoi të gjitha ato. Pikërisht, Zotit në fund të kërkimit, Ibrahimi a.s. ia kthen fytyrën e vet, i dorëzohet realitetit hyjnor që është përtej yllit, Hënës dhe Diellit, por edhe më afër njeriut sesa ylli, Hëna dhe Dielli…
Së dyti, ashtu siç mori urdhër nga Zoti për të prerë dhe copëtuar katër zogj, Ibrahimi a.s. mori (përmes ëndrrës së vërtetë) urdhrin hyjnor se duhet të sakrifikojë (ther) djalin e vet.(5) Kjo gjithashtu kishte të bënte me kërkesat e fundme të cilat e trajtuan Ibrahimin a.s.. Ibrahimi iu dorëzua Zotit, kështu që Zoti ia gjeti rrugëdaljen...
Së treti, surja El Bekare, 2:258, sjell një dialog midis Ibrahimit a.s., dhe një sundimtari të fuqishëm. Dialogu ka të bëjë për Zotin, si dhe asaj se ç’mundet njeriu dhe ç’mundet Zoti. Në fund, Ibrahimi i tha këtij sundimtari: “Zoti im e lind Diellin nga lindja, bëre pra ti atë nga perëndimi.” Atëherë ai që nuk besoi mbeti i hutuar. Sigurisht, sundimtari tiran nuk mund të bënte një gjë të tillë. Është e pamundur që njeriu të ndikojë në ndryshimin e lëvizjes së Universit.
Duke iu kthyer motivit të “katër zogjve të Ibrahimit”, kurse në lidhje me shumicën e tregimeve të tjera të Kuranit për Ibrahimin, vërejmë se ky motiv, si dhe të tjerët të përmendur këtu, ka të bëjë me krijimin Hyjnor. Komentuesit e Kuranit na bindin se kjo mrekulli me “katër zogjtë” u zhvillua më tej, duke thënë se Ibrahimi a.s. me të vërtetë i “preu” katër zogj të ndryshëm (palloi, shqiponja, korbi dhe gjeli), i përzjeu pjesët e tyre në gjakun e tyre, dhe pastaj i shpërndau në katër male. (Numri katër këtu tregon katër anët kryesore të botës!). Atëherë Ibrahimi i ftoi ato drejt vetes. Ato i erdhën të gjallë, nxituan drejt tij të bindura. Fakti që ato i erdhën nga të katër anët e botës do të thotë që krijimi i Zotit zhvillohet në të gjitha anët e botës.
Le të themi në fund të kësaj eseje se janë të vështira edhe pyetjet edhe përgjigjet për krijimin. Këtë e tregon edhe ky vend në Kuran (2:260). Me fjalë të tjera, që Ibrahimi a.s., të shohë se si Zoti me të vërtetë i ringjall të vdekurit, domethënë se si Ai krijon të gjallën nga e vdekura, ai është dashur të kalojë përmes një përvoje të vështirë, ai duhej të bënte therjen dhe copëtimin e katër zogjve të gjallë! Në njëfarë mënyre, Ibrahimi a.s., duhej të merrte përvojën e vdekjes së këtyre katër zogjve, për të fituar përvojën e krijimit të tyre të serishëm.
______________________
? Enes Kari?, Kako ?itati Kur’an 1, (Sarajevë, 2019), 60-65, 80-83.
1. Krhs.: El Bekare, 2:55; El A?raf, 7:143.
2. Krhs.: El En?am, 6:76-79.
3. El Bekare, 2:260.
4. El Bekare, 2:260.
5. Krhs.: Es Saffat, 37:101-102.
Enes Kariq
Përktheu nga gjuha boshnjake: Dr. Azmir Jusufi