Atëbotë kur robëria dhe pushtimi i egër kishte ngrysur qiellin tonë të kthjellët, çdo aspiratë tjetër pos çlirimit dhe largimit të okupuesit nga pellgu ynë autokton, ishte një luks që as nuk duhej ëndërruar. Duarlidhur, gojëmbyllur e kokulur, s'mund të aspironim ndonjë cilësi në arsim, apo rend ligjor, por as stabilitet ekonomik, apo zhvillim të gjithmbarshëm në vend.
S'mundnim, ngase s'merrnim dot as frymë lirshëm në truallin e trashëguar. Këto preokupime të avancuara, atëherë edhe sot, mbesin privilegj i popujve të mëdhenj. Ne të vegjlit e privuar, ato lukse nuk i gëzonim. Për të krijuar një kapërcyell të lavdishëm të idealeve kombëtare, e për t'i futur në plan tonín preokupimet e popujve të zhvilluar, duhej një vetëdije e lartë shoqërore, e cila do të listonte njëherë e mirë prioritetet e kombit, doemos me fillim nga liria. Njëherësh, duhej të shmangeshin ato "prioritetet" lajthitëse të inskenuara nga dora e pushtuesit hegjemonist, që pos se do ta shtynin lirinë tonë të vonuar, ndoshta edhe do ta fshinin atë në tërësi nga harta e projektit tonë shekullor për mëvetësi.
Shkurti i çdo viti, dhe 17-shi i tij i paharruar, për ne shqiptarët e Kosovës, mbetet data që freskon po atë vetëdije kombëtare dhe rigjeneron mahnitshëm gjithmonë shpirtin tonë atdhedashës. Ajo na detyron të mbajmë sytë kah e ardhmja gjithsesi, porse na thotë me ngulm edhe që të mos harrojmë kurrë ata heronj që e deshën më së miri e më së shumti atdheun tonë të çmuar. Ata që “ikën" nga këtu, për të lënë pas vete namin e flijimit, si vepër kolosale që i bëri të pavdekshëm në histori. Zoti i Madhërishëm, "pavdekësinë" e kësaj kategorie deficite e proklamoi në shpalljen e fundit hyjnore, kur tha: "Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre. Janë të gëzuar me atë që u dha Allahu nga të mirat e Tij,.... (Ali Imran, 169-170). Nëse e kuptojmë idealin sublim që u kalit në shpirtrat e tyre, e kemi të lehtë për të kuptuar edhe arsyen e pavdekësisë së veprës e emrave të tyre. Gjëma e rezistencës së tyre jehoi fuqishëm, sa bëri botën të kthejë kokën, e të dëgjojë më kujdes klithmën e një populli të përvuajtur e pa liri.
Të mëdhenjtë e këtij kombi e të kësaj toke, megjithatë me dëlirësi “lëshuan" vend e rend për ne brezat që erdhëm pas tyre, sikur për të na thënë se edhe ne mund dhe duhet ta duam atdheun, ani pse me diç më pak se sa flijimi për të. Ata ikën, por lanë amanet në duart tona, ngritjen lart të shtetit tonë me sakrifica më modeste, e gjëra më të vogla, paçka se në vitet e paqes ato duket se janë tejet të mëdha. Atdheu e kursen dhe e ruan me çdo kusht jetën tonë bashkë me pasuri, ndërsa kërkon nga ne flijimin, vetëm atëherë kur bëhet i domosdoshëm për shpëtim, dinjitet e pavarësi. Andaj ne, e jo të tjerët, edhe tani mund të bëjmë historinë tonë me heroizmat tonë "modestë", ngase në çdo epokë e nga çdo brez, "historia e shqiptarëve nuk duhet të bëhet nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët", do të thoshte i flijuari për mëvetësinë e kësaj toke, Ukshin Hoti.
Të qëndrojmë në truallin tonë, të mos e braktisim atë për një plaçkë të lirë të kësaj bote, të mbjellim shpirtin e unitetit e mirëkuptimit reciprok, ta duam e ta ruajmë njëri-tjetrin, ta flakim sëmundjen e smirës, urrejtjes e mos durimit ndaj bijve të këtij kombi. Të gjitha tok, e të tjera si këto, mund të duken vepra të pavlera për dikë, porse të tillat mbesin shtyllat themelore të ruajtjes e forcimit të lirisë sonë të vonuar. Pa një edukatë të qëndrueshme e arsimim të mirëfilltë, në njërën anë, si dhe pa besim në Atë Zot që përvijoi shkaqet njerëzore për lirinë tonë dhe mirënjohje të thellë ndaj Tij, në anën tjetër, ne do të mbesim shpirtërisht e kombëtarisht të çorientuar dhe me duart tona rrezikojmë ta njollosim tregimin e triumfit që breza të tërë e aspiruan.
Brezi i sakrificës, na dha emër, dhe e fitoi trofeun e çlirimit e të pavarësisë, e ne sot na ka mbetur për t'u fituar ai i mëkëmbjes së shtetit e i forcimit të mëvetësisë. Këtë tokë e këtë liri e kemi amanet, andaj ruajtja e tij është dëlirësi e dinjitet.
Editorial
Dituria islame 399