Shpërblimi i atyre që u besatuan në Bej’atu Ridvan
“Vërtet Allahu qe i kënaqur me besimtarët, kur ata, nën hijen e asaj peme, të jepnin besën. Ai e dinte mirë se çfarë kishin në zemrat e tyre, prandaj u dhuroi qetësi dhe i përgëzoi me një fitore të afërt (çlirimin e Hajberit). Edhe me pre të tjera (lufte) të mëdha që do t’i fitojnë. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” - (El-Fet’h, 18-19)
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Në ajetet paraprake, Allahu xh.sh. na tregoi për grupin e beduinëve arabë, që nuk iu bashkuan të Dërguarit a.s. në umren e Hudejbijes, duke gjetur arsyetime banale për mospjesëmarrjen e tyre. Por i Madhërishmi ua qet në shesh imanin e tyre të dobët, dhe i sanksionon në një mënyrë që të mos jenë pjesëmarrës në çlirimin e Hajberit, që do të ndodhte pas pak muajsh. Megjithatë, Allahu xh.sh. ua dha rastin që të dëshmoheshin në betejat e tjera të ardhshme, nëse dëshironi ta arrinin kënaqësinë e Tij, të cilën gjë e dëshmuan në vepër në luftën e Hunejnit, pastaj kundër Musejlmee Kedhabit, kundër Bizantit, persianëve etj., ndërkohë që tash në këto dy ajete, sërish flet për besimtarët që iu besatuan Pejgamberit a.s. për besnikëri deri në vdekje, nën hijen e pemës në Hudejbije. Pikërisht, për hir të këtij besatimi, Allahu xh.sh i përgëzoi besimtarët me një fitore të afërt-Hajberin, po edhe me fitore të tjera të mëdha, të cilat nuk do të kishin të ndalur më deri në Ditën e Gjykimit.
Shkaku i zbritjes së ajetit 18
Transmetojnë Ibn Ebi Hatimi dhe Ibn Xheriri nga Ibn Merduvejhi e ky nga Seleme ibn Ekva’ë të ketë thënë: “Përderisa ishim në dremitjen e mesditës (kajlule), e dëgjuam lajmëtarin e Resulullahut s.a.v.s. duke na thirrur. “O ju njerëz, besatimi besatimi”. Tashmë kishte zbritur Shpirti i shenjtë (Xhibrili a.s.), dhe ne të gjithë ngarendëm tek i Dërguari i Allahut, që po qëndronte nën hijen e pemës, dhe ia dhamë besën. Pas kësaj zbriti ajeti: “Vërtet Allahu qe i kënaqur me besimtarët, kur ata, nën hijen e asaj peme, të jepnin besën...”(1)
Koment:
18. Vërtet Allahu qe i kënaqur me besimtarët, kur ata, nën hijen e asaj peme, të jepnin besën. Ai e dinte mirë se çfarë kishin në zemrat e tyre, prandaj u dhuroi qetësi dhe i përgëzoi me një fitore të afërt (çlirimin e Hajberit).
Arritja e kënaqësisë së Allahut është qëllimi dhe synimi final i të gjithë besimtarëve të sinqertë në këtë botë. Zaten, edhe qëllimi i krijimit tonë është adhurimi i Allahut dhe arritja e kënaqësisë së Tij. Allahu i Madhërishëm në suren Et-Tevbe, ajeti 72 thotë: “Besimtarëve dhe besimtareve Allahu u ka premtuar kopshte nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë, dhe vendbanime të bukura, në Xhenetin e Adnit, por lumturia më e madhe është kënaqësia e Allahut. Kjo është fitorja e madhe”.
Ndërsa në një hadith, të cilin e transmeton Ebu Seid el-Hudrij nga i Dërguari i Allahut, citohet të ketë thënë: “Allahu i Madhëruar do t’iu drejtohet banorëve të Xhenetit:
- “O banorë të Xhenetit!”
- “Urdhëro o Zoti ynë! E mira është në duart e Tua” - do të përgjigjen ata.
- “A jeni të kënaqur?” - i pyet Allahu.
- “E si mos të jemi të kënaqur, o Zot, kur na ke dhënë atë që askujt prej krijesave të Tua nuk ia ke dhënë?!” - i përgjigjen.
- “Do t’ju jap diçka edhe më të vlefshme se kjo” - iu thotë Allahu i Madhëruar.
- “O Zoti ynë, po ç’gjë është më e vlefshme se sa kjo?!” - do të pyesin ata.
- “Do t’ju përshkoj me kënaqësinë Time dhe kurrë më nuk do të hidhërohem në ju” - iu thotë Allahu i Madhëruar”.(2)
Pikërisht për këtë arsye, ajeti i 18-të i sures El-Fet’h, , është ajet përgëzues për të gjitha ata që u besatuan në Hudejbije, sepse i ka përshkuar mëshira dhe kënaqësia e të Madhit Zot, kur ata ia jepnin besën të Dërguarit a.s., se nuk do të ktheheshin në Medinë, pa e marrë hakun e Uthmanit r.a., dhe nesër në Ahiret, do të jenë njerëzit më fatlumë, duke qenë nën hijen e mëshirës dhe kënaqësisë së Allahut ndaj tyre. Allahu xh.sh. i ka përgëzuar këta njerëz, sepse e dinte se zemrat e tyre vlonin nga imani i pastër, andaj zbriti qetësi në zemrat e tyre dhe i forcoi edhe më tepër në besim, duke iu premtuar fitore të reja kundër armiqve, së pari në Hajber,(3) e pastaj edhe shpërblimin me xhenet në Ahiret.
Në lidhje me këta sahabinj të sinqertë në besimin e tyre, numri i të cilëve ishte afërsisht 1400, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., në një transmetim që e përcjell Xhabiri r.a. ka thënë: “Ju jeni njerëzit më të mirë në Tokë.”(4) , ndërsa në një hadith tjetër, po për këta njerëz besnikë, i Dërguari a.s. ka thënë: “Në dashtë Allahu, askush prej këtyre që u besatuan nën pemë, nuk do të hyjë në Xhehenem.”(5)
Teksa i rikthehemi sërish kujtesës historike, sikur na dalin para syve ato pamje madhështore të besatimit të sahabëve, pamje që ta ngrenë moralin dhe të japin motiv për të vazhduar tutje në rrugën e Thirrjes. Ky qëndrim stoik i sahabëve të “Bej’atu-r Rridvan”, dhe radhët e ngjeshura të luftëtarëve sypatrembur myslimanë, që i dhanë siguri të plotë të Dërguarit a.s., që t’ia mësynte Mekës për ta nënshtruar, duhet të na shërbejë të gjithë neve si thirrës në rrugën e Allahut, që ta stolisim veten me këto parime të larta të altruizmit e të sakrificës, për ta formuar një personalitet të pathyeshëm te brezi i ri, që kur udhëheqësi kërkon të mbrohet besimi, atdheu dhe nderi i nëpërkëmbur, të mbrohet edhe me forcë, por kur prijësi kërkon që armët të heshtin për t’i lënë vend negociatave dhe arritjes së paqes, ata të jenë të dëgjueshëm dhe t’i nënshtrohen urdhrit të tij.
19. edhe me pre të tjera (lufte) të mëdha që do t’i fitojnë. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.
I Lartmadhërishmi, u premtoi atyre që u besatuan në Hudejbije, pasuri të mëdha lufte, të cilat do t’i fitonin së shpejti, pas kthimit në Medinë. Atë që Allahu ua ka premtuar besimtarëve, gjithmonë e ka realizuar, dhe vërtet, pa kaluar as disa muaj, ushtria myslimane ia mësyu fortifikatave të hebrenjve në Hajber, duke i marrë dhe çliruar ato, dhe i Dërguari i Allahut, ashtu siç e kishte porositur e urdhëruar Allahu Fuqiplotë, këtë pre të luftës ua ndau vetëm atyre që ishin me të në Hudejbije.Kalorësve ua ndau nga dy hise, e këmbësorëve nga një.(6)
Çlirimi i Hajberit, ishte vetëm fillimi i çlirimeve të mëdha islame që do të pasonin, e prej atyre çlirimeve më madhështore do të ishte çlirimi i Mekës, pa luftë, me se iu hap rruga thirrjes islame, që të depërtonte me shpejtësi në tërë Gadishullin Arabik. Allahu është i Urtë në përcaktimet e Tij, dhe i Plotfuqishëm që ta realizojë çdo premtim apo kërcënim të Tij.
Porosia e këtyre ajeteve
- Allahu i Madhërishëm, u premtoi shpërblime të mëdha të gjithë atyre që u besatuan në Hudejbije. Shpërblimi më i madh për besimtarët, ishte se Allahu qe i kënaqur ndaj tyre, kur u besatuan nën hijen e pemës, duke zbritur prehje e qetësi në zemrat e tyre dhe duke i fuqizuar moralisht me një forcë dhe elan të madh imanor. Ai e kishte parë në zemrat e tyre sinqeritetin dhe besnikërinë që e kishin shprehur ndaj të Dërguarit a.s.,, ndërkohë që pas këtij besatimi, i Madhërishmi ua kishte premtuar edhe çlirimin e Hajberit, menjëherë pas disa muajsh, në pasuritë e të cilës luftë i kishte vërë hisedar vetëm ata që kishin qenë në besatimin e Bej’atu-Rridvan në Hudejbije, e pas Hajberit, do të pasonte çlirimi i Mekës, e më vonë edhe shumë e shumë beteja të lavdishme kundër romakëve dhe persianëve.
- vijon –
_________________________
1. Lubabu-n-nukul fi esbabi-n-nuzul, f. 236.
2. Sahihu-l Buhariu, (nr. 7518); Muslimi (nr. 2829); Sahih Ibn Hibban, nr. 7440. (Hadithi është i kategorisë ‘sahih’).
3. Shih më gjerësisht tefsirin e Taberiut, Xhamiu-l Bejan an te’vili ajil Kuran, Kajro, 2001, vëll. 21, f. 278. (redaktuar nga dr. Abdullah Turki).
4. Sahihul Buhari (El-Fet’h, nr. 4145); Imam Shemsuddin edh-Dhehebi, Sijer a’ëlami-n-nubelai (es-Siretu-n-nebevijjeh-2), Bejrut, 1996, ff. 29- 30.
5. Sahihu Muslim (Kreu: Vlera e sahabëve 4/1942, hadithi nr. 2496).
6. Grup dijetarësh nga Az’hari i ndershëm, Et-Tefsiru-l Vesit li-l Kurani-l Kerim, Kajro, 1992, vëll. 9, f. 1003.
Sabri Bajgora